Nunc est Bibendum

INTERVISTA / Robert Wilton: “Ashtu si letërsia, vera shijon ma mir n’vend t’vet”

 

Edhe njëherë vera ftoi një mik të Nunc Est Bibendum të ndante me ne ndijime, përshtypje, kujtime. Një romancier, përkthyes, aktor dhe diplomat, kësaj here. Anglez nga lindja, ai mbart një pasion për kulturën e shqiptarëve, librat e filmat e vjetër, merret me kanotazh e përkthim poezish (vlejnë të theksohen interpretimi i Migjenit si dhe i Shakespeare-it), është bashkë-themelues i shoqatës bamirëse për arsimimin e femijëve të margjinalizuar “The Ideas Partnership”, i interesuar që herët për Ballkanin. Robert Wilton është një tjetër mik, qytetar i botës dhe i dyti britanik që na “viziton” në Nunc Est Bibendum, pas Pilaff Beut (Norman Douglas). Është gjithmonë interesante t’i lexosh këta rrugëtarë e shijues të vemëndshëm.

 A e mbani mend shijimin tuaj të parë të verës, Z. Wilton? Kur ka qenë?

Si fëmijë, një herë në vit, një gotë vere të kuqe, për drekën e Krishtlindjes, me lejen dhe me insistimin e babait: kështu ndihet pragu i moshës madhore!

Cila është/janë verërat tuaja të preferuara?

  1. Shampanja: kudo, kurdo, gjithmonë. 2. Vera e vendit.

Si letërsia, si njerëzia, si zakoni, vera shijon ma e fortë, ma e bukur, me cilësinë e saj ma të spikatur, në vetë vendin e saj. Ngulmoj në restorante në Shqipëri, me pi venë të Shqipërisë.

Njëfarë H Warner Allen ka thënë: “Nëna natyrë kishte ndërmend të kuqen kur bëri verën”. Po sipas jush?

Ndoshta z. Warner Allen nuk kishte plane aktive për mbasdite. Nuk më pëlqejnë rregullat e rrepta për shijim: zgjedhja varet krejt me moment, me atmosferë, me klimë, me instinkt, me tekë.

Ç’mendim keni për verërat shqiptare, nëse i keni shijuar ato?

Mendim të lartë! Kisha me preferue që Shqiptarët – sidomos pronarët e restoranteve – të kishin me qenë ma krenar për verën e tyre. Gëzohem që tash ka një lëvizje në mikpritjen këtu – mendoj për përvojat e bukura tek restoranet Mullixhiu, Tradita (në Shkodër), Mrizi i Zanave, Etnik (në Tiranë), dhe Rapsodia – me e kremtue dhe me e zhvillue traditën gastronomike të Shqipërisë.

Sa e rëndësishme është vera sot në jetën tuaj?

Mendoj se ma e rëndësishme në jetën time janë ato raste – sidomos rastet mes miqve – kur vera përshtatet natyrshëm.

Për poetin më të madh të gjermanëve, “Jeta është tepër e shkurtër për të pirë verëra mediokre”. Po për Z. Wilton?

Shpresoj që jeta të kish me qenë mjaft e gjatë me e shijue diversitetin.

Andi Qinami

 

Leave a Reply

Back to top button