Analiza

INTERVISTA / “Rusia e ka vendosur, do i shesë gaz Kinës. Dhe do të jetë revolucion”

rusia e ka vendosur“Edhe për disa vjet, Europa nuk do të ketë alternativa ndaj furnizimit me gaz nga Rusia. Por, edhe për kompanitë e mëdha amerikane të naftës si dhe për të gjithë tregun energjetik botëror, një ashpërsim i sanksioneve ndaj Moskës do të kishte pasoja të rënda: kanë të drejtë ata që thonë se vendimet e sotëm do të kenë ndikim për dekada të tëra në tregtinë botërore”.

Daniel Yergin, një prej ekspertëve më të dëgjuar dhe të respektuar ndërkombëtarë të tregjeve të energjisë, lëshon alarm për përshkallëzimin e konfliktit në Ukrainën lindore. Analisti, i cili konsiderohet historiani më i madh i industrisë së naftës, falë librave të vlerësuar si “The Quest” dhe mbi të gjitha “The Prize” me të cilin ka fituar çmimin Pulitzer, rrëfen se në kontaktet që ka me krerët e grupeve të mëdhenj të energjisë percepton më shumë një ndjesi humbjeje, se sa kundërshtimi ndaj masave të mundshme kufizuese të trafikut.

Operatorët që janë të angazhuar fuqishëm në Rusi, nga Shell tek Eni, e dinin me siguri që atje do të kishin edhe risqe politikë. Apo, nafta dhe gazi merren aty ku ndodhen.

E vërtetë, por në rastin e Rusisë ka ndodhur diçka më shumë. Kanë qenë vetë qeveritë, duke nisur nga ajo amerikane, që u bënë ftesë kompanive të mëdha që të investojnë masivisht në këtë vend. Dhe pavarësisht risqeve politikë. Madje, pikërisht prej kësaj: mendohej që, nëse do të zgjerohej bashkëpunimi ekonomik i Moskës me perëndimin, duke krijuar kështu interesa reciprokë e të pazgjidhshëm, Kremlini dalëngadalë do të hiqte dorë nga agresiviteti, apo nga tundimi i kundërvënies politiko-strategjike me SHBA dhe Europën. Por Putini i hodhi në erë të gjithë këto llogaritje. Presidenti rus rrezikon shumë, por tani Perëndimi nuk di si të reagojë. Duhet të shfaqë vendosmëri, por nuk mund të injorojë faktin që pasojat e një embargoje të zgjeruar për sektorë të tërë të ekonomisë, si energjia, do të jenë shumë të rënda.

Cilat mendoni se janë tendencat, në rast të një përkeqësimi të konfliktit?

Në thelb janë tre: një zhvendosje e furnizimit të gazit rus, nga Europa tek Kina, rënie e investimeve të huaj në Rusi dhe një intensifikim i përpjekjeve për të zëvendësuar gazin që Europa e blen sot nga Moska, me LNG-në, gazi natyror amerikan që do të eksportohet në formë të lëngët përmes Atlantikut. Por duhen vite për të përgatitur impiantet. Të gjithë sot përpiqen të bëjnë marrëveshje me SHBA, të cilat kanë zbuluar rezerva shumë të mëdha. Furnizimi i parë do të vijë vetëm në 2015-2016-ën, dhe vetëm duke filluar nga viti 2018 do të jenë një faktor i rëndësishëm për Europën. Në vitin 2021, Amerika do të jetë eksportuesi i parë botëror i gazit.

Një model biznesi krejt i ndryshëm për kompanitë e mëdha të hidrokarbureve.

Epo nuk mund të kalohet nga një model në tjetrin, pa dhimbje. Siç po ju thoja, këto kompani po investojnë masivisht në Rusi prej të paktën njëzetë vitesh, të shtyra nga vetë qeveritë e tyre. Projekte që shpesh herë, për kthimin e investimit duan një periudhë 30 apo 40 vjeçare. Sigurisht që nuk mund të largohen me sot, me nesër. Tronditja është e fortë. Besoj që, edhe nëse kriza do të zgjidhet, herët a vonë grupet e mëdhenj do të mendohen shumë, përpara se të bëjnë investime afatgjatë në Rusi.

Kush rrezikon më shumë? Ku do të merren vendimet më të rëndësishëm dhe më të vështirë?

SHBA janë gjithmonë vendimtare, në planin strategjik, por edhe si fuqi energjetike. Por këtë herë, vendimet më të rëndësishëm do të merren në Berlin. Gjermania është qëndrore jo vetëm për angazhimin e fortë në Rusi të grupeve të saj të mëdhenj industrialë, si dhe për importet e mëdhenj të gazit rus, por edhe sepse ajo po humbet konkurueshmëri pikërisht në frontin e energjisë: ka investuar shumë në energji alternative, më të pastra por edhe më të kushtueshme. Pa gazin rus, konkurueshmëria e sistemit ekonomik do të kompromentohej më shumë.

Gazi rus në drejtim të Kinës është një kërcënim, apo është duke u bërë realitet?

Moska e kishte bërë zgjedhjen e saj tashmë, dhe për arsye ekonomike: kërkesa nga Europa është në rënie. Recesioni dhe demografia nuk inkurajojnë. Rusia ka nevojë të shesë më shumë gaz dhe rritja mund të vijë vetëm nga Azia. Kriza ukrainase e thekson më shumë këtë shtytje të Moskës drejt Pekinit. Por Pekini është i vendosur të negociojë fort mbi çmimet e Moskës. Dhe rusët nuk duan të heqin dorë nga çmimet me të cilët ua shesin europianëve.

Leave a Reply

Back to top button