MagazineMAIN

I paskrupullt dhe pa parime: Kush ishte Roi Kon, mentori kryesor i Donald Trumpit

Disa figura historike, duket se rriten pas çdo kthesë të madhe kulturore ose politike. Roi Kon ishte njëri nga ata. Si këshilltar kryesor i senatorit Xhozef Mekarthi, ai nxiti frikën dhe ngacmimet e lidhura me “Frikën ndaj të Kuqve”.

Fillimisht një democrat, Kon e lidhi ngushtësisht veten me Partinë Republikane duke ecur përpara dhe shfaqur plotësisht oportunizmin e tij. Kon ishte një homoseksual i fshehur. Ai do të binte viktimë e sëmundjes së SIDA-s në vitin 1986. E megjithatë, ai i përdori mënyrat e tij të frikësimit, për të spastruar çdo punonjës të dyshuar si homoseksual nga qeveria amerikane.

Nga Mekarthizmi, tek lidhja me mafian, dhe tutela ndaj Donald Trumpit. Sipas çdo lloj vlerësimi objektiv, Roi Kon ishte realisht një bastard i paskrupullt. Po kush ishte ky njeri, dhe si arriti të kishte kaq shumë ndikim në politikën amerikane?

Kon lindi në 20 shkurt 1927 në Nju Jork. I ati Albert Kon, ishte gjyqtar në Divizionin e Apelit të Gjykatës Supreme të Shtetit të Nju Jorkut, ndaj kishte shumë pushtet. E ëma Dora Markus, i qëndroi mbi kokë djalit të saj të talentuar, që shfaqi padyshim një intelekt të spikatur për moshën e tij.

Kur ishte 20 vjeç, Kon mbaroi studimet në Universitetin e Kolumbias pas drejtësi. “Ai ishte një djalë i ri agresiv dhe arrogant”-do të kujtonte më vonë një bashkëmoshatar i tij. Roi u emërua ndihmës i kryeprokurorit, duke u fokusuar tek aktivitetet subversive, që së shpejti do të “çimentonin” trashëgiminë e tij.

Ishte gjyqi ndaj Xhulius dhe Etel Rozenberg, 2 shtetas amerikanë të akuzuar për spiunazh për llogari të sovjetikëve, duke iu shitur atyre sekretet e armës atomike, ku Kon ra në sy. Gjyqi i vitit 1951, nisi në gjykatën federale të distriktit jugor të Nju Jorkut.

Çifti Rosenberg dhe i pandehuri tjetër Morton Sabëll, thanë se nuk ishin fajtorë. Emanuel dhe Aleksanër Blok ishin avokatët e tyre, ndërsa Roi Kon përfaqësonte akuzën. Atë vit, histeria mbi komunistët subversive, që kishin depërtuan në postet e larta të administratës amerikane, ishte në kulmin e saj.

Në fakt, nuk kishte asnjë provë të drejtpërdrejtë se Rozenbergët ishin fajtorë. Ishte Roi Kon ai që arriti të marrë një rrëfim nga vëllai i Etel Rozenberg, Dejvid Gringlas, që çoi në vdekjen e të dyve. Gringlass punonte si makinist në Laboratorin Kombëtar të Los Alamos, dhe kishte qasje tek personat dhe dokumentet që kishin të bënin me zhvillimin e bombës bërthamore nga ana e SHBA-së.

Kunati i tij, Xhulius Rozenberg, ishte pushuar nga puna pasi qe anëtar i Partisë Komuniste Amerikane. Dejvid Gringlass u dënua me 15 vjet burg. Më vonë, ai vonë pranoi se Roi Kon

i kishte bërë presion që ta inkriminonte motrën e tij si një spiune sovjetike. Në një intervistë për emisionin “60 Minuta”, Gringlas e pranoi se kishte gënjyer.

Ai nuk e kishte parë kurrë të motrën, që t’u jepte sovjetikëve ndonjë sokument sekret. Rozenbergërve iu ofrua një marrëveshje:të pranonin fajin, dhe do t’u falej jeta. Ata refuzuan, dhe për pasojë u ekzekutuan në karrigen elektrike më 6 prill 1951. Ndërkohë Sabëll u dënua me 30 vjet burg.

Ishte pikërisht ai gjyq, që zbuloi për herë të parë metodat mizore që përdorte Kon. Taktikat justifikoheshin me efikasitetin e tyre, edhe nëse ato dërguan drejt vdekjes njerëz, që ndoshta nuk kanë qenë kurrë fajtorë për krimin për të cilin u dënuan.

Pas këtij gjyqi, Kon nisi të punojë për kreun e FBI-së J.Edgar Huver dhe senatorin Mekarthi. Kon dhe Mekarthi u përpoqën të rritnin ndjenjën antikomuniste, duke pretenduar se rusët i kishin shndërruar punonjësit e qeverisë amerikane në spiunë, duke i shantazhuar ata me dëshmitë e homoseksualizmit të tyre.

Kjo qasje ishte aq e suksesshme, saqë presidenti Duajt D.Ajzenhauer nënshkroi një urdhër ekzekutiv më 29 prill 1953, që i ndalonte homoseksualët të punonin për qeverinë federale.

G.Dejvid Shin, një propagandues i njohur anti-komunist, u miqësua shpejt me Kon.

Të dy madje kaluan 18 ditë duke vizituar bazat ushtarake, për të “parë nëse ka mbeturina dhe keqmenaxhim”, dhe për të vlerësuar nëse amerikanët jashtë vendit ishin mjaftueshëm të ndërgjegjshëm për rreziqet e komunizmit. Kur Shin u rekrutua në ushtri, Kon bëri të gjitha përpjekjet për t’i siguruar atij trajtim preferencial.

Ai madje kërcënoi se do të “shkatërronte ushtrinë”, në rast se nuk plotësoheshin me kërkesat e tij. Ishte kjo armiqësi dhe agresion, si dhe pretendimi i Mekarthit se komunistët kishin depërtuar deri në Departamentin e Mbrojtjes, ai që çoi në seancat dëgjimorë për ushtrinë në vitin 1954.

Por ajo që dukej si një arritje e madhe për të dy, do të kthehej shpejt kundër tyre. Ushtria i akuzoi që të dy për shantazh dhe presione të pahijshëm në lidhje me Shin. Nga ana e tyre të pandehurit, e akuzuan ushtrinë se po mbante qëllimisht “peng” ushtarin Shin, për të penguar hetimin e Mekarthit mbi komunistët e dyshuar në ushtri.

Një nga momentet më kulmore, ishte kur këshilltari special i ushtrisë, Xhozef N.Uelsh, e akuzoi Kon për falsifikimin e një fotografie që përshkruante Shin në një moment intim me ushtarakun Robert T.Stivens. Ai moment e dëmtoi imazhin e senatorit, ndërsa Kon u tërhoq me elegancë nga skena.

Ai u largua nga Uashingtoni, dhe u rikthye në Nju Jork, për të vazhduar punën e tij si avokat. Ai përfaqësoi që të gjithë, nga Kisha Katolike, tek bosët e mafias, Rupert Murdok, dhe Donald Trump. Kon këshilloi një jurist të ri si Roxher Stoun. Ky i fundit, do të bëhej një figurë e njohur për presidentin Riçard Nikson, para se të punonte për zgjedhjen e Donald Trumpit president. Kon u takua për herë të parë me Trump në një klub nate në qytetin e Nju Jorkut në vitin 1973. Trump ishte ende në të 20-tat, dhe po përballej me një sërë gjyqesh për praktikat e tij raciste të strehimit. “Unë e kam ndjekur karrierën tuaj. Ju jeni paksa i çmendur si unë, dhe jeni kundër establishmentit. A mund të vij t’ju takoj një ditë?”. Trump pranoi menjëherë. “Pikëpamja ime është t’u them atyre të shkojnë në ferr. Dhe t’i luftoj në gjykatë”- tha ai.

Kon ishte shumë popullor në mesin e elitës, dhe grumbulloi një rreth të gjerë miqsh të famshëm, të kthyer më pas në klientë. “Roi do të kishte gjithjë për një strategji sulmi. Këto ishin rregullat e ‘luftës’. Ju nuk luftoni dot në terrnin e dikujt tjetër; ju përcaktoni se për çfarë do të bëhet debati. Unë mendoj se Trump do ta mësonte këtë nga Roi. Unë vetë mësova këtë gjë nga Roi”- deklaroi Stoun.

Dosjet e FBI mbi Kon të publikuara në vitin 2019, zbuluan se Donald Trump do të shprehej i pikëlluar në një moment të vështirë:“Ku është Roi Koni im?”. Dosjet treguan se sa i korruptuar ishte në fakt ai. Nga përfaqësimi në gjyq i mafiozëve Karmine Galante dhe Toni Salerno, deri tek skandali i vitit 1986 për mashtrimin e klientëve të tij, ligësia  tij me sa duket nuk kishte kufij.

Homoseksualiteti i tij, ishte ndoshta e vetmja gjë për të cilën ndjeu turp.

“Kushëriri im Roi Markus Kon– këshilltar i senatorit Xho Mekarthi, këshilltar i bosëve të mafias, mentor i Donald Trumpit – nuk kishte thuajse asnjë parim”- shkruan në një libër David Markus. “Ai i goditi hebrenjtë, edhe pse ishte hebre. Ai i rrënoi demokratët, edhe pse ishte demokrat. Ai i persekutoi homoseksualët, edhe pse vetë ishte një i tillë!”.

Kon jetoi i izoluar deri në vdekjen e tij nga SIDA më 2 gusht 1986, disa javë pas skandalit. Ai la pas trashëgiminë e një oportunisti të paskrupullt. Mendimet e tij mbi Donald Trumpin, të dhëna gjatë një interviste të vitit 1984, janë shumë domëthënëse: “Donald Trump është ndoshta një nga emrat më të rëndësishëm sot në Amerikë. Ai që e nisi rrugëtimin si një meteor nga Nju Jorku, do të shkojë lart e më lart, do ta prekë këtë vend dhe pjesë të tjera të botës. Donald dëshiron të jetë fitimtari më i madh nga të gjithë!”. / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button