Psikologji

Kur ne ndryshojmë mënyrën se si i shohim gjërat, edhe gjërat që shohim fillojnë të ndryshojnë…

Markus Aurelius një herë e një kohë ka thënë: “Nuk duhet t’i trembemi vdekjes, por të mos filluarit të jetojmë”. E keni parasysh se si shkon linja e një EKG-je në gjendje të vdekur? Është një vijë horizontale. Po një EKG tek një person në jetë? Ajo ka uljet dhe ngritjet e saj, ashtu si vetë jeta. Lumturia dhe trishtimi, suksesi dhe dështimet, dashuria dhe urrejtja, të gjitha janë pjesë e jetës.

E di se si funksionon gjithçka? Si një roller coaster. Roller coaster janë ato trenat në lojëra që përshkojnë rrugë të përkulura. Ata nisen ngadalë, të ngjisin në një lartësi, pastaj të zbresin me furi vetëm për të të ngjitur përsëri lart. Ka momente kur qeshim, saqë na dhembin brinjët tona; ka momente kur qajmë jo vetëm nga jashtë, por edhe nga përbrenda; ka momente kur do të donim që gjithçka të përfundonte, por sërish çdo gjë vazhdon…

Ndonjëherë mendojmë se suksesi është linear, por nuk është kështu. Çdokush që sot është i suksesshëm, e ka njohur në një moment të caktuar edhe rënien. Çdo 7-15 vjet brenda nesh ndodhin ndryshime të mëdha. Organet që punojnë më tepër, janë ato që pësojnë më tepër ndryshime. Rruazat e kuqe të gjakut zgjasin më pak se gjysëm viti. Mëlçia e rigjeneron vetveten për shumë pak vite. Lëkura e zëvendëson vetveten çdo 2-4 javë. Universi është përherë në ndryshim. Ne jemi përherë në ndryshim, edhe pse mund të duam të mbetemi njësoj.

Jeta e vërtetë është me ulje dhe ngritje, vdekja është lineare. Ndaj mësohu të kalosh nëpër stuhi dhe nëpër ditë me diell, të kalosh nëpër humbje dhe fitore, por sërish duhet të mësosh të ecësh përpara. Lumturohu edhe me gjërat që ndoshta nuk të kanë rënë më parë në sy. Nëse ke ushqim në frigorifer, nëse ke këpucë në këmbët e tua, rroba në trup, një çati mbi kokë dhe një jastëk nën kokë për të fjetur, atëherë dije se je më i pasur se 75% e popullatës mbi tokë.

Uljet dhe ngritjet nuk mund t’i shmangësh, por mund të ndryshosh mënyrën se si i sheh ato. Kur ne ndryshojmë mënyrën se si i shohim gjërat, edhe gjërat që shohim fillojnë të ndryshojnë…

Leave a Reply

Back to top button