Psikologji

Lëri mënjanë opinionet e të tjerëve. Është koha ta duash pafundësisht veten tënde…

“Jam lodhur. Jam lodhur duke dhënë gjithçka nga vetja dhe duke mos qenë mjaftueshëm. Jam lodhur duke ndryshuar për njerëzit që nuk e vënë re ndryshimin tim. Jam lodhur duke u zgjuar çdo mëngjes e duke mos e njohur veten time. Jam lodhur duke mos qenë mjaftueshëm për aq sa kërkojnë të tjerët”. Këto ishin fjalët e dikujt tepër të demoralizuar, sepse kishte bërë gjithçka për të rënë në sy të personave që donte dhe askush nuk i kushtonte vëmendje.

Është e vërtetë, ne të gjithë kemi nevojë për vëmendje dhe dashuri. Qenia njerëzore nuk mundet dot të jetojë e vetme dhe ka përherë nevojë për të pasur persona të tjerë përreth. Ajo që nuk është normale, është të japësh gjithçka për të kënaqur dikë, kur është më se e qartë se asnjëherë nuk do të jemi mjaftueshëm të mirë për një person, nëse nuk jemi mjaftueshëm të mirë për veten tonë. Mund të mos jesh i mjaftueshëm për të tjerët, por më beso se do të mjaftojë dashuria që do të kesh për veten tënde, nëse do ta besosh se je i mjaftueshëm për veten tënde.

Mund të jesh tepër i ndrojtur me të tjerët, por ajo që ka rëndësi, është të jesh në paqe dhe në komunikim të vazhdueshëm me veten tënde për ta kuptuar veten dhe për të marrë vendimet e duhura për veten. Mos e lejo atë që ndiejnë të tjerët për ty, të ndryshojë mendimin që ti ke për veten tënde. Mos e lejo vlerën e vetes tënde, të varet nga preferencat e të tjerëve. Ti ke vlera jo për mënyrën se si të shohin të tjerët, por për faktin se ke lindur me vlera dhe duhet ta shohësh veten si të tillë.

Mënyra se si të trajton dikush nuk është reflektim i asaj që ti meriton. Gjithmonë ke për ta parë veten si një person pa vlerë, nëse bazohesh në mendimin e dikujt që nuk të do dhe shprehet keq për ty. Gjithmonë ke për ta parë veten si një person pa vlerë, nëse përpiqesh të ndryshosh për një person që kurrë nuk do të ndryshonte për ty. Mjaft i dhe njerëzve pushtetin për të kontrolluar mënyrën se si ndihesh për veten tënde. Është e lehtë që të tjerët të duan gjërat më të bukura të tuat. Çështja është që të duan edhe ato që ti nuk i ke aq të bukura, veset apo defektet e tua. Personat që të duan edhe për këto aspekte, janë ata që të duan në të vërtetë.

Ndrysho sepse dëshiron të ndryshosh, jo sepse gjykimet apo opinionet e të tjerëve të nxisin të ndryshosh. Lëre mënjanë çdo gjë që të shtyn të mos e duash veten tënde. Është koha që të kujdesesh për veten tënde. Është koha që ta duash pafundësisht veten tënde…

Leave a Reply

Back to top button