Histori

Anarshistë, bomba e gangsterë: Si lindi FBI-ja e Hooverit

E lindur prej anarkistëve që vinin bomba dhe gangsterëve, FBI-ja e hershme qe një ekip “gjuetarësh të komunistëve” dhe kundërspiunësh që i nënshtroheshin ligjit për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara.“Revolucioni Bolshevik në Rusi polli një legjion simpatizantë të komunistëve dhe anarkistëve në Shtetet e Bashkuara”

HooverEtërit themelues

Theodore Roosevelt

Lindi: 27 Tetor 1858

Vdiq: 6 Janar 1919

Pas vrasjes tronditëse të McKinley më 1901, 43 vjeçari Teddy Roosevelt u bë Presidenti më i ri në historinë amerikane. Roosevelt qe një hero i dashur i luftës spanjollo – amerikane dhe Komisioner i Policisë së New York City. Ai solli një dinamizëm të ri në presidencën amerikane, një shpirt reformist progresist që e zgjeroi shumë pushtetin ekzekutiv. Roosevelt qe shtytës në krijimin e forcës hetimore federale për të identifikuar dhe kapur anarkistët dhe terroristë të tjerë vendas.

Charles Bonaparte

Lindi: 9 Qershor 1851

Vdiq: 28 Qershor 1921

Stërnip i Napoleonit, Charles Bonaparte qe i barabartë me Roosevelt në pasuri familjare dhe zjarr progresist. Fillimisht Presidenti Roosevelt e emëroi atë si Sekretarin e Marinës dhe më pas si Prokuror të Përgjithshëm. Më 1908, duke ndjekur urdhrat e Roosevelt, Bonaparte i kërkoi Kongresit para për të krijuar “një forcë të vogël, të zgjedhur me kujdes dhe me përvojë” në shërbim të Departamentit të Drejtësisë. Kur Kongresi refuzoi, duke cituar frikërat e formimit të një policie sekrete, Bonaparte rekrutoi 9 agjentë fshehurazi, rekrutët e parë e FBI-së.

J Edgar Hoover

Lindi: 1 Janar 1895

Vdiq: 2 Maj 1972

I punësuar në moshën 22 vjeçare nga Bureau of Investigation, John Edgar Hoover do të arrinte më pas të bëhej drejtori i parë i Federal Bureau of Investigation – një post që do ta mbante për as më pak e as më shumë se 48 vjet me radhë. I lavdëruar për profesionalizmin e forcës, Hoover qe gjithashtu një figurë kontradiktore, që grumbulloi dosje sekrete të hollësishme mbi të dyshuar të majtë, komunistë celebritete dhe politikanë që nuk ishin dakord me pikëpamjet e tij.

Qe fundi i verës së 1901 dhe sytë e botës qenë nga Buffalo, New York, qyteti i 8-të më i madh në Shtetet e Bashkuara në atë kohë. Në Buffalo po mbahej Pan-American Exposition, ku drita elektrike qe akoma një risi dhe makina e parë e rrezeve X ishte ekspozuar. Me 5 Shtator, Presidenti amerikan William McKinley vizitoi ekspozitën dhe mbajti një fjalim lidhur me lavditë e progresit dhe gjenisë njerëzore. Ky qe fjalimi i fundit që do të mbante. Me 6 shtator, teksa po qëndronte në një radhë pritjeje brenda Temple of Music, McKinley ju afrua një punëtor fabrike i papunë i quajtur Leon Czolgosz, një anarkist i lindur në Amerikë i frymëzuar nga shkrimet e Emma Goldman. I fshehur Brenda shamisë së bardhë të duarve të Czolgosz ishte një revolver .32 Iver Johnson. Czolgosz e qëlloi McKinley dy herë në gjoks nga afër. Për ironi të fatit, doktorët e ndodhur aty zgjodhën që të mos e përdornin makinën e rrezeve X për të gjetur plumbat, pasi patën frikë nga efektet e rrezatimit. Theodore Roosevelt mori presidencën në një re terrori vendas. Czolgosz qe një atentator vetmitar, por nuk ishte i vetëm në besimet e tij. Grupe anarkistësh anembanë botës po e përhapnin ideologjinë e tyre të barazisë nëpërmjet shkatërrimit e të gjitha formave të pushtetit. McKinley qe një prej shumë liderëve politikë e fundit të shekullit të XIX-të, përfshi këtu Presidentin e Francës dhe kryeministrin e Spanjës, që u vranë nga anarkistët.

Roosevelt kishte ndërmend që ta çrrënjoste ekstremizmin politik nga trualli amerikan, por ishte i pengaur nga panorama ligjore e fillimit të shekullit të XX-të. Kur Roosevelt erdhi në detyrë, qeveria federale nuk merrej me punën e hetimit penal. Pse? Sepse nuk kishte pothuajse asnjë ligj federal që I jepte atij juridiksion mbi aktivitetet penale. Të gjitha hetimet penale kryheshin nga forcat policore vendore dhe shtetërore. Jo të gjitha këto forca qenë të krijuara në mënyrë të barabartë. Shumë oficerë policie qenë keq të trajnuar e të paguar pak dhe një numër shefash policie qenë emërime politike me aspak përvojë hetimore. Kjo metodë e luftimit të krimit funksionoi mirë në Amerikën e shekullit të XIX-të në pjesën më të madhe të saj rurale, por nuk ishte e gatshme as për së largu me realitetet e shekullit të ri. Industrializimi i shpejtë çoi në urbanizimin e shpejtë. Qytetet në zgjerim të Amerikës – 100 me popullsi me mbi 50000 banorë në 1908 – nuk po absorbonin vetëm ruralët e varfër, por edhe valë emigrantësh europianë. Të ardhur italianë, polakë, irlandezë dhe gjermanë vendoseshin në shtëpi popullore pa kushte sanitare dhe të mbipopulluara, kushte faturuara për krim të organizuar, prostitucion dhe trazira politike. Përpara Roosevelt, Shtetet e Bashkuara ishin thjesht kaq, një bashkim shtetesh në pjesën më të madhe të tyre të pavarura dhe vetëqeverisëse. Por industrializimi, urbanizimi dhe novatorizmi teknologjik – hekurudhat, telefoni, elektriciteti, automobili dhe të tjera – ndihmuan që të fshiheshin kufijtë e vjetër dhe të viheshin në pikëpyteje mënyrat e vjetra e ruajtjes së ligjit dhe rendit.

Roosevelt ishte një ish Komisioner Policie i New York City dhe progresist i shprehur. Progresistët besonin se qeveria federale luante një rol kritik në reformimin e institucioneve të shkatërruara, mbështetjen e shtetit të së drejtës dhe krijimin e një shoqërie më të drejtë. Në vitin 1902, Roosevelt përdori Sherman Antitrust Act e vitit 1890 për të shkatërruar “trustin” (lexo: monopolin) e industrialistit më të fuqishëm në Amerikën e asaj kohe JP Morgan. Roosevelt promovoi ruajtjen e tokave publike nën parqet kombëtare për përdorimin dhe kënaqësinë e njerëzve dhe donte që qeveria kombëtare të luante një rol më të fuqishëm në mbrojtjen e popullit amerikan nga kërcënime si puna e anarkistëve, krimi i organizuar dhe korrupsioni.

Në vitin 1906, Roosevelt emëroi Charles Joseph Bonaparte, një tjetër progresist të shquar dhe reformator civil, që të bëhej Prokurori i Përgjithshëm i tij në krye të Department of Justice (DOJ). Por Bonaparte ishte si një polic pa armë. Ai nuk kishte asnjë staf hetuesish të tij, kështu që i huazonte rast pas rasti nga Secret Service dhe bile huazoi detektivë privatë. Kur ligjvënësit amerikane mësuan për këtë zakon të kushtueshëm të tij, Kongresi miratoi një ligj që e ndalonte Bonaparte nga huazimi i agjentëve. Ligji qe tamam si një dhuratë nga Zoti. Me miratimin e Roosevelt, Bonaparte qetësisht rekrutoi 9 anëtarë të Secret Service që t’i bashkoheshinm trupës së re të hetuesve federalë që i raportonin drejtpërsëdrejti Stanley Finch, kryeshqyrtuesit të Bonaparte. Në një memorandum 1 faqesh të datës 26 korrik 1908, Bonaparte propozonte krijimin e një “force të rregullt agjentësh specialë” për të ndihmuar hetimet e Department of Justice. Farërat më të hershme të FBI-së qenë mbjellë.

Hetuesit nën radar të Bonaparte nuk e kishin një emër akoma, por radhët e tyre u rritën në 34 përpara se Prokurori i Përgjithshëm të largohej me Roosevelt në vitin 1909. Qe pasuesi i Bonaparte, Prokurori i Përgjithshëm George Wickersham ai që zyrtarisht i pagëzoi agjentët e Department of Justice si Bureau of Investigation me 16 mars të 1909. Bureau of Investigation e sapolindur mund ta kishte një emër, por akoma nuk e kishte asnjë dhëmb. Kishte pak ligje federale që i jepni juridiksion për të vepruar në çështje penale.

Kjo ndryshoi me miratimin e Mann Act në vitin 1910. I njohur si White Slavery Traffic Act, ligji ndalonte transportimin ndërshtetëror e femrave për “qëllime imorale”. Reformatorët progresistë, duke u ngritur kundër prostitucionit në qytetet e Amerikës, deklaruan një krizë të skllavërisë së bardhë, në të cilën gra të reja të bardha të paditura po mashtroheshin nga të huaj të ndyrë drejt një jete prostitucioni. Gazetarë të paskrupull qenë të lumtur që të furnizonin detajet e tmerrshem, edhe pse jo tërësisht të sakta dhe çështja e geti rrugën drejt Kongresit.

Bureau of Investigation i qe dhënë vendi i parë në të gjitha rastet e Mann Act dhe siguroi një reputacion të dyshimtë në zbatimin e një ligji të dyshimtë. Boksieri kampion zezak Jack Johnson u ndoq nga agjentët federalë për vite me radhë dhe eventualisht u dënua për transportim prostituash përgjatë kufijve shtetërore. Byroja e ndoqi atë në Europë dhe Meksikë përpara se kampioni i rrethuar të vetëdorëzohej tek autoritetet.

Më pas, Bureau do ta ringjallte veten nëpërmjet përdorimit të përhershëm të tagrave të Mann Act të saj. Në vitet Njëzet, organizata supremaciste e bardhë Ku Klux Klan pati një rigjallërim në jugun amerikan. Në krye të përpjekjeve rekrutuese të KKK-së qe Edward Young Clarke, një menaxher reklamash nga Louisiana që shërbente si “Kleagle perandorak” (Kleagle: oficer rekrutues i Ku Kluks Klanit, shënimi im.). KKK-ja u bë aq e fuqishme në Louisiana – nëpërmjet linçimeve, kidnapimeve dhe kërcënimeve – sa që Guvernatori i saj ju lut Bureau që të ndërhynte. Pa juridiksion për ta hetuar Clarke me akuzat për vrasje, Bureau e arrestoi “Kleagle perandorak” për kalimin e dashnores së tij nëpër kufijtë shtetërorë.

Në vitin 1916, Shtetet e Bashkuara mbajtën neutralitet në konfliktin që gëlonte në Europë. Por spiunët gjermanë mendonin ndryshe. Herët në mëngjesin e një së diele të korrikut, një shpërthim masiv tronditi Manhattan e poshtëm dhe Jersey, duke shkatërruar dritaret e dhjetëra blloqeve dhe duke vrarë 4 njerëz. Agjentët gjermanë patën përdorur 2 milion ton municione amerikane të magazinuar në një magazinë hekurudhore për transport sekret drejt Britanisë.

Të nxitur nga provokimet e Gjermanisë, Shtetet e Bashkura më së fundmi i shpallën luftë më 1917 dhe Kongresi me shpejtësi miratoi tri ligje të reja që i rritën shumë pushtetet e kohës së luftës të Bureau of Investigation së re: Selective Service Act, Espionage Act dhe Sabotage Act. Kur Presidenti Woodrow Wilson nënshkroi Selective Service Act, ai krijoi shërbimin e parë të detyrueshëm ushtarak në Amerikë.

Byroja u ngarkua që të merrej me ata që i shmangeshin shërbimit dhe me identifikimin e “armiqve të huaj” – shtetas gjermanë të dyshimtë që jetonin në territorin amerikan. Me Espionage Act, agjentët e Byrosë hynë në lojën e kundërspiunazhit. Në një rast të famshëm, zyra e Byrosë e New York mori njoftimin se ambasada gjermane kishte grumbulluar dokumenta top sekrete në konsullatën zvicerane për t’ua shmangur kapjen nga forcat e armatosura amerikane. Në vend që të bastiste zyrat zvicerane në mes të ditës, kreu i zyrës lokale, Charles DeWoody, hartoi një seri të fshehtë thyerjesh të tyre gjatë natës. Kur agjentët e Byrosë e gjeti masën e dokumenteve, ato qenë të dyllosur nëpër kuti me shirita, spango dhe vula dylli shumëngjyrëshe. Çdo natë, agjentët do ta hiqnin shiritin në një kuti të caktuar, t’ia hiqnin spangot dhe vulat prej dylli, të merrnin disa prej dokumenteve më interesante dhe pastaj t’i kthenin me kujdes të madh kutitë në gjendjen e tyre fillestare. Pas muajsh pune të fshehtë, ata i dhanë mijëra faqe dokumenta të klasifikuara gjermane Justice Department, ku përkthyesit zbuluan lidhje kritike inteligjence me transmetimet e kodeve të spiunazhit gjerman dhe sistemin e komplikuar për transportimin e materialeve të luftës nën flamuj neutralë.

Kur përfundoi lufta në Europë, një betejë e re filloi në territorin amerikan. Revolucioni bolshevik në Rusi polli një legjion simpatizantësh komunistë dhe anarkistë në Shtetet e Bashkuara. Në prill yë 1919, një bandë anarkistësh italianë u përpoqën që t’u postonin të paktën 36 pako të mbushura me dinamit disa prej politikanëve dhe gjykatësve më të shquar të Amerikës. Një pako i preu duart një shërbëtori të pafat që hapi derën e shtëpisë së Senatorit Thomas Hardwick. Fatmirësisht, shumica e pakove të mbushura me dinamit nuk u shpërndanë kurrë, për shkak të “numrit jo të përshtatshëm të pullave”.

Qershori i 1919 solli më shumë shpërthime në 8 qytete amerikane, përfshi një bombë vetëvrasëse të dështuar përpara shtëpisë së Prokurorit të Përgjithshëm në Washington DC (shpërthimi shkatërroi dritaret përgjatë rrugës në rezidencën e Franklin Delano Roosevelt, i cili në atë kohë ishte Ndihmës Sekretar i Marinës, dhe gruas së tij Eleanor). Department of Justice dyshonte se Moska po financonte terroristë anarkistë në Amerikë dhe vendosi që të vendoste njerëzit e tij më të mirë në çrrënjosjen e të “kuqve” dhe elementëve të tjerë radikalë. Një i ri i quajtur J Edgar Hoover, njeriu karriera 48 vjeçare e të cilit si Drejtor i FBI-së do ta përkufizonte institucionin për dekada me radhë, u emërua shefi i të sapokrijuarit Radical Division në Justice Departament.

Hoover rezultoi të ishte më shumë se i përgatitur për detyrën. Duke krijuar një ekip “thyerësish shtëpishë” me agjentë të Byrosë dhe informatorë të fshehtë, Hoover grumbulloi me shpejtësi dosje sekrete në më shumë se 60000 individësh të dyshuar për simpati komuniste dhe anarkiste. Duke përdorur tagrat e dhëna qeverisë federale nga Immigration Act i gjerë i vitit 1918, Hoover dhe mbështetësit kongresualë siguruan depërtimin e Emma Goldman, fytyrës publike të anarkisë amerikane, shkrimet e së cilës patën frymëzuar të riun anarkist Leon Czolgosz. Gjithashtu, Byroja orkestroi bastisjet në Partinë Socialiste Amerikane dhe Bashkimin e Punëtorëve Rusë. Në dhjetor të 1919, Goldman dhe një ngarkesë radikalësh të tjerë të bindur u dërguan drejt Rusisë me një anije oqeanike të mbiquajtur si “Arka e Kuqe” prej shtypit.

Shefi i Hoover në Justice Department dhe bashkëpunëtori më i ngushtë i tij në zhdukjen e kërcënimit të kuq ishte Prokurori i Përgjithshëm Alexander Mitchell Palmer. Palmer, i cili e kishte përqëndruar shikimin mbi Shtëpinë e Bardhë, ishte i njëjti Prokuror i Përgjithshëm shtëpia e të cilit pothuajse u shkatërrua nga një anarkist vetëvrasës. I mbështetur nga ligji i gjerë për emigracionin dhe i inkurajuar nga Palmer, Hoover orkestroi një seri të koordinuar bastisjesh në javën përpara Vitit të Ri 1920. Vetëm në 2 net, agjentët e Byrosë arrestuan më shumë se 2500 komunistë të dyshuar.

Gjatë javës së ardhshme, mijëra “armiq të huaj” u spastruan në të të ashtuquajturat “Palmer Raids”. Hoover dhe Palmer besonin vërtet se po mbronin Amerikën nga një kërcënim revolucionar në vetë oborrin e pasëm të saj. Palmer paralajmëroi haptazi për akte masive terroriste që korrespondonin me 1 Majin e 1920. Por ndërsa 1 Maji erdhi dhe shkoi pa asnjë incident, si dhe filluan të shfaqeshin raporte arrestimesh false gjatë “Palmer Raids”, Palmer dhe Hoover u thirrën që të depononin përpara Kongresit. Aspiratat politike e Palmer u shfrynë me shpejtësi dhe Byroja e re mori një mësim rreth sakrifikimit të lirive civile për sigurinë.

Vitet Njëzet sollën një kriticizëm dhe mosbesim publik në rritje ndaj Bureau of Investigation. Agjentët e saj qenë ngarkuar me zbatimin e Prohibicionit, një ligj tejet jopopullor në shumë qarqe. Më pas pati shqetësime se mos Byroja nuk ishte as më pak e as më shumë se “policia sekrete” e Amerikës që synonte në shtypjen e disidencës politike më shumë sesa zbatimin e ligjit. Më tej Byroja e ndyu reputacionin e saj nëpërmjet spiunimit të kongresmenëve që patën ekspozuar Teapot Dome Scandal – një shembull i keq korrupsioni qeveritar që të çonte totalisht lart tek presidenca.

Në vitin 1924, gjatë periudhës menjëherë pas skandalit, Prokurori i Përgjithshëm e humbi postin, njëlloj si kreu i Byrosë. Zëvendësuesi i këtij të fundit? As më pak e as më shumnë se 29 vjeçari J Edgar Hoover. Besnik ndaj emrit të saj, Hoover zgjodhi që t’i pastrojë radhët e Byrosë nga të paaftit dhe emërimet politike. Hoover besonte tek burokracia dhe meritokracia. Ai vendosi standarde rigoroze për të gjithë agjentët e rinj – vetëm meshkuj midis moshës 25 dhe 35 vjeçare duhej të aplikonin – duke i nënshtruar “G-men” (njerëzit e qeverisë) aspirues ndaj një serie intervistash, plus testimesh psikologjike dhe fizike. Në vitin 1928 ai lançoi programin e parë formal trajnues për agjentët specialë, që përfshinte një kurs intensiv 2 mujor. Në 5 vitet e tij të para si Drejtor, radhët e agjentëve specialë aktivë u zvogëluan nga 441 në 339 teksa Hoover ndërtonte forcën e tij hetimore ideale.

Qysh nga fillimi, Hoover donte që të përdorte teknikat më të fundit shkencore në hetimet e Byrosë. Hapi i parë i madh u bë më konsolidimin e regjistrave të gjurmëve të gishtërinjve nën Degën e Identifikimit të re të Byrosë (Ident). Dega e re mori përsipër përgjegjësinë për krahasimin e gjurmave të gishtërinjve nga çdo skenë krimi në Amerikë me arkivin e centralizuar. Në vitin 1936, Ident-i menaxhonte më shumë se 100000 gjurmë gishtërinjsh në dosje. Në 1946, Ident-i u rrit aq shumë – arkivat e tij përmbanin më shumë se 100 milion lloje gjurma gishtërinjsh – sa që u lëviz në një arsenali federal me madhësinë e një hangari avionësh.

Gjithashtu, Hoover qe kryesor në krijimin e FBI Lab në vitin 1932, një prej laboratorëve të parë kriminalë në vend. Pothuajse për vitin e saj të parë, FBI Lab mbulohej nga një njeri: agjenti special Charles Appel, një ekspert në analizimin e shkrimit. Nën drejtimin e Hoover, Appel bëri shumë trajnime nga Scientific Crime Detection Laboratory në Chicago lidhur me teknikat më të fundit laboratorike si serologjia (studimi i gjakut dhe i lëngjeve të tjera trupore), toksikologjia, metalografia dhe analiza e makinave të shkrimit. Krahasimet e shkrimeve të dorës të Appel ndihmuan që të dënohej Bruno Richard Hauptmann për rrëmbimin dhe vrasjen e foshnjes Lindbergh, një çështje e madhe penale e viteve Tridhjetë.

Me Hoover në krye, Byroja e transformua nga një bandë e çrregullt ruajtësish ligji federal në një ushtri tejet të trajnuar, tejet sekrete agjentësh të mirëarsimuar e të mirëarmatosur. Në vitet Tridhjetë, Byroja do të kërkonte dhe do të vriste gangsterë të njohur si John Dillinger, Bonnie dhe Clyde, si dhe i siguroi vetes një emër të ri: Federal Bureau of Investigation (FBI).

Sot, 105 vjet pas themelimit kontradiktor të saj, FBI-ja është agjencia kryesore e zbatimit të ligjit në Amerikë dhe njësia hetyimore më e avancuar teknologjikisht në botë.

Përgatiti:

ARMIN TIRANA

Leave a Reply

Back to top button