Analiza

Luftë e Ftohtë apo llogari “të freskëta”?

lufte e ftohte apo llogariIan Bremmer

President i Eurasia Group dhe autor i “Secili komb për vete: fitues dhe humbës në botën e Ground Zero”

Me përshkallëzimin e dhunës në Ukrainën jugore dhe lindore, dhe kur në horizont nuk po shfaqet asnjë zgjidhje, kriza e Ukrainës është shndërruar në konfliktin më të trazuar gjeopolitik, që nga koha e konfliktit që shkaktuan sulmet terroristë të 11 shtatorit. Strategjia e sanksioneve e udhëhequr nga SHBA as nuk do të ulë tensionet mes Perëndimit dhe Rusisë, dhe as nuk do të fuqizojë një qeveri properëndimore ukrainase që tashmë është në rrezik. Por, edhe ndërkohë që sanksionet për Rusinë shtrëngohen dhe në Ukrainë dhuna sa vjen e rritet, ka shumë pak shanse që të fillojë një Luftë e Ftohtë Nr. 2.

Qasja e SHBA ka qenë e tillë që të shtrëngojë sanksionet në përgjigje të agresionit rus, ndërkohë që edhe të garantojë që aleatët e Amerikës të qëndrojnë të bashkuar. Në një konferencë të përbashkët për shtyp muajin që kaloi, presidenti barack Obama dhe kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel shpallën një prag të ri, më të ulët, për sanksione të reja. Më parë, ky prag kishte qenë një ndërhyrje e drejtpërdrejtë ushtarake e Rusisë. Tani, siç shpjegoi Merkeli, nëse Rusia do të prishë zgjedhjet e 25 majit në Ukrainë “sanksionet e mëtejshëm do të jenë të pashmangshëm”.

Por, Merkeli dhe Obama ulën edhe stekën se si do të jenë këta “sanksione të mëtejshëm”. Në vend që të lançonin masa sektoriale gjithëpërfshirëse, që do të shënjestronin pjesë të mëdha të ekonomisë ruse – një hap i madh ky drejt sanksioneve si ata të Iranit, por tani kundër Rusisë – tashmë duket se raundi i ardhshëm do të jetë “thjeshtë diçka më tepër”. Kushti i mosprishjes së zgjedhjeve e bën praktikisht të pashmangshëm një raund të ri sanksionesh, por nga ana tjetër lejon qe shtrëngimi i tyre të jetë më modest dhe më gradual.

Përse duhej ngadalësuar reagimi përmes sanksioneve? Amerikanët e kuptojnë që nëse shkojnë shumë larg dhe shumë shpejt, Europa do të ndahet publikisht me qasjen amerikane, sepse ekonomikisht europianët kanë shumë më tepër për të humbur. Ndërkohë që SHBA dhe Rusia kanë një marrëdhënie tregtare shumë të kufizuar – afro 40 miliardë dollarë vitin që kaloi, ose afro 1% e vlerës totale të tregtisë së SHBA – ekspozimi financiar i Europës ndaj Rusisë, ashtu si dhe varësia e saj nga gazi rus, ia bëjnë asaj shumë më të vështirë që t’ vërë zjarrin kësaj marrëdhënieje ekonomike.

Më e rëndësishmja, varësia nga Rusia varion në shtete të ndryshëm të BE, gjë që do të pengonte një koordinim thelbesor, si dhe kufizon reshtimin e Europës përkrah SHBA. Prandaj kur u shpallën sanksionet më të fundit, europianët ofruan vetëm një zgjatje modeste të listës së tyre ekzistuese – fokusuar kryesisht në zyrtarë ushtarakë dhe politikë – ndërkohë që SHBA shkoi më tej, duke përfshirë edhe disa institucione rusë. Kur u shpallën sanksionet, tregjet rusë u mblodhën, një tregues i qartë se reagimi i perëndimit ishte shumë më poshtë se sa pritshmëritë.

Në fakt, ndonëse sanksionet kanë një impakt të vërtetë ekonomik mbi Rusinë (sidomos sa i përket largimit të kapitalit), shtrëngimi i mëtejshëm i vidhave nuk do të ndryshojë materialisht vendim-marrjen e presidentit rus, Vladimir Putin. Rusia e Putinit ka shumë për të humbur në Ukrainë, dhe veprimet e tij kanë patur një mbështetje të madhe popullore në Rusi.

Por, edhe ndërkohë që tensionet përshkallëzohen dhe nuk ka shpresë që Rusia të sprapset, bota nuk po shkon aspak drejt diçkaje të ngjashme me Luftën e Ftohtë. Si fillim, interesat e Amerikës në Ukrainë nuk justifikojnë dërgimin e trupave në terren, ndërkohë që Europa e ka mbështetur me shumë hezitim pozicionin diplomatik të SHBA. Veç kësaj, Rusia është në një rënie kohëgjatë. Ekonomia dhe buxheti qeveritar janë bërë gjithnjë e më të varur nga nafta dhe gazi. 110 rusët më të pasur kontrollojnë më shumë se një të tretën e pasurisë në vend. Dhe Rusia është më pak e aftë ushtarakisht, nga sa ishte gjatë epokës sovjetike, me një buxhet për mbrojtjen që është sa një e teta e atij të Amerikës. Panorama demografike është e zymtë, me një popullsi në plakje dhe një normë të ulët lindjesh.

Me qëllim që të formojë një bllok koherent i cili do të mund t’i kundërvihej rendit botëror të udhëhequr nga SHBA, Rusia do të kishte nevojë për miq të fuqishëm, të cilët i mungojnë. Kur Ansambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara votoi për ligjshmërinë e aneksimit të Krimesë, vetëm dhjetë shtete – fqinjë në orbitën e Rusisë (Armenia dhe Bjellorusia), vende amerikano-latinë tradicionalisht simpatizues (Bolivia, Nikaragua dhe Venezuela) dhe shtete “batakçinj” (Kuba, Korea e Veriut, Zimbabveja, Sudani dhe Siria) – u bënë palë me rusët.

I vetmi vend që mund të sjellë anim të peshores dhe të krijojë një dinamikë si ajo e Luftës së Ftohtë është Kina. Por kinezët janë shfaqur aspak të gatshëm që të marin njërën anë apo tjetrën, pasi përfitojnë nga rritja e blerjeve të gazit dhe naftës së Rusisë, si dhe nga shanset e reja që shfaqen tani kur kompanitë perëndimore fillojnë e i largohen të bërit biznes me Rusinë.

Kina mund t’i shfrytëzojë këto mundësi pa i zemëruar partnerët e saj më të mëdhenj tregtarë, BE dhe SHBA. Dhe Kina heziton të mbështesë një përpjekje të Rusisë për të krijuar trazira brenda kufijve të Ukrainës, pasi provincat e saj të pashtruara, si Xinjiangu dhe Tibeti mund të nxjerrin mësimet e gabuar nga precedenti i Ukrainës.

Kështu që, lajmi i mirë është se ne nuk po shkojmë aspak drejt një lufte globale, e ftohtë apo e nxehtë qoftë. Por pasojat e një politike perëndimore të keqorientuar po bëhen më të dukshme. SHBA nuk mund ta izolojë Rusinë për faktin që nuk u bindet ligjeve ndërkombëtarë dhe rrëmben territorin e një shtet fqinj. Ndërkohë fuqitë e tjera të mëdha mund të mos e mbështesin Rusinë, por nga ana tjetër ato nuk është se po “firmosin” për qasjen që ndjek Amerika. Nxitja e sanksioneve të mëtejshëm do të sjellë një çarje me Europën, ndërkohë që do e shtyjë Rusinë më pranë Kinës ekonomikisht.

Ndërkohë, qeveria e Ukrainës është në rrezik. Asaj i mungon kapaciteti ushtarak për të ndalur forcat separatiste në jug dhe në lindje të vendit, por do të përballet me rritje të trysnisë së brendshme dhe paligjshmërisë nëse nuk vepron.

Rruga më e mirë për SHBA për të ecur përpara është që t’i ofrojë më shumë “karrota” Ukrainës, në vend që t’i japë më shumë “shkopinj” Rusisë. Deri tani, SHBA ka ofruar 1 miliardë dollarë në formën e garancive për huatë, që është shumë pak. Qeveria properëndimore po humbet përditë terren përballë Rusisë. Perëndimi duhet të fokusohet në mbështetjen e saj.

Konferenca për shtyp e Obamës dhe Merkelit ishte e dobishme simbolikisht për të krijuar një front të bashkuar kundër Rusisë, pavarësisht mosmarrëveshjeve mes dy udhëheqësve, se si – dhe sa – duhet ndëshkuar Kremlini. Por, mbështetja e qeverisë ukrainase dhe hedhja e parave aty ku janë “gojët e tyre” – edhe atëherë kur Ukraina të zhduket nga faqet e para të gazetave dhe kriza të zbutet – është më e rëndësishme për interesat e SHBA dhe Europës, dhe përbën një rrugë më të besueshme përpara për të dy palët.

Leave a Reply

Back to top button