HistoriLetersi

KULTURE / Frankenshtajni: Kështu lindi krijesa-monstër e shkencës

Screen Shot 2016-05-01 at 08.53.29

“Ishte një natë e zymtë nëntori”, një nga ato shumë të dashura për Snupin, që megjithatë do të saktësonte: “një natë e errët dhe e stuhishme”. Kështu fillon një nga librat më të famshëm në histori (dhe siç ndodh shpesh, ndër më pak të lexuarit). Në këtë mënyrë lindi një personazh që e gllabëroi krijuesin e tij. Kështu u shfaq përbindëshi Frankenshtajn.

Në realitetin historik ishte muaji qershor, një qershor i ftohtë dhe i errët si nuk ishte parë ndonjëherë më parë, viti “pa verë” 1816, kur në prill, shpërtheu në Indonëzinë e largët vullkani Tambora, duke krijuar një re toksike që pengoi rrezet e diellit, duke shkaktuar një periudhë të ftohti intensiv në verë, që çoi në një përshjellim të erërave dhe një shpërndarje të pluhurit toksik në të gjithë planetin (nuk ju kujton asgjë?).

Aq shumë sa vera nuk guxoi të shfaqej. Me refleksionet e pashmangshme mbi frikën dhe gjendjen shpirtërore të njerëzve, të sapodalë nga betejat dhe iluzionet e mëdha të periudhës  napoleonike, të tmerruar nga shkenca dhe revolucioni industrial që sapo kishte shpërthyer. Dhe nuk duhet të ketë qenë në humor të mirë as shoqëria elegante që ishte mbyllur në dy vila të bukura pranë njëra tjetrën buzë liqenit të Gjenevës, Villa Diodati dhe Maison Chappuis, për të bërë një pushim pas një udhëtimi të vazhdueshëm ndërmjet Londrës dhe Venecias, në mes Ravenës dhe Zvicrës.

Po flasim për një grup britanikësh shumë kozmopolitë, antikonfirmistë dhe udhëtarë. Mes atyre të vendosur në Villa Diodati, Lord Bajroni, gjenial, aristokrat, i bukur, joshës, dhe mjeku i tij personal, Xhon Uilliam Polidori, i shëmtuar, ndoshta i dashuruar pas Bajronit, që argëtohet duke e keqtrajtuar dhe fyer atë.

Në Maison Chappuis, në qendër të një gjeografie të vështirë të sentimentale, jeton Persi Bajshi Shelli, së bashku me Meri Uollstounkraftin (ashtu si e ëma, feministe e madhe) Goduin (si babai filozof), 19-vjeç, ende jo Zonja Shelli por në arrati të vazhdueshme me të. Ndërkohë është edhe Kler Klermont, gjysmë-motra e Merit, edhe ajo me ambicje në fushën e letrave, dhe e marrosur pas Bajronit, me të cilin kishte patur tashmë një histori mesa duket të mbyllur dhe se në këtë moment, por ajo ndoshta nuk e di, është shtatzënë me Bajronin, dhe do të ketë pas pak kohësh një vajzë të vogël të quajtur Alegra.

Koha është e tmerrshme, tensioni po ashtu, në mesditë lexohet vetëm falë dritës së qirinjve,

librat shfletohen, lexohen dhe ri-lexohen të njëjtat histori fantazmash. Kjo deri kur Bajronit, në mbrëmjen e famshme, i lind ideja t’i kërkojë grupit të shpikë, secilit prej tyre, një histori asburde, përbindëshat, frikërat e një të ardhmeje që udhëton me galop.

Është makthi që një nga ato netët në Villa Diodati, i shkakton Meri Goduinit një valë terrori, duke krijuar personazhin e romanit për të cilin po flasim:Frankenshtajn, ose Prometeu modern. Ja pra ku është baroni Dr. Viktor Frankenshtajn, aristokratik i palumtur dhe i përvuajtur, që plot besim tek modernizimi madhështor dhe progresiv i shkencës, kërkon të krijojë një “krijesë” të pandjeshme ndaj dhimbjeve, inteligjente, njerëzore.

Sikurse dihet, shkakton një katrahurë. Krijesa, Përbindëshi ose Demoni (i janë vënë shumë etiketime, por mbi të gjitha, për shkak të një gabimi kuptimplotë, atë të krijuesit të tij), nuk pëlqehet shumë, është i pakënaqur dhe vetmitar, dhe reagon ndaj antipatisë së njerëzve duke hequr qafe disa prej tyre, përfshirë edhe të fejurarën e Frankenshtajnit, Elisabetën, dhe pastaj e përndjek baronin, fajtor për lindjen e tij në të gjithë botën deri në Polin e Veriut, ku në një humnerë të mjerimit njerëzor i vë flakën vetes për të parandaluar krijimin e qenieve të tjera të mjera si ai vetë.

Sipas Harold Blumit, që nuk heziton ta rendisë Frankenshtajnin ndër kryeveprat e letërsisë perëndimore, e reja Meri bën bashkë gjatë ndërtimit të personazhit të saj, më të mirën e më të keqen e nënës së saj Meri Uollstounkraftit, feministen radikale, të babait të saj, filozofit Uilliam Godun, dhe burrit të saj, poetit dhe revolucionarit Persi Bajshi Shelli.

Dhe shpik një “krijesë” kaq trazuese dhe të fuqishme, në perceptimin e saj të qartë të gjendjes çnjerëzore, sa të atashohet menjëherë me identitetin e krijuesit të tij, duke krijuar një lojë reflektimesh mes të ashtuquajturit të mirë dhe të ashtuquajturës së keqe, çka e bën dialektikën ndërmjet krijesës dhe krijuesit një modeli dramaturgjik, i cili u dëshmua i aftë të rezistojë për dy shekuj dhe bëjë historinë, dhe me dy personazhet letrare ndoshta më popullore se kurrë më parë.

Publikimi anonim nga Meri Shelli, por me një dedikim për të atin Uilliam Goduin (të cilit në fakt nuk i mvesh parime racionale, por një mungesë arsyeje dhe frike përballë teknologjisë dhe shkencës), Frankenshtajn ose Prometeu Modern qe një sukses i mënjehershëm dhe afatgjatë, duke u bërë frymëzimi për dhjetëra përbindësha të vegjël të të gjitha llojeve, llogaritet se ka patur të paktën 200 realizimeve kinematografike, dhe e vendosi emrin e autores në mesin e me të mëdhenjve të letërsisë së shekullit XIX.

Po pjesa tjetër e grupit? Bajroni, në Villa Diodati, shkroi “Varrimi”, një histori e shkurtër, që pastaj do ta bëjë pjesë të veprës “Mazepa”. Aspak tërheqësi Dr. John Uilliam Polidori, italian, i emigruar në Britani, shoqëruesi i keqtrajtuar dhe vënë në lojë nga Bajroni përgjatë gjithë udhëtimit të gjatë nëpër Evropë, që i shoqëroi nga Vaterloja në Gjenevë, ndoshta, si të gjithë, i dashuruar me poetin, çuditërisht i jep jetë një tjetër krijese të tmerrshme, një vampiri, nga i cili do të fitojë shumë para disa vite më vonë, kur një tjetër personazh kurioz, Bram Stoker do të shkruajë edhe ai formë episolare, por shumë më komplekse, pasi e bën nga 3 këndvështrime, Drakulën e tij të famshëm.

Dhe do të propozohet si themelues e një tjetër kategorie të përbindëshave të fantazisë, pasardhësit të përbindëshit real Vlad Drakulës Hungulësit. Nëse Frankenshtajni lind nga një palë pushime të mërzishme dhe të zymta, zërat e ligj thonë se Drakula lindi në një terren më tokësor, nga ankthi i shkaktuar nga lëvizja e gaforreve në sallatë.

Ankthi që Stoker kishte nga gaforret – i diplomuar për matematikë në Trinity College në Oksford, burokrat me një jetë të mërzitshme, autor i tekstit themelor mbi detyrat e të punësuarve, në seancat gjyqësore kundër të miturve në Irlandë, një mik i një vampiri sentimentare që ishte aktori i madh Xhon Irving – u përkthye pra në vitin 1897, në një roman të bukur e të shumë imituar (dhe pak të lexuar) që transferon në një fantazi gotike e me një atmosferë shkencore frikërat mashkullore të epokës viktoriane:seksuealitetin, sëmundjet veneriane, vetminë e njeriut të zakonshëm, me fjalë të tjera pothuajse çdo gjë që ka të bëjë me gratë.

Stoker ka kopjuar të ngratin Polidor? Ndërsa është e vërtetë që stili është njeriu, jo. Dallimet mes dy vampirëve janë shumë të thella. Thjesht, personazhi i lindur pak i ngathët në netët e stuhishme e Gjenevës, gjeti vokacionin e tij të vërtetë tek Bram Stokeri. Është një homolog i denjë vampiristik ndaj Krijesës së Meri Shellit, me të cilin, i pampostshëm dhe i rritur në letërsinë klasike, do të përhapë për më shumë se një shekull imagjinarin e frikës. / Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button