Psikologji

Mëso të falësh sa më shumë. Është dhurata më e mirë që i bën vetes

Të gjithëve na ndodh të zhgënjehemi nga personat që duam në mënyra të ndryshme. Kemi provuar dështime dhe zhgënjime, por edhe hatërmbetje që mund të kenë zgjatur gjatë. Në fund, çfarë kemi fituar? Asgjë.

Teksa shkruaj mbi këtë aspekt të jetës, faljen, në mendje më vjen një thënie e Ismail Kadare “Të falësh nuk do të thotë të harrosh”. Është mëse e vërtetë. Sado paradoksale të duket se si mund të quhet falje, kur diçka nuk e harron, është ajo që duhet të ndodhë realisht. Në fund të fundit, sado të mundohemi, një zhgënjim të madh nuk kemi se si ta harrojmë. Ajo ngjarje do të jetë përherë në mendjen tonë dhe do të na kthehet sa herë të kemi dyshime nëse mund t’u besojmë atyre personave po njësoj.

Të falësh ka vlerë shumë të madhe. Është akti më i madh njerëzor, pasi jemi njerëz dhe të gabosh është njerëzore. Të falësh është hyjnore, pasi kështu ti vendos të ecësh përpara duke e kaluar atë çfarë ka ndodhur. Ti tregon se je njeri i fortë që di të kapërcesh edhe ngjarje të tilla në jetë, duke mos i shkatërruar marrëdhëniet që ke ndërtuar.

Nga ana tjetër, bën të lumtur jo vetëm personin tjetër, por edhe veten. Nuk qëndron më me inatet e diçkajë që fundja ka kaluar dhe nuk zhbëhet më. Nuk fitojmë asgjë duke mbajtur hatër për diçka që nuk ndryshon, përkundrazi mbushim veten me mllef dhe nuk vazhdojmë përpara.

A duhet të mbash mend çfarë ka ndodhur, edhe pse e ke falur personin tjetër? Jo domosdoshmërisht, por mendja ka mekanizma që përherë të kthejnë mendime të ngjarjeve zhgënjyese. Që në momentin e parë kur të duhet të mendosh nëse personit që ke falur mund t’i besosh po njësoj apo jo, që aty do të rikujtohet çfarë ka ndodhur. Kjo është në thelb edhe diçka e mirë, është një mekanizëm mbrojtës nga një zhgënjim i dytë, ndaj dhe Kadare ka të drejtë. Duhet vërtet të tregosh që je njeri i fortë dhe di të falësh me shpirt, ama kjo nuk do të thotë se duhet ta bindësh veten për të harruar gjithçka. Të jemi po aq hyjnorë sa të falim, por edhe po aq egoistë sa ta duam veten në dozën e duhur.

Back to top button