Analiza

KOMENT / Kriza e eurokratëve

kriza e eurokratevePaul Krugman

Një shekull më parë, Europa u vetëcopëtua gjatë një periudhe që u bë e njohur si Lufta e Madhe – katër vite vdekje dhe shkatërrim në një shkallë të paprecedentë. Më vonë, konflikti mori emrin Lufta e Parë Botërore – për arsye se një çerek shekulli më vonë, Europa “ia nisi nga fillimi”.

Por kjo ka ndodhur shumë kohë më parë. Eshtë e vështirë të imagjinosh luftën në Europën e sotme, e cila është rritur sëbashku me vlerat demokratike dhe po ndërmerr madje hapat e parë drejt bashkimit politik. Në fakt, teksa shkruaj këto reshta, në të gjithë Europën po zhvillohen votime, jo për të zgjedhur qeveritë kombëtare, por anëtarët e Parlamentit Europian.

Parlamenti ka kompetenca shumë të kufizuara, por vetë ekzistenca e tij është një triumf për idenë europiane.

Por ka një gjë: një numër i madh votash ka gjasa të shkojë për ekstremistët e krahut të djathtë, që janë armiqësorë edhe ndaj vetë atyre vlerave që i bëjnë zgjedhjet të mundura. Le ta themi kështu: Disa prej fituesve më të mëdhenj në zgjedhjet europiane me gjasa do të marrin anën e Vladimir Putinit në krizën e Ukrainës.

E vërteta është se projekti europian – paqja e garantuar prej demokracisë dhe begatisë – është në hall të madh. Kontinenti vazhdon të ketë paqe, por po i mungon begatia, dhe në një masë më të vogël, demokracia. Dhe nëse Europa ngec, kjo do të jetë një gjë e keqe jo vetëm për Europën, por për të gjithë botën.

Përse është në telashe Europa?

Problemi imediat është performanca e dobët ekonomike. Euro, monedha e përbashkët europiane, duhej të ishte hapi kulminant i integrimit ekonomik të kontinentit. Por, ai u shndërrua në një kurth. Në fillim krijoi një vetëkënaqësi të rrezikshme, teksa investitorët kanalizuan sasi të mëdha parash për Europën jugore, të pavëmendshëm ndaj risqeve. Më pas, kur bumi ekonomik ia la vendin krizës, vendet huamarrës u gjendën “të prangosur”, të paaftë të rifitonin konkurueshmërinë e humbur, pa kaluar në disa vite papunësi të nivele të Depresionit të madh.

Problemet e Euros janë përkeqësuar prej politikave të këqia. Udhëheqësit europianë këmbëngulnin dhe vazhdojnë të këmbëngulin, pavarësisht provave, se kriza lidhet vetëm me papërgjegjshmërinë financiare, dhe ata kanë imponuar masa të tmerrshme shtrëngimi, të cilët vetëm e përkeqësojnë më tej situatën e rëndë.

Lajmi i mirë është se pavarësisht gjithë këtyre hapave të papërshtatshëm, Euro vazhdon të qëndrojë në këmbë, duke befasuar shumë analistë – përfshirë edhe mua vetë – që mendonin se do të shuhej. Nga vjen kjo aftësi vetëshëruese? Një pjesë e arsyes është se Banka Qendrore Europiane i ka qetësuar tregjet duke premtuar se do të bëjë “çdo gjë që duhet” për të shpëtuar Euron, deri në blerjen e bonove qeveritare për të mos lejuar që normat e interesit të rriten shumë. Përtej kësaj, elita europiane mbetet thellësisht e angazhuar ndaj projektit, dhe deri tan asnjë qeveri nuk ka qenë e gatshme të largohet nga radhët.

Por kostoja e këtij kohezioni të elitës është një rritje e distancës mes qeverive dhe të qeverisurve. Duke shtrënguar radhët, elita ka garantuar praktikisht që nuk do të ketë zëra të moderuar që do të shprehnin mospajtim me ortodoksinë e politikave të derisotme. Dhe kjo mungesë mospajtimi të moderuar ka forcuar grupe si Fronti Nacional në Francë, kandidatja kryesore e të cilit për Parlamentin Europian denoncon “një elitë teknokrate që u shërben interesave të Amerikës dhe të oligarkisë financiare europiane”.

Ironia e hidhur këtu është se elita e Europës në fakt nuk është teknokrate. Krijimi i Euros u bë për arsye politike dhe ideologjike, dhe jo si vazhdim i një analize ekonomike të kujdesshme (e cila në fakt, që në fillim sugjeronte se Europa nuk ishte gati për një monedhë të përbashkët). E njëjta gjë mund të thuhet për masat shtrënguese: të gjithë studimet ekonomikë që supozohej se justifikonin këto politika janë diskredituar, e megjithatë politikat nuk kanë ndryshuar.

Dhe zakoni i elitës europiane që të maskojë ideologjinë si ekspertizë, që të pretendojë se ajo që ai do të bëjë është në fakt ajo që duhet bërë, ka krijuar një defiçit legjitimiteti. Ndikimi i elitës ngrihet mbi prezumimin e një ekspertize më të lartë: kur këta pretendime për ekspertizë rezultojnë të rremë, atëherë ajo nuk ka asgjë ku të mbështetet.

Deri tani, siç e kam thënë, elita ka qenë e aftë të qëndrojë e bashkuar. Por ne nuk e dimë sa mund të zgjasë, dhe në skaje janë disa njerëz shumë të frikshëm që po presin.

Nëse jemi me fat – dhe nëse zyrtarët në Bankën Qendrore Europiane, të cilët janë më pranë të qënurit teknokratë të aftë se sa elita, veprojnë me guximin e duhur kundër rrezikut të deflacionit – atëherë mund të shohim një rimëkëmbje të vërtetë ekonomike në vitet e ardhshëm. Kjo gjë mund të ofrojë një frymëmarrje, një shans për ta rikthyer në shina projektin europian si një i tërë.

Por vetëm rimëkëmbja ekonomike nuk do të mjaftojë. Elita europiane duhet të kujtohet se çfarë domethënie ka realisht projekti. Eshtë e tmerrshme të shohësh kaq shumë europianë që hedhin poshtë vlerat demokratike, por të paktën një pjesë të fajit e kanë zyrtarët, të cilët duken më shumë të interesuar për stabilitetin e çmimeve dhe korrektësinë fiskale, se sa për demokracinë.

Europa moderne është ndërtuar mbi një ide fisnike, por kjo ide ka nevojë për më shumë mbrojtës. (International New York Times)

Bota.al

Leave a Reply

Back to top button