Enciklopedike

Komplotet e fillimit të Luftës së II Botërore

lufta2Më 22 Qershor 2014 u mbushen 73 vjet nga dita kur ushtria gjermane sulmoi Bashkimin Sovjetik. Botimeve të deritanishme në Lindje e Perëndim iu mungojnë të dhënat për numrin, llojin, madhësitë e vendndodhjet e armatave sovjetike në vigjilje të sulmit të ushtrisë gjermane kundër Bashkimit Sovjetik.
Këto të dhëna janë akoma sekret shtetëror në Rusinë e Madhe. Edhe nëpër dokumentarët e Luftës II Botërore kapërcehen njoftimet për numrin dhe vend-ndodhjen e armatave sovjetike të këmbësorisë, për numrin dhe llojet e armatave të tankeve, për armatat e parashutistëve, për numrin dhe llojet e armatave të aeroplanëve, si dhe për llojin e fortikimeve në kufinjtë perëndimorë të BRSS.
Në Lindje e Perëndim, librat dhe enciklopeditë e Luftës II Botërore nuk japin as të dhëna të tilla dhe as harta të vendosjes së trupave sovjetike. Fitimtarët e Luftës II Botërore duket se janë marrë vesh jo vetëm për ndarjen e zonave të ndikimit, por edhe si do shkruhej më pas historia e Luftës II Botërore.
Shkrimi i mëposhtëm është mbështetur kryesisht në librin “Krye fajtori: Plani i madh i Stalinit për të filluar Luftën II Botërore” të autorit Viktor Suvorov (Viktor Suvorov, The Chief Culprit: Stalin’s Grand Design to Start World War II, Naval Institute Press, 2008).
Autori ka qenë analist zgjuarsie në zbulimin ushtarak sovjetik [GRU] dhe ka kaluar nëpër duar dokumenta të arshivave ruse që edhe sot e kësaj ditë janë të mbyllura. Ai u arratis në Perëndim në vitin 1978 dhe deri më tani ai ka botuar një seri librash. Për arsye domosdoshmërie, rrjedha e fakteve dhe ngjarjeve nis që nga Lufta I Botërore.
Lufta dhe paqja
Në fillimvitin e tretë të Luftës I Botërore, ushtria gjermane e kishte të qartë se nuk do mund të vazhdonte të luftonte nëse kishte njëkohësisht edhe Frontin e Lindjes edhe të Perëndimit. Prandaj, zbulimi ushtarak gjerman arriti një marrëveshje me Leninin dhe e nisi bashkë me shokët e tij me tren të blinduar e të mbyllur diplomatikisht nga Zyrihu i Zvicrës nëpër Gjermani, Suedi, Finlandë e deri në Petrograd të Rusisë, ku arriti më 16-04-1917. Paralel dhe i nisur nga Amerika bashkë me 300 shokë, Trocki arriti në Rusi më 04-05-1917.
Bolshevikëve iu pëlqyen ndihmat e zbulimit ushtarak gjerman, sepse ato do mund të përfundonin revolucionin bolshevik në Rusi [më 07-11-1917]. Më pas, ato do të riorganizonin perandorinë e kalbur cariste në Perandori të Kuqe duke i vënë fuqitë e mëdha të saja në shërbim të Revolucionit Botëror. Në këmbim të ndihmës gjermane, qeveria bolshevike nënshkroi më 03-03-1918 nëpërmjet Traktatit të Brest-Litovskit daljen e saj nga Lufta. Ky traktat u nënshkrua edhe nga Perandoria Gjermane, Austro-Hungareze, Bullgaria dhe Perandoria Osmane. Si rrjedhojë, trupat gjermane kaluan nga Fronti i Lindjes në atë të Perëndimit, lufta vazhdoi edhe tetë muaj të tjerë, miliona ushtarë e qytetarë humbën jetën apo u plagosën, ekonomitë e vendeve ndërluftuese u rrënuan akoma më shumë, e nga dhimbje të tilla shoqëritë njerëzore atje u trazuan shumë.
Me këtë traktat, Rusia sovjetike lëshoi nga duart përkohësisht 56 milion banorë, 1/4 e industrisë, shumicën e minierave të qymyrit, fusha të pamata, etj. Por përfitimet afatshkurtra (iu dha kohë bolshevikëve të kryenin më mirë punët e brendshme të përgjakshme) dhe afatgjate qenë shumë herë më të mëdha sepse filluan përgatitjet për sulmuar sapo të mbaronte Lufta I Botërore dhe për të ndezur revolucionin botëror në vendet e tjera, në rradhë të parë në Gjermani.
Biles që në Janar 1918, me urdhër të Leninit, krijohet në Petrograd organizata komuniste gjermane Spartakus dhe shtypen në miliona kopje e dërgohen në Gjermani gazetat Die Fackel [Pishtari], Die Weltrevolution [Revolucioni Botëror] dhe Die Rote Fahne [Flamuri i Kuq]. Fundi i Luftës I Botërore shoqërohet në Rusi nga një numër i pafundëm takimesh, kongresesh e konferencash politike ku i mëshohej vetëm një gjëje: Revolucionit Botëror dhe vendosjes së komunizmit në Europë. Këtij qëllimi i shërbeu edhe fillimi i përgatitjeve për mbjelljen dhe vaditjen e farërave të një lufte të re botërore, sepse për bolshevikët pas një lufte të tillë të madhe do të vinte një revolucion i madh botëror. Dhe nga ky do të lindnin republikat e bashkuara socialiste sovjetike e shkallë-shkallë do arrihej në një qeveri mbarë-botërore sovjetike me qendër Kremlinin.
Më 11-11-1918 nënshkruhet përfundimi i Luftës I Botërore. Më 13-11-1918, qeveria ruse urdhëron Ushtrinë e Kuqe të sulmojë dhe ajo pushton vendet Balltike. Qeveria komuniste e Estonisë formohet më 29-11-1918, e Letonisë më 04-12-1918, e Lituanisë më 08-12-1918. Një dokument i Ushtrisë së Kuqe më 17-12-1918 dallonte Gjermaninë si shënjestra e rradhës, kurse Lenini ngazëllente: “Ne jemi në pragun e revolucionit botëror!”. Ushtria e Kuqe nisi sulmin në drejtimin Poloni-Gjermani që në Shkurt 1919, por pësoi disfatë përfundimtare nga ushtria polake në Betejën e Varshavës në Gusht 1920 dhe tërhiqet. Për sovjetikët ky qe një mësim, i cili u tregoi se për të shkuar në Gjermani nuk duhej të kishte Poloni ndërmjet tyre; ashtu siç edhe ndodhi pas 20 vjetësh.
Thëngjijtë e luftës
Nga ana tjetër, lufta civile i ndryshoi pak planet bolshevike, sepse Ushtria e Kuqe u tërhoq për të kositur për shumë vjet miliona njerëz në Rusinë sovjetike. Në Mars 1919, nën drejtimin e Leninit dhe Trockit, krijohet në Moskë Kominterni [Organizata Ndërkombëtare Komuniste], i cili e quajti veten “Shtab të Revolucionit Botëror” me qëllim krijimin me çdo mjet, përfshirë edhe forcën ushtarke, të “Republikës Botërore Socialiste Sovjetike”.
Organizatat komuniste nga çdo vend i botës iu bashkëngjitën këtij rrjeti fanatik, i cili financohej nga rezervat e arit të Rusisë dhe kontrollohej me rreptësi ushtarake nga Kremlini. Çdo person që bëhej anëtar i partive komuniste pranonte me vetmohim t’i shërbente revolucionit komunist botëror dhe të luftonte kundër interesave të vendit të vet, fshehtas ose haptas. Spiunazhi sovjetik u bë kështu që nga vitet 1920 e më pas shërbimi më i fuqishëm në botë, sepse vullnetarë të panumërt (e të tjerë nga larg me gjithë shpirt e mall) nga tërë bota e vunë veten në shërbim të Kremlinit; detyra e spiunazhit sovjetik qe vetëm t’i klasifikonte, t’i përzgjidhte, t’i përpunonte dhe t’i emëronte në detyrë.
Më 28-06-1919 nënshkruhet në Paris Traktati i Versajës, i cili zyrtarisht vendoste paqen në botë duke gjobitur rëndë Gjermaninë dhe duke vijëzuar kufinj të rinj për shtetet e botës. Gjermania nuk mund ta duronte atë traktat dhe pasojat e tij. Prandaj, ajo që mbetej ishte vetëm t’i bëje gati thëngjijtë dhe t’i hidhje benzinë zjarrit gjerman.
Në Mars 1921, me urdhër të Zinovievit, kryetar i Kominternit, hungarezi Bela Kun dërgohet pranë partisë komunistë gjermane me udhëzimin që të kapej pushteti. Paralel, në Gjermani shkojnë zyrtarë të tjerë sovjetikë dhe oficerë të shumtë të zbulimit ushtarak sovjetik [GRU], të cilët menjëherë filluan organizimin e forcave ushtarake të hapta dhe të fshehta të partisë komunistë gjermane. Gazeta “Die Rote Fahne” bënte thirRje për revolucion komunist. Më 24-03-1921 komunistët sulen dhe marrin kontrollin e godinave qeveritare, bashkive, bankave dhe postave të policisë në Hamburg, Laipcig, Dresden e Çemnic. Ushtria gjermane ndërhyri dhe e shtypi atë kryengritje komuniste.
Më 30-12-1922 krijohet Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS) që sipas deklaratës së themelimit ishte hapi i parë drejt krijimit të Republikës Botërore Socialiste Sovjetike. Vetë ndërtimi i BRSS nuk njihte kufinj shtetërorë e kombëtarë dhe ishte një shpallje lufte tërë vendeve të tjera të botës që nuk ishin brenda BRSS. Biles, shenja shtetërore e BRSS ishte një glob bote pa kufinj shtetërorë i vulosur nga drapëri e çekani. Rusia nuk ishte nënshkruese e Traktatit të Versajës dhe si e tillë ajo ishte e pa penguar të prodhonte çfarëdolloj arme dhe e pakufizuar në numrin e ushtarëve. Nga ana e saj, Gjermania e kishte të pamundur të përgatitej për luftë për shkak të kufizimeve që iu vunë nga Konferenca e Paqes më 1919. Por, BRSS ishte gjithmonë gati pikërisht për ndihma të tilla.
Moska iu dha ushtarakëve gjermanë çka ata ishin të ndaluar të kishin: tanke, artileri të rëndë, aeroplanë, fusha stërvitje dhe provash për armët, zyra projektimesh dhe hyrje në fabrikat ushtarake. Veç marrëveshjes në Nëntor 1922 për prodhimin e aeroplanëve ushtarakë me firmën gjermane Junkers Flugzeugwerke, dy marrëveshje të tjera filluan zbatimin në Korrik 1923 për prodhimin e municioneve e pajisjeve ushtarake dhe ndërtimin e një uzine kimike. Më 25-04-1925 nënshkruhet një marrëveshje për krijimin e një qendre për forcat ajrore gjermane në qytetin rus Lipetsk ku do stërviteshin pilotët gjermane dhe do provoheshin aeroplanët e rinj.
Qeveria ruse bleu 100 aeroplanë ushtarake D-XIII nga kompania hollandeze Fokker, të cilët do të përdoreshin për stërvitjen e pilotëve gjermanë. Përgjatë viteve aty u zhvilluan dhe u provuan aeroplanët gjermanë të modeleve Heinkel He-45, He-46, He-51, Arado Ar-64, Ar-65, Junkers K-47 e Dornier Do-11. Deri në fund të viti 1933, aty u përgatitën 450 pilotë gjermanë. Të gjitha këto kryheshin në fshehtësi, për shembull, pilotët gjermanë që stërviteshin ishin të liruar zyrtarisht nga forca ajrore gjermane Reichwehr dhe në Lipetsk mbanin emra të tjerë.
Adolf Hitleri në përfundim të Luftës I Botërore ishte një piktor i dështuar dhe një ushtar i plagosur që kthehej nga fronti. Me këshillën e një oficeri të zbulimit ushtarak gjerman dhe për të pasur një rrogë të vogël, ai i bashkëngjitet në Shtator të vitit 1919 Partisë Kombëtare Socialiste të Punëtorëve Gjermanë [Nationalsozialistische Deutsche Arbeiterpartei, shkurt Partia Naziste] thjesht për të mbledhur dijeni.
Shpejt ai bëhet kryetar i kësaj partize, e cila thërriste “Proletarë të gjithë kombeve, bashkohuni” dhe kërkonte heqjen e pronës private mbi tokën, vendosjen e punëtorëve në drejtimin e fabrikave dhe shtetëzimin e industrisë. Me kalimin e kohës, kjo parti e vockël komuniste u shumua dhe u fuqizua. Më 08-11-1923 një grusht shteti ndizet në Mynih të Gjermaninë prej Partisë Naziste. Ai u organizua prej Kominternit dhe u drejtua në fshehtësi nga oficerët e spiunazhit dhe emisarët politikë sovjetikë.
Edhe kjo përpjekje për revolucion socialist shtypet në mënyrë të përgjakshme; ndërsa Hitleri plagoset dhe futet në burg. Këtu, nën ndihmën e dhënë nga Rudolf Hess, ai shkruan librin “Lufta ime” [Mein Kampf]. Në këtë libër, në Kapitullin XIV, ai shkruante se Gjermania duhej të mos shihte nga Jugu e Perëndimi por t’i hidhte sytë drejt territoreve në Lindje. Kjo shprehje njihej mirë nga politikanët sovjetikë qëkur u botua libri më 1925-1926 dhe u përdor papushim në propagandën sovjetike.
Më 1925, Stalini shprehej se Lufta II Botërore ishte e pashmangshme dhe ajo nuk duhej penguar. Sa më shumë krime të kryheshin nën urdhërat e Hitlerit, aq “më i arsyeshëm” do ishte dërgimi i Ushtrisë së Kuqe për “të çliruar” Europën. Sa më shumë të rrënohej e lodhej Europa prej luftës, aq më të lehtë do e kishte Ushtria e Kuqe përparimin e saj. Sa më e madhe të ishte pjesa e Europës së pushtuar prej gjermanëve, aq më të lehtë do e kishte Ushtria e Kuqe për “ta çliruar”.
Në një Europë të pushtuar, popujt e saj do e mirëpritnin një “çlirimtar” dhe ushtria gjermane do e kishte të pamundur të mbronte tërë territorin Europian nga ushtria “çlirimtare” sovjetike. Partia Socialdemokrate ishte kundër luftës dhe si e tillë “e pengonte” revolucionin botëror të mëvonshëm. Prandaj, nën urdhërat direkte të Stalinit e Kominternit, socialdemokratët kudo ku ishin u vunë në shënjestër për t’u shkatërruar plotësisht. Pra, ajo që mbetej ishte të ndihmohej partiza naziste e Hitlerit të vinte në fuqi në Gjermani.
Rasti tjetër u paraqit në zgjedhjet parlamentare të vitit 1932. Në Korrik 1932 Partia Naziste mori 13.7 milion vota; kjo përbënte 37.3% të tërë votave por nuk mjaftonte për të siguruar shumicën absolute. Pas këtij kulmi numri i votave për Partinë Naziste fiLloi të bjerë. Më 06-11-1932 mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme nga të cilat doli kjo shpërndarje për partitë kryesore: Partia Naziste 11’705’000 vota, Partia Socialdemokrate 7’231’000 vota, Partia Komuniste 5’971’000 vota.
Përsëri shumica absolute për të marrë pushtetin nuk ishte arritur. Po të bashkohej Partia Socialdemokrate me atë Komunistë arrihej shumica absolute dhe historia botërore do kishte qenë ndryshe. Por ndodhi e papritura: nën urdhërat e Stalinit, Partia Komuniste bashkohet me Partinë Naziste dhe si rrjedhim kjo e fundit merr në dorë drejtimin e shtetit gjerman. Kështu komunistët gjermanë prenë falas biletat e udhëtimit të mëvonshëm drejt kampeve të përqëndrimit për veten e vet, për socialdemokratët dhe tërë kundërshtarët politikë të Partisë Naziste.
Industrializimi dhe tufëzimi
Më 1927, BRSS filloi zbatimin e planeve 5-vjeçare për zhvillimin industrial dhe tufëzimin e bujqësisë, por pa harruar ushtrinë. Më 1927, Ushtria e Kuqe kishte 79 tanke; më 1931, ajo kishte 4’538 tanke, kurse vetëm në vitet 1932-1933 prodhohen 21’573 avionë ushtarakë. Planet 5-vjeçare kërkonin njerëz të shumtë me çmim pothuaj zero dhe ato u gjetën “tek armiqtë e klasës, kulakët, sabotatorët, tradhëtarët e përkrahësit e tyre”. Më “të këqinjtë” e këtyre pushkatoheshin pa humbur kohë; të tjerët do të mbushnin armatën shumë milionshe të skllevërve.
Që nga viti 1928, njësitë e Ushtrisë së Kuqe, në mes të dimrit, rrethonin rajone të tëra nga ku kulakët [fshatarë që prodhonin më shumë] bashkë me familjet e tyre i hypnin nëpër trena dhe i zbrisnin në fushë të hapët në Siberi, Urale e Kazakistan. Këto operacione kryheshin me urdhërin e Stalinit dhe zbatoheshin prej Molotovit. Sipas pohimit të vetë Molotovit, 20 milion fshatarë u shpërngulën nga tokat e tyre dhe u hodhën në vende të pajetueshme.
Më 27-12-1932, BRSS vuri në qarkullim letër-njoftimet vetëm për banorët e qyteteve. Dalja e tyre ndodhi në kulmin e urisë masive dhe fshatarët pa një letër-njoftim të tillë nuk iu largoheshin dot rajoneve ku ishte caktuar të pllakoste uria. Pa një dokument të tillë nuk mund të punoje, nuk mund të jetoje diku, nuk mund të lëvizje as brenda e as jashtë BRSS. Si rrjedhojë, miliona fshatarë të pa shpërngulur bashkë me familjet e tyre vdiqën nga të pa ngrënët e të ftohtit. Edhe sot e kësaj dite, ukrainasit drithërohen po të dëgjojnë fjalën “Holodomor” [vdekje nga uria]. Në vitet e “kolektivizimit masiv” 1932-1933, vdiqën nga uria 3.5 – 5 milion vetë dhe prej të ftohtit 3 – 4 milion të tjerë.
Pa armatat e skllevërve dhe pa popullatat e shpërngulura më forcë nuk do ishin ndërtuar piramidat në BRSS, nuk do ishte ndërtuar Metroja e Moskës, nuk do ishte nxjerrë ari i nevojshëm për të mbuluar financat, nuk do ishin ndërtuar uzinat dhe qytetet e nëndheshëm, nuk do ishin zhvilluar industritë apo minierat e Siberisë dhe tërë Perandorisë së Kuqe. Qeveria planifikonte që më përpara se sa skllevër do nevojiteshin për planet e ardhshme të zhvillimit. Më pas Ministria e Punëve të Brendshme planifikonte arrestimet për të mbushur kampet e përqendrimit, të njohur me emrin e shkurtuar GULAG [Glavnoye Upravlyeniye Ispravityel’no-Trudovih Lagyeryey i koloniy], dhe më të këqinjtë e këtyre të njohur me emrin Dal’stroy që i shërbenin nxerrjes së arit.
Në fund të viteve 1920 Perëndimin e mbërtheu një krizë e paparë ekonomike dhe financiare. BRSS menjëherë filloi të blejë me çmime të ulta linja prodhimi, shpikje inxhinierike bashkë me inxhinierët, pajisje industriale dhe makineri të përparuara nga vendet e Perëndimit. Rezervat e arit të BRSS mbulonin edhe blerjet edhe zbatimin e teknologjive të përparuara. Në fillim të viteve 1930, inxhinierët amerikanë projektuan e ndërtuan në qytetin Nizhni Tagil fabrikën Uralvagonzavod [Fabrika e Vagonave Hekurudhorë në Urale]. Deri në fund të viteve 1980, ajo ishte ndërmarrja më e madhe industriale në botë dhe që kthehej menjëherë për prodhime ushtarake. Gjatë katër viteve të Luftës II Botërore, kjo fabrikë prodhoi 35’000 tanke vetëm të llojit T-34. Po të njëjtën origjinë e tipare kishte edhe fabrika e traktorëve e ndërtuar në qytetin Çeliabinsk të Uraleve.
Pastrimi i skorjeve
Propaganda Lindje-Perëndim ka krijuar përrallën e “pushkatimeve të 40’000 oficerëve sovjetikë në vitet 1937-1938, si rrjedhim i të cilëve shumica e oficerëve të Ushtrisë së Kuqe më 1941 nuk kishin më shumë se një vit në detyrë”. Në fakt mungesa e përvojës ekzistonte në shumë oficerë, por arsyeja ishte se gjatë viteve 1937-1941 Ushtria e Kuqe u zmadhua nga 1.1 milion ushtarë në 5.5 milion. Si rrjedhojë, pozitat komanduese u mbushën shpejt e shpejt me oficerë, të cilët gradoheshin po me shpejtësi. Megjithatë ky faktor nuk ishte themelor në disfatën që pësoi ushtria sovjetike kur u sulmua më 22-06-1941 nga ushtria gjermane, sepse ushtria sovjetike kryente manovra ushtarake sulmuese masive të vazhdueshme, biles edhe më 21-06-1941. Në anën tjetër, gradime të shpejta në rangjet ushtarake ndodhën edhe në ushtrinë gjermane që u zmadhua në numër në ato vite, por kjo nuk vihet në dukje në historitë e shkruara zyrtare.
Më 1937, Ushtria e Kuqe kishte 206’000 oficerë. Nëse do ishin “pushkatuar 40’000 oficerë” më 1937-1938 (20% e tërë oficerëve), është e pamundur të ndodhë që “më 1941 shumica e oficerëve sovjetike të kishin më pak se një vit përvojë në detyrë”. Në Arkivin Shtetëror Ushtarak të Rusisë ekziston një dokument i Zyrës së Burimeve Njerëzore të Shtabit të Ushtrisë së Kuqe; dokumenti është në fondin 37’837, treguesi 10, kutia 142, fleta 93. Sipas këtij dokumenti më 1937 u liruan nga ushtria 20’643 oficerë dhe më 1938 u liruan 16’118 oficerë; domethënë gjithsej 36’761 oficerë.
Dokumenti e shkruan qartë: “u liruan”; në dokumenti nuk shkruhet “u arrestuan apo u burgosën apo u pushkatuan”. Për 54 vjet ky dokument u mbajt i fshehur dhe vetëm pak njerëz të këqinj e patën lexuar; pikërisht këto mashtrues raportuan për “36’761 oficerë të pushkatuar” dhe ushqyen çdo botim zyrtar, gazetaresk e shkollor në Lindje e Perëndim. Biles dokumenti sqaron më tej se më 1937 e 1938, nga të liruarit, u arrestuan përkatësisht vetëm 5811 dhe 5057 oficerë; domethënë gjithsej 10’868 oficerë dhe nga këto vetëm 1’654 oficerë u pushkatuan ose u gjendën të vdekur nëpër burgje pa iu filluar gjyQet.
Lirimet e lëvizjet nga detyra janë të zakonshme në çdo ushtri e në çdo kohë, për arsye nga më të ndryshmet. Për një ushtri milionëshe, numri i lirimeve natyrisht është i madh. Ritmi i lirimeve u rrit që në vitin 1935, sepse në këtë vit ushtria sovjetike përshpejtoi rigrupimet e nevojshme të forcave për sulmin që do të ndërmerrte në vitin 1941. Sipas një dokumenti tjetër ushtarak, 12’461 oficerë nga të liruarit e viteve 1937-1938 ishin marrë përsëri në ushtri deri më 01-05-1940. (Explore Univers)

Leave a Reply

Back to top button