Sport

Krejt papritur shqiptarët janë kaq ‘cool’

shqiptaret coolAi është tani i preferuari i gjithë kombit: Xherdan Shaqiri ka fituar zemrat e zviceranëve me tripletën e tij ndaj Hondurasit. Aktualisht ai shkëlqen në çdo reklamë, në çdo billboard. Një shqiptar i Kosovës si superyll- kjo në Zvicër është gjithçka, përveçse e vetëkuptueshme. Kur u pyetën në vitin 2010 se për cilët të huaj kanë më shumë simpati, zviceranët i vendosën shqiptarët në vendin e fundit. Por ndërkohë shkallët e simpatisë duket se janë ngjitur me shpejtësi. Jo vetëm Shaqiri ka hyrë në zemrat e tifozëve zviceranë. Të shtatë golat e shënuara në fazën e grupeve nga Zvicra, janë shënuar nga lojtarë me origjinë nga Ballkani.

“Theksi shqiptar është sharmant tani”

Kështu thotë Ekin Yilmaz, bashkëdrejtuese e Secondos Plus. “Diçka ka ndodhur. Krejt papritur njerëzit e dinë se si shkruhet Mehmedi”.

Nuk e shqetëson askënd fakti që yjet e kombëtarës promovojnë produktet me theksin e tyre shqiptar. “Madje disa thonë se është sharmant”.

Yilmaz dëshiron, që një pranim i tillë të përçohet edhe në jetën reale. Blerim Shabani, gazetar për portalin shqiptaro- zviceran Albinfo thotë: “Është mirë kur lojtarë si Xhaka apo Shaqiri i dhurojnë gëzim të gjithë Zvicrës”. Ai thotë se suksesi i lojtarëve ballkanikë i ka bërë shqiptarët në Zvicër jo vetëm krenarë, por edhe ka zgjuar shpresat se do ketë më shumë pranim në shoqëri.

“Shqiptarët janë italianët e rinj”

Sipas ekspertit të integrimit në Basel, Thomas Kessler, shpresat janë të justifikuara. “Shqiptarët janë sot në të njëjtën fazë zhvillimi si italianët në fund të viteve ‘70”. Në atë kohë, emigrantët nga jugu konfrontoheshin me shumë stereotipe negative. “Ata janë të fiksuar pas femrave, dembelë dhe kriminelë”.

Por kjo ndryshoi, dhe për këtë, ndër të tjera, duhet falenderuar edhe fitorja e titullit kampion bote në vitin 1982. Kessler kujton: “Në atë kohë kam përjetuar në Basel, se si zviceranët krejt papritur nisën të shoqërohen me italianët dhe u “infektuan” nga pasioni i tyre për jetën”.

Krejt papritur, të ishe italian, ishte “cool”. Restorantet me emra italianë nisën të jenë në modë. “Edhe të jesh nga Ballkani do jetë shumë shpejt “cool” në Zvicër,” parashikon Kessler. Fjala bie, deri më tani pushimet në Shqipëri ishin të largëta, por shumë operatorë turistikë po realizojnë udhëtime të tilla. Kessler vlerëson se imazhi i shqiptarëve do të ndryshojë rrënjësisht brenda pesë deri në dhjetë vjet. /gazetatema.net/

Leave a Reply

Back to top button