Magazine

Idetë? Nuk janë keq, por në politikë fiton marketingu dhe spin doctor-ët

Të harrojmë propagandën e vjetër, programet elektorale, tribunat televizive: sot zgjedhjet fitohen me strategji tregu, analiza statistikore, slogane me efekt të fortë, sms të personalizuara, rrjete sociale dhe aplikacione

Parti të qëndrueshme, zgjedhës besnikë, mitingje dhe manifeste? Harrojini të gjitha këto. Politika sot është është një gjë krejt tjetër, dhe zgjedhjet aktuale presidenciale në Amerikë e konfirmojnë. Sot, në fazën e të ashtuquajturës Politika 2.0, fushatat elektorale dominohen nga përdorimi masiv i marketingut politik dhe nga segmentizimi i elektoratit, nga analizat statistikore dhe nga beteja deri në sondazhin e fundit të opinionit. Dhe natyrisht, nga mediat e reja, mjetet e rinj të komunikimit, rrjetet sociale, arenat e reja të një përplasjeje që sot luftohet nga faqja e Facebookut apo deri në cicërimën më të fundit në Twitter, por pa injoruar praninë në shfaqjet televizive popullore, apo në emisionin e argëtimit. Gjithçka mund të bëhet, në kërkim të një suksesi, i cili mund të jetë në fije të perit dhe mund të përcaktohet nga gjetja e sloganit të duhur. Tregu

Politika si marketing mëson se zgjedhësit nuk janë asnjëherë homogjenë, nuk janë asnjëherë të ndarë në shtresa dhe nëngrupe, sipas tipareve demografike dhe sociale, secila me pritshmëritë, ambiciet dhe dëshirat e veta.

Për shembull, është “i pavëmendshmi” që duhet kapur me çdo kusht përmes sloganeve; “pensionisti”, i ndjeshëm ndaj temës së shpenzimeve publike; “skolastiku”, i vëmendshëm ndaj arsimit; “shtëpiakja”, që do të dijë vetëm se si do të kapë fundin e muajit. Për të mbërritur tek të gjithë shtresat e popullsisë ka forma të reja komunikimi: jo vetëm televizioni, por edhe interneti, sms-të, aplikacionet, emailet, domethënë dërgimi i letrave të rezervuara për disa kategori njerëzish, organizimi i takimeve me njerëz që i përkasin një segmenti të caktuar, programet apo reklamat që kanë impakt të ndryshëm për shtresa të ndryshme, sipas grupeve të cilëve u drejtohen.

Kemi mbërritur në pikën ku, ajo që thuhet dhe ajo që bëhet nuk është më e rëndësishme. E rëndësishme është “të jesh”. Në këtë kuptim, vlen koncepti i të ashtuquajturës “luftë asimetrike”, sipas të cilit në mungesë të një fushëbeteje të mirëpërcaktuar, gjithçka shndërrohet në vend përplasjeje dhe si pasojë, asgjë nuk duhet të nënvlerësohet: as karta elektorale, as faqja

e gazetës, prania në mediat klasike si radio dhe televizioni. Por ndeshja luhet edhe në internet, në mediat e reja, në faqet e dedikuara, në forume, në blogje.

Çështje “kornizash”
Përdoren “kornizat” e marketingut politik që kanë qëllimin të joshin duke informuar, edhe përmes rolit të ri që ka marrë gjuha: jo vetëm “politikishtja” e klasave të dikurshme politike, por një gjuhë e thjeshtë, pranë njerëzve, në gjendje të përfshijë dhe të emocionojë. Të gjithë kujtojnë mënyra të shprehuri si “Po, ne mundemi”, që u përdor nga Barak Obama në fushatën e vitit 2008.
Slogani ka zënë vendin e argumentave: askush nuk kujton më programin politik të partive, por vetëm sloganet e tyre, etiketat. Sot, gjëja më e rëndësishme është të krijosh korniza, të cilat përmbajnë një vizion të caktuar të botës. Në Amerikë, për shembull, termi “lehtësim fiskal” i pagëzuar nga republikanët, komunikon se taksat janë një gjë e papëlqyeshme dhe që bota do të ishte një vend më i mirë pa to. Në Itali, Silvio Berlusconi bëri të njëjtën gjë me sloganin “Më pak taksa për të gjithë”, që shumë shpejt u bë i famshëm edhe prej parodive të shumta që iu bënë. Një tjetër kornizë e përshtatur nga Kavalieri është ajo e “lirisë”, kundër kurtheve të burokracisë dhe indiferencës së shtetit. Më së fundmi, edhe udhëheqësi i PD, Matteo Renzi ka përdorur korniza, të cilat kanë rezultuar efikase. Një spikat mbi të gjitha, ajo e “thyesit”, që nënkupton politikën e re e cila i kundërvihet ideve “të vjetra” të partive. Kornizat nuk janë asnjëherë komplekse, por janë në gjendje të komunikojnë një vizion të tërë të botës.

“Spin doctors” në terren

Një rol të rëndësishëm luajnë të ashtuquajturit “spin doctors”, një term i cili është huazuar nga bejsbolli, ku me fjalën spin nënkuptohet efekti që i jepet topit kur lëshohet, një veprim i cili tregon për “kthesën”, apo “prerjen” që këta konsulentë dinë t’u japin lajmeve. Janë konsulentët strategë të kandidatit, ata që kurojnë komunikimin dhe imazhin e tij, duke i sugjeruar se si të shprehet, si të vishet dhe cilët gjeste të bëjë apo të mos bëjë. Më të famshmit e kësaj kategorie janë ndoshta Majkëll Divër, konsulent i Ronald Reganit, Bernard Ingam, spin doctor i Margaret Theçerit, Alastar Kempbëll, i cili ndihmoi Toni Blerin të futet në politikën angleze dhe të qëndrojë në pozicion të fortë nga 1997 deri në 2003, Karl Rov, këshilltar i Bushit. Spin doctor- ët konsolidojnë besueshmërinë e kandidatit, duke njollosur atë të kundërshtarit dhe duke shpërqëndruar shtypin dhe opinionin publik nga temat e sikletshme për atë që këshillojnë, duke i dhënë vlerë më shumë anës njerëzore: mendoni për shembull historinë e dashurisë mes Karla Brunit dhe Nikola Sarkozisë, e cila ndikoi jo pak në fushatën elektorale në vitin 2007. Ç’mund të bëjë qytetari?

Po si mund të mbrohen qytetarët nga fushatat e marketingut të partive? Eshtë shumë e vështirë të mbrohesh nga bombardimi mediatik, të cilit i nënshtrohen. Një mënyrë do të ishte ajo e kërkimit të fjalëve kyçe të përdorura nga propaganda politike, duke i analizuar për atë që janë: lëvizje taktike për manipulimin e pjesëve më të thella të psikikës së individit. Kush ka detyrën të strukturojë mesazhin politiko-propagandistiko-elektoral e di përsosmërisht se cilët janë veprimet dhe për të mso rënë në kurth, zgjedhësit i duhet vetëm të dijë të njohë elementin e mashtrimit. Një përpjekje që nuk e bëjnë dot të gjithë. Zgjedhësit i duhet të bëjë një punë të vëmendshme analizimi dhe të vlerësojë në mënyrë kritike qëllimin e atyre që përdorin fjalë të caktuara, me qëllim e vetëm që të jenë tërheqëse.

Marrë me shkurtime nga Airone – Në shqip nga Bota.al

Leave a Reply

Back to top button