Analiza

KOMENT / A është vërtetë Obama problemi ynë?

Thomas L. Friedman

its not just aboutKa patur një festival komentesh kohët e fundit, që kritikojnë politikën e jashtme frikacake të presidentit Obama. Sikur të kishim një president që i hipën kalit gjysmë lakuriq, zihet me një tigër apo i këput një copë territor një vendi fqinjë, atëherë të gjithë do ndiheshim më të sigurtë. Këtu më duhet të dal në mbrojtje (të pjesshme) të presidentit Obama.

Më lejoni të filloj duke bërë një pyetje që e kam ngritur edhe për vende të tjerë: A është politika e jashtme amerikane sot ashtu siçështë, sepse Obama është ai që është (i matur, jopasionant), apo është Obama ai që është për arsye se Amerika është ajo që është sot (e djegur prej dy luftërave të dështuara dhe e dobësuar nga një recesion i zgjatur) dhe sepse bota është ajo që është sot (gjithnjë e me më shumë shtete të dështuar, dhe aleatë amerikanë të dobësuar)?

Përgjigja është pak nga të dyja, por unë do vendosja më shumë theksin tek e dyta. Politika e jashtme, aftësia dhe gatishmëria jonë për të vepruar në skenën botërore, lidhet me tre gjëra: interesat, vlerat dhe mundësinë e manovrimit. A kemi ne interes të përfshihemi në Siri apo Krime, a kanë lidhje këto të dyja me vlerat tona dhe – nëse secila është e vërtetë – a kemi ne hapësirë manovrimi për t’i kthyer gjërat siç duam vetë, me një çmim që mund ta përballojmë? Manovrimi është funksion i dy gjërave: sasia e burimeve ekonomikë dhe ushtarakë që mund të sigurojmë dhe uniteti i qëllimit të partnerëve tanë në terren, si dhe aleatëve tanë gjetkë.

Do të argumentoja se një pjesë e mirë e arsyes përse Amerika është më pak aktive në botë sot lidhet pikësëpari me veprimet e administratave të mëparshme. Vendimet e Bushit I dhe Clintonit për të zgjeruar NATO-n hodhën farën e pakënaqësisë, që ndihmoi pastaj për krijimin e Putinit dhe Putinizmit. Ekipi i Bushit II jo vetëm nisi dy luftëra të pasuksesshme, por edhe u shkëput totalisht nga tradita amerikane duke ulur taksat, në vend që t’i rriste për të paguar për ato luftëra, gjë që e dobësoi buxhetin. Planifikimi për të dy luftërat ishte për faqe të zezë, ekzekutimi i tyre edhe më keq dhe shumë prej “aleatëve” tanë rezultuan të korruptuar, ose e përdorën praninë tonë për të zgjidhur grindjet e vjetra.

Cdokush që mendon se populli amerikan nuk e vuri re gjithë këtë, të ngrejë dorën. Si një njeri që dëshironte të bënte partneritet me irakenët në përpjekje për ndërtimin e demokracisë atje – mu në qendër të botës arabe pas 11 shtatorit – unë sigurisht kam vënë re, dhe kam mësuar disa gjëra: Atje ku kemi partnerë realë, të cilët ndajnë vlerat themelore dhe janë gati të luftojnë për vetveten (si kurdët, të cilët kanë ndërtuar një ishull njerëzillëku dhe që është e vetmja histori suksesi e luftës së Irakut), ndihma e limituar e SHBA mund të ndihmojë për të shkuar larg. Në fakt, a e ka vënë re ndokush që dy sukseset më të mëdha të reformave në Lindjen e Mesme myslimane sot janë në vende si Tunizia dhe Kurdistani, atje ku përfshirja e Amerikës ka qenë pothuajse zero? Ata e donin dhe e ndërtuan.

Por, atje ku aleatët tanë janë ose shumë pak, ose shumë të ndarë (Libia, Siria, Afganistani dhe Iraku) duhet një angazhim shumë më i thellë dhe më i gjatë i SHBA në terren, për të krijuar një rend të ri që shumica e amerikanëve do e tolerojnë. Dhe të pretendosh që mund të ndërhyjmë pa kosto apo vetëm nga ajri është marrëzi (shikoni Libinë). Të pretendosh që maturia e Obamës vjen vetëm sepse ai është një organizues frikacak komunitetesh, është gjithashtu marëzi.

Shumica e presidentëve bëjnë emër në politikën e jashtme duke iu kundërvënë armiqve të mëdhenj. Por, shumica e atyre që rrezikojnë stabilitetin global sot janë shtete që po shemben. Sa prej tyre mund të shpëtojmë njëkohësisht? Do të doja shumë të ndihmoja reformatorët ukrainas që të ndërtojnë një demokraci funksionale, por arsyeja përse kjo detyrë është kaq e vështirë, është se vetë politikanët ukrainas çuan dëm dy dekada duke zhvatur vendin e tyre, kështu që, përpjekja që duhet për të sjellë ndryshimin atje tani është masive (30 miliardë dollarë në financime për shpëtimin).

Ne duhet të kundërpeshojmë Kinën në rajonin e Azisë dhe Paqësorit por kjo nuk është e lehtë kur i kemi borxh Pekinit 1.3 trilionë dollarë, për shkak të shpenzimeve pa hesap që kemi bërë, financuar prej kredive. Sigurisht që jam për t’i rezistuar ndërhyrjes së Putinit në Ukrainë, por është e vështirë ta dobësosh këtë petro-diktator, pa një politikë energjetike kombëtare tonën, e cila do të ulte çmimin e naftës dhe do të krijonte alternativa. Eshtë e vërtetë që Obama mund të bëjë më shumë për të “udhëhequr” europianët në Ukrainë, por është gjithashtu e vërtetë që Gerhard Shrëderi, ish kancelari i Gjermanisë, sot ka një vend në bordin e një kompanie gjigande ruse të naftës. Mendojeni pak. Europianët nuk duan t’i kundërvihen Putinit.

Megjithatë, problemi ynë më i madh nuk është Europa, as Obama. Problemi ynë më i madh jemi vetë ne, amerikanët dhe paraliza jonë politike. Bota e merr seriozisht Amerikën kur na sheh të bëjmë gjëra të mëdha së bashku – kur udhëheqim përmes shembullit. Nëse duam të bëjmë më shumë shtetndërtim në botë, duhet të kemi një plan për të bërë më shumë shtetndërtim këtu në Amerikë, duke përfshirë investime në infrastrukturë, zëvendësimin e taksave mbi të ardhurat dhe fitimin, me një taksë mbi dioksidin e karbonit, një shtytje të re për efiçenën e energjisë dhe gazin natyror, reformën e imigracionit si dhe një riekuilibrim gradual fiskal. Kështu fuqizohemi vetë dhe dobësojmë Putinin.

Ai që më tremb më shumë në botën e sotme është fakti që ne nuk po bëjmë as shtetndërtim të mençur në botë, për ta bërë atë më të qëndrueshme, dhe as shtetndërtim të mençur në Amerikë, për t’u fuqizuar më shumë. Na duhen të dyja për të qenë të sigurtë. Na duhet më shumë shtetndërtim këtu për të patur fuqinë të ngrejmë të tjerët, por na duhen edhe të huajt që të ofrojnë një themel të fortë me qëllim që përpjekja jonë të funksionojë. Eshtë e vështirë të ndërrosh një gomë të shpuar, kur të është thyer kriku, apo kur e ke vendosur atë mbi rërë. Pra, këtu problemi nuk është vetëm Obama. (New York Times)

Leave a Reply

Back to top button