Analiza

MEKSIKE / Vdekja e dytë e superbosit të Templarëve

meksikeKëtë herë pohojnë se e kanë provën: shenjat e gishtërinjve. Janë të Nazario Moreno Gonzales, alias El mas loco, “më i cmenduri”, një prej narko-apostujve të Kalorësve templarë. Marinsat amerikanë e kanë vrarë gjatë një shkëmbimi zjarri në Tumbiscatio, Sierra Madre del Sud, një prej bastioneve të organizatës kriminale. Më pas, ka ardhur edhe konfirmimi i autoriteteve. Gonzalez, 44 vjec, ishte raportuar një herë si i vdekur në vitin 2010, por atëherë bashkëpunëtorët kishin marë me vete kufomën, duke penguar dentifikimin. Një taktikë prej gueriljes, shumë e zakonshme në luftën meksikane.

Trafikanti ishte gjurmuar që nga fillimi i shkurtit. Dikush ishte kapur në datën 7 dhe kishte dhënë informacione të vyer. Në gjurmët e tij janë vënë edhe grupet e vetëmbrojtjes, formacionet e qytetarëve që në qytetin Michoacan kanë rrëmbyer armët, kundër banditëve. Disa prej tyre janë inkuadruar si të famshmit “Rurales”, një milici që mbështet (dhe zëvendëson) autoritetet. Informacionet në Sierra, bashkë me veprimtarinë e shërbimeve të fshehtë, lejuan që më në fund të pikaset i kërkuari, për kokën e të cilit ishte vënë një shpërblim prej 2.4 milion dollarë.

Moreno ishte një legjendë “e zezë”. Në autobiografinë e tij përshkruhej si i përulur, i mësuar të veshë rroba të dorës së dytë dhe të hajë fasule të ziera dy herë. Por, kalonte në duar miliona dollarë falë trafiqeve të kartelit të tij. Fillimisht si krijues i Familjes Michoacane, ose si ruajtës i “doktrinës” së Templarëve. Në fakt Nazario, i cili nuk ndahej asnjëherë nga Bibla, ka shkruajtur një kod sjelljeje për grupin, që përzien parime të tipit Neë Age, referime fetarë, sjellje prej pseudo sekti dhe simbole mesjetarë. Shpata, helmeta, figura luftëtarësh të kryqëzatave janë aspekti folkloristik i një formacioni të pamëshirshëm. Moreno dhe udhëheqësit e tjerë thonë se ndjekësit e tyre nuk pijnë, nuk përdorin drogë dhe i mbrojnë qytetarët. Gjepura, për të mbrojtur një veprimtari kriminale shumë intensive.

Templarët janë të përfshirë në trafikun e amfetaminës dhe për shumë kohë kanë përdorur portin strategjik të Lazaro Cardenas, për të importuar përbërësit e nevojshëm kimikë për prodhimin e pilulave, të cilat më pas shiten në SHBA. Një tjetër sektor “ekonomik” është ai i mineraleve. Disa ditë më parë, autoritetet shpërbënë një rrjet, ku kinezë dhe Templarë ishin bërë aleatë në eksportin e paligjshëm të hekurit. Një studim i kohëve të fundit ka përllogaritur që Meksika ka humbur, vetëm në vitin 2013, 1.3 miliardë dollarë për shkak të eksportit të paligjshëm të mineraleve. Dhe një pjesë e këtyre parave kanë përfunduar në arkat e Kalorësve të Michoacanit.

Me humbjen e Gonzalesit, karteli vazhdon nën udhëheqjen e ish mjeshtrit, Servando Martinez, alias “la Tuta”, një personazh të cilit, ndonëse i fshehur, pëlqen të japë intervista si yll kinemaje në YouTube, si edhe nga Enrique Plancarte, i quajtur El Kike. Ky i fundit ka dy fëmijë të njohur në botën e spektaklit. Sidomos Melissa, një këngëtare shumë e bukur. Në fillim ka mohuar cdo lloj lidhjeje, por më pas kur mediat e rinxorën lajmin, iu desh të pranojë. Dhe një foto e botuar në internet nuk lë dyshime: vajza, pak përpara një shfaqjeje, mban veshur një jelek me shenjën e Templarëve.

Vrasja e bosit përbën një sukses të ri për presidentin Pena Nieto, i cili u prit me shumë skepticizëm dhe dyshime. Në datën 22, gjithmonë marinsat, bënë atë që konsiderohej e pamundur, kur kapën Joaquin El Chapo Guzman, udhëheqësi i kartelit të Sinaloas, personazh që konsiderohej i paarritshëm për shkak të lidhjeve politike.

Corriere.it

Leave a Reply

Back to top button