Analiza

Mirësevini në një botë amorale

welcome amoral worldLeon Aron

Dy luftëra – njëra në Gaza dhe tjetra në Ukrainën lindore, po shpalosen njëkohësisht. Nuk kanë asgjë të përbashkët, përveç kësaj: të dyja duhet të shihen si shumë të qarta, në kuptimin se cila palë ka të drejtë dhe cila është gabim. Dhe së dyti, të dyja ka gjasa të përfundojnë në një humbje strategjike (domethënë afatgjatë) për palën që ka të drejtë, për shkak të sjelljeve që i japin formë qasjes së udhëheqësve perëndimorë ndaj të dy luftërave.
Faktet nuk janë të diskutueshëm. Në Ukrainë, qeveria legjitime në Kiev po përpiqet të rikthejë sovranitetin e Ukrainës mbi territorin e vet, që praktikisht është marrë nga Rusia përmes një lufte me të tretë, duke përdorur trupa speciale, oficerë të shërbimit të fshehtë dhe mercenarë (kontraktniki) për të stërvitur banditët që zakonisht quhen “rebelë” ose “separatistë”, e që po armatosen dhe furnizohen prej Rusisë.
Në Gazë, Izraeli po lufton kundër një organizate terroriste fondamentaliste që është e dedikuar të vrasë hebrenjtë, të krishterët dhe homoseksualët si dhe të shtypë gratë. Ashtu si në Ukrainë, ata sulmuan të parët, duke lëshuar qindra raketa kundër qyteteve izraelitë.
Megjithatë, në asnjërin prej të dy rasteve, e drejta e kauzave nuk e ka shtyrë Perëndimin të urojë një fitore të palës që ka “të drejtë”, por ka kërkuar marrëveshje apo armëpushim, që siç e dimë të gjithë, ata që janë në anën e gabuar do ta shkelin sapo të rigrupohen dhe të sigurojnë furnizime.
Përse?
Janë dy arsyet në kodin postmodern që mund të na japin një shpjegim. Së pari, ndërkohë që fitorja e njërit nënkupton humbjen e tjetrit, “paqja” – sado e brishtë apo afatshkurtër – të paktën në sipërfaqe nuk ka humbës, dhe për këtë arsye është gjerësisht e preferueshme. Së dyti, “e drejta” dhe “e gabuara”, e “drejta” dhe e”padrejta”, e “keqja” dhe e”mira” janë gjithmonë të dyshuara, sepse edhe vetë vlerat janë të dyshuara. Opinion-bërësit perëndimorë duket se kanë mësuar prej universiteteve elitarë se “vlerat” janë “individuale” dhe “subjektive”. Si rezultat, ato duhen të nxirren prej diskursit dhe vendim-marrjes politike. Prandaj edhe në mediat elitare perëndimore shohim të dy luftërat të paraqiten si “konflikte” dhe fjala “e drejtë” apo sinonimet e saj nuk shfaqen asnjëherë. Të dy palët konsiderohen sikur janë në një farë mënyre në faj, e si pasojë fitorja e njërë palë nuk është e më shumë e mbështetshme moralisht, se ajo e tjetrës.
Kaq të fortë janë këta imperativa ideologjikë, saqë nuk mund t’i ndryshojë as edhe një tragjedi. As rrëzimi i MH17, që pothuajse me siguri ka ndodhur prej raketave tokë-ajër të sjella nga Rusia, as vrasja e tre adoleshentëve izraelitë, as edhe neveria për përdorimin e civilëve si mburoja nga Hamasi nuk mund të ndërfuten në raportimin e këtyre luftërave, dhe nuk mund ta bëjnë fitoren e të mirës mbi të keqen, të preferueshme kundrejt paqes.
Vdekja e luftërave për të drejtën nuk është thjeshtë reflektim i mentalitetit mbizotërues në perëndim. Kur tragjedia nuk pranohet si fenomen moral, gjë që do të përcaktonte fajin dhe shkaqet për të ndëshkuar fajtorin, atëherë do të ndodhin më shumë tragjedi, të cilat nga ana e tyre do të sillnin më shumë vdekje.
Në dy luftërat që përmenda, pasojat “operacionale” të frymës së kohës janë më se të qarta. Nëse Ukraina do të rifillojë ofensivën e saj të suksesshme, të cilën e pezulloi në mënyrë të njëanshme për disa ditë pas rrëzimit të MH17, me qëllim lehtësimin e aksesit në vendin e rrëzimit, dhe e pezulloi sërish për një ditë dje për të njëjtën arsye, atëherë Kremlini – që për arsye të brendshme politike nuk mund të pranojë një humbje në Ukrainë – është i prirur të bëjë thirrje për “luftë civile vëllavrasëse”. Më pas do të bëjë menjëherë thirrje për një armëpushim (që sigurisht u lë rebelëve kontrollin e atyre që kanë sot) dhe mund të pritet që të kërcënojë me vendosjen e trupave të rregullta në kufi për “të mbrojtur jetë civilësh të pafajshëm”.
Për të parandaluar agresionin e drejtpërdrejtë të Rusisë (e si pasojë nevojën për të vendosur sanksione shtesë që mund të jenë të sikletshëm për vendet anëtarë të BE), Perëndimi do i bëjë presion Ukrainës, e cila ashtu si më parë do të shpallë një armëpushim të njëanshëm. Më pas, mund të kemi edhe negociata – siç e kërkon Rusia – mes një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike e një prej vendeve më të mëdhenj të Europës, dhe banditëve mercenarë. Kjo, deri kur rebelët të sulmojnë sërish një objektiv shumë simbolik – siç bënë me aeroportin e Donetskut – dhe cikli i dhunës do të rifillojë.
Në Jeruzalem, ashtu si në Kiev, Izraeli do të detyrohet të pranojë një armëpushim nga diplomacia e SHBA, që de facto barazon një demokraci të fortë me një diktaturë teokratike të disa terroristëve fanatikë. Hamasi do të rindërtojë tunelet, do të rimbushë arsenalin e vet të raketave dhe më pas do të fillojë sërish të rrëmbejë apo vrasë më shumë civilë dhe ushtarë izraelitë. /CNN/
Leon Aron Drejtor i Studimeve për Rusinë American Enterprise Institute
Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button