Nunc est Bibendum

Kaloritë e verës, në etiketa?

Bashkimi Europian i ka dhënë industrisë së verës një vit kohë për të konceptuar një skemë vetërregulluese, që përmirëson etiketimin lidhur me informacionin mbi treguesit e masës së të ushqyerit dhe përbërësve të asaj çka i ofrohet konsumatorit.
Nuk ka asnjë arsye pse prodhuesit e verës nuk duhet të japin informacion më të plotë mbi përbërësit dhe vlerat ushqimore të verës, thotë një raport i ri i publikuar nga Komisioni Evropian.
Por, zyrtarë të Komisionit njoftuan dy-tri javë më parë se ata nuk do të imponojnë rregulla të forta të etiketimit në verë, birrë dhe pije alkoolike, tani për tani. Prodhuesve do t’u jepet një mundësi, për të ndëmarrë ata vetë, më shumë veprime “vullnetare” lidhur me mënyrën se si do t’i paraqesin në të ardhmen, informacionet mbi etiketë për konsumatorin. Informacioni mbi vlerat ushqyese dhe përbërësit, në etiketa, mbetet çështje e diskutueshme në botën e verës, edhe pse vihet re një rritje gjithnjë e më e madhe e e mbështetësve të treguesve kalorikë në etiketa.
Aktualisht për pije alkolike që kalojnë 1.2% gradë alkolike shprehur në vëllim, ekziston një përjashtim i veçantë nga rregullat e etiketimit të ushqimit të BE-së, që do të thotë se prodhuesi nuk ka detyrimin të ofrojë informacion mbi vlerat ushqyese, të tilla si kaloritë, ose përbërësit – përveç rasteve kur një përbërës është një alergjen i provuar, si p.sh. sulfiti.
Sipas Komisionit Evropian prodhuesit e verës, gjatë vitit të ardhshëm, duhet të zhvillojnë një propozim “vetë-rregullues” që përmirëson sasinë e informacionit në dispozicion për konsumatorët. Për Komisionerin Evropian për sigurinë e shëndetit dhe të ushqimit, Vytenis Andriukaitis, raporti i sipërpërmendur mbështet të drejtën e njerëzve në Bashkimin Evropian, për të qenë plotësisht të informuar në lidhje me atë që ata pijnë. Janë të shumtë ata që mendojnë se nuk ka në fakt një një bazë objektive, që justifikon mungesën e listës së përbërësve dhe informacionit të vlerave ushqyese, mbi pijet alkoolike në etiketat e tyre. Disa prodhues dhe shitës mbështesin në mënyrë të veçantë etiketimin që evidenton kalori tek verërat. Sidomos në Mbretërinë e Bashkuar, supermarkete të rëndësishme kanë mbështetur evidentimin e kalorive në shishet, në vitet e fundit. Të tjerë gjejnë më me vend dhënien e informacionit online, sesa përmes etiketës.
Nuk e dimë ç‘mendim kanë për këtë verëtarët e prodhuesit shqiptarë, të cilët nuk shquhen për komunikime shumë ezauruese përmes etiketave të tyre, por për Ignacio Sánchez Recarte, sekretar i përgjithshëm i i Organizatës Evropiane të prodhuesve të Verës (CEEV): “Tani sfida është e jona, dhe ne e përqafojmë përgjegjësinë”. / Nunc Est Bibendum

Leave a Reply

Back to top button