Nunc est Bibendum

Metodë Kubane

Andi Qinami

1360642957_botella

Kush nuk është fare i ri mund të kujtojë skena produksionesh kinematografike që përshkruanin Havanën e fundit të viteve ‘50. Të rinj kastristë lëshuar drejt kazinove apo hoteleve, duke thyer e shkatërruar të indinjuar, ato që konsideroheshin simbolet e kapitalizmit.
Si në çdo histori tjetër të ngjashme, shumë u pikëlluan, e të tjerë u detyruan të braktisin vendin si të mundnin. E për vite me rradhë, me sy nga ishulli e të vendosur në Florida pritën të duruar, ditën e madhe kur do të mund të ktheheshin për të jetuar dhe investuar.
Sepse kështu na thonë ishte Havana e atyre viteve. Ishulli ku vërshuan turistët amerikanë e jo vetëm, në kërkim të lumenjve të alkoolit të lejuar dhe dëfrimit. Pse gëlonte Havana me turistë? Sepse ishte një ishull qejfi me plazhe përrallore, hotele luksoze, shtëpi publike e në përgjithësi… çdo instrument qejfi a përfitimi, në këmbim të monedhës. Destinacion dëfrimi dhe përhumbjeje. Çfarë pihej? Po… Rum! Kryesisht. Shqeto apo në çfarëdo mënyre tjetër. Rum i metodës kubane. Ashtu bëhej në Kubë.
Rum-i është rezultati i perfeksionimit në rrjedhën e shekujve, të tafia-s, pijes që skllevërit afrikanë të përdorur në plantacionet e mëdha të Karaibeve, përpunonin nga guarapo (lëngu i kallamit të sheqerit, një pije e thartë dhe e fortë, por që në këmbim, zbuste punën e rëndë). Dhe plackitësit piratë, që asokohe mbinë bollshëm atyre ujrave, u bënë menjëherë dashurues të këtij rumi primordial. Por gjatë pesë shekujve që vijuan, mjeshtrat “roneros”, me përmirësime të vazhdueshme, mbërritën në një cilësi të re, e aftë të kënaqte edhe qiellzat e klasave më të larta të perandorisë koloniale spanjolle.
Historia e rumit në ishull filloi aty nga fundi i shekullit të tetëmbëdhjetë, me nisjen e kultivimit të plantacioneve të kallamsheqerit. Në fillim ishte aguardiente de caña (distilat nga kallami) e për shekuj u konsumua kështu. Vetëm në shekullin e shtatëmbëdhjetë kjo pije filloi të vjetërohej dhe lindi ron-i, El ron superior.
Rumi kuban ashtu si ndër ish-kolonitë spanjolle, Kuba, Puerto Riko, Kolumbi, Republika Dominikane, dhe Venezuela prodhohet një rum me aromë delikate, që i thonë ron ligero. Ky rum i përket kategorisë së rumit “industrial” – term që nuk duhet të çojë aspak në keqkuptim për sa i përket cilësisë e përftohet deri në 90-95 gradë alkoolike, nëpërmjet distilimit të pandërprerë në kollona (alternativë e lambikut). Në kategorinë tjetër përfshihen rum-et, që njihen si agricole. Një herë tjetër mund t’i rikthehemi veçorive të dy kategorive apo të tipologjive të distilimit. Në ishull, e filtrojnë disa herë duke e lënë atë të përshkojë materiale të ndryshme, dikush thotë, rërë, qymyr dhe copa druri, që i japin një shije të veçantë dhe unike.
Rumi kuban, në variantet e tij fare apo më pak të vjetëruar, u bë i famshëm pasi rezultoi më i përdorshmi për cocktails. Po ky është baza e një pafundësie cocktail-esh për beach bar e American Bar, flitet sa per ato klasike aq edhe për ato të kohëve të fundit. Më të famshmit prej tyre, Cuba Libre… “Nunc est Bibendum!” i ka rezervuar tashmë disa rreshta.
ron-cubano
Pas deklaratave të sintonizuara të z. Obama dhe z. Raul Castro, do të mund të kemi pak më shumë rum e puro edhe jashtë Kubës, për ata që akoma s’e njohin ishullin nga afër, si edhe më shumë lloje për tu provuar dhe eksportuar.
Të shumta janë markat e pijes kombëtare kubane. Havana Club, Caribbean Club, Matusalem, Legendario, Varadero, Mulata, caney, Cubay, Santiago de Cuba, Arecha, Vigia, Edmundo Dantes… E sipas tipologjisë së ruajtjes e vjetërimit (thuajse gjithmonë në fuçi lisi të bardhë) përftohen lloje të ndryshëm rumi: silver dry, që njihet lehtësisht nga etiketa e bardhë. Është më i përdoruri dhe ai më adapt për cocktails. Pastaj në një progression rritës aromash, 3 años (akoma adapt për cocktails), 5 años, 7, 8 dhe 12 vjeçar. Në fund e për të mos u humbur, llojet e ndryshme të rezervës, që duhen pirë ekskluzivisht më vete, me ndonjë kub akull, nëse s’mund të bëni pa të.
Kubanët e pinë atë para, gjatë e pas vakteve – si ne shqiptarët rakinë – e nuk rendin pas atyre të vjetëruar, që sot janë jo vetëm simbol savoir fair-i, por edhe modë e shpesh nuk gëzojnë vjetërimin e deklaruar në etiketa.
Për të apasionuarit e kombinimeve, siç këshillonte rrreth një dekade më parë një menu e një klubi “ku pihej mirë” – një Bacardi 5 i shërbyer me puron e vogël italiane Pedroni Anisette (se dhe me të rinjtë e më amatorët duhen ngacmuar), një Caribbean Club pesëvjeçar me një Petit Huppman, apo për më të dhënët pas çokollatave, Matusalem 10 me një Amedei Trinidad, Mulata Elisir de Ron me një Amedei Toscano 66%.
Gota për t’u përdorur? Këshillojnë një tumbler apo Tulipan-ballon. Por dyshoj se kubanët e thjeshtë e kanë pasur të mundur zgjedhjen e gotave gjatë këtyre viteve. Prandaj si t’ju vijë për mbarë… e Salud!
www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button