Uncategorized

Kur s’mund ta ndryshoni dot botën, atëherë ndryshoni ndjenjat tuaja

Nga Arthur C. Brooks

Të gjithë – edhe ata që janë më të privilegjuar midis nesh- kanë gjëra që do të donin ndryshonin në jetën e tyre. Në fillim të shekullit VI filozofi romak Boetiusit shkroi: “Dikush ka pasuri të bollshme, por është turpëruar nga origjina e tij modeste. Një tjetër bie në sy për fisnikërinë e tij, por sikleti që i jep varfëria aktuale,e bën të preferojë të mbetet në hije. Një i tretë, i pajisur me të dyja, ankohet për vetminë dhe pse nuk ka arritur të martohet”. Mendoni qoftë edhe për pak çaste mbi jetën tuaj, dhe do të gjeni me siguri diçka që ju shkakton stres, ankth apo trishtim.

Për shembull, ndoshta e keni të vështirë ta konsideroni si interesante dhe përmbushësh punën apo karrierën tuaj. Apo ndoshta nuk po përfitoni aq shumë nga miqësitë tuaja, dhe ndiheni të vetmuar. Si mund ta përmirësoni situatën? Përgjigja juaj mund të jetë: “Unë duhet të lëviz, të gjej një punë të re, dhe të takoj njerëz të rinj!”. Pra ju duhet të ndryshoni botën e jashtme për ta bërë atë më të mirë për ju. Megjithatë, kjo gjë nuk është dhe aq e lehtë, apo jo?

Lëvizja, ndryshimi i punës, dhe krijimi i një grupi miqsh krejtësisht të ri, mund të jenë shumë jopraktike në këtë pikë të jetës suaj. Dhe në çdo rast, ju mund të dyshoni se problemet që keni do t’i merrni me vete. Unë do t’ju tregoj një sekret që mund t`ju ndihmojë.

Midis problemeve rreth jush dhe reagimit tuaj ndaj tyre, ekziston një hapësirë. Në këtë hapësirë, ju keni lirinë. Ju mund të zgjidhni të provoni ta rimodeloni botën, ose mund të filloni duke ndryshuar reagimin tuaj ndaj saj. Nganjëherë ndryshimi i rrethanave të jetës është i vështirë, por absolutisht i nevojshëm, sidomos në rastet e abuzimit apo dhunës.

Nga ana tjetër,ndryshimi i rrethanave është ndonjëherë mjaft i lehtë:Nëse ndiheni të përgjumur çdo mëngjes, atëherë filloni të shkoni më herët në shtrat. Por në zonat gri midis, lufta kundër realitetit mund të jetë e pamundur, ose krejtësisht joefikase.

Ndoshta mund të jeni diagnostikuar me një sëmundje kronike, për të cilën nuk ka opsione premtuese trajtimi. Ndoshta partneri ju ka braktisur përkundër dëshirës tuaj. Ndoshta keni një punë që ju pëlqen, por e urreni menaxherin, dhe askush nuk do t’ju japë mundësinë që të keni një shef të ri.

Në situata të tilla, ndryshimi i mënyrës se si ndiheni, mund të jetë në fakt shumë më i lehtë sesa ndryshimi i realitetit tuaj fizik, edhe nëse mund të duket e panatyrshme. Emocionet tuaja mund të duken sikur janë jashtë kontrollit tuaj në momentet më të mira, dhe aq më tepër gjatë një krize. Fajin për këtë e ka kryesisht biologjia. Emocionet negative si zemërimi dhe frika aktivizojnë amigdalën, e cila rrit vigjilencën ndaj kërcënimeve dhe përmirëson aftësinë tuaj për të zbuluar dhe shmangur rrezikun.

Kjo gjë ka evoluar gjatë mijëra vitesh. Por në botën moderne, stresi dhe ankthi janë zakonisht kronikë, jo episodikë. Dhe stresi kronik çon shpesh tek mekanizma jo shumë të përshtatshëm të përballimit në jetën moderne. Këtu përfshihet abuzimi me drogën dhe alkoolin, përsiatjet mbi burimet e stresit, të bërit keq vetes dhe vetëfajësimi.

Këto përgjigje jo vetëm që dështojnë t’ju ofrojnë një lehtësim afatgjatë; por mund t’i komplikojnë problemet tona përmes varësisë, depresionit dhe ankthit të shtuar. Mendimtarët e lashtë e kuptuan këtë vështirësi, por besonin se ne mund t’i menaxhonim reagimet tona në mënyrë efektive në rast se kemi mjetet e duhura.

Kështu,Budizmi predikon se mendjet tona janë zakonisht të çekuilibruara, por ato nuk janë në thelb të tilla. Çelësi është të ndërtoni zakone të reja të të menduarit. Edhe Stoikët besonin se arsyeja njerëzore, e praktikuar me kujdes, mund të kapërcejë emocionet e çastit. Ja cilat janë 4 hapat që mund të ndiqni për të qenë më të lumtur:

  1. Vini re ndjenjat tuaja

Vetë-vëzhgimi, kërkon që të jeni të vetëdijshëm për atë që ndjeni në këtë moment. Në vend se të fantazoni për lënien e duhanit, kaloni pak kohë duke analizuar mërzinë dhe shqetësimin tuaj. Në cilën kohë të ditës, keni gjendje më të keqe? Mbani një ditar kur ndiheni të dobët, në lidhje me kohën dhe detyrën.

Më pas merrni parasysh se si mund të ndryshoni disa aspekte të vogla të rutinës suaj për të ngritur gjendjen tuaj shpirtërore. Duke ndjekur këtë procedurë gjatë karantinës në fillim të pandemisë së koronavirusit, unë fillova të kem takime virtuale gjatë kohës që kisha dalë jashtë për një shëtitje. Kjo solli një ndryshim të madh tek unë.

  1. Pranojini ndjenjat tuaja

Ideja se duhet të ndryshoni rrethanat tuaja nëse jeni të trishtuar, bazohet në supozimin se ndjenjat tuaja negative duhet të zhduken. Në shumë raste, emocionet negative mund të jenë dobësuese, dhe mund të kërkojnë trajtim, si në rastet e depresionit apo ankthit klinik.

Por në pjesën më të madhe të jetës, ndjenjat negative janë pjesë e një përvoje të plotë njerëzore; fshirja e tyre do ta bënte më gri jetën. Për më tepër, kërkime të shumta tregojnë se emocionet dhe përvojat negative, na ndihmojnë të gjejmë kuptimin dhe qëllimin e jetës.

Në ditarin që nisët të mbanit dhe që u përmend në hapin e parë,fillon të meditoni mbi gjërat që nuk mund t’i ndryshoni realisht dhe emocionet që ato shkaktojnë tek ju. Pyesni se çfarë po mësoni mbi veten tuaj nga secila prej këtyre ndjenjave, dhe se mund të rriteni akoma më shumë në aspektin mendor dhe shpirtëror.

  1. Ulni pritshmëritë tuaja

Kur isha i ri, i thashë njëherë babait në telefon se po mendoja ta lija punën. “Pse?”-më pyeti ai. “Sepse nuk më bën të lumtur”-i thashë. Ai heshti për një copë herë dhe në fund më tha:“Çfarë të bën kaq shumë të veçantë?”. Problemi im – që është më se i zakonshëm – ishte se kisha vendosur pritshmëri të paarsyeshme se sa të lumtur duhej të më bënte bota.

Pyeteni me qetësi veten, nëse po i kërkoni botës diçka që nuk mund ose nuk do që t’jua japë. Nëse po, mund të jeni duke e kërkuar lumturinë në vendin e gabuar. Për shembull, unë besoj shumë në krijimin e vendeve më të lumtura të punës. Por i këshilloj vazhdimisht njerëzit që të mos mbështeten tek një punë e caktuar për të gjetur lumturinë.

Ngjashëm, ju nuk duhet të supozoni se e gjithë lumturia juaj mund të vijë vetëm nga ndonjë lidhje romantike, objekt material ose aktivitet. Ju keni nevojë për një qasje të gjithanshme, duke e balancuar besimin ose filozofinë, familjen, miqësinë dhe punën në të cilën fitoni suksesin tuaj, dhe u shërbeni të tjerëve.

  1. Jepni më shumë

Kërkimet nga shkolla e biznesit “INSEAD” në Francë, tregojnë se njerëzit që e konsiderojnë veten viktimë të rrethanave, nuk ndjejnë se kanë ndonjë përgjegjësi për to. Po ashtu ata ka të ngjarë të jenë vetë viktima, duke lënduar njerëzit që përpiqen t’i ndihmojnë.

Një nga mënyrat për të prishur këtë rreth vicioz,është t’i ndihmoni vullnetarisht të tjerët. Shërbimi ndaj të tjerëve për bamirësi, është një nga mënyrat më efektive për të rritur lumturinë e dikujt. Nëse ndiheni të vetmuar në punë, kërkoni dikë që mund të jetë duke vuajtur ashtu si ju dhe ofrojini një shoqëri të mirë. / The Atlantic – Bota.al

Back to top button