Psikologji

Ka ardhur koha që kemi miq virtualë, të cilët na qëndrojnë më pranë se disa nga miqtë që i shohim përditë…

Bota virtuale është shndërruar në një pjesë të pandashme të jetës sonë dhe askush prej nesh nuk mund të mbijetojë dot pa pasur kontakte me të. Ne e kemi të nevojshme të mbajmë kontakte me njerëz të tjerë dhe në njëfarë mënyre, pavarësisht aspekteve të shumta negative që ka teknologjia dixhitale, ajo ka të mirë faktin që na mban të lidhur me njerëzit anembanë botës.

Edhe pse dihet tashmë që asgjë nuk mund ta zëvendësojë prezencën e dikujt, apo një bisedë ballë për ballë me dikë, përsëri ne kemi arritur në një kohë kur po ndërtojmë marrëdhënie tepër intime edhe me personat që nuk i njohim personalisht. Të gjithë ne kemi njohur dikë në rrjetet sociale që jeton larg nesh dhe që ndoshta as që e dinte se ku ndodhej vendi ynë, deri në momentin që ka biseduar me ne. Të gjithë ne kemi arritur të hyjmë në komunikim me dikë që s’e njihnim më parë, por që na ka falur një siguri të brendshme për t’u hapur me të. Ndoshta është pikërisht largësia dhe fakti që nuk e njohim personin tjetër, ato që na shtyjnë të flasim hapur edhe për gjërat tona personale. Ndoshta është mungesa e komunikimit me ata që kemi pranë…

Arsyet janë të shumta, por që përfundimi është i njëjtë. Ne kemi arritur në një pikë, kur ata që na rrethojnë i ndiejmë shumë të largët, dhe ata që ndodhen larg nesh mund të arrijmë t’i ndiejmë shumë të afërt me ne. Dalim për kafe me miqtë dhe ndërkohë që përpiqemi të flasim me ta, i shohim që janë zhytur në botën virtuale dhe nuk po na dëgjojnë. Kjo gjë normalisht sjell ftohtësi dhe vendos një barrierë në marrëdhëniet tona. Ndërsa virtualisht ne mund të gjejmë persona me të njëjtat interesa me tonat dhe të përfshihemi në një komunikim të tillë që të na bëjë të ndihemi më të afërt me ta. Kemi arritur në kohën kur bota virtuale po i afron distancat, dhe prezencat reale po i shtojnë distancat në marrëdhënie…

Leave a Reply

Back to top button