Analiza

Leksione politike nga mbretëria e kafshëve

Për njerëzimin, imitimi i kangurit naiv dhe thjesht injorimi i shushurimës në shkurre, nuk është mënyrë për të shmangur vrasjen. Përkundrazi, kjo është një recetë e sigurtë për shfarosje. 

Të mbijetosh në botën e post-të-vërtetës

Nga Daniel T. Blumstein

LOS ANGELES – Pavarësisht nga gënjeshtrat që shesin disa politikanë, faktet ende kanë rëndësi dhe përcjellja e duhur e këtyre fakteve është thelbësore për mbijetesën. Unë e di, sepse shoh rregullisht pasojat vdekjeprurëse të shitjes së fakteve të gabuara.

Unë jam një ekolog i sjelljes dhe studioj se si kafshët vlerësojnë dhe menaxhojnë rrezikun prej grabitqarëve. Por, në vend që të studioj grabitqarët flakërues – me dhëmbët e tyre të mprehtë, që afrohen me shpejtësi rrufe dhe aftësitë mbresëlënëse të sprintit – unë përqendrohem në ushqimin e tyre.

Disa kangurë të vegjël i përdorin keq faktet. Shumë shpesh, këta meze me katër këmbë injorojnë informacionin që kanë mu përpara tyre – si shushurima prapa një shkurreje, ose aroma e një mishngrënësi kalimtar. Dhe ata e paguajnë shtrenjtë këtë injorancë, me shtrëngimin e fortë të një nofulle të fuqishme.

Por kërkimet e mia kanë treguar se shumë kafshë që shndërrohen në vakte – marmotë, zogj, hardhuca, peshq dhe jovertebrorë detarë – janë më të aftë në vlerësimin e rrezikut. Në vitin 1979, ekologët Richard Daukins dhe John Krebs propozuan “parimin e jetës-darkë”, i cili thotë se preja, e cila ka më shumë për të humbur se sa grabitqarët, është më kreative kur vjen fjala tek mbijetesa. Rreziku për t’u ngrënë – dhe si pasojë, për t’u larguar nga pishina e gjeneve – siguron një stimul të fortë për të rritur aftësitë e mbijetesës. Për grabitqarin, e vetmja pasojë e dështimit është që të mbetet i uritur deri në vaktin e ardhshëm.

Ne e shohim parimin e jetës-darkë në punë, kudo përreth nesh. Kur pulëbardhat ose rosat dynden së bashku, teksa një qen vrapon nëpër një plazh a një pellg, kjo ndodh për shkak se zogjtë e kuptojnë se ka siguri tek numrat. Njerëzit bëjnë të njëjtën gjë. Ne ndjehemi shumë më të shqetësuar, për shembull, kur dalim të vetëm për sërf, sepse e dimë se, në rastin kur një peshkaqen vendos që të na bëjë vaktin e tij, shanset tona për mbijetesë rriten, kur peshkaqeni ka më shumë se një objektiv për të zgjedhur.

Njerëzit, ashtu si kafshët, kanë nevojë për të dhëna të besueshme dhe të vërteta, që të marrin vendime të mira. Një herë, duke studiuar marmotat në vargmalin Karakoram mes Kinës dhe Pakistanit, mungesa e fakteve pothuajse më vrau. Një stuhi katastrofike dhe rrëshqitjet e tokës që erdhën si pasojë, kishin shkëputur të gjitha hyrjet dhe daljet në zonën time të studimit, duke më çorientuar teksa kërkoja të largohesha. Ndërsa kushtet u përkeqësuan, ishte e pamundur të krijohej një strategji daljeje.

Për shkak se isha duke luftuar tifon dhe kisha shumë pajisje kërkimore me vete, thjesht nuk kisha energji për të ecur milje të tëra, nëpër shkëmbinj dhe baltë. Vetëm disa ditë më vonë, kur rreziku kaloi dhe më në fund mund të largohesha nga zona, e kuptova se sa i padobishëm ishte në të vërtetë, informacioni i disponueshëm, për rrugët dhe rrugëdaljet alternative që kisha përdorur deri atëherë.

Ndërsa çdo shkencëtar me respekt për veten duhet të vërë në pikëpyetje gjithçka dhe të jetë kritik ndaj urtësisë tradicionale, është e mundur të bëhen parashikime, të kryhen eksperimente për mbledhjen e të dhënave dhe, pas analizimit të këtyre të dhënave, të nxirren përfundime që mbështesin ose hedhin poshtë parashikimin fillestar. Ne mësojmë – dhe shkenca përparon – duke sfiduar vazhdimisht supozimet me informacione të freskëta dhe faktike. Në këtë mënyrë, ne i provojmë dhe i rregullojmë idetë tona, deri sa të mbërrijmë me një përfundim, që nuk mund të refuzohet lehtësisht. Ne e quajmë këtë, “të vërtetën tonë të zbuluar”.

Por e vërteta e zbuluar shkencore është gjithmonë subjekt i analizave të reja, shqyrtimit të ri dhe interpretimeve të reja. Gjithnjë konsiderohet si e përkohshme – domethënë, i nënshtrohet falsifikimit të mëvonshëm – në vend që të bëhet një dogmë e pranuar plotësisht.

Kur shkencëtarët dhe publiku në përgjithësi hedhin poshtë hipoteza të mbështetura mirë, duke cituar të ashtuquajturat fakte alternative, të mbështetura nga asgjë më shumë se emocionet ose bindjet personale (post-truth, në të folurën politike), ne injorojmë një mundësi të rëndësishme për të forcuar analizën tonë. Kur ne hedhim poshtë artikujt e vërtetuar në burime lajmesh me reputacion, duke i quajtur “lajme të rreme”, ne nuk arrijmë të përdorim provat, për të mbështetur konkluzionet tona. Në politikë ashtu si në shkencë, kur hedhim poshtë të vërtetën e zbuluar, rrisim gjasat për rezultate katastrofike.

Njerëzit kanë mbijetuar, sepse paraardhësit e tyre të lashtë, i kanë marrë faktet si duhet, ashtu si pulëbardhat që bëhen bashkë nën kërcënimin e rrezikut. Në të gjitha aspektet e jetës duhet të insistojmë në një proces shkencor që i bazon vendimet e marra, në vrojtimet e grumbulluara. Nëse dhe kur ka dëshmi të mjaftueshme për të mbështetur një përfundim të caktuar, ne duhet ta pranojmë atë. Në vazhdimësi, analiza vetëkritike është thelbësore, por vetëm nëse paraqiten ide të reja, prova të reja ose metoda të reja eksperimentale.

Për njerëzimin, imitimi i kangurit naiv dhe thjesht injorimi i shushurimës në shkurre, nuk është mënyrë për të shmangur vrasjen. Përkundrazi, kjo është një recetë e sigurtë për shfarosje. /

Copyright: Bota.al – Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2017. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – Surviving in a Post-Truth World

Leave a Reply

Back to top button