MAINMedia Transition Promotion Program

Media në tranzicion: Të jesh i pavarur në Shqipëri, ende konsiderohet tabu

-Interviste me publicistin Afrim Krasniqi-

Sikur të hidhnit një vështrim retrospektiv në këto tridhjetë vjet të tranzicionit postkomunist, cilat do të renditnit si arritjet dhe dështimet më të qenësishme të medias shqiptare?

Kalimi nga një shoqëri tërësisht e mbyllur, pa media dhe ku sistemi i propagandës quhej media, në një shoqëri të hapur me media të reja, me shumë shumëllojshmëri informacioni dhe etje të publikut për informim, është një proces i jashtëzakonshëm ndryshimi. Në misionin për të informuar dhe formuar, media e tranzicionit i ka bërë të dyja vetëm pjesërisht, në misionin për lirinë e shprehjes dhe respektit të mendimit ndryshe, media gjithashtu i ka bërë të dyja vetëm pjesërisht, – dy bilance të brishta, por që përbëjnë edhe arritjen më të madhe të medias. Dështimet? Krijimi i medieve të para nga partitë dhe konceptimi i medieve alternative si media të partive alternative, vendimin e  medias për të hequr dorë nga misioni i kulturimit të publikut duke zgjedhur rolin e zëdhënës së turmës, si dhe kurba e kalimit të medias nga burim informimi në burim fitimi- janë edhe dështimet kryesore të këtyre 30 viteve.

-Si mendoni se është perceptimi i publikut për median në përgjithësi dhe figurën e gazetarit në veçanti? Cilët gjykoni si elementët e duhur që mund të përmirësojnë këtë imazh? Si e gjykoni besueshmërinë e medias sonë sot?  

Publiku beson tek media edhe për shkak se nuk beson tek institucionet dhe partitë. Kurba e besimit të medias është ngjitur me rënien e dy kurbave të tjera. Pra është një tregues besimi në krizë mosbesimi. Nga ana tjetër, publiku shpesh ka perceptim të gabuar të medias, – e sheh atë si rrëfimi tek prifti me besimin se përmes rrëfimit gjërat mund të zgjidhen. Cila shoqëri tjetër zgjohet në mëngjes me katër emisione telefonike kombëtare, ku qytetarët paguajnë miliona lekë për të thënë diçka në telefon pro liderit të vet politik e kundër palës tjetër, apo për të dhënë mendime për zhvillime gjeopolitike e tema të tjera që nuk janë as në kompetencën, as në kapacitetin e tyre dhe as në interesin e jetës së tyre të përditshme? Media ka imponuar influencë dhe ka marrë pushtet nga tre pushtetet e para duke lëshuar pushtet nga ai i katërt. Duket paradoks, por më shumë ka ndikim në parlament, në pushtetin ekzekutiv, në atë gjyqësor sesa në vetë median. Nga ana kurba e medias ka ndryshuar rrënjësisht më shumë pas dekadës së parë. Media nisi si “media” dhe më pas u shndërruar “biznes i medias” për të arritur në një pikë ku bizneset e mëdha kanë edhe “media”. Ky transformim e ka ndryshuar perceptimin për gazetarin dhe median, ka cenuar lirinë e shprehjes dhe ka krijuar idenë e “punëtorit në media” të varur nga rroga, puna ditore dhe norma, – jo nga cilësitë që meriton e kërkon një konkurrencë profesionale në gazetari. Zgjidhja? Kemi disa modele të vendeve të tjera që kanë kaluar me sukses këtë sfidë. P.sh, me ligj kanë ndaluar financimin e medias nga bizneset e tjera të të njëjtës kompani, pra që ndajnë median nga bizneset e vërteta pas tyre. Kjo do të sillte kufizim të numrit të medieve, por edhe çlirim e konkurrencë profesionale të tyre.

Si e gjykoni ecurinë e lirisë së shprehjes dhe të medias gjatë këtyre tridhjetë vjetëve tranzicion dhe në ç’nivele gjendet aktualisht? A mendoni se gazetarët, redaktorët dhe kryeredaktorët i marrin vendimet në punën e tyre të përditshme mbi bazën e ndërgjegjes profesionale?

Nuk ka një përgjigje shteruese “po” dhe “jo”. E vërteta është se kemi disa gazetarë, kemi disa individë me integritet, kemi disa profesionistë që nuk bëjnë kompromise me lajmin. Kemi pak gazetarë, shumë më pak redaktorë dhe shumë më pak kryeredaktorë në kuptimin e përgjegjësive dhe cilësive që njeh media. Megjithëse ata janë pakicë, ata janë bazamenti moral ku po mbijeton media. Pjesa më e madhe ka të bëjë me “punëtorë të medias” apo “biznesmenë të medias” jo me gazetari. Këta të fundit kanë axhendë të qartë që nuk lidhen me standardet për lajmin dhe etikën gazetareske. Ata janë shumica, kryesisht janë njerëzit që kontrollojnë burimet financiare dhe vendimmarrëse në media dhe kjo kategori gabimisht e koncepton median si provë private që mund të blihet, shitet, tregtohet, jepet me qira sipas interesit. Këto modele në vendet e tjera si Kroacia e Sllovenia kanë pasur sukses afatshkurtër, tek vende si ne, kanë sukses afatgjatë dhe tashmë janë pengesa më e madhe e reformimit dhe e forcimit të pushtetit të medias reale në shoqëri. Dukuri tjetër, media si shtojcë e politikës, e ka zhvleftësuar konceptin e informimit, gazetarit dhe lirisë së fjalës. Ne vijojmë te kemi gazeta partiake, gazeta e portale që hapen e mbyllen nga politikanë, ministra e deputetë, pjesa më e madhe e këshilltarëve të marrëdhënieve publike dhe zëdhënësve politikë janë njëherësh edhe komentatorë e gazetarë në media, duke pasur efekt dobësimin e integritetit, duke kompromentuar identitetin, misionin dhe funksionin e medias së lirë dhe informative në shoqëri. Së fundi, sot nuk ka censurë zyrtare e institucionale, por ka investim për të zhvleftësuar fjalën. Në një shoqëri serioze politikanët “e kanë frikë median”, në vende si Shqipëria media e ka frikë politikën, për shkak të ligjërimit denigrues që ato përdor, por edhe konkurrencës me mjete shtetërore.

-Sot po përjetojmë nga njëra anë një krizë të medias, por njëherësh edhe një revolucion të saj. Në ç’raport mendoni se janë mediat tradicionale dhe mediat e reja në vendin tonë, dhe cili është ndikimi i këtyre të fundit?

Media tradicionale mendoj se është e papërgatitur për zhvillimet e reja dhe krizën e viteve të fundit. Ajo është krijuar sipas një modeli që nuk bazohej në konkurrencën e ideve dhe informacionit, por si një sistem i centralizuar dhe i përqendruar tek biznesi me median ose sponsorizimi politik i saj. Ndaj ka ndodhur që shumica e gazetave dhe medieve të tjera tradicionale kanë tirazhe e shikueshmëri minimale, ndryshe nga modele rajonale, si ato kroate apo sllovene, ku për të njëjtin numër banorësh një media e vetme ka tirazh shumë më të lartë sesa 18 gazetat tona ditore së bashku. Përpjekja e medieve tradicionale për t’u shndërruar ose zgjeruar në/me media të reja funksionon në një mjedis ku ka larmi lajmesh dhe gazetari konkurruese, dy tregues që ne na mungojnë. Ndaj ka ndodhur që në tërësi mediat e reja shihen si fotokopje të të vjetrave dhe duke ndryshuar logot, të njëjtat lajme gjenden në çdo portal e media, – me dallimin e vetëm, konotacioni politik mbi lajmet politike në vend.

-Gazetaria duket se po kalon në një periudhe krize kudo në botë. Media e pavarur has vështirësi të mbijetojë në një treg ku mbizotëron sensacionalizmi, klientelizmi politik, dhe lajmet e rreme. Si e shihni të ardhmen për gazetarinë e pavarur në vitet në vijim? Jeni optimist apo pesimist?

Mendoj se do të kemi proces të njëjtë si me librin. E kemi online, mund edhe ta kemi lexuar, por kur gjejmë një libër të mirë nuk e lëshojmë nga dora në shtëpi apo plazh pa e përfunduar. E njëjta edhe me filmin, muzikën dhe median, – mund të kenë probleme, mund të humbasin terren dhe të kenë konkurrencë të madhe me kosto konkurruese, por në thelb, një media që krijon perceptim serioz në burime, lajme dhe integritetin e saj bëhet lehtësisht pikë referuese dhe është nevojë në shoqëri. Ndaj nuk e shoh me kaq pesimizëm ndikimin teknologjik dhe as global, për më tepër kur mediat serioze ofrojnë qëndrime e burime alternative, të cilat me gjithë elementët e axhendës politike ose klienteliste nga pas, në tërësi ndihmojnë lexuesin /shikuesin të krijojë një ide të tij mbi preferencën dhe përmbajtjen e lajmit. Disa eksperimente me financim të huaj, që janë aplikuar në Shqipëri, kanë rezultuar të suksesshme pavarësisht se ekipet realizuese janë të njëjta me mediat vendore. Financimi i pavarur, garancia profesionale, profilizimi i medias dhe konkurrenca në ide/raportim, edhe në pushtet e mediave të reja, mund të jenë zgjidhje afatgjatë.

 -Si mendoni se ka evoluar marrëdhënia ndërmjet medias dhe politikës ndër vite? Si e shihni zhvillimin e këtij raporti në të ardhmen?

Mediat e para më 1991 ishin gazetat e partive politike. Nga shtypi i partisë-shtet kaluam tek shtypi i partive derisa në fundin e dekadës së parë lindën identitete të reja mediatike fillimisht në shtypin e shkruar dhe më pas në atë viziv. Nëse analizojmë kurbën e lindjes së mediave kryesore dhe suksesin e mbijetesës së tyre shpjegimi fatkeqësisht nuk është mediatik, por politik. Pas cdo media të suksesshme ka pasur një qeveri, një parti, një politikan të rëndësishëm të tranzicionit dhe aty kanë shkuar pjesa më e madhe e taksave tona për zërin e informimit publik. Pas 30 vitesh nuk kemi ende një media të krijuar nga gazetarët ose që mbijeton si media pa biznese të tjera mbështetëse anësore, kemi disa familje që kontrollojnë hapësirën vizive dhe kemi media kombëtare që shpeshherë është e vështirë të bëjnë dallimin me zëdhënësit e qeverive të radhës. Modeli i ERTV tregoi se politika nuk ka nevojë për media, e konsideron atë si aktivitet të panevojshëm dhe vetë qeveria bëhet media. Koncepti ynë i nisjes në pluralizmit mediatik më 1991 nuk mund të kishte produkt tjetër, dhe kjo është më shumë çështje e nivelit kulturor e demokratik të shoqërisë sesa përgjegjësi individuale apo dukuri e rastësishme.

-Gazetaria profesioniste kudo në botë është në gjendje të vështirë edhe për një arsye madhore: ka ndryshuar modeli tradicional i biznesit, me hyrjen në lojë të internetit, medias online dhe rrjeteve sociale. Po në Shqipëri si e shihni këtë problem, dhe a shihni një model biznesi që është në gjendje të mbështesë një gazetari të pavarur, në interes të publikut?

Shqipëria ka resurse ekonomike të kufizuara dhe ne nuk kemi asnjë kompani rajonale apo ndërkombëtare. Kompanitë tona të biznesit janë lokale dhe kryesisht produkt i diskutueshëm i tranzicionit, një lloj klase biznesi që është krijuar nga lidhjet politike dhe spekulacionet financiare. Si e tillë, Shqipëria nuk ka kapacitete për investime serioze dhe afatgjata në media dhe as biznes që e kupton median si nevojë dhe kontribut për shoqërinë. Të jesh i pavarur në Shqipëri ende konsiderohet tabu, për më tepër në biznesin e medias dhe në ndikimin në jetën publike përmes informimit dhe raportimit. Ndaj procesi drejt një modeli të tillë do të jetë shumë më i gjatë.

 Një nga fushat ku gjërat kanë ndryshuar më pak gjatë këtyre tridhjetë vjetëve tranzicioni postkomunist kanë qenë marrëdhëniet e punës në media. Cilat do të renditnit si problematikat më të mprehta në këtë fushë dhe si e shihni perspektivën?

Ka një paradoks midis asaj që qytetarët presin nga gazetarët dhe pozitës së vetë gazetarëve. Qytetarët ankohen se ligji nuk po zbatohet, u shkelen të drejtat, nuk kanë punë, nuk paguhen, nuk përfitojnë politika sociale, etj, kur në fakt, vetë gazetarët, në pjesën më të madhe të tyre janë pjesë të njëjtëve qytetarë. Një pjesë e madhe e tyre nuk paguhen rregullisht, një pjesë tjetër vepron me dy regjistra pagese, një pjesë nuk ka siguracione dhe as kontrata pune dhe ironikisht, ndryshe nga të tjerët, gazetarët nuk kanë ku të ankohen. Në Shqipëri gazetarët nuk kanë mekanizma vetorganizimi efikase, nuk kanë sindikata funksionale, nuk kanë media të tyre, nuk kanë studio avokatie mbështetëse dhe as institucione ndërkombëtare që i asistojnë në të drejtat e tyre. Perspektiva në aspektin afatshkurtër mbetet pesimiste. Biznesi i medias operon me logjikën e biznesit të fasonëve, nëse ka të ardhura paguan, nëse jo, mbyllet dhe zhvendoset diku tjetër. Për më tepër, vitet e fundit gazetarët janë kërcënuar nga hyrja në media e “kujtdo” që di të vishet bukur ose të flasë, kryesisht të rinj që vijnë nga show-biz dhe që nuk kanë as formim mediatik dhe as idenë e gazetarisë. Ironikisht këto prurje të reja nuk po e modernizojnë gazetarinë, por po e vulgarizojnë atë duke bërë lajm modelet më negative në shoqëri. Në aspektin afatgjatë ndryshimi pritet të vijë me progresin e procesit të bisedimeve me BE, si detyrime nga kapitujt 23-24 dhe nevojës për reformim thelbësor të sistemit mediatik në vend.

-Si do ta shihnit qasjen e medias ndaj problematikës së korrupsionit në vend dhe a gjykoni se gazetaria investigative mund të bëjë më shumë në këtë drejtim?

Vitet e fundit ka pasur raste pozitive denoncimesh dhe hulumtimesh mediatike, kryesisht nga projekte me nxitje e financim ndërkombëtar. Në Shqipëri është e lehtë të zbulosh skandale, secili njeh secilin, por pikërisht kjo njohje dhe qarkullim i dendur informacioni përbën edhe riskun e gazetarisë investigative në një shoqëri “kushërinjsh”. Kohë më parë kam përgatitur një raport për rastet e denoncimit të korrupsionit për 2019 dhe rezultoi se numri i skandaleve të denoncuara në media ishte më i vogël sesa numri i skandaleve që janë denoncuar dhe brenda pak ditësh janë mbyllur nga vetë media. Përdorimi i medias për “gjoba” është një nga format më kërcënuese të korrupsionit dhe produkti i pritshëm në një vend ku media është vetëm një kat në ndërtesën e madhe me shumëllojshmëri biznesesh dhe interesash të pronarëve të medias. Natyrisht jam optimist se në të ardhmen kjo situatë do të ndryshojë dhe ndryshimi do të vije kur p.sh, organet e drejtësisë të marrin rastet e skandaleve të denoncuara në media për hetim serioz dhe ta trajtojnë atë jo si burim për devijim alibish, por si partner serioz dhe të qëndrueshëm kundër korrupsionit. Një media që me integritet e kurajë denoncon dhe një sistem drejtësie që heton e gjykon rastet e denoncuara janë kombinimi më i mirë dhe ndofta i vetëm për të sjellë ndryshime domethënëse në Shqipëri.

Leave a Reply

Back to top button