Analiza

Lobi europian i kompanive të mëdha që “duan” Putinin

quella“Sanksionet nuk do i bënin keq vetëm Rusisë, por të gjithë Europës”. Një mesazh që lobi filorus mund ta shtrijë nga energjia, tek të gjithë sektorët ku ndërthurja e interesave është forcuar në vitet e fundit. Që nga financa tek ekipet e futbollit, pasuria e re e oligarkëve rusë ka hedhur rrënjë të thella në ata vende prej ku Ukraina po pret veprime solidariteti

Rusia ka një “kolonë të pestë” në Europën Perëndimore dhe po e përdor me forcë. Lobi i kompanive të mëdha europiane që kanë interesa ekonomikë në Moskë, është mobilizuar në favor të Vladimir Putinit dhe kundër sanksioneve të G7. Denoncimin e ka bërë New York Times, në një investigim të botuar në faqen e parë. E kanë firmosur korrespondentët e të përditshmes amerikane në Berlin, sepse qendra e ofensivës filoruse është në Gjermani. Investigimi rindërton deri në detaje një manovër të koordinuar, e cila e ka kabinën e vet të regjisë në Moskë, dhe lëviz si gurë shahu kompanitë e mëdha të Europës perëndimore, të cilat nga ana e tyre u bëjnë presion qeverive respektive. Objektivi: minimizimi i dëmeve për ekonominë ruse, që nga sanksionet dhe deri tek deklasifikimi i rating-ut, në një fazë në të cilën Moska është goditur prej një largimi në rritje të kapitalit (50 miliardë dollarë në tre muaj).

Europa është më lehtësisht e shantazhueshme se sa Amerika, shifrat flasin qartë: shkëmbimet mes BE dhe Rusisë janë afro 400 miliardë dollarë në vit, ndërkohë që mes Rusisë dhe SHBA shumë më pak se një e dhjeta (më saktësisht, 26 miliardë dollarë në vitin 2012, viti i fundit për të cilin zotërohen statistikat zyrtare). Putini i përdor si levë këta interesa ekonomikë, në një fushatë për të zbehur paraprakisht kërcënimin e sanksioneve: duke garantuar që ato masa të ashpra të jenë sa më minimale, edhe në rast të një tjetër agresioni të tij në kufijtë e Ukrainës. Kompanitë më aktive në Europën Perëndimore në këtë aksion lobizmi filorus janë ato të sektorit të energjisë dhe derivatëve të tij. E përditshmja amerikane ka përmendur si një ndër më elokuentët Rainer Seele, president i grupit kimik Wintershall, që kontrollohet nga kolosi gjerman Basf. “Nuk duhet t’i kthejmë shpinën Rusisë, as për sa i përket biznesit energjetik, as edhe politikisht”, deklaron kryemenaxheri gjerman.

Një tjetër menaxher i lartë që shprehet hapur është Gerhard Roiss, numri një i kompanisë energjetike austriake OMV (naftë dhe gaz), sipas të cilit “nuk duhet që të flasin për sanksione, nëse nuk i dinë pasojat e sanksioneve”. Sipas Roiss, “nuk duhet ta përdorim gazin si armë, sepse Europa prej pesëdhjetë vitesh ka zhvilluar një ndarje pune, në bazë të të cilës energjia eksportohet nga Rusia për në Europë, ndërkohë që produkte të tjerë si automobilët dhe makineritë eksportohen nga Europa në Rusi”. Një gjuhë e ngjashme përdoret edhe nga shumëkombëshja e naftës, BP, angleze. Zëdhënësi i saj Tony Odone deklaron: “Interesat tanë në Rusi nuk janë prekur nga masat e marra deri tani”.

Prapa këtyre deklaratave eksplicite, zyrtare dhe në thonjëza, ka patur një punë “përgatitore” në hije: një turne në Europën perëndimore të drejtuesve të Gazprom, enti energjetik shtetëror që menaxhon një pjesë të madhe të eksporteve të gazit nga Rusia. Gazpromi ka dërguar menaxherët e vet më të lartë nëpër kryeqytetet europianë, për të transmetuar një mesazh: aktivizohuni në mbrojtjen tonë, sepse një krizë në marrëdhëniet ekonomike mes Europës dhe Rusisë do të dëmtonte të gjithë. Një kundërofensivë marrëdhëniesh publike e nivelit të lartë, që ka parë numrin dy të Gazpromit, Alexander Medvedev që të kontaktojë edhe qeveritë dhe komisionerin e BE për Energjinë, Guenter Oettinger. Ndërkohë që Obama përpiqet të shkurtojë kohën për një raund të ri sanksionesh, Putini lëshon lobin prorus për t’ia djegur në dorë. Një sinjal ishte dhënë një muaj më parë kur kishte pritur në Kremlin drejtorin e përgjithshëm të Siemens, Joe Kaeser, për ta informuar mbi dëmet që do të kishte Europa Perëndimore në rast se do të miratoheshin sanksionet. Dhe sërish, Seele i Wintershall-Basf përsërit të njëjtin koncept: “Sanksionet nuk do i bënin keq vetëm Rusisë, por të gjithë Europës”. Një mesazh që lobi filorus mund ta shtrijë nga energjia, tek të gjithë sektorët ku ndërthurja e interesave është forcuar në vitet e fundit. Që nga financa tek ekipet e futbollit, pasuria e re e oligarkëve rusë ka hedhur rrënjë të thella në ata vende prej ku Ukraina po pret veprime solidariteti.

Barak Obama ka vazhduar ta ndjekë krizën ukrainase në mesin e turneut të tij aziatik, duke kaluar netë pa gjumë në Seul, për të mbledhur në telekonferencë aleatët europianë. Por presidenti europian po ndesh në rezistencën eeuropianëve. Sipas Shtëpisë së Bardhë, europianët vazhdojnë që të kërkojnë sanksione minimalistë, domethënë që të godasin vetëm një listë të vogël individësh dhe kompanish, dhe jo sektorë të tërë të ekonomisë ruse.

Leave a Reply

Back to top button