Kulture

Kreativitet për pesë para

Letërsia lidhur me kreativitetin është e një banaliteti shqetësues. Çdo libër tregon të njëjtat anekdota lidhur me të njëjtit heronj: Ajnshtajn, Gandi, Pikaso, Dilan, Uorhol dhe Bitëlls

Creativity

Është një shkrimtar që ka një problem. Librat që lexon dhe njerëzit që njeh e kishin paralajmëruar tashmë prej kohësh: vendi dhe ndoshta i gjithë njerëzimi kanë hyrë në një lloj krize kreativiteti. Rritja ekonomike ngec, revolucioni i internetit është më pak entuziast nga parashikimi dhe marshimi përpara i progresit, që ishte një konstante kulturore, e ka ngadalësuar hapin. Një prej fushave të pakta në të cilën ka pasur risi të ndryshme – inxhinieria financiare – ka përfunduar për t’u kthyer kundër mbështetësve të tij. dhe në sektorë të tjerë duket se deri po kemi kthim prapa: për shembull, nuk mund të pretendohet më një avion supersonik për të kaluar Atlantikun dhe udhëtimet në Hënë janë antiekonomike ose thjesht të tejkaluar.
Megjithatë shkrimtari i preokupuar e di se po në ato vite ka pasur një rritje të jashtëzakonshme të sektorit që promovon kreativitetin. Janë konferencat TED për mënyrën sesi të bëhesh kreativ. Janë innovation jam – mbledhje online në të cilat punonjësit e IBM-së nga e gjithë bota shkëmbejnë ide – dhe në të gjitha revistat e mëdha shiten kukulla që celebrojnë aftësinë për të menduar jashtë skemave. Janë konsulentët për kreativitetin dhe qytete që shpesh kanë shpenzuar miliarda për të konvertuar lagje të tëra në distrikte me masë artisti, ku shija për të thyer rregullat është një gjë për t’u festuar. Po të dëgjosh njerëz të caktuar, kreativiteti është fenomeni i shekullit, nga auditorët e MIT-it në start up-et e Silicon Valley. Ekziston një literaturë e gjerë lidhur me temën dhe midis autorëve të saj janë gurut e menaxhimit të biznesit që nuk pushojnë së nxitur që të mundim bindjet, urbanistë që teorizojnë gëzimet komunitare dhe psikologë sallonesh gjithmonë të gatshëm për të na dhënë udhëzime të detajuar që si të çlirojmë Majls Dejvisin që ndodhet brenda nesh. Por sidomos janë autorët e librave shkencorë, me historitë e tyre të pafundme për sukseset kreative dhe diseksionet e truve që i kanë bërë ato të mundur.
Kështu është një prej këtyre shkrimtarëve që miku ynë i përbashkët vendos t’i drejtohet. Siguron një kopje të “Imagine: How creativity works”, i shumëshitur i vitit 2012, i shkruar nga Xhona Lehrer, ish fëmijë gjeni i pajisur më një kurrikulum që ka një bursë studimi Rhodes, një bashkëpunim me “New Yorker” dhe dy libra mbi neuroshkencat dhe mënyrën me të cilën marrin vendimet tona (do të ishte edhe skandali i të cilit ka qenë protagonist për disa citime të shpikura krejtësisht, por korrespondenti vendos ta anashkalojë). Pas kësaj, zhytet në vaskë, një vend i njohur për aftësinë e tij që të stimulojë mendime jashtë nga skemat, dhe ia hap mendjen maestros së ri. Anekdotat heroike pasojnë të paraqitura njëra pas tjetrës nga variacione të vogla të shprehjes me të cilën Lehrer hap librin: “Procter & Gamble kishte një problem”. Dhe çdo herë që mendja kreative në fjalë bën diçka jolineare, rezultati janë epifani dhe zgjidhje. Korrespondenti ynë lexon për shpikjen e Sëifer. Zbulon sesi Bob Dilan ka arritur tek suksesi dhe ka shkruar një këngë që akoma sot dëgjohet herë pas here nganë radio. Mëson se ekziston një kompani e quajtur 3M që ka shpikur shiritin ngjitës, Post-it dhe gjëra të tjera të dobishme. Lexon për violonçelistin Jo – Jo Ma dhe për triumfet e Piksarit. Dhe vetëm në këtë pikë i ndizet një llambë: qenë të gjitha gjëra që tashmë i kishte dëgjuar. Çdo histori zhvillohej në mënyrë absolutisht të parashikueshme. Duke lexuar rreshtat e para e kapitullit lidhur me Dilanin, heroi ynë dyshonte se do të flitej për “Like a rolling stone” dhe saktësisht ndodh. Na kapitullin lidhur me 3M, imagjinon se do të gjendet historia e shpikjes së iPost-it dhe në fakt e gjen. Shkrimtari ynë kishte zhvilluar dhunti parashikuese?
Aspak, thjesht i kishte dëgjuar tashmë këto histori. Nëqoftëse bëni një vajtje në Google do të zbuloni se historia e shpikjes së Swifer-it është një pikë e fortë e letërsisë lidhur me marketingun, Bob Dilan citohet vazhdimisht në diskutimet lidhur me novatorizmin dhe për daljen e trazuar e “Like a rolling stone” flitet edhe në tekste të tilla si “Fundamentals of marketing” (2007). Për sa i përket 3M, kreativiteti i kësaj kompanie celebrohet ngë dekada, të paktën nga viti 1982, kur kishte dalë “Në kërkim të ekselencës”, një prej librave më influentë për mënyrën sesi të bësh menaxherin. Fitimi i vetëdijes nga ana e shkrimtarit tonë ndodh në një fraksion sekonde. Një gjë tjetër të cilën ai e kupton, gjithmonë teksa është i zhytyr në vaskë, është se letërsia lidhur me kreativitetin është e një banaliteti shqetësues. Çdo libër tregon të njëjtat anekdota lidhur me të njëjtit heronj. Nëqoftëse autori paraqitet si ekspert novatorizmi, do të flasë për Ajnshtajnin, Gandin, Pikason, Dilanin, Uorholin dhe Bitëllsat. Nëqoftëse po celebron shpikjet e veta do t’i krahasojë më kryeveprat e injoruara të impresionizmit: ai kombinim i përkryer rebelimi dhe ngjyrash pasteli që arredon hollet e hoteleve të të gjithë botës, nga Pitsburgu në Phenian.
Domethënë, autorët që na inkurajojnë të “mendojë jashtë skemave”, nuk e bëjnë pothuajse kurrë. Vit pas viti prodhohen dhe konsumohen kapituj të rinj të këtij filli monoton editorial. Kreativiteti, nuk bëjnë gjë tjetër veçse përsërisin, është tepër i rëndësishëm sa t’ju lihet kreativëve. Është në bazën e begatisë tonë. Nëpërmjet shkencës dhe teknologjisë, për shembull duke futur kokën e një pianisti xhazi në një tub për rezonancë manjetike, mund të deshifrojmë kodin e kreativitetit dhe të shfrytëzojmë aftësinë e tij për të prodhuar para. Ja cili është problemi. Ja se ku shkojnë e përfundojnë muzika, teologjia, fizika dhe nimfa impresioniste. Shkrimtarit tonë nuk i vjen në mendje as një libër që provon ta aplikojë ekuacionin sëprapthi, për shembull duke supozuar shpikjen e ajrit të kondicionuar. Përse ia vlen t’i nënvizosh? Hëm, sa për të filluar, sepse po flasim për letërsi lidhur me kreativitetin. Nëqoftëse ka një një fill të jofiksionit nga ku do të ishte legjitime të pritej një e shkruar inteligjente dhe një fantazi jashtë nga e zakonshmja, ai është pikërisht ky. Atëhere pse është një gjini kaq thellësisht e shënuar nga formula dhe përsëritje?
Ajo që shkrimtari kupton me një intuitë të improvizuar të nxitur nga banja e nxehtë, është se ajo lloj letërsie nuk flet aspak për kreativitet. Ndërsa përsërit një grumbull historish tashmë të njohura – divash dhe markash suksesi të madh – guxon të unjorojë sistematikisht gurë themeli të tjerë të kreativitetit që kanë shënuar historinë e qytetërimit njerëzor. Në fund të fundit, disa prej novatorëve më të rëndësishëm të epokës moderne kanë qenë edhe ndër përbindshat më të mëdhenj të saj. Miku ynë sjell në mendje veçanërisht kreativitetin diabolik të Gjermanisë naziste, vendi i parë që përdor raketat balistike, gjuajtësit reaktivë, pushkët sulmuese dhe një seri të pafundme armësh të tjera. Megjithatë asnjeri nuk do të shtojë Peenemünde – ku gjermanët zhvilluan raketat V2 në vitet Dyzet – në listën e lavdishme të “djepeve të kreativitetit” se Athina e Perikliut, Firencja e Rilindjes, Parisi i belle époque dhe Austin teksan i sotëm… shumë më lehtë për të na rrëfyer për të satën herë sesi ka sukses një grup xhazi, si ka lindur ideja e Slinky (susta që zbret shkallët) apo çfarë sfumature ngjyre, nëqoftëse aplikohet në muret e zyrës tëndë, e stimulon më shumë kreativitetin.
Por siç do t’ju thotë çdo ekspert kreativiteti, asnjë intuitë nuk është ishull, e plotë në vetvete. Epifanitë e reja mbështeten mbi epifani të mëparshme dhe për të kuptuar hipnotizimin që përfshin shkrimtarin tonë duhet të rishikojmë një intuitë të mëparshme të nja 10 viteve më parë, në 2002. Në atë kohë, miku ynë po relaksohej në një vaskë tjetër, në lagjen South Side të Chicago, ku trenat kalonin të gjithë ditën para e prapa me një zhurmë të tmerrshme. Teksa qëndronte shtrirë në të, lexonte librin e fundit mbi kreativitetin: “Ngritja e klasës së re kreative” të Richard Florida.
Tashmë kreativiteti ishte bërë cilësia më e çmuar absolutisht – kjo teza e Florida – “burimi përcaktues i avantazhit konkurrues”. Individët kreativë qenë destinuar të bëheshin pjesë e “klasës dominuese” dhe kompanitë që donin të shfrytëzonin resurset e tyre duhej t’i ndiqnin kudo që të shkonin. Shtete dhe qytete të destinuara që të rilidheshin për të mirëpritur persona me shije jokonvencionale, që nga ana e tyre do të prodhonin një stil urban shumë shik të përbërë nga lagje artistësh, skena muzikore dhe doza masive autenticiteti. Autori kishte shpikur deri një “tregues antikonformizmi” që, sipas tij, zbulonte një korrelacion të fortë midis pranisë së artistëve dhe rritjes ekonomike.
Teza e Florida e xhindoste fare shkrimtarin tonë të ardhshëm: Ndoshta autori i librit po sugjeronte një planifikim shtetëror të zonave të populluara nga kreativë për të tërhequr bizneset? Dukej si barcaletë. Në atë periudhë miku ynë kalonte pothuajse të gjithë kohën e tij me njerëz që i përkisnin të ashtuquajturës “klasë kreative”. Dhe shkrimtarëve, muzikantëve dhe intelektualëve u dukej se Florida e pranonte parimisht meritën e kontribuimit në këtë teatërz kundërkulturor të aftë që të tërhiqte dhe të frymëzonte shumë kompani. Por gjëja më bezdisëse është lehtësia me të cilën Florida e jepte si të sigurtë se shoqëria e vlerësonte kreativitetin. Ishte një gjë që heroi ynë dëgjonte të thuhej prej një jete, qysh kur ishte një djalë i vogël në vitet Gjashtëdhjetë, në kulmin e kultit të kreativitetit. Një herë deri kish besuar në të njëjtën mënyrë me të cilën gjeneratat e mëparshme kishin besuar në bamirësinë e shtetit dhe në dhuratat e Hyjnisë. Megjithatë, në tërësi, miqtë kreativë të tij nuk gjendeshin përpara një rruge të hapur, por në ngjitje dhe kush do të duhej t’i jepte për të jetuar, sidomos të përditshme, revista dhe shtëpi diskografike, po hynte në një periudhë rënieje katastrofike. Bota kreative siç e njihte ai nuk po lulëzonte aspak, por po vdiste. Pastaj, nëqoftëse shikohej në historitë individuale e miqve kreativë të tij, letërsia mbi kreativitetin dukej akoma më zhgënjyese, një lloj fyerje. Shkrimtari ynë aspirues ishte mjaft i madh sa të dinte se pavarësisht diskutimeve lidhur me rebelimin dhe mendimin jashtë skemave, pushteti nuk kishte asnjë interes për idetë e reja, përveç se kur përforconin teori tashmë të njohura ose që mund të krijonin menjëherë para.
Strategjia e çdo lëvizjeje intelektuale të suksesshme ka qenë gjithmonë ajo e shtypjes së mosmarrëveshjes dhe e izolimit të zërave vërtet novatore. Debati funksiononte në një mënyrë të thjeshtë: autorët diskreditonin rivalët e tyre (siç do ta zbulonte i shkreti Jonah Lehrer në 2012); profesionet akademike e përjashtonin atë që nuk ndiqte linjën e tyre; grupthet e majta “shkishëronin” njëri tjetrin; progresistët injoronin çfarëdo argumenti që nuk inkurajonte apo justifikonte spostimin e tyre drejt qendrës; konservatorët dukeshin në konflikt me vetë idenë e inteligjencës dhe mendimtarët ekonomikë qenë më të këqijtë nga të gjithë, me bindjen e përjetshme të tyre se çfarëdo kritike do të çonte drejtpërsëdrejti në krizën financiare dhe në rënien e bursave. Është kështu që mendonte miku ynë prozaik në 2002. Në vijim, pas një serie përvojash të ecura keq, do të kuptonte se në librin e Richard Florida kishte diçka thellësisht iluministe, domethënë ideja se kreativiteti ishte një atribut klasor: një klasë që Florida nuk e identifikonte vetëm me intelektualë dhe artistë, por edhe me menaxherët. Novatoristi ynë shkatarraq do të kërkonte muaj për ta kuptuar. Deri kur, papritmas, gjithçka i bëhet e qartë. Arsyeja për të cilën këta libra optimistë duket se kanë pak të përbashkët me jetët në rënie të lirë të kreativëve të vërtetë është se në realitet nuk kanë folur kurrë për to.
Librat mbi kreativitetin janë diçka krejtësisht e ndryshme. Gjithçka që shkrimtari ynë shpresues kishte vërejtur deri në atë moment qëndronte aty për tu demonstruar: banaliteti, shembujt e natyrshëm, paaftësia për të kuptuar atë që realisht u ndodhte njerëzve kreativë në atë moment të caktuar. Pavarësisht shtresës së patinimit shkencor që shkrimtarë si Lehrer kërkojnë të zbatojnë, kjo nuk është shkencë. Është letërsi mbi supersticionin: gjithçka përfundon gjithmonë mirë, të mirët triumfojnë gjithmonë dhe shpikjet më të mira shfaqen gjithmonë në momentin e duhur.
Në librin e Steven Johnson Dove lindin idetë e mëdha. Tek Historia natyrore e novatorizimit (2010) epifania kreative bëhet deri një lloj personazhi heroik në vetvete, që e ndihmon njerëzimin çdo herë që ka nevojë: “Ndoshta idetë e mëdha nuk duan të jenë të lira, por të lidhen, të bashkohen, të rikombinohen. Duan të tejkalojnë kufijtë konceptualë për t’u rishpikur. Duan të kompletojnë njëra tjetrën, përveçse të konkurrojnë njëra me tjetrën”. Dhe cili është objekti i vërtetë i gjithë këtij supersticioni?
Përgjigja finale i vjen mikut tonë nga “Creativity: Flow and the psychology of discovery and invention”, një ese e vitit 1996 në të cilin Mihály Csíkszentmihályi thekson se ajo që e quajmë kreativitet është thjesht një shprehje konsensusi profesional. Dhe, duke marrë si shembull Vincent van Gogh, deklaron se kreativiteti i këtij artisti “e ka pasur fillimin kundër një numër i mjaftueshëm ekspertësh ka kuptuar se pikturat e tij mund të ishin një kontribut i rëndësishëm për botën e artit”. Domethënë, novatorizimi ekziston vetëm kur mendja kolektive korrektësisht e kualifikuar bie dakord se është. “Pa këtë përgjigje”, vazhdon autori, “Van Gogh do të kishte mbetur ai që ishte, një njeri i trazuar që bënte piktura të çuditshme”. Me fjalë të tjera, kreativiteti përcaktohet pikërisht nga ana kundër të cilëve rebelohet: institucionet.
Tani mendoni për zinxhirin e lidhjeve narrative të letërsisë mbi kreativitetin. Në praktikë, është historia e indovodëve brilantë, shpesh në fushën e artit apo të disiplinave humaniste, që janë studiuar nga individë brilantë të tjerë, shpesh në fushën e shkencës, të ekonomisë apo të marketingut. Publiku i lexuesve përfaqësohet nga ne – anëtarë të klasë profesionisto – menaxheriale – që shpesh dyshojmë se jemi po aq brilantë. Ajo të cilën kupton shkrimtari ynë, duke u relaksuar në vaskën e banjës së tij, është se subjekti i vërtetë i kësaj letërsie është pikërisht publiku i profesionistëve dhe menaxherëve që e gjejnë përsosshmërisht me kuptim atë që dëgjojnë në programet kulturore të radios dhe që kanë përshtypjen se ndodhen përballë diçkaje shumë të thellë duke ndjekur konferencën e një miliarderi në TED. Flamurmbajtësit e kësaj letërsie u pëshpërisin në vesh se kreativiteti është një e mirë që u përket atyre, është avantazhi konkurrues, virtyti klasor i tyre. Këta libra i sigurojnë: kreativiteti është kontributi i tyre ndaj përpjekjes së ekonomisë kombëtare dhe doktrina dashamirëse të cilës i shërbejnë për të qeverisur botën.
Thomas Frank është një gazetar amerikan. Ky artikull ka dalë në revistën “Salon” me titull “TED talks are lying to you”.
Përgatiti:
ARMIN TIRANA
www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button