Analiza

Mësimet e Brexit

Nga Béatrice Delvaux,

Le Soir

Në 29 mars, Mbretëria e Bashkuar nisi procedurën që do të shpjerë në daljen e saj nga Bashkimi Europian. Eshtë hera e parë që një vend lë Unionin: një ngjarje thellësisht simbolike dhe e dëmshme për imazhin e projektit europian. Nëse një herë e një kohë ishte normale të festohej për të ardhurit rishtaz në këtë hapësirë të përbashkët, e cila u kish dhënë fund konflikteve europiane, sot të gjithë druhen se Brexit mund të jetë vetëm fillimi i një serie dezertimesh.

Pesha e kësaj ngjarje do të jetë e ndryshme për Mbretërinë e Bashkuar dhe për Bashkimin Europian. Për të parën është një tronditje e fortë, një kërcim në errësirë, dhe Londra do të ketë shumë për të humbur nëse divorci do të përmbyllet pa një marrëveshje me partnerët e dikurshëm. Ndërsa 27 vendet që mbeten në BE mund ta marrin Brexit me filozofi: Mbretëria e Bashkuar nuk ka qenë asnjëherë një partner me kohë të plotë, dhe dalja e saj nuk dëmton në thelb vendet e mëdhenj të Unionit dhe tregun e përbashkët. Por është gjithësesi një goditje. Eshtë demonstrimi se shpërbërja e projektit europian nuk është aspak një hipotezë abstrakte: një popull mund të zgjedhë demokratikisht që të kthejë shpinën.

Në shumë vende europianët shprehen të zhgënjyer nga Europa. Disa udhëheqës, dhe jo vetëm ata më ekstremistët, kërkojnë t’i jepet fund “diktatit europian” dhe rikthim tek tregjet dhe industritë kombëtare.

Britanikët i kanë dhënë demokracisë një tjetër mësim të fortë: njerëzit janë të zemëruar, dhe mund të votojnë kundër atij që duket opsioni më i arsyeshëm. Brexit ishte sinjali i parë i kësaj tendence, konfirmuar menjëherë nga zgjedhja e Donald Trumpit në SHBA. Që atëherë, çdo konsultim shihet si një bast.

Brexit është konstatimi i falimentit të politikës europiane. E vetmja mënyrë për ta kapërcyer nuk është që të akuzohen britanikët që nuk kanë kuptuar asgjë, por të rindërtohen arsyet pse duhet besuar tek Europa dhe tek demokracia. / Përgatiti: bota.al

Leave a Reply

Back to top button