Psikologji

Këto janë mësimet më të rëndësishme që kam nxjerrë prej parave. Duhet t’i keni parasysh

Aeroportet janë vende të çuditshme, pasi të gjithë të flasin edhe pa të njohur. Isha duke qëndruar një ditë në pritje të nisjes së avionit tim, ndërkohë e kisha lënë çantën time përtokë. Përballë meje qëndronte një grua e moshuar duke lexuar një revistë. Ajo i ngriti sytë nga revista dhe më tha: “Mos e lër çantën në tokë”. Mendova se e kishte fjalën për sigurinë, pasi ishte më pak e sigurtë duke e lënë atje (ndonjë hajdut mund ta vidhte e të largohej pa u ndjerë), por më vonë ajo më tha se e kishte fjalën për nënvlerësimin e parasë. Sipas saj, duke e lënë çantën time përtokë, unë nuk po respektoja punën që kisha bërë për ta blerë atë çantë dhe lekët që mund të kisha brenda saj. Sa më shumë e mendoj tashmë, aq më shumë i jap të drejtë.

Nëse i vendos lekët në tokë, tregon shumë pak respekt për to dhe për punën që ke bërë për t’i siguruar ato lekë. Unë po tregohesha neglizhent, pasi paratë mund të më humbnin, ose dikush të m’i vidhte. Pra, mësimi i parë që kam nxjerrë për lekët, është se duhet t’u japim atyre rëndësinë që kanë. Vlera e parasë sigurisht që është e ndryshme për secilin nga ne, por për aq sa i kemi synimet dhe mundësitë tona, duhet të tregojmë respekt për paranë dhe sigurisht, ta mbrojmë atë. Nuk ka gjë më të mirë se kursimi, mundohu përditë të heqësh sadopak lekë mënjanë. Do të të duhen padyshim në një kohë të vështirë dhe do të të nxjerrin nga situata.

Mësimi i dytë dhe po ashtu i rëndësishëm që kam nxjerrë prej parave, është se nuk duhet t’i konsiderojmë ato si të mirëqena. Kur i lë paratë pa i kontrolluar, e kupton se sa lehtë mund t’i humbasësh. Sistemet e pagesave automatike dhe online në ditët e sotme, e kanë lehtësuar shumë jetën tonë, por duhet edhe t’i kontrollojmë. Janë mënyra më e lehtë për të humbur paratë, nëse nuk je i vëmendshëm. Më ka rastisur të më vijnë emaile me blerje që nuk i kam bërë unë dhe jam detyruar të telefonoj bankën për informacione dhe për të anuluar pagesat. Ndaj, bëni kujdes me lekët dhe kontrollojeni vazhdimisht llogarinë tuaj bankare për çdo anomali.

Back to top button