Analiza

Mbi krahasimin Putin-Hitler. Përse është i rrezikshëm

mbi krahasiminRoger Cohen

A ka të drejtë Andranik Migraniani?

Drejtori i një think tank-u shumë pranë Vladimir Putinit shkruajti këtë përgjigje, ndaj kritikëve që e krahasojnë presidentin rus me Adolf Hitlerin dhe atë që ish diktatori nazist bëri shumë kohë më parë: “Duhet bërë dallimi mes Hitlerit para 1939-ës dhe Hitlerit pas 1939-ës. Hitleri bashkoi toka gjermane. Nëse ai do të kish qenë i famshëm vetëm për bashkimin, pa derdhur asnjë pikë gjak, të Gjermanisë me Austrinë, Sudetenlandit dhe Memelit, pra në fakt të përfundonte atë që Bismarku nuk kish mundur dhe të ishte ndalur aty, atëherë ai do të kishte mbetur një politikan i klasit të lartë”.

Komenti i Migranianit, i botuar në një gazetë ruse, ka tërhequr jo pak vëmendje, si për shkak të pozicionit të tij, ashtu edhe për shkak të përmbajtjes drithëruese. Nuk ka asnjë dyshim që Hitleri shkeli një kufi në shtator 1939 kur pushtoi Poloninë, duke detyruar në fund Francën dhe Britaninë që të futen në luftë. (Ndoshta Migraniani e kujton që edhe Bashkimi Sovjetik e pushtoi Poloninë). Deri atëherë, Hitleri e kishte kënaqur veten duke bashkuar territoe popujsh gjermanisht-folës – Austria, Sudetenlandi i Cekosllovakisë etj – ndonëse edhe Polonia kishte një pakicë gjermane të konsiderueshme.

Nëse Putini ka në mendje dicka të tillë – afrimi i popujve rusisht-folës nën sundimin e tij – atëherë Migraniani duket se po na thotë: E cfarë ka këtu? Por, ajo që autori nuk përmend, është se në vitin 1939 Hitleri kishte nisur tashmë vrasjet e hebrenjve, disidentëve, komunistëve, homoseksualëve dhe, atë vit, atyre me të meta mendore dhe fizike. Kristallnacht-i, një masakër e miratuar nga qeveria ndodhi në vitin 1938: ligjet e Nyrenbergut, që privonin hebrenjtë nga të drejtat e tyre, u miratuan në 1935; dhe Gjermania po riarmatosej me shpejtësi, duke shkelur detyrimet e saj, sipas marrëveshjes së paqes. Shumë kohë përpara 1939, ajo ishte një shtet i paligjshëm i angazhuar në vrasje.

Për këdo, aq më tepër për një drejtor think tank-u, injorimi i këtyre të vërtetave është i frikshëm. Por, ndoshta Migranianit nuk është se thjeshtë i shpëtuan. Ndoshta ai po na thoshte një fakt: Ajo që Hitleri i bëri popullit të tij shqetësoi Perëndimin, por nuk e nxiti të veprojë. Në të vërtetë, të shumtë ishin ata që thoshin se Hitleri kish një të drejtë: Gjermanët i përkisnin Gjermanisë. Sa për hebrenjtë, ata akuzoheshin shpesh se ishin vetë fajtorë për gjendjen e tyre.

Argumenta të ngjashëm i dëgjon sot për Putinin dhe popujt rusisht-folës: Krimea është ruse. Ukraina lindore është ruse. Ndoshta edhe disa shtete balltike janë rusë. Ku i dihet?

Nuk do të krahasoja asnjëherë, askënd, me Hitlerin. Ai mbetet i pakrahasueshëm. Gjithashtu, nuk do të rëmbehesha shumë prej retorikës ruse të momentit. Denoncimi i disidentëve si “tradhëtarë” mund të jetë thjeshtë versioni rus i teprimeve të Fox Neës në Amerikë, që i dëgjuam përpara luftës së Irakut. (Kontrolloni në YouTube për të kuptuar ku e kam fjalën). Në të njëjtën kohë, ka shenja të kundërta – zgjedhja e kritikëve të Putinit në këtë apo atë detyrësi dhe mungesa e një retorike të llojit nazist ndaj pakicave. Vecanërisht Putini duket se nuk ka ndjenja antisemite.

Prapëseprapë, cfarë duhet të themi për deklaratat e Migranianit? Ai nuk shkruajti në boshllëk. Kremlini po i mbyt kundërshtarët. Ministri i Jashtëm rus, ose po gënjen me bollëk, ose po përcjell gënjeshtra – ose të dyja bashkë. Të ashtuquajturit burra të gjelbër, trupa me fytyra të maskuara dhe pa deviza ushtarake, kanë qarkulluar në Ukrainën lindore, ashtu si bënë në Krime. Ukrainasit dhe disa agjenci të fshehta perëndimore i identifikojnë si rusë, madje duke ofruar edhe emra të disa individëve. Këto janë të ngjashme me teknikat që përdori Hitleri për të provokuar ndërhyrjet në vendet fqinjë. Ai gjithmonë vinte në ndihmë të pakicave gjermane.

Migraniani dhe Putini jetojnë në një tjetër epokë. Ata mendojnë se kufiri që nuk duhet të shkelin është i tillë që do të provokojë një reagim vërtetë ndëshkues nga Perëndimi – si për shembull marrja e pjesëve të shteteve balltikë. Por ata tashmë e kanë shkelur një kufi. Perëndimi, përfshirë Barak Obamën, e dinë që Putinit nuk mund t’i besosh. Ai është një gënjeshtar – dhe jo shumë i zoti si i tillë. (Një herë tha që nuk kish patur trupa ruse në Krime, por më vonë pranoi që kish patur). Ai është në thelb një autokrat që dëshiron të rikrijojë sa më shumë që të mundet nga ish perandoria sovjetike.

Pasojat e gjithë kësaj nuk janë ende të qarta. Por, është e qartë se Rusia e Gorbacovit dhe Jelsinit ka ikur tashmë dhe dicka e re, por e njohur, ka zënë vendin e saj. Administrata Obama e pranon realitetin e ri, dhe ka nisur të heqë pluhurin nga librat e Luftës së Ftohtë. Duket se Rusia do i kthejë shpinën Europës, por jo asaj pjese të shëmtuar të historisë së shekullit 20. (washington post)

Leave a Reply

Back to top button