Analiza

KOMENT / Trekëndëshi “i pabesë”

TreacherousTriangleKina, Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe hapja e letrave mes superfuqive

David Gordon

Këtë javë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ishte në Kinë, në kërkim të thellimit të marrëdhënieve mes vendit të tij dhe fqinjit në jug. Udhëtimi mund të shënojë fillimin e një epoke të re në lidhjet SHBA-Rusi-Kinë, marrëdhënia trepalëshe që dominoi dekadat e fundit të Luftës së Ftohtë dhe që tani po rikthehet. Pas agresionit të Rusisë në Krime, Moska dhe Uashingtoni janë të ngërthyera në konflikt. Si pasojë, Pekini është shndërruar në pikëmbështetjen e re, ose fuqinë që ka mundësinë të luajë o me njërën palë, o me tjetrën.

Eshtë e vështirë ta teprosh kur mendon sa domethënës është ky ndryshim. Gjatë Luftës së Ftohtë, SHBA kapitalizuan mbi tensionin konstant dhe ndonjëherë të skajshëm kino-sovjetik. Falë marrëdhënieve më të afërta të SHBA me Kinën, që fillimisht u ilustruan falë vizitës së famshme të presidentit Richard Nixon në vitin 1972 në Pekin, Bashkimi Sovjetik nisi të ketë frikë prej izolimit total. Si pasojë, në vijim ai ishte gjithmonë e më i gatshëm që të përmbushte kërkesat e SHBA. Kështu hapësira e manovrimit për SHBA u rrit, gjë që u manifestua me firmosjen e marrëveshjes BS-SHBA për Kufizimin e Armëve Strategjike, vetëm tre muaj pas vizitës së Nixonit, si edhe me marrëveshjet e Helsinkit tre vjet më vonë. Në këmbim të mbështetjes së kinezëve, Uashingtoni normalizoi gradualisht marrëdhëniet me Pekinin. Kulmi arriti në vitin 1979 me rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike, të cilat ishin pezulluar pas marrjes së pushtetit nga komunistët.

Shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe tronditja e shkaktuar prej ngjarjeve të Sheshit të Tiananmenit shënoi fundin e epokës së triangulacionit. Në botën njëpolare të pas Luftës së Ftohtë, për të arritur qëllimet e vet, SHBA nuk kishin nevojë të përdornin një Rusi që rimëkëmbej kundër një Kine të fokusuar së brendshmi. Por falë ngjitjes së Kinës si një fuqi e madhe dhe vetëbesimit të rigjetur të Rusisë, dinamika tripalëshe është rikthyer. Por, këtë herë SHBA nuk janë aktori dominues.

Zgjedhja e Kinës

Nëse armiqësia mes Kinës dhe Bashkimit Sovjetik përcaktoi marrëdhëniet trepalëshe gjatë Luftës së Ftohtë, sot janë tensionet SHBA-Rusi që vënë në lëvizje dinamikën e triadës. Tensioneve tashmë do u shtohen edhe përplasja e interesave, një ndarje e vërtetë ideologjike si dhe përshkallëzimi i mundshëm i sanksioneve të SHBA. Por, ndryshe nga presidenti Obama në fillimet e mandatit të tij, presidenti i ardhshëm i Amerikës me shumë gjasa nuk do të përpiqet të vërë në zbatim një politikë  “rifillimi” me Rusinë, qoftë edhe për të shmangur pasojat në politikën e brendshme. Nga ana tjetër, Putini ka arsyet e tij për t’i mbajtur tensionet lartë. Ai do të dojë të nxisë nacionalizmin për të mbajtur lart popullaritetin në vend, sidomos duke qenë i gjendur përballë një kontraktimi të vazhdueshëm ekonomik.

Mes këtyre dy fuqive që përplasen qëndron Kina. Si kombi i triadës që ka opsionet më të shumtë sa i përket politikave, Kina është në pozicion që të vërë Rusinë dhe Kinën të luajnë kundër njëra-tjetrës, pak a shumë ashtu siç bëri SHBA me Kinën dhe Rusinë në të kaluarën.

Putini ka shpresuar të bindë Kinën që të përdorë ndikimin e saj për t’i ofruar Rusisë mbështetje të rëndësishme ekonomike dhe politike. Në këtë drejtim, gjasat janë që do të mbesë i zhgënjyer. Së pari, dy palët nuk kanë të njëjtët objektiva strategjikë. Kina kërkon respekt global për ngjitjen e saj paqësore në statusin e fuqisë së madhe. Rusia dëshiron të sfidojë dhe dëmtojë Perëndimin sa herë i krijohet mundësia. Më tej, Kina i sheh SHBA si partnerin e vet më të rëndësishëm për shkak të ndërvarësisë ekonomike mes dy vendeve. Me fjalë të tjera, edhe në një kohë që Kina ruan ekuilibrin mes SHBA dhe Rusisë, ajo nuk do të riskojë që të provokojë një prishje të vërtetë të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, do të negociojë fort dhe do të sigurojë lëshime të mëdha nga të dy palët, veçanërisht nga Rusia.

Për shembull, Putini do të donte që Kina të legjitimonte qëndrimin agresiv rajonal të Rusisë. Ndaj kësaj, Kina nuk do të thotë “jo”, por ajo nuk do të thotë as “po”. E fundit gjë që Kina do të donte të bënte do të ishte t’i ofronte mbështetje publike parimit që çështjet e sovranitetit mund të vendosen përmes referendumeve. Pasojat e kësaj mbi Hong Kongun, Mongolinë e brendshme, Taivanin, Tibetin dhe Xinjiangun do të ishin të rënda. Por, ajo që Rusia mund të presë, është që udhëheqësit e Kinës të vazhdojnë të ruajnë qëndrimin e tyre neglizhues, duke vazhduar të abstenojnë në votimet e OKB kundër Rusisë dhe duke dëmtuar sanksionet e vendosur nga Perëndimi.

Putini është përpjekur gjithashtu të zgjerojë dramatikisht rolin e Rusisë si furnizues me energji për Pekinin, gjë që do i ofronte shumë hapësirë manovrimi Rusisë në negociimin e marrëveshjeve me Europën. Dhe pas një dekade rifillimesh falsë, gjatë pjesës së parë të udhëtimit të Putinit në Kinë, Moska dhe Pekini e firmosën një marrëveshje për gazsjellësin “Energjia e Siberisë”, duke i paraprirë një faze të re në marrëdhëniet dypalëshe të energjisë. Për këtë çështje, dëshira e Moskës për të rritur eksportet e energjisë përputhet me përpjekjet e Pekinit për të siguruar më shumë siguri të furnizimit me energji. Dhe ndonëse Rusia siguroi afro 25 miliardë dollarë parapagim për ndërtimin e gazsjellësit – shumë element i rëndësishëm në këto kohë sanksionesh perëndimorë – Kina ishte ajo që fitoi më shumë nga kjo ujdi. Rusia do ta ofrojë gazin e saj natyror me çmime më të ulët se sa tregu, duke i kursyer Kinës dhjetëra miliarda dollarë dhe duke ulur çmimin e gazit në të gjithë Azinë.

Përveç energjisë, Kina do të donte që Rusia t’ua bënte më të lehtë kompanive kineze të investojnë në Rusi dhe t’u shesin rusëve produktet e tyre. Për Kinën, ekonomia e klasës së mesme e Rusisë është një mundësi shumë e mirë tregu, sidomos tani që kompanitë perëndimore kanë filluar të largojnë investimet prej aty. Rusia, e trembur nga konkurrenca, është përpjekur ta kufizojë futjen e kompanive kineze në tregun rus. Por në trekëndëshin e ri gjeopolitik, interesat ekonomikë rusë dhe kinezë do të përkojnë. Moska ka filluar tashmë të lirojë kufizimet ndaj investimeve kineze dhe me shumë gjasa do ta përshpejtojë këtë proces.

Kina mund t’i kërkojë Rusisë edhe të drejtë aksesi në teknologjinë më të përparuar ushtarake ruse. Moska ka hezituar t’i shesë Pekinit materialet e vet të përfunduar, pjesërisht nga frika se mos një ditë Kina do i përdorë këto armë kundër vetë Rusisë. Rusia tani mund të jetë e gatshme të ndajë një pjesë të kësaj teknologjie, në këmbim të lëshimeve strategjikë, por një ndryshim politike i tillë do të jetë gradual. Dhe ai mund të ketë pasoja jashtë trekëndëshit, përshembull duke shtyrë Indinë në krahët e prodhuesve amerikanë të armëve, në përpjekje për të qëndruar në një hap me Kinën sa u përket kapaciteteve ushtarakë.

Ashtu si SHBA u forcua prej pozicionit të liderit që kishte në triadën SHBA-BS-Kinë gjatë Luftës së Ftohtë, po kështu edhe vendosmëria e Kinës do të rritet teksa Rusia ndjek interesat e saj. Për shembull, Kina mund të bëhet më pak e prirur për të liberalizuar politikën e saj të investimeve të huaja, diçka që SHBA e ka dashur prej kohësh si një mënyrë për të reduktuar defiçitin tregtar dypalësh. Me mundësitë e reja ekonomike në veri të Kinës, ajo thjeshtë nuk do të jetë e dëshpëruar për paratë e SHBA. Dhe sa më shumë e hap Rusia “magazinën” e saj teknologjike, aq më e gatshme do të jetë Kina të ndjekë fort itneresat e saj në Detin e Jugut dhe Lindjes së Kinës.

Ndryshe nga sa ndodhi gjatë Luftës së Ftohtë, kur afrimi i Uashingtonit me Pekinin detyroi Moskën të ndryshojë shumë aspekte të politikës së saj globale, marrëdhënia më e ngushtë mes Kinës dhe Rusisë nuk ka gjasa të detyrojë politikëbërësit amerikanë që të ndryshojnë llogaritë e tyre për çështjet madhore mes SHBA dhe Kinës. Kështu që, dinamika e trekëndëshit të ri nuk do të imitojë atë të vjetrën.

Një Kinë që rritet e mbështetur nga një Rusi e dëshpëruar është një çift gjeopolitik i firkshëm. Por gjithësesi, SHBa nuk do të dobësojnë angazhimet e tyre ndaj aleatëve, si Japonia dhe Filipinet, përballë rritjes së vetëbesimit të kinezëve. SHBA do të vazhdojë të ndjekë firmosjen e marrëveshjes rajonale të tregtisë, TPP. Dhe do t’i kundërvihet më me forcë Kinës sa i përket problemit të spiunazhit ekonomik. Ndryshe nga Bashkimi Sovjetik, i mbeturi jashtë në trekëndëshin e mëparshëm, SHBA sot ka forcën ushtarake, financiare dhe politike – bashkë me një rrjet global aleatësh – që të qëndrojë më vete. Por, një Pekin i “trimëruar” do ia bëjë më të vështirë Amerikës që të ruajë pozitën aktuale si ekuilibruesi rajonal i Paqësorit. /foreign affairs/

Pershtatur ne shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button