Kinema & TV

KINEMA / Historia e “Pulp Fiction”, 20 vjet më vonë

pulp fictionRoger Avary dhe Quentin Tarantino janë të frustruar. Të dy janë njohur duke punuar në Video Archives të Manhattan Beach, në Kaliforni. Janë miq dhe të apasionuar pas kinemasë. Do të donin të ishin regjisorë të një filmi të tyrin. Quentin e ka provuar me “Ditëlindja e mikut tim më të mirë”, që ka mbetur i paplotë. Ka shitur dy skenarë, “Një jetë në maksimum” dhe “Vrasës të lindur”, por është i pakënaqur. Së bashku mendojnë të bëjnë një film të shkurtër, por e dinë që filmi i shkurtër më pas ezaurohet në vetvete, nuk bën kërcimin që duhet. Atëherë, duke menduar për “Më i huaj se parajsa” të Jim Jarmusch dhe “Tre fytyrat e frikës” të Mario Bavas, kanë një ide: një film me episode, një i Tarantinos, një i Avary dhe një i një regjisori të tretë hipotetik. Frymëzohen nga “Maska e Zezë”, revista Pulp ku kanë shkruajtur Hammett, Chandler dhe të tjerë. Histori të malavitës në Los Angeles. “Histori të ndara, që janë rrëfyer miliona herë, por këtë herë shpresojmë t’i cojmë në një nivel që nuk është parë asnjëherë”, thotë Quentin. Ideja është ajo e një gangsteri që duhet të nxjerrë shëtitje bashkëshorten e bosit, një boksieri që trukon një ndeshje dhe një grabitje që ka përfunduar keq (që në realitet do të bëhet Reservoir Dogs). Po, sepse ndërkohë Quentin ka takuar Lawrence Benderin, i cili i ka mundësuar të realizojë “Reservoir Dogs”, falë ndërhyrjes së Harvey Keitel.

Në vitin 1991, Tarantino nuk ka mbaruar ende së shkruari episodin e tij, kur takon Stacey Sher. Kjo sapo është bashkuar me Danny DeViton dhe Michael Shambergun për të krijuar Jersey Production dhe janë në kërkim të projekteve. “Reservoir Dogs” nuk ka dalë ende, por ka filluar të flitet. Quentin thotë se po punon për “Pulp Fiction”. Sher bëhet kurioze, e takon me DeViton që thotë: “E dëgjova për dhjetë minuta, duke menduar që ndoshta kisha takuar dikë që fliste më shpejt se Scorsese. Më tej i thashë që dua një marrëveshje për filmin tënd të ardhshëm, cilido qoftë ai”. Pak javë më vonë, Tarantino dhe Bender firmosin, si “A Band Apart”, me Jersey Film për të zhvilluar projektin “Pulp Fiction”. Më pas, Sher përfshin edhe “Tristar”-in në projekt duke i mundësuar Tarantinos që të ketë 900 mijë dollarë në dispozicion, për skenarin dhe regjinë. Kështu mbërrijmë në pranverën e 1992, Tarantino është në Europë, “Reservoir Dogs” do të shfaqet në Kanë, pas Sundance Festival. Qyteti i tij i preferuar është Amsterdami. Aty mund të shohë filma në anglisht, mund të tymosë marijuanë ligjërisht dhe mund të shmangë zilen e telefonit që në Los Angeles bie papushim, duke mos e lejuar të punojë. Mbush një valixhe me romane policorë dhe blloqe shënimesh dhe niset për në Amsterdam, ku merr me qera një apartament të vogël. “Kam jetuar një eksperiencë shumë të bukur të shkruari, nuk më duhej të shqetësohesha për paratë. Përmes rrethanave fatlume gjeta një apartament përballë një kanali. Mund të ngrihesha, të pija 12 filxhanë kafe, dhe të shkruaja”.

Në një intervistë për Peter Brunette në lidhje me filmin “Reservoir Dogs” ndodhet edhe embrioni i dialogut të “Pulp Fiction” mes Travoltës dhe Jacksonit, thotë Quentin: “Nuk kisha qenë asnjëherë jashtë vendit, më pëlqente të shkoja tek McDonald’s. Dallimi? Në Paris shërbejnë birrë dhe as nuk e dinë cfarë është Quarter Pound, kanë sistemin metrik prandaj quhet Royale with Cheese”.

Në fund, Quentin punon për më shumë se një vit për skenarin, nga i cili tre muaj në Holandë, duke shtuar episodin e vrasësve Vincent dhe Jules, që vendos ta shfaqë edhe pas të shtënave, në mëngjes në lokal, dhe bashkon tre episodet. Frymëzimi këtë herë vjen nga J.D.Salinger: “Kur lexon historitë e tij mbi familjen Glass, të gjithë vijnë e bëhen bashkë për të rrëfyer një histori të madhe”. Që do të rezultonte në 500 faqe të shkruajtura me dorë. “Për mua është gjithmonë moment i rëndësishëm kur ulem të shkruaj një skenar të ri, kur shkoj të blej blloqet që do të përdor. Eshtë ritual”, thotë. Por produkti final nuk shihet me sy, është plot me gabime ortografikë. “Shkrimi im është i palexueshëm, kështu që kur mbaroj përpiqem t’ua jam miqve për ta shtypur në makinë”. Për “Pulp Fiction”, mikesha ishte Linda Chen që thotë “shkrimi i tij është shumë i keq. Eshtë një analfabet funksional. Kishte afro 9000 gabime gramatikorë për cdo faqe. Pasi i kisha korrigjuar, ai donte t’i rikthente sepse i pëlqenin”. Kontributi i Avaryt në skenar është kontrovers. Edhe Roger shkoi në Amsterdam, por më pas u kthye për regjinë e filmit të tij debutues “Killing Zoe”.

Mike Medavoy, përgjegjës për produksionin tek “Columbia-Tristar” nuk është i kënaqur me projektin. Kërkon, mes të tjerash, të eleminojë skenën e kokës që shpërthen brenda makinës për shkak të një të shtëne të gabuar. Quentin thotë që është argëtuese. Medavoy nuk kupton dhe largohet nga projekti. Atëherë, Benderi i drejtohet Bob dhe Harvey Weinsteinit, që sapo kanë krijuar “Miramax”-in.

Eshtë një situatë e vështirë sepse edhe Harvey është dyshues, por në fund, pas një telefonate të tensionuar, pranon. “Pulp Fiction” bëhet i pari film që i jepet drita jeshile nga e sapolindura “Miramax”. Tetë milionë e gjysmë dollarë. Por përplasjet nuk kanë marë fund, lidhen dhe me aktorët. Weinsteini nuk e do Travoltën. Quentin nuk bën lëshim. Edhe për Uma Thurmanin ka dyshime.

Ndërsa Bruce Willisi nuk paraqet probleme. Në fund, të gjithë aktorët pranojnë të paguhen vetëm 20 mijë dollarë në javë, përballë një njëpërqindëshi mbi fitimet e mundshëm. Filmi paraqitet në Kanë, mes shumë pritshmërive dhe dyshimeve. Projektimi është në mesnatë. Eshtë një goditje e fortë, triumfuese. Clint Eastwood është president i jurisë, dhe “Pulp Fiction” merr “Palmën e Artë”. Harvey Weinstein rezulton gjenial në promovimin e filmit, dhe pavarësisht një daljeje të limituar, filmi funksionon mirë. Në fund fiton më shumë se 213 milionë dollarë në nivel botëror (po të rivlerësohen sot, janë pothuajse dyfishi), një shifër që nuk është arritur asnjëherë nga një film i pavarur. Në mars fiton edhe “Oscar”-in. “Pulp Fiction” ka shtatë kandidime. Filmi, regjia, protagonisti, Travolta, jo protagonistët Jackson dhe Thurman, montazhi dhe skenari origjinal. Oscar-i i jepet mes të parëve, teksa Tarantino thotë se do të jetë i vetmi i mbrëmjes. “Pulp Fiction”-i ribëri kufijtë e kinemasë sa i përket rrëfimit, strukturës, dialogjeve dhe paparashikueshmërisë. Nuk është e tepër që ta krahasosh Tarantinon me inovatorët e gjuhës.

Leave a Reply

Back to top button