Analiza

Kriza Rusi-NATO, po teston politikën balancuese të Turqisë

Nga Marc Pierini

“Carnegie Europe”

Industria ushtarake turke, ka arritur një përparim të konsiderueshëm vitet e fundit, dhe ka filluar të prodhojë në vend disa nga pajisjet e saj më të rëndësishme. Synimi është të arrihet sa më parë vetë-mjaftueshmëria, dhe përdorimi apo eksportimi i këtyre armatimeve si një mjet ndikimi në skenën ndërkombëtare.

Sado e kuptueshme që mund të jetë një politikë e tillë, është e vështirë të menaxhohet në kohëra të trazuara. Për shkak se është një vend anëtar i NATO-s, dhe për shkak se që nga viti 2016, Moska ka ndërtuar një marrëdhënie strategjike me Ankaranë për të kundërshtuar mbrojtjen raketore të NATO-s, nëse përshkallëzohet kriza Ukrainë-Rusi, vendimet e Turqisë do të shihen më shume kujdes në Moskë, Uashington dhe Bruksel.

Dhe ja sepse. Së pari, Ukraina bleu dronët ushtarakë turq, Bayraktar TB2, dhe i ka përdorur tashmë për të goditur forcat separatiste pro-ruse në Donbas. Kjo gjë shkaktoi një reagim të ashpër të Moskës.

Vazhdimi i shitjeve të tilla, përfshirë municionet dhe operacionet e mirëmbajtjes, krijon tani një rrezik shtesë të sulmeve ruse kundër bazave ukrainase ku operojnë këta dronë. Nga ana tjetër, teksa është edhe një rikomfirmim i mbështetjes së Turqisë për Ukrainën, ky lloj bashkëpunimi ushtarak e forcon pozitën e Turqisë si anëtare e NATO-s.

Së dyti, pjesëmarrja e mundshme e Turqisë në sanksionet e NATO-s kundër Rusisë, do të ndikonte shumë në perceptimin e Kremlinit për pozicionimin e Ankarasë. Siç është parë edhe në vendimet e tjera të NATO-s, Turqia do të kishte të drejtën ta kufizonte përfshirjen e saj në disa aspekte të regjimit të sanksioneve apo edhe të tërhiqej, por në sytë e Moskës dhe Uashingtonit dëmi politik do të ishte ende i konsiderueshëm.

Së treti, aktivitetet e SHBA-së dhe NATO-s në Detin e Zi dhe mbi Ukrainë, do të përshkallëzohen për qëllimet e mbledhjes së informacioneve të klasifikuara dhe parandalimit, duke ngritur për shembull problemin e pjesëmarrjes së Turqisë në operacionet e kombinuara të NATO-s në det ose në ajër.

A do t’i lejojë Ankaraja fregatat apo avionët-cisternë që të marrin pjesë në operacione të tilla? Kjo pyetje pasqyron marrëdhëniet e shumëanshme midis Turqisë dhe Rusisë, të cilat mund të vuajë në shumë mënyra nga një përkeqësim i mundshëm i krizës Ukrainë-Rusi.

Ndërkohë Moska ka disa opsione në dispozicion:veprim kundër pajisjeve ushtarake të prodhimit turk të përdorura nga Ukraina; kundër-sanksione ekonomike ndaj Turqisë (turizmi rus dhe importet bujqësore u ndaluan gjatë krizave të kaluara midis 2 vendeve); një qëndrim i ashpër në Sirinë Veriore kundër trupave turke, dhe sirianëve të zhvendosur brenda kufirit turk.

Marrëdhëniet delikate me Kremlinin, Shtëpinë e Bardhë dhe NATO-n, janë përshkruar me të drejtë si “sfida më e madhe e Erdoganit”, dhe ka nxitur disa oferta ndërmjetësimi.

Ankaraja ka bërë një zgjedhje politike për të arritur një ekuilibër të ri midis anëtarësimit të saj 70-vjeçar në Aleancën e Atlantikut të Veriut, dhe lidhjeve të reja strategjike me Moskën.

Një përplasje e hapur midis Rusisë dhe Ukrainës, do ta vinte pashmangshëm në pikëpyetje këtë politikë ribalancuese. Roli diplomatik i Ankarasë është në rrezik:Pse Moska do ta pranonte rolin ndërmjetësues të Ankarasë, në rast se ushtria turke do të kontribuonte në operacionet e NATO-s, le të themi në Detin e Zi?

Në lojë do të hynte edhe strategjia ushtarako-diplomatike e Rusisë. Në përputhje me perceptimin e saj për një “rrethim armiqësor” nga NATO, Moska e kishte përdorur me sukses Ankaranë gjatë viteve 2019-2021 për të fituar pikë kundër NATO-s, duke i shitur kësaj të fundit raketa ruse S-400, dhe duke bllokuar çdo shitje të ardhshme të sistemeve amerikane “Patriot”, dhe bazuar në sanksionet e SHBA-së, duke anuluar shitjen dhe vendosjen e planifikuar në Turqi të 100 avionëve luftarakë amerikanë F-35.

Për Kremlinin, ky ishte një ndryshim pozitiv i lojës në krahun e tij jugor. Por tani po sheh që dronët e prodhuar nga Turqia, po përdoren kundër forcave pro-ruse në Donbas. Ndërkohë, mundet që Turqia t’i bashkohet së shpejti sanksioneve të Perëndimit dhe operacioneve të NATO-s.

Ndoshta Moska ndoshta do t’i lexojë lëvizjet e Ankarasë në kontekstin e NATO-s, duke ushtruar për shembull presion kundër një pranie të shtuar detare turke në Detin e Zi. Po ashtu, ajo do të dëshirojë të vazhdojë marrëdhëniet e saj në lidhje me mbrojtjen raketore turke.

Dhe mund të zgjedhë forcimin e bashkëpunimit në fushat ku të dyja vendet janë konkurrente të mundshme – në Libi, dhe vendet afrikane nën-Sahariane si Mali – në mënyrë që ta vendosë Turqinë në një trajektore anti-perëndimore,  kudo ku është e mundur diçka e tillë.

Në sytë e aleatëve të NATO-s, Turqia duhet ende të zgjidhë problemin e sistemit raketor rus  S-400. Ndaj ajo po luan rolin e një aleati besnik, duke e ndihmuar Ukrainën dhe përdorur atë si një mjet për të ndrequr raportet me Uashingtonin.

Në Turqi, përparimi i jashtëzakonshëm në teknologjinë e dronëve, me një performancë shumë të mirë të provuar tashmë në Libi, Siri, Azerbajxhan dhe Ukrainë, po dëshmohet të jetë sa një bekim po aq sa edhe një mallkim politik.

Ndërsa po e forcon pozitën e vendit në skenën ndërkombëtare, Turqia po tërheq mbi vete edhe kritika, si dhe po nxit thirrje për një politikë më të kujdesshme. Duke pasur parasysh situatën delikate ekonomike dhe politike, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, do ta përdorë ndoshta krizën Ukrainë-Rusi, për të lavdëruar aftësitë e saj të shtuara ushtarake, marrëdhëniet e saj politike, si me Perëndimin ashtu edhe me Rusinë, si dhe aftësitë e tij ndërmjetësuese.

Përfitimet e mundshme në skenën e brendshme janë të lehta për t’u kuptuar, por rreziqet në skenën ndërkombëtare janë të mëdha. Për Turqinë, arritja e një ekuilibri të ri midis Rusisë dhe Perëndimit, vazhdon të jetë një akt shumë delikat. Dhe Ukraina është një test kritik.

Back to top button