Shkence

Jeni të sigurtë që ekzistoni?

Mund të jemi simulime në një kompjuter. Apo mund të jemi të rrethuar nga zombie. Por, nëse keni dyshime, ndoshta ekzistoni

existenceJemi të sigurtë që ekzistojmë? Po t’i qëndrojmë bonsensit, po. Por, nëse i qëndrojmë rigorozisht logjikës, është më e vështirë ta pohosh. Kush na thotë që gjithçka që ndodh përreth nesh nuk është thjeshtë një iluzion? Dihet që shqisat tona mund të na gënjejnë. Sikur të jetë vetëm një ëndërr? E nëse personat e tjerë janë vetëm avatarë të një simulimi në kompjuter? Një filozof irlandez, George Berkeley (1685-1753) kish mbërritur në konkluzionin që i ashtuquajturi realitet është vetëm mënyra se si ne perceptojmë idetë, jomateriale, të Zotit. Por përgjigja më bindëse u parashtrua, në një ditë të papërcaktuar të vitit 1637, nga filozofi francez Rene Descartes. Ai u përgjigj në latinisht, cogito ergo sum: mendoj, pra ekzistoj. Kjo është e vetmja siguri e mundshme, sipas Descartes, përpara një dyshimi që filozofi e shtrin deri sa hedh hipotezën e ekzistencës së një xhindi keqdashës që vazhdimisht na gënjen për gjithçka, duke na krijuar përshtypjen false të të ekzistuarit. E megjithatë, qoftë edhe vetëm për t’u gënjyer, njeriu duhet të ekzistojë në një farë mënyre. Dhe pikërisht sepse dyshon, e domethënë mendon, njeriu është i sigurtë që ekziston. Të paktën si substancë që mendon.
Krijuar nga alienë?
Që atëherë, njerëzit nuk kanë pushuar së dyshuari. Pikësëpari për përgjigjen e dhënë nga Descartes. Dhe xhindi i keq që trembte filozofin francez mund të zverdhet përpara monstrave teknologjike që sot sfidojnë vetëdijen tonë të pasigurtë të të ekzistuarit. Kompjuterët janë tashmë mjaftueshëm të fuqishëm, këmbëngulin ekspertët, sa të na lejojnë të krijojmë botë alternative, qytetërime virtualë dhe të përparuar që, në një të ardhme jo shumë të largët, mund të përmbajnë qenie me vetëdije dhe autonome si ne. Për Nick Bostrom, filozof në Universitetin e Oxford, është e mundur që realiteti ynë është një simulim i kryer nga alienë. Si mund ta zbulojmë? Nuk do të kemi asnjë mundësi, të paktën sa kohë që para syve nuk na shfaqet papritur një mesazh: “Po jeton në një simulim”. Apo nëse transportohemi në botën e alienëve (që mund të jetë në vetvete një simulim i kryer nga një tjetër qytetërim). Robin Hanson, ekonomist i George Mason University në Virginia ka zhvilluar një teori pakëz më të ndryshme dhe ndoshta edhe më shqetësuese. “Mbi të gjitha”, shpjegon, “edhe nëse do ta zbulonin, ata që e kryejnë stimulimin do të bënin një kthim pas të shpejtë dhe do të eleminonin zbulimin tonë: nuk mund ta kuptojmë”.
Dhe ka një tjetër problem. “Po t’i qëndrojmë logjikës, simulimet me dimensione modestë duhet të jenë shumë më të mëdha në numër se sa ata kompleksë, më të vështirë për t’u krijuar. Pra është e mundur që unë jam duke jetuar në një simulim ku unë jam e vetmja qenie që ndien dhe gjithë të tjerët janë… zombie”.
Nëse mendoj, ekzistoj. Apo jo?
Në këtë mënyrë do të jemi kthyer praktikisht në pikën ku na ka lënë Descartes: mund të jem i sigurtë vetëm për ekzistencën time, për aq sa dyshoj dhe mendoj. Gjithë pjesa tjetër mund të jetë iluzion-simulim. Përvec se nëse shkenca e sotme mund të shkatërrojmë edhe gurthemeli të fundit. Në fakt neuroshkencëtarët kanë vënë gjithnjë e më shumë në dyshim që njerëzit të kenë vullnetin, lirinë e veprimit. Në fakt shumë shpesh zgjedhim pa menduar dhe vetëm më pas justifikojmë me arsyetim zgjedhjet tona. “Mund të jem edhe unë një zombie, pa aftësinë për të dashur diçka dhe pa e kuptuar”, thotë Paul Skokowski, filozof në Universitetin e Stanfordit.
Zombiet ekzistojnë
Gjenetisti italian Edoardo Boncinelli rimerr zombiet mes personazheve të filmave horror. “Si mund të dyshoj që ekzistoj? Për mua nuk ka kuptim pyetja. Për Descartes ishte një gjetje retorike. Supozojmë që dikush më bën një shaka dhe më gënjen për gjithçka, sidoqoftë unë vetë nuk mund të gënjej vetveten për ekzistencën time. Mund të dyshoj që jam një burrë, por të ekzistuarit shndërrohet në siguri sapo ngre pyetjen. Mund të jem një shaka e natyrës, ndoshta jam, mund të jem një zombie, por kjo nuk do të thotë që unë nuk ekzistoj”. Dhe filozofi i shkencës Giulio Giorello, që bashkë me Boncinellin ka shkruajtur një libër për këtë temë merr një shembull. “Erich Fromm na ka sjellë prej kohësh shembullin e një hipnotizuesi i cili vinte në gjumë të tjerët dhe u sugjeronte që kur të rizgjoheshin të kërkonin një dorëshkrim. Dhe, nëse nuk e gjenin, do të thonin që ua kishte vjedhur një mik. Kështu ndodhte. Por në atë pikë shfaqet një personazh i katërt që, duke injoruar eksperimentin, bindet që i hipnotizuari thotë të vërtetën. Kemi përdorur këtë shembull”, thotë Giorello, “për të theksuar se sa rëndësi ka kuptimi i duhur i situatës. Shkurt, vëzhguesi nuk e kupton dot: ai nuk e di që subjekti është hipnotizuar”. Por është e lehtë ta mësojë dhe të zbulojë të vërtetën, nëse kupton të gjithë situatën. /Messaggero/
PERSHTATI: BOTA.AL

Leave a Reply

Back to top button