Bota

Kjo është historia e Sadiq Khanit, i pari kryebashkiak mysliman i një qyteti të madh të Europës

Biri i imigrimit, mes Islamit, të majtës dhe të drejtave civile

Screen Shot 2016-05-07 at 12.28.03

“Do të jem kryebashkiaku i të gjithëve”, janë fjalët e tij të para. Një premtim veçanërisht domethënës, duke parë që ai është i pari kryebashkiak mysliman i Londrës në kohët e terrorizmit islamik, të rinjve londinezë që shkojnë e rekrutohen në Siri, të mureve kundër imigrimit. Sadiq Khan, 45 vjeç, me origjinë pakistaneze, bir i një shoferi autobusi, avokat i të drejtave të njeriut, është nga dje jo vetëm qytetari i parë i kryeqytetit britanik, por edhe protagonist potencial i një sfide që përshkon Europën: ajo për dialogun mes Perëndimit dhe Islamit.

“Identiteti im është mysliman, britanik, laburist, bashkëshort, baba dhe tifoz i Liverpulit”, i pëlqen të përsërisë. Gjyshi i tij u arratis nga Pakistani nga India, pas ndarjes. Babai emigroi në Londër, në kërkim të një të ardhmeje më të mirë. Historia e tij duket si një romancë e Tetëqindës: djaloshi që bën rrugë në një botë të re. Mund të bëhet fotografia e Anglisë së shekullit 21: shenja që globalizimi, multikulturalizmi dhe demokracia mund të prodhojnë progres, integrim dhe histori njerëzore ekzemplare. Si ajo e tija.
Eshtë i gjatë udhëtimi që e shpuri në City Hall, bashkia londineze në brigjet e Tamizit. Gjyshërit e lanë Indinë në vitin 1947: pas ndarjes së këtij kombi të madh, që u pasua me pavarësinë nga Britania e Madhe, me një tren dhune dhe urrejtjeje ndërfetare, preferuan të jetojnë në Pakistan, mes myslimanëve. Babai i tij emigroi në Londër pak përpara se Sadiq Amani (emri i tij i plotë) të lindte, në vitin 1970. Familja, prindërit dhe tetë fëmijët (shtatë meshkuj dhe një femër), jetuan për shumë vite në Earlsfield, periferi e kryeqytetit, në një prej banesave popullore që u ofroheshin atyre më në nevojë. Babai ngiste autobusët e kuq me dy kate, mamaja ishte rrobaqepëse. “Jam rritur duke parë prindërit e mi që punonin vazhdimisht dhe ndoqa shembullin e tyre”, rrëfen ai, “që i ri doja të bëja çdo punë që mundja të siguroja”. Shkolla shtetërore, jo shkollat e kushtueshme private të elitës. Diplomim në juridik, i ndikuar prej serialit televiziv “Avokatë në Los Angeles”. Specializuar në të drejtat e njeriut: mbron më të pafatët nga dhuna e policisë, diskriminimi, padrejtësia sociale. Regjistrohet në Partinë Laburiste, bëhet këshilltar bashkiak, më pas deputet në vitin 2005, nën Sekretar i Transportit në qeverinë e Gordon Brounit, ministër i qeverisë hije të opozitës së Ed Milibandit. Nuk përshtatet me udhëheqësin e ri Jeremy Corbin: nuk bëjnë fushatë elektorale së bashku. Eshtë një socialdemokrat i moderuar, sipas modelit të Blairit, por me më shumë vëmendje ndaj rritjes së hendekut mes të pasurve dhe të varvërfe: ka ndërmend të luftojë për të ndërtuar në Londër më shumë shtëpi të përballueshme prej klasës punëtore. Por nuk i intereson opozita e fortë: “Duhet qeverisur për t’i ndryshuar gjërat”, pohon ai. Eshtë i martuar me një avokate, edhe ajo me origjinë pakistaneze, kanë dy vajza 17 dhe 15 vjeç, të cilat nuk harron asnjëherë t’i përmendë: “Bëj politikë për të ardhmen e tyre”.

Kundërshtari i tij konservator, Zac Goldsmith e madje edhe kryeministri David Cameron, e kanë akuzuar për bashkëpunim me ekstremistët islamikë, një tentativë e dëshpëruar për ta njollosur: në të vërtetë dënimi i tij për terrorizmin është i fortë dhe ka premtuar t’i japë dritë jeshile policisë në luftën kundër radikalizmit. Ashtu sikurse ka dënuar pa hezitim ish kryebashkiakun laburist, Ken Livingstone, i akuzuar për antisemitizëm: “Duhet të dëbohet nga partia”, ka thënë.

Kjo është deri tani historia e Sadiq Khanit, i pari kryebashkiak mysliman i një qyteti të madh të Europës. Tani fillon një kapitull i ri, më me pasion dhe më i vështirë. Kushedi se ku do ta shpjerë.

Në shqip nga www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button