Letersi

Letërsia e verdhë, krimi që ngjyen fletët

Screen Shot 2015-06-28 at 10.29.00

Ka lindur në mes të viteve tetëqind dhe prej atëherë ka fituar popullaritet të madh. Cilat janë arsyet që i çojnë lexuesit të joshen pas letërsisë së verdhë?

Dorothy L. Sayers shkruante më 1934-n: “Gjërat nuk kanë ndryshuar. Mes të gjitha formave të vdekjes, vrasja është ajo me joshjen më të egër. Vrasja, ngjarja përkufizuese në letërsinë e verdhë është motori që ndez të gjithë historinë. Magjeps në fiksion dhe mbetet një nga format e mirëpërcaktuara të argëtimit dhe kjo joshje ka zakonisht baza të forta dhe jetë të gjatë.”… Ngjyrat janë thjesht konvencion dhe nuk bëjnë diferencë; letërsi e verdhë – e famshmja giallo që lindi si term në Itali, apo noir, ajo çka i tërheq lexuesit dhe e bën këtë zhanër kaq të pëlqyeshëm është misteri që vesh subjektin. Vrasje të befta, krimi perfekt-( edhe në kë lloj letërsie nuk ekziston një i tillë, aq perfekt sa të mos zgjidhet në fund) një detektiv që punon me vetëmohim për të mbledhur copëzat e mozaikut e për ta nxjerrë në dritë autorin e krimit…

Ka shumë mundësi që lindja e letërsisë së verdhë përkon me botimin në vitin 1841 të “Krime në rrugën Morgue” të Edgar Allan Poe-së, ku shfaqet personazhi i August Dupin, aftësitë e mëdha deduktive të të cilit i lejojnë të zgjidhë çështje krimesh pa vajtur fare në vendngjarje, vetëm duke lexuar artikuj gazetareskë. Është ky personazh që në njëfarë mënyre grish Arthur Conan Doyle për të krijuar të famshmin Sherlok Holms, protagonistin e romanit “ Një studio e kuqe” të vitit 1887, apo në romanin “Guri i Hënës “ i Wilkie Collins më 1868-n. Ndërsa në Itali nga ku ka marrë edhe termin “giallo” libri i parë është “ Kufoma ime” nga Francesco Mastriani.

Prej asokohe zhanri ka njohur sukses të pashoq, së pari prej publikut e më pas edhe nga kritika. Të shumtë zhanret e frymëzuara dhe të dalë nga letërsia e verdhë e të shumtë autorët që iu kushtuan dhe u bënë të famshëm në botë, nga Agatha Christie, krijuesja e personazheve të Herkul Poirot dhe zonjusha Marpwll, “Poirot në Gjykatën Stajls” më 1920-n dhe Georges Simenon, krijuesi i komisar Magresë, nga Raymond Chandler te Rex Stout etj.

Në letërsinë shqipe elementë të romaneve të krimit apo noir, ku shfaqen hetues të krimit i ka sjellë shkrimtari i njohur Ismail Kadare, ku në libra si “Kush e solli Doruntinën”, “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”.

Një tjetër autor shqiptar me elementë të trillerit është edhe Fatos Kongoli, ku thuajse në të gjithë romanet e tij shfaqet një galeri personazhesh të profesionit, inspektorë, gazetarë investigues, hetues apo spiunë nga më i fundit “Gjemia i mbytur”, “Jetë në një kuti shkrepësesh”, “Te Porta e Shën Pjetrit”, “Njeriu me fat” etj.

…Të tërhequr nga popullariteti i zhanrit, por edhe narracioni i autorit britanik, Shtëpia botuese “Saras” ka sjellë të gjithë sagën e detektivit Jashim, të Jason Goodwin. Nisur nga suksesi i librit të parë “Pema e jeniçerëve”, që e solli vetë autorin në Tiranë një vit më parë, kjo shtëpi botuese në një vit ka sjellë të pestë librat e tij. I fundmit është “Klubi Bakllava”, i pritur me kureshtje në Britaninë e Madhe.

Janë pesë libra “Pema e Jeniçerëve”, “Guri i gjarprit”,”Portreti i Belinit”, “Syri i keq’ dhe “Klubi Bakllava”, të cilat na njohin me aventurat e një detektivi osman. Për Alda Bardhylin, redaktoren e “Saras”, zgjedhja e kësaj sage për t’u botuar në shqip nuk kishte të bënte vetëm me faktin që është letërsi e verdhë. “Sigurisht që letërsia e verdhë është një letërsi që i ka munguar tregut të librit në Shqipëri për vetë historinë tonë në raport me librin, por zgjedhja e sagës së Goodwin për t’u botuar në gjuhën shqipe kishte të bënte dhe me linjën historike që këta libra mbartin”. Në të pestë romanet, Goodwin flet për shqiptarët, si njerëz me kontribute të çmuara në Perandorinë Otomane, si dhe përshkruan personazhe të njohur të historisë sonë, siç është Ali Pashë Tepelena. Sipas Bardhylit, suksesi i librave të Goodwin dhe i aventurës së këtij detektivi të famshëm qëndron pikërisht tek ndërthurja e fakteve historike me trillerin. “Pasi detektivi Jashim në të pestë këto libra duket sikur e merr për dore lexuesin dhe u tregon të vërtetat e Perandorisë Otomane, në kulmin e lulëzimit dhe në momentet më të vështira të saj, siç ishin ato të përballjes me hapjen drejt asaj që është Turqia e sotme, dhe për të kuptuar rolin e vendeve të tjera që kishin marrëdhënie me këtë fuqi në europianizmin e saj. Fakti që autori është një historian ndjehet në libër”, thotë Bardhyli.

Sipas saj detektivët në letërsi duket sikur kanë zëvendësuar historianët. E njëjta gjë sipas saj ndodh dhe me letërsinë bashkëkohore italiane. “Saras” ka sjellë këtë vit për lexuesin librin “Hije mbi liqen” një libër i cili në fokus ka një detektive femër. “Ndryshe nga shekulli i XVII ku ngjarjet i besoheshin detektive meshkuj, në shekullin e XXI detektivët janë femra. Shkrimtarët italianë Cooco& Maggella ia kanë lënë një femre rolin e detektives për të zbuluar një vrasje të ndodhur në Komon e Luftës së Dytë Botërore. Ajo është Stefani Valenti, një grua e fortë e cila tregon dhe forcën e femrave në këtë shekull”, thotë Bardhyli. Lexuesit janë gjithnjë të dhënë pas këtyre personazheve të veshur me mister, që i ftojnë drejt aventurave nga më të rrezikshmet.

Ky zhanër pse i lidhur me kategorinë e ulët të fiksionit, mbetet një formë e pabesueshme letrare tmerrësisht jetëgjatë, fleksibile dhe kreative. Është një letërsi e vlefshme për shkencat sociale për shkak të strukturës.

Premisa themelore e të gjitha mistereve është një shoqëri me rend dhe e vërtetë, por që çorientohet si rezultat i një krimi që i imponohet. Një rastet e zakonshme mbërrin një hero, një oficer i ligjit, një detektiv privat apo inspektor dhe me anë të deduksiont logjik, punës së madhe apo fatit, e zgjidh krijimin dhe rendi rikthehet.

Besimi i madh në shkencë, në fund të shekullit bën që edhe rastet policore më të errëta mund të kuptohen përmes analizave shkencore dhe indiceve, në veprën e një hetuesi që ekzaminon me kujdes gjurmët, kontrollon alibitë, mbledh dëshmi dhe prova të pakundërshtueshme. Përpunon dhe verifikon hipoteza, ashtu siç bën shkencëtari në laborator.

Termi letërsi e verdhë apo “giallo” rrjedh nga një seri romanësh me krim dhe mister të titulluara “Il Giallo Mondadori”, botuar nga shtëpia botuese ‘Mondadori’ në vitin 1929, duke e marrë emrin nga kopertina e dallueshme me sfond të verdhë. Seria kishte të bënte ekskluzivisht me përkthimet italiane të romaneve me mistere të autorëve britanikë e amerikanë si Agatha Christie, Ellery Queen, Edgar Wallace, Ed McBain, Rex Stout and Raymond Chandler.

Botuar si një seri e lirë, suksesi i “giallo”-s shpesh tërhoqi vëmendjen e shtëpive të tjera botuese, që nisën të botojnë versione e tyre, duke imituar kopertinat e verdha. Fama e tyre vendosi fjalën “giallo” si një sinonim të romaneve me mistere dhe më gjerë në gjuhën mediatike për një çështje misterioze apo të pazgjidhur.

Duke qenë se objekti i letërsisë së verdhë është shumë i gjerë, shpesh zhanri gërshetohet me të tjerë zhanre letrarë si fantashkenca apo romani historik. Ndahet në disa nënzhanre, edhe pse kufijtë shpesh nuk janë të përkufizuar mirë, romani policesk, përfshin letërsinë verdhë klasike, letërsia e spiunazhit, noir, trilleri, dhe ky i fundit ndahet në disa të tjerë, trileri mjekësor dhe ai ligjor.

…Duket se romanet e krimit janë thjesht mjeti i fundit për tematika që kanë magjepsur njerëzit për mijëra vjet.

Magjeps kaq shumë njerëz, pjesërisht sepse argëton, pjesërisht sepse ofron shpërblim të fiksionit cilësor dhe pjesërisht sepse përballet me aspektet më të shëmtuara të natyrës njerëzore.

Vrasja është krimi i fundmë dhe ne magjepsemi nga emocionet e forta njerëzore që ajo nxjerr. Ia vlen të kujtojmë se shekulli njëzet ka qenë më i dhunshmi në historik, a ka të bëje kjo me popullaritetin e romanit të krimit?

Përfundimisht, ndoshta raca njerëzore është e fiksuar me vdekjen. Vdekja është diçka që do të na ndodhë të gjithëve. Misteret e vrasjeve na japin një rrugë eksplorimi të disa prej implikimeve dhe na lejon të kënaqemi ndërsa e bëjmë.

Libra të inkriminuar

Disa nga romanet më të mirë të letërsisë së verdhë të të gjitha kohërave

Gruaja me të bardha

Wilkie Collins (1859)

“Gratë mund t’i rezistojnë dashurisë së një burri, famës së burri, paraqitjes së një burri dhe parave të një burri, por nuk mund t’i rezistojnë gjuhës së një burri kur ai di si t’u flasë”, shkruante Collins në trillerin e saj të parë të epokës viktoriane.

Të huaj në tren

Patricia Highsmith (1950)

Vrasja e përsosur është me siguri ajo që një person i shëndoshë mendërisht nuk ka motive për ta kryer. Kjo është premisa e kësaj kryevepre noir, të nderë dhe moralisht shqetësuese, ku dy burra bëhen “ajo çka tjetri nuk ka zgjedhur të jetë, vetja e padëshiruar”,

E bija e kohës

Josephine Tey (1951)

Me një temë të pazakontë në rizbulimin e eshtrave të Rikardit III, ky roman nis me një inspektor policie i mërzitur në spital duke imagjinuar mbretin e fundit të Jorkëve, në përpjekje për të zbuluar nëse ai e vrau princeshën në kullë apo jo. Përfundimi mbetet i debatueshëm, në disa pjesë.

Saga e Sherlok Holms

Arthur Conan Doyle (1892-1927)

I droguari, violinisti, ish-boksieri është i vetmi mister që kurrë nuk zgjidhet në këto histori origjinale detektivësh arkitekturuar bukur, i vendosur në “atë fushë të madhe shahu, në të cilën të gjithë kotanakët dhe dembelët e Perandorisë kullohen në mënyrë të parezistueshme”.

Vrasja e Roxher Akroid

Agatha Christie (1926)

Kryevepra e Christie-t u frymëzua nga i kunati, i cili i sugjeroi se krimineli ideal i trilluar do të ishte personazhi i Dr. Uatsonit.

I çmenduri i Bergerac-ut

Georges Simenon (1932)

Detektivi më i paepur i letërsisë, Komisare Magre, është rrugës drejt një fundjave pushimi kur një sjellje e pazakontë e një pasagjeri në tren i nxit kureshtjen dhe e çon drejt një fshati francez të terrorizuar nga një maniak.

Nëntë rrobaqepësit

Dorothy L Sayers (1934)

Me një anglishte të patëmetë dhe një humor të thatë që e ndihmoi atë të bëhej shkrimtarja më letrare e mistereve në epokën e artë, romani i saj i nëntë është më gjeniali.

Rebeka

Daphne du Maurier (1938)

Një grua fëminore martohet me një burrë më të madh, misterioz dhe dominues, dhe fiksohet në mënyrë të rrezikshme me gruan e tij të parë, shumë karizmatike, por e vdekur. Psikologjikisht akut, romani përshkruhet si një shembull i epërm i një pornografie shumë të koduar femërore.

Me gjak të ftohtë

Truman Capote (1966)

Shtatë vjet pas botimit “Mëngjes në Tiffany” Capote botoi romanin e tij jo fiksion, rreth një vrasjeje pa kuptim dhe brutale të një fermeri në Kansas, gruas dhe dy fëmijëve të tij, i bazuar në intervista me komunitetin e përfshirë dhe vrasësit, libri rishpiku reportazhin.

Emri i trëndafilit

Umberto Eco (1980)

“Librat gjithnjë flasin për libra të tjerë dhe çdo histori rrëfen një histori tashmë të rrëfyer”, shkruan filozofi italian në romanin e tij postmodernist rreth vrasjes në manastirin e shekullit të 14. Është përgjigje e lexuesit akademik për “Kodi i Da Vinçit”.

Mjerimi

Stephen King (1987)

I frymëzuar nga fyerja e Kingut prej lexuesve që e donin atë në lidhje me zhanrin horror, ky triller e sheh romancierin Paul Sheldon të burgosur dhe të torturuar nga fansi i tij më i madh. Frika e vërtetë e çdo romancieri; faqja e bardhë, pa gjak.

Gjumi i madh

Raymond Chandler (1939)

Mjeshtri i hatashëm i fiksionit të krimeve e çon protagonistin në një rrjet të dendur vrasjesh, shantazhesh dhe pornografie./Suadela Balliu-Mapo

Leave a Reply

Back to top button