Analiza

INTERVISTA / Lufta e Tretë? Po asnjëri nuk ka para për ta bërë…

intervista lufta e trete“Sanksionet janë të kotë. Nëse duhet goditur vërtetë arroganca e Putinit, atëherë duhet synuar çlirimi i Europës nga energjia që furnizohet prej Rusisë”. Profesorit dhe politologut Edward Luttwak nuk i mungojnë asnjëherë zgjidhjet drastike. Edhe për krizën e Ukrainës, ka gati një recetë të menjëhershme. Nga njëra anë bojkotimi i gazit rus, nga ana tjetër një ftesë eksplicite rusëve të kamur që të lënë Rusinë dhe të transferohen në perëndim.

Ju besoni se jemi para një përkeqësimi të krizës?

Nuk ka nevojë të imagjinohet një skenar edhe më i rëndë se ky që kemi para syve. E dimë të gjithë që projekti i Dumës ruse është që të ndahet më dysh Ukraina, dhe të formohet me pjesën lindore një Rusi e Re, që më pas do të futej në shtratin e Kremlinit. Kemi mbyllur sytë para Krimesë, që në fund të fundit ishte si një ishull, me një të kaluar të turbullt sa i përket përkatësisë territoriale. Tani sulmi është në të gjithë frontin, në lindje të lumit Dnepr. Mosreagimi për Europën do të ishte vetëvrasje.

Cfarë e ka penguar deri tani Putinin për të çuar deri në fund misionin e tij?

Dy gjëra: largimi i kapitalit, që në muajt e fundit është shtuar dhe ai i trurit. Njerëzit me mend ia kanë frikën izolimit nacionalist që Putini dëshiron t’i imponojë vendit, dhe që tani po mbajnë radhë në aeroportin e Tel Avivit, ku rusët shkojnë pa viza, për të braktisur më pas Rusinë.

Po a nuk rrethohet Putini nga një pakt mes oligarkëve?

Mbase nga një oligarki politike, sigurisht jo nga një e tillë ekonomike, e cila që në fillim ishte kundër aventurës ukrainase. Jo, mbështetja vjen kryesisht nga populli, në sytë e të cilit Putini ka rizgjuar instiktet bazë të nacionalizmit. Putini është binjaku i Erdoganit: triumfatorë të mëdhenj garash elektorale, që janë i vetmi moment pothuajse demokratik i vendeve autoritarë që qeverisin.

A do e vënë në vështirësi sanksionet e rinj?

Jo më shumë nga sa ka ndodhur me sanksionet që janë në fuqi. Dhe në mungesë të një lidershipi amerikan, rruga e parandalimit ushtarak është e pamendueshme. Shikoni, objektivat e rinj ekspansionistë të Rusisë janë një problem mbi të gjitha i Europës, dhe është Europa që duhet të marrë iniciativën.

Si?

Duhet shpallur emergjenca politike, dhe mbi këtë bazë duhet miratuar sa më shpejt realizimi i 20-40 rigazifikuesve që të transformojnë gazin natyror të lëngët të amerikanëve, apo furnizuesve të tjerë ndërkombëtarë. Brenda shtatë viteve, kjo masë do e bënte pluhur e hi ekonominë ruse.

Zbatimi i një projekti të tillë është pak më kompleks nga sa thoni ju.

Sepse rigazifikuesit pengohen nga fijet legjislative dhe nga kundërshtimet e ambientalistëve. Nevojitet kurajo politike e një lideri që të presë fijet burokratike dhe të udhëheqë fushatën.

Keni ndonjë në mendje?

Përse jo, Matteo Renzi. Në Uashington e ka fituar tashmë reputacionin si kryeministri italian i brezit të ri që mund të reformojë sistemin në vendin e tij. Përse të mos i besohet përgjegjësia për të çliruar Europën nga shtrëngimi rus?

Po SHBA çfarë duhet të bëjnë?

Një gjë shumë të thjeshtë: të thjeshtësojnë procedurat e dhënies së vizave dhe të lejojë që, kush ka, le të themi 5 milionë për të investuar në një llogari amerikane në këmbim të një leje qëndrimi, mund ta blejë pa shumë komplikime burokratikë. Të pasurit rusë do të vinin me vrap dhe do e linin të vetëm patriarkun lakuriq.

A jemi të rrezikuar nga një luftë botërore siç thonë në Kiev?

Jo, askush nuk e do dhe askush nuk ka burimet për ta bërë. Por Europa, në këtë krizë, ka edhe një herë mundësinë të tregojë një unitet qëllimesh dhe një strategji që deri tani, përballë emergjencave të tjera, ka treguar se i mungon. Nuk është kurrë vonë dhe uroj që do të dijë të shfrytëzojë rastin për t’iu kundërvënë arrogancës së Putinit.(Messagero)

Edward Nicolae Luttwak (1942) është strateg ushtarak amerikan, politolog dhe historian, që ka botuar libra mbi strategjinë ushtarake, historinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare

Leave a Reply

Back to top button