Horizonti.al

Jeta vazhdon brenda trupit edhe pas vdekjes, ja provat

Trupi vazhdon të punojë për të riparuar veten pas vdekjes, sipas një studimi të ri provokues që mund të ofrojë një mundësi se si mund të lëmë në pritje gjumin e madh…

Edhe pasi dikush është deklaruar i vdekur , jeta vazhdon në trup, sugjeron një studim i ri i çuditshëm, dhe me implikime të rëndësishme. Aktivitetit i gjeneve – kur informacioni i ruajtur në ADN, konvertohet në udhëzime për të prodhuar proteina apo molekula të tjera – rritet ne fakt në disa raste pas vdekjes, sipas një artikulli të ri studimor, që gjurmon aktivitetin postmortem dhe që është botuar në revistën “Open Biology”.

“Jo të gjitha qelizat kanë ‘vdekur’, kur vdes një organizëm”- shprehet autori kryesor i studimit, Piter Nobëll nga Universiteti i Uashingtonit dhe Universiteti Shtetëror i Alabamës. “Llojet e ndryshme qelizore kanë jetëzgjatësi të ndryshme, kohë të ndryshme gjenerimi dhe elasticitet ndaj stresit ekstrem”. Në fakt, disa qeliza duket se përpiqen të jetojnë edhe pasi organizmi ka vdekur. “Ka të ngjarë që disa qeliza të mbeten gjallë dhe përpiqen të riparojnë vetveten, veçanërisht qelizat burimore “- shprehet Nobëll.

Shenjat e jetës qelizore

Ekipi ndërkombëtar i shkencëtarëve, i drejtuar nga Aleks Pozhitkov, studiuan peshqit zebra dhe minjtë, dhe besojnë se fenomeni ndodh tek të gjitha kafshët, përfshirë edhe njerëzit. Transkriptimi i gjenit – hapi i parë i shprehjes së tij, ku një segment i ADN-së kopjohet në ARN – të lidhur me stresin, imunitetin, inflamacionin, kancerin dhe faktorë të tjerë u rrit pas vdekjes.

Dhe kjo mund të ndodhë brenda disa orëve apo edhe ditëve, pasi individi si i tërë është shpallur i vdekur. Interesante është që transkriptimi i gjenit që lidhet me zhvillimin embrional, gjithashtu rritej. Është sikur pjesët e trupit në thelb të zhvendosen pas në kohë, duke treguar karakteristikat qelizore të zhvillimit shumë të hershëm të njeriut.

Muzgu i vdekjes

Hulumtuesit identifikuan një “mbyllje graduale” pas vdekjes, ku disa transkriptime gjenetike u zvogëluan, ndërsa të tjerat u bënë më të bollshme. Ndërsa hapat e saktë mbeten ende për t’u përcaktuar, shkencëtarët nuk besojnë se procesi është i rastësishëm. “Vdekja është një proces i varur nga koha”- thotë Nobëll. “Ne ia kemi përshtatur diskutimin tonë mbi vdekjen ‘kohës postmortem’, pasi nga njëra anë s’ka asnjë arsye për të dyshuar se disa minuta pasi ngordh një kafshë, transkriptimi i gjenit do të ndalet papritur”.

“Nga ana tjetër”- shtoi ai -“ne e dimë se brenda pak orësh deri në disa ditë, trupi i kafshës do të dekompozohet nga proceset natyrore, dhe transkriptimi i gjenit do të përfundojë”. Autorët iu referuan dritares së kohës midis “vdekjes dhe fillimin e dekompozimit si ‘muzgu i vdekjes’- kur ndodh shprehja e gjeneve, por jo të gjitha qelizat kanë vdekur”.

Për vite me radhë, shkencëtarët kanë vërejtur se marrësit e organeve të dhuruara si mëlçia, pas transplantimit shpesh shfaqin një rritje të rrezikut nga kanceri. Autorët tregojnë se mund të ketë një lidhje midis transkriptimit të gjeneve gjatë “muzgut të vdekjes” dhe kësaj rritje të rrezikut nga kanceri. “Mund të jetë i dobishëm parakontrolli i organeve që përdoren për transplantim, për rritjen e transkriptevetë gjeneve të kancerit”- thotë Nobëll, çka mund të ofrojë një pasqyrë mbi shëndetin e organit, ndërsa janë të nevojshme më shumë hulumtime.

Lënia në pritje e vdekjes

Ashim Malhotra, asistent profesor në Universitetin Paqësor në Oregon, që nuk ishte përfshirë në këtë studim, shpreson që eksperimentet e Nobëll, Pozhitkov dhe ekipit të tyre të mund të përsëriten me marrjen e më shumë mostrave – ndoshta duke shkuar përtej 48 orëve – për të kuptuar më mirë dinamikën e identifikuar transkriptionale. Përderisa studimi i ri, është hetimi i parë gjithëpërfshirës për të vlerësuar ndryshimet në transkriptimin gjenetik pas vdekjes së organizmit, mbeten shumë pikëpyetje.

Malhotra madje ngriti pyetjen e madhe të ngjalljes së të vdekurit të supozuar. Ai pyet nëse tanimë mund të jetë e mundur që vdekja “të lihet në pritje”, nëse proceset molekulare që shkaktojnë vdekjen qelizore mund të përcaktohen më tej, dhe nëse shkencëtarët do të mund të zhvillojnë mënyra specifike për të “ndërprerë fikjen e tyre”. 

Arne Traulsen nga Instituti Maks Plank për Biologjinë Evolucionare, shprehu gjithashtu kënaqësinë mbi kërkimet e ardhshme mbi këtë çështje. “Unë mendoj se ky mund të jetë fillimi i një analize më të detajuar, se si proceset pushojnë pas vdekjes së organizmit”- shpjegon Traulsen për “Seeker”.

“Në shpirt, vdekja është ndoshta më shumë si një kompjuter dhe më pak si një llambë që fiket”- shtoi ai, duke iu referuar fikjes së kompjuterit si një proces gradual që përfshin ndërlikime. “Në një moment ne do të shohim pasojat e kësaj, por s’do të habitesha nëse ky studimi i ri ofron njohuri krejtësisht të reja për funksionimin e sistemeve biologjike komplekse”.

Marrë me shkurtime nga “Seeker” – www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button