Analiza

MEKSIKA/Një histori me luftë, gjak dhe kartele droge

La Guerra Mexicana (The Mexican War)Mijëra meksikanë vdesin çdo vit teksa kartelet luftojnë për kontrollin e tregtisë 30 miliardë dollarëshe të drogës në vend. Ja historia prapa dhunës. Lufta e drogës në Meksikë – një konflikt i dhunshëm me shumë palë, që kërkojnë kontrollin e tregtisë së paligjshme pothuajse 30 miliardë dolarëshe me SHBA – aktualisht po kushton mijëra jetë njerëzish në muaj. Por si filloi?

Në jug të kufirit të SHBA me Meksikën, një luftë e tmerrshme ka fituar ritëm gjatë viteve të fundit. Deri tani, konflikti ka marrë mbi 60 mijë jetë njerëzish, ndërkohë që të panumërt janë të sakatuarit, ata që janë lënë të ve apo të varfëruar. Të paktën 12 mijë fëmijë kanë humbur një apo të dy fëmijë, dhe qindra mijëra vetë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, duke krijuar një ushtri refugjatësh në rritje.

Lufta e drogës në Meksikë – një konflikt i dhunshëm me shumë palë, që kërkojnë kontrollin e tregtisë së paligjshme othuajse 30 miliardë dolarëshe me SHBA – aktualisht po kushton mijëra jetë njerëzish në muaj. Por si filloi?

Tradita e kontrabandës së drogës në Meksikë e ka fillesën 10 mijë milje më tutje, në anën tjetër të Paqësorit. Sepse industria e opiumit e Meksikës u importua nga Kina në vitet 1870. Nga ana e saj, Kina kishte futur për herë të parë opiumin në shkallë të gjerë nga tregtarët britanikë të cilët e sillnin nga India. Duke parë dëmin që opiumi po i bënte popullsisë, qeveria imperiale kineze u përpoq ta ndalojë. Por Britania e mundi Kinën në dy të ashtuquajtura luftëra të opiumit dhe e detyroi Kinën të pranojë tregtinë dhe pasojat e saj sociale. Si rezultat, numri i atyre që e tymosnin në Kinë u rrit 50-fish mes viteve 1842 dhe 1881.

Pikërisht gjatë këtij bumi të tregtisë së drogës, në 1870, migrantë kinezë nisën të mbërrijnë në Meksikë, shumë prej tyre të rekrutuar si krah i lirë pune për të ndërtuar hekurudhat e para në vend. Migrantët, shumë prej të cilëve ishin përdorues opiumi sollën me vete fara, dhe nisën prodhimin kur mbërritën në Meksikë. Shumë shpejt, opiumi po lulëzonte në Meksikë dhe në veri të kufirit.

Kontrabanda

Megjithatë, në vitin 1909 SHBA e shpalli të paligjshëm importin dhe konsumin e opiumit, dhe si reultat lindi industria e kontrabandës ndërkufitare të drogës në Meksikë. Por ishte një tjetër ndalim i bërë nga SHBA – ai i alkoolit në vitet 1920 – që do të transformonte kontrabandën meksikane të opiumit. Mes viteve 1909 dhe 1933 trafiku i opiumit kontrollohej kryesisht nga meksikanë kinezë. Por gjatë periudhës së prohibicionizmit në SHBA, meksikanët vendas nisën dhe kontrolluar një operacion shumë të madh të prodhimit dhe trafikimit të alkoolit. Kur përfundoi periudha e prohibicionizmit, operacioni i tyre fitimprurës i kontrabandës së alkoolit u bë i tepërt, por ata shumë shpejt pikasën një zëvendësues të mirë: opiumin që kontrollohej nga kinezët.

Kinezët ishin një minoritet etnik i pasur dhe jo shumë popullor brenda Meksikës – dhe ish kontrabandistët e alkoolit shfrytëzuan ndjenjat antikineze të popullsisë për të nxitur dhunë masive kundër tyre. Këta sulme do i dëbonin dhe do i lejonin vendasit që të merrnin kontrollin e operacioneve të trafikut të opiumit, që deri atë moment kontrolloheshin nga kinezët.

Biznesi meksikan i opiumit vazhdoi të prodhojë të ardhura modeste, sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur droga kërkohej në sasi të mëdha si qetësues nga ushtria amerikane. Por, me të vërtetë masive ajo u bë në vitet 60 dhe 70.

Nxitur nga revolucioni i hipive në SHBA, trafiku i marijuanës dhe më pas heroinës u bë një biznes i madh. Ishte ai transformim i madh i pjesës më të madhe të rinisë amerikane – një pasojë e baby boom, një prosperiteti të pakrahasueshëm dhe ekspansionit të arsimit të lartë – që krijoi fillimisht kushtet ideale që do të çonin drejt luftës së tmerrshme që ka pllakosur Meksikën sot.

Një kontrast më i madh mes shkakut (revolucioni i hipive dhe ideologjia e tij e fuqisë së lules) dhe pasojës (masakrat dhe therjet masive në luftën e sotme) është e vështirë të imagjinohet. Edhe në drejtime të tjerë, zhvillimet në veri të kufirit kanë kushtëzuar natyrën dhe historinë e industrisë së drogës në Meksikë.

Së pari, financimet. Kushtet e brendshëm politikë dhe të financimeve e bënë të pamundur për SHBA që të reduktonte pjesën e kërkesës në ekuacionin e drogës. Në vend të kësaj, autoritetet e SHBA zgjodhën të përqëndrojnë përpjekjet e tyre në pengimin e trafikut apo ndërhyrjen jashtë vendit për të reduktuar prodhimin.

Në vitin 1971, presidenti Richard Nixon i bëri presion qeverisë turke që të ndalojë prodhimin e opiumit, por kjo gjë thjeshtë ndihmoi për rritjen e prodhimit të opiumit meksikan. Në vitin 1976 avionë amerikanë spërkatën me helm qindra milje katrorë arash të mbjella me marijuanë. Si rezultat, shpërndarësit amerikanë të drogës thjeshtë nisën të importojnë marijuanë nga Kolumbia, duke ndihmuar kështu në krijimin e karteleve masivë të drogës në Kolumbi.

Pastaj, në 1982, presidenti Reagan përdori ushtrinë e SHBA për të penguar trafikun e drogës kolumbiane në Florida. Por taktika shkaktoi efekt të kundërt sepse kolumbianët thjeshtë ndërruan rrugën e trafikut, tashmë përmes Meksikës. Dhe, siç do ta zbulonin shumë shpejt autoritetet e SHBA, kufiri i gjatë 2000 milje mes Meksikës dhe SHBA ishte shumë më i vështirë të kontrollohej se sa brigjet e Floridas. Ngjarjet e 1971, 1976 dhe 1982 demonstruan problemet që shfaqen kur përpiqesh ta zgjidhësh problemin nga ana e ofertës.

Ligjet e armëve

Një politikë e dytë e SHBA ndihmoi gjithashtu për të zgjeruar industrinë meksikane të drogës – mbajtja e ligjeve liberalë të armëve. Kushtetuta e SHBA u jep qytetarëve amerikanë të drejtë të mbajnë armë – dhe kjo gjë ka ndihmuar në lehtësimin e trafikut të dhjetëra mijëra armëve në drejtim të bandave të drogës në Meksikë. Kështu që, sa u përket armëve, konflikti është ushqyer pjesërisht prej armëve nga Amerika, ndonëse mes SHBA dhe Meksikës po bëhen përpjekje për këtë problem.

Një politikë e tretë me origjinë në SHBA që kontribuoi në konfliktin shumë të dhunshëm sot në Meksikë ishte një aspekt i veçantë i ndjekjes nga Amerika të Luftës së Ftohtë në Meksikë dhe në Amerikën Qendrore. Me qëllim luftimin e majtistëve në Amerikën Latine, CIA krijoi dhe stërviti forca speciale ushtarake që luftuan një seri të ashtuquajturash “luftëra të pista” ndaj kundërshtarëve majtistë në disa vende të Amerikës së Jugut. Megjithatë, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, elementë dhe ish elementë të të paktën dy prej ish forcave speciale – një nga Meksika dhe tjetra nga Guatemala – u bashkuan me kartelet meksikanë të drogës. Eshtë pikërisht militarizimi i konfliktit të drogës që, në vitet e fundit, e ka shndërruar atë në një luftë në shkallë të gjerë.

Reforma demokratike

Trysnia politike e kohëve të fundit nga SHBA ka kontribuar gjithashtu në shpërthimin e konfliktit meksikan. Një kombinim i faktorëve të brendshëm politikë në Meksikë dhe mbshtetja e gjerë e SHBA pas Luftës së Ftohtë për reforma demokratike solli largimin një dekadë më parë nga pushteti të partisë tradicionalisht qeverisëse në Meksikë, Partia Revolucionare Institucionale (PRI). Kjo ishte në pushtet për 70 vjet dhe, për shumicën e asaj kohe, Meksika funksionoi praktikisht si një shtet njëpartiak.

Qeverisja nisi të ushtrohet në nivel kombëtar dhe lokal përmes një kombinimi patronazhi dhe korrupsioni ku kriminaliteti shpesh herë përballej me mënyra që shmangnin rivalitetin dhe konfliktin. Me ardhjen e një sistemi shumëpartiak dhe demokracisë, ajo situatë relativisht e qëndrueshme mori fund teksa politikanë të rinj nisën të përpiqen të reduktojnë fuqinë e karteleve. Ndërhyrja në rritje ushtarake e qeverisë shkaktoi prishjen e ekuilibrit delikat mes karteleve. Rezultati ishte një rritje e shpejtë e dhunës mes tyre.

Por madhësia e kërkesës së SHBA për drogë, natyra e strategjisë antidrogë të SHBA nëpër dekada, dhe revolucioni demokratik në Meksikë në vetvete nuk shpjegojnë plotësisht natyrën dhe dhunën ekstreme të luftës së sotme. Për të rrokur këtë, duhet të ekzaminosh disa aspekte specifikë të të shkuarës së Meksikës.

Meksika ka një histori të dhunshme. Ajo u pushtua nga spanjollët në shekullin 16 dhe kryengritjet popullore u shtypën mizorisht në shekujt 17 dhe 18. Që kur Meksika u bë e pavarur në fillim të shekullit 19, vendi në tërësi është përfshirë nga 30 luftëra, grushte shteti ushtarakë dhe masakra. Mes viteve 1910 dhe 1929, më shumë se 1 milionë meksikanë u vranë në konflikte të mëdhenj civilë – revolucioni meksikan dhe lufta kundër revolucionare që e pasoi. Në vitet 60 dhe 70, qindra vetë u masakruan apo thjeshtë u zhdukën në fushatat e qeverisë meksikane kundër të majtës. Në vitin 1994 një revoltë e armatosur e indianëve shpërtheu në jug të vendit.

Veç kësaj historie me luftëra ka edhe një traditë banditizmi heroik. Banditët janë një element kryesor në folklorin meksikan dhe, si rezultat i drejtpërdrejtë, banditët e sotëm – udhëheqësit e bandave të drogës – shfaqen në një numër të madh baladash popullore dhe filmash. Për shumëkënd, sidomos të varfërit dhe ata pa përkrahje, ata shihen si heronj kundër autoriteteve.

Varfëri ekstreme

Në një vend ku varfëria është e përhapur shumë dhe ku shumica e tokës kontrollohet nga një pakicë, sfidimi i autoriteteve sjell respekt në nivel rruge. Për më tepër, të varfërit janë të racave të përziera, që shpesh herë nuk identifikohen me klasat në pushtet, që në vetvete shihen si me origjinë më shumë spanjolle. Një tjetër fenomen kulturor që kontribuon në natyrën e dhunshme të luftës aktuale është tradita e macho-ve në Meksikë, e cila e redukton shumë gatishmërinë e meshkujve për të bërë kompromis dhe inkurajon agresivitetin. Të dhëna të kohëve të fundit nga kompania e kërkimeve socialë Global TGI kanë demonstruar se meshkujt meksikanë janë më të prirurit për të qenë macho në Amerikën latine. Idetë e një macho-izmi të tillë u futën në Meksikë nga konkuistadorët spanjollë dhe e kishin origjinën në natyrën ekstreme patriarkale të pjesës më të madhe të shoqërisë mesjetare në Spanjë.

Traditat e heronjve banditë dhe macho-ve janë një flirtim unik meksikan me konceptin e vdekjes. Kjo shihet në mënyrën se si dy shenjtë shumë popullorë ndihmojnë anëtarët e bandave të drogës që shpesh herë janë thellësisht besimtarë. I pari ka qenë në fillim një lloji Robin Hudi, një bandit meksikano verior i quajtur Jesus Malvderde (që përkthehet Jeshilja e Keqe – ngjyra e marijuanës dhe dollarit amerikan). Ky Jezus meksikan sulmonte të pasurit dhe ndihmonte të varfërit, dhe thuhet se është ekzekutuar me pushkatim nga autoritetet në vitin 1909.

Shenjti i dytë që adhurohet shumë nga ushtarët e karteleve është Santa Muerte (Shën Vdekja), një personazh pothuajse imagjinar, pjesërisht kristian dhe pjesërisht meksikan i lashtë në origjinë, “pasardhës” i perdëndeshës azteke të vdekjes. Vdekja mund të mbajë një maskë fetare, por në rrugët e Meksikës konflikti është shumë real.

Leave a Reply

Back to top button