Bota

Kriza e emigrantëve, Evropa të veprojë sa nuk është vonë

Screen Shot 2015-08-26 at 3.15.10 PM

Nga Judy Dempsey,

Qasja e Bashkimit Evropian ndaj menaxhimit të krizës së emigracionit është reaktive. Për më tepër, unioni nuk është i gatshëm të marrë në konsideratë përdorimin e forcës, për të kompromentuar vlerat e tij.

Duke sikur qeveritë evropiane nuk ishin të paralajmëruara për krizën aktuale të refugjatëve, dhe pasojat e saj të rënda mbi politikën e jashtme dhe të sigurisë në Evropë. Gjatë vitit të shkuar, qindra mijëra refugjatë – veçanërisht ata që largohen nga luftërat në Siri dhe Irak, trazirat në Afganistan, dhe represioni në Eritrea – kanë rrezikuar jetën e tyre për të arritur në Evropë.

Refugjatët janë në mëshirën e bandave të kontrabandistëve, me shqiptarët që kanë marrë rolin udhëheqës në kërkimin e tarifave më të mëdha për të çuar emigrantët në një vend të BE-së. Deri kur politika e menaxhimit të krizës nga BE-ja të ndryshojë në mënyrë radikale, fluksi i refugjatëve do të vazhdojë.

Pak nga vendet e Afrikës Veriore dhe Lindjes së Mesme ofrojnë siguri, stabilitet, apo një perspektivë demokratike dhe ekonomike për rininë e tyre.Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Thomas de Maiziere, ka deklaruar kohët e fundit se ai pret deri në 800 mijë aplikime për azil, vetëm gjatë këtij viti. Gjermania tashmë po shqyrton 289 mijë kërkuesa për azil në rregjistrat e saj, me 40 përqind prej tyre që vijnë nga Kosova, Shqipëria apo Serbia, ku nuk ka luftë apo represion.

Njëkohësisht, Komisioni Evropian po përpiqet sërish të bindë të 28 shtetet anëtare të ndajnë barrën e refugjatëve. Në fakt, në shumicën e vendeve të Evropës Lindore, ka një ndjenjë anti-myslimane dhe një ngurrim të thellë për të hapur dyert ndaj njerëzve, që janë duke kërkuar siguri dhe liri.

Megjithatë, me siguri s’duhet të ketë humbur kuptimi i asaj që do të thotë liria për këto vende, të cilat deri vetëm 26 vite më parë ishin nën zgjedhën komuniste. Polonia zyrtarisht ka deklaruar se do të pranojë të krishterët – ashtu si më parë është shprehur Sllovakia dhe Republika Çeke. Myslimanët, në mënyrë të turpshme, nuk janë të mirëpritur.

Përgjigja e Evropës ndaj krizës së refugjatëve, e ka dobësuar dhe jo forcuar politikën së jashtme dhe të sigurisë të Evropës. Partitë populiste në të gjithë Evropën, po e ushqejnë retorikën kundër emigrantëve. Nëse qeveritë bashkohen me populistët, atëherë Evropa, do të shndërrohet në një fortesë.

Thirrjet për të çmontuar sistemin e Shengenit në BE, që zhduku kontrollet ndërkufitare, pa dyshim do të rriten. Kjo është pikërisht ajo, që dëshirojnë partitë e ekstremit të djathtë. Nëse kjo ndodh, çdo vlerë që Evropa pretendon të ketë, dhe çfarëdolloj plani që planifikon për ta bëjë kontinentin më të integruar, do të minohet.

Kjo është e dëmshme për reputacionin e Evropës, si një shoqëri të hapur dhe e angazhuar, për t’i mbrojtur ato vlera. Për më tepër, një Evropë ksenofobike dhe që sheh vetëm nga vetja, do t’i shkaktonte një dëm të pallogaritshëm ndikimit të Evropës në rajonet fqinje lindore dhe jugore – në favor të Rusisë.

Mbi të gjitha, përgjigja konfuze e Evropës ndaj krizës së refugjatëve, konfirmon dobësinë e saj kur është fjala për menaxhimin e krizave. Menaxhimi i krizave, është një nga mjetet e politikës së jashtme, me të cilën BE-ja krenohet. Por për shkak se  bazohet tek përdorimi i fuqisë së butë, menaxhimi e krizave nga ana e Brukselit bart kufizime të rënda.

Merrni në shqyrtim Sirinë. Duke lënë mënjanë sanksionet kundër Damaskut, BE-ja nuk ka patur ndonjë politikë konkrete, mbi mënyrën sesi të qaset ndaj luftës civile që po zhvillohet në atë vend. Ishte vetëm  çështje kohe, para se politika e vetë-përmbushjes së profecisë të bëhej realitet, me një bollëk lëvizjesh radikale islamike, të cilat përfituan nga kjo luftë tronditëse.

Me një vizion tëb kthjellët, BE-ja duhet të kishte vepruar në Siri, duke përdorur fuqinë e ashpër kundër regjimit të presidentit Bashar Al-Asad. Sa më gjatë që qeveritë evropiane ndenjën mënjanë, aq më i pamenaxhueshëm u bë ai konflikt. Megjithatë, kundërshtarët e fuqisë së ashpër besojnë, se janë të përligjur në rrugën e tyre.

Ata tregojnë dëmin e lënë trashëgim, nga fushata e bombardimeve të NATO-s në Libi në vitin 2011. Nuk kishte asnjë plan të paparashikuar, për ditët pas rrëzimit të Gedafit- ndërsa vështirë se udhëheqësit e atij misioni të veçantë të NATO-s, Britania dhe Franca, do ta pranojnë ndonjëherë këtë.

Në Libi, makineria e administrimit të krizave në BE-së ishte pothuajse inekzistente, ndonëse Komisioni Evropian ishte i njohur qëprej disa vjetësh, në lidhje me shkallën e mundshme të problemit të refugjatëve që buronte nga Libia, si dhe ndikimin politik dhe social të rrëzimit të regjimit të ish-liderit autoritar Muamer Kadafi.

Boshllëku i krijuar nga shembja e regjimit, u mbush me shpejtësi me një bollëk lëvizjesh fisnore si dhe banda kriminale dhe terroriste – për të mos përmendur kërdinë e shkaktuar në Malin fqinj.

Misioni i NATO-s, duhej të ishte mundësia ideale për anën ushtarake të Aleancës për t‘u plotësuar nga një mision i fuqishëm civil i BE-së, me mandat për përdorimin e forcës nëse ishte e nevojshme për të stabilizuar institucionet shtetërore të Libisë.

Kjo nuk ndodhi. Ngjante sikur Evropa – dhe në fakt edhe Shtetet e Bashkuara – s’kishin mësuar asgjë nga pushtimi amerikan i Irakut në vitin 2003, kur institucionet e shtetit u u lejuan të shemben. Tanimë, Evropa është mbërthyer nga kriza në thellim të vazhdueshëm e refugjatëve.

Në terma praktikë, përveç nxitjes së ndarjen jodiskriminuese të barrës nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së, unioni mund të zbatojë disa masa të përkohshme. Ai mund të shtojë objektet mjekësore, sociale, edukative dhe të banimit në Jordani dhe Turqi, vende këto që deri më tani kanë pranuar miliona refugjatë.

Brukseli gjithashtu, mund të nisë bisedimet me qeverinë e Eritresë. Të rinjtë po largohen nga ky vend, për t’i shpëtuar represionit të regjimit të rekrutimit të përhershëm ushtarak. Më pranë shtëpisë, Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe një vend kandidat i BE-së, ndaj NATO dhe BE mund të ushtrojnë presion mbi Tiranën, për të frenuar bandat kriminale të cilat kërkojnë shuma të mëdha parash nga refugjatët.

Këto janë masa ndihmëse. Tek e fundit, kjo ka të bëjë me njohjen nga BE të faktit, që menaxhimi i saj i krizave dhe mjetet e buta të pushtetit – të dyja gjithmonë shumë të ngadalta për të reaguar, lëre më që të paraprijnë – nuk mund të shkojnë larg pa pushtetin e fortë.

“Carnegie Europe”  – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button