Ekonomi

Miti fals i tregut të lirë

Amerika nuk është më shtylla e rendit ekonomik global. Kina po përfundon fazën e parë të globalizimit, e nisur në ‘800 nga Europa dhe nga Shtetet e Bashkuara

Nga Pankaj Mishra

“Më së pari Amerika nuk do të thotë vetëm Amerika”, ka proklamuar në janar Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump në World Economic Forum të Davosit në Zvicër. Kjo ringjallje e papritur e pragmatizmit nga ana e një nacionalisti të deklaruar është demonstrimi sesa mund të ndryshojnë gjërat në një vit. Në ditën e tretë të mandatit të tij, Trump është tërhequr nga Traktati i Shkëmbimit të Lirë në Paqësor (TPP), një marrëveshje tregëtare rajonale me Japoninë dhe 10 vende të tjera. Pastaj ka shpërthyer kundër Kanadasë, Gjermanisë dhe Koresë së Jugut, të akuzuara se eksportojnë në Shtetet e Bashkuara më shumë sesa importojnë. Së fundi, ka premtuar të rinegociiojë marrëveshjet tregëtare me Europën, Kanadanë e Meksikën për të siguruar kushte më të favorshme për punëtorët amerikane. Kurse në Davos ka përdorur tone pajtuese, duke u zgjatur dorën atyre elitave mbështetëse të shkëmbimit të lirë e të globalizimit që zakonisht i denigron. Është e qartë se pozicionet e Trump ndaj tregëtisë dhe globalizimit kanë evoluar. Sipas çdo gjase, motivi duhet kërkuar në ngjitjen e një vendi, emrin e të cilit Presidenti amerikan ka menduar që të mos ia përmendë emrin. Në fakt, nëse Trump ka zgjedhur platenë e Davos për t’i komunikuar botës së “Amerika është e habur ndaj biznesit”, kjo për arësye se në Alpet zvicerane Kina ka rivendikuar lidershipin e ekonomisë globale. Me Shtetet e Bashkuara dukshëm të mbyllur në një kupolë proteksioniste të xhamtë, Kina është bërë e domosdoshme. “Në një botë të karakterizuar nga paqartësi dhe luhatje të mëdha, bashkësia ndërkombëtare shikon nga Kina”, ka thënë në 2017 Klaus Schwab, themeluesi i World Economic Forum, duke paraqitur mysafirin e tij Xi Jinping, President i Kinës dhe Sekretar i Partisë Komuniste Kineze. Para syve të grumbullit të zakonshëm të menaxhuesve të fondeve speculative, drejtuesve të Silicon Valley dhe përfaqësuesve të qeverive, Xi ka mbrojtur tregëtinë e lirë dhe globalizimin nga sulmet e Trump. “Disa njerëz fajësojnë globalizimin për kaosin në të cilin jetojmë”, ka thënë Presidenti kinez. “Por nuk mund të futemi në port çdo herë që ndeshemi me një stuhi, pasi kështu nuk do ta arrijmë kurrë bregun tjetër të oqeanit”. Pastaj deri ka cituar Charles Dickens: “Ishte koha më e mirë, koha më e keqe”: janë fjalët e përdorura nga shkrimtari anglez Charles Dickens për të përshkruar botën pas Revolucionit Industrial edhe sot jetojmë në një botë me kontradikta”. Mëkat që Dickens në të vërtetë po përshkruante botën përpara Revolucionit Francez. Edhe deklaratat e Xi qenë, pak të thuash, plot me kontradikta.

Për bizneset e huaja është gjithnjë e më e vështirë të bëjnë biznes në Kinë: plani “Made in China 2025” i Pekinit synon ndaj “novatorizmit endogjen” dhe të vetëmjaftueshmërisë. Kur Trump në Davos ka denoncuar “praktikat e pandershme ekonomike” si “subvencionet industrial dhe planifikimin ekonomik shtetëror në shkallë të gjerë”, ishte e qartë se për kë po fliste. Megjithatë Xi ndonjë tagër që të rivendikojë rolin e kalorësit të globalizimit e ka. Kriza financiare e 2008 e ka dobësuar shumë ekonominë amerikane, ndërsa e ka kursyer thuajse krejtësisht atë kineze. Është e rëndësishme të kujtohet se në mesin e viteve ‘70 Kina mbante një kuotë të tregëtisë ndërkombëtare më të vogël se 0.5%, kurse sot është vendi eksportues më i madh i botës dhe nyja e rrjeteve të reja tregëtare transkontinentale gjithnjë e më shumë të ndërlikuara pavarësisht Shteteve të Bashkuara. “Kur Shtetet e Bashkuara rriten, rritet edhe bota” ka thënë Trump në Davos. Por Amerika nuk është më shtylla e rendit ekonomik global. Sistemi tregëtar i dominuar nga Kina e ka reduktuar varësinë e vendeve latinoamerikane dhe të Afrikës subsahariane nga tregjet amerikane dhe europiane. Kina po përfundon fazën e parë të globalizimit, të nisur nga Europa dhe nga Shtetet e Bashkuara në ‘800. Pjesë e këtij procesi është konsolidimi i Azisë Lindore si qendra e re e ekonomisë botërore.

Përgjigja ndaj kthese historike epokale është detyrë e Presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe Trump e ka bërë me një përzierje tipike kërcënimesh, batutash dhe dredhishë. Por për ta kuptuar deri në fund shtrirjen e objektivave ekonimikë të Kinës dhe degëzimet relative është e nevojshme që të bëhet një pyetje: pse ekonomia e tregut e drejtuar nga një shtet komunist është bërë ekonomia e dytë më e madhe e botës? Si ka arritur Kina të rritet kaq shumë me planifikimin e centralizuar ekonomik e subvencionet industrial dhe sidomos pa respektuar rregullat e shkëmbimit të lirë? Suksesi ekonomik i vendeve të Azisë Lindore si Japonia e shekullit të XX-të do të tashmë i mjaftueshëm për ta hedhur poshtë thirrjen e bërë nga Trump në Davos, domethënë që vendet mund të rriten vetëm duke eliminuar barrierat e lëvizjes së lirë të mallrave e kapitaleve dhe duke e zvogëluar në minimum ndërhyrjen e shtetit në ekonomi. Fakti është që për shumë vite këto mësime të historisë janë errësuar nga ortodoksia ekonomike, që sot vihet në diskutim pikërisht nga ngjitja e Trump dhe e Kinës. Në librin e tij të fundit, “Straight talk on trade”, Profesori nga Harvard University Dani Rodrik kritikon ashpër kolegët e tij ekonomistë, fajtorë që kanë aderuar në një konceptim semplicist të shkëmbimit të lirë e të globalizimit, që sipas mendimit të tij ka çuar na kaosin ekonomik dhe në kundërgoditjet e rënda politike në të gjithë Perëndimin. “Përgjegjësit e fitores tronditëse të Trump në presidencialet amerikane janë ekonomistët?”, pyet Rodrik. Ndoshta është ekzagjerim, por është e vërtetë se tezat “tregjet e lira baraz me progress” është mbështetur plot autoritet dhe me influencë sidomos nga ekonomisti  Milton Friedman.

Paradokset e ngjitjes së Pekinit janë aq më shumë të dukshme nëqoftëse kujtojmë vizitën e vështirë të Friedman në Kinë në vitin 1980, kur vendi ishte i varfër dhe i dëshpëruar. Në ato vite nobelisti i ardhur nga Chicago po çimentonte famën e tij si apostull i tregut të lirë: sapo kishte botuar “Free to Choose”, një libër i shkruar me bashkëshorten Rose. Teza e Friedman, domethënë se “bota bazohet mbi individë që i ndjekin veçmas interesat e tyre” do ta influenconte politikën ekonomike amerikane për dekada, duke kontribuar në mënyrë vendimtare në diskreditimin e idesë, të mishëruar sidomos nga New Deal i Franklin D. Roosevelt, se qeveria ka një rol legjitim dhe shpesh të domosdoshëm në promovimin e zhvillimin ekonomik dhe në ruajtjen e më të dobtëve. Në fjalët e Ronald Reagan, dishepull i zjarrtë i Friedman, “qeveria nuk është zgjidhja e problemit tonë: qeveria është vetë problemi”. Tregu i lirë, thuhej, jo vetëm krijon pasuri për të gjitha vendet, por u jep mundësi maksimale zgjedhjeje konsumatorëve, ul çmimet dhe optimizon përdorimin e resurseve. Besimi i Friedman në efikasitetin e tregjeve është bërë “gjumi i thellë dogmatik i injektuar nga një opinion përfundimtar” për të cilin fliste John Stuart Mill. Friedman ka qenë mbështetësi më influent i liberalizmit ekonomik qysh kur 1776 Adam Smith identifikoi tregëtinë e lirë si themelin e pasurisë së vendeve. Por në 1980 thuajse askush në Kinë, aq më pak studiuesit që e kishin ftuar Friedman për të marrë pjesë në një tur konferencash, imagjinonte se mysafiri amerikan ishte një ideolog me temperament të paduruear dhe volatil. U shkaktuan ekuivokë të ndryshëm, shpesh komikë. Friedman u ankua për shoqëruesin kinez me “erë trupore të llahtarshme” që kishte dalë ta priste në aeroportin e Pekinit, por për të zbuluar më pas se ishte njëri prej profesorëve që e kishin ftuar. Leksionet e Friedman mbi avantazhet e shkëmbimit të lirë u pritën me dyzim të madh. Pohimi i tij se kapitalizmi ishte superior ndaj socializmit i shqetësoi jashtëzakonisht shumë kinezë. Një delegacion ekonomistësh jashtëzakonisht luftarakë u paraqit në hotelin e Friedman për ta indoktrinuar lidhur me arritjet e regjimit. Friedman, që (gabimisht) e konsideronte Japoninë dhe Korenë e Jugut si dy shembuj të shkëlqyer të tregjeve të hapur dhe konkurrenciale, në Kinë ndjehej kuptueshëm keq: vendi ishte mishërimi i gjithçkaje që ishte e gabuar në planifikimin shtetëror.

Në 1980 Pekini me vështirësi po dilte nga balta e eksperimenteve katastrofikë të Mao Ce Dunit. Qeveria e Ten Hsiao Pinit po eksperimentonte zgjidhje të tyre për të dalë nga prapambetja ekonomike ku ndodhej vendi, që sipas autoriteteve ishte shkaku kryesor i poshtërimeve të pësuara në shekullin e XIX-të dhe fillimin e atij të XX-të. “Zhvillimi është e vetmja e vërtetë”, ka thënë Teni. “Nëqoftëse nuk do të zhvillohemi, do të mbetemi keq”. Sipas tij, zhvillimi i vendit mund të arrihej në shumë mënyra të ndryshme. Ky fleksibilitet përmblidhej nga maksimë e famshme kineze: “Kalo lumin duke i prekur gurët”. Kinezët nuk mund ta toleronin që Friedman ta denigronte kaq hapur punën e qeverisë së tyre. Pavarësisht katastrofave të tmerrshme, shteti megjithatë e kishte rritur ndjeshëm nivelin e alfabetizimit dhe të moshës mesatare. Mbi të gjitha, Kina po kërkonte një rrugë të tretë: më shumë se nga Shtetet e Bashkuara, Pekini shikonte nga Japonia dhe Singapori si modele të një ekonomie në gjendje që ta përshpejtonte rritjen pa e vënë në rrezik autoritetin e Partisë Komuniste. Kinezët nuk dinin çfarë të bënin me këshillat e një mbështetëse amerikan të laissez-faire. Friedman u kthye nga Kina duke u qarë se nikoqirët e tij qenë demonstruar “pabesueshmërisht injorantë për mënyrën sesi funksionon një sistem capitalist apo tregu”. Friedman ndërroi jetë në 2006, pak përpara krizës financiare të 2007 – 2008. Midis pasojave të mëdha e të ndërlikuara politike të kësaj krize ka mundësi që është edhe zgjedhja në Shtetet e Bashkuara e një Presidenti proteksionist, që ka kërcënuar se do t’i anullojë impenjimet tregëtare disadekadëshe me rrezikin e kompromentimit të raporteve me aleatët kryesorë e vendit të tij. sigurisht, Friedman do të mbetej pafjalë përballë demonizimit të tregëtisë së lirë nga ana e Trump, por do ta gjente akoma më të vështirë të shpjegonte se pse pikërisht Kina, e qeverisur nga një parti komuniste, është bërë elementi qendror i ekonomisë kapitaliste globale. Në fakt, regjimi kinez nuk e ka arritur këtë objektiv duke i lënë të lirë 1.4 miliard qytetarët e tij për t’i maksimalizuar interesat e tyre private në tregje pa kufizime, por duke mbajtur nën kontroll monedhën, duke e ruajtur pronësinë e kompanive të mëdha dhe duke ndërhyrë rëndshëm në vendimet e investimit të bizneseve private.

Në të vërtetë, historia e ekonomisë botërore tregon se fuqitë e mëdha ekonomike janë bërë gjithmonë të mëdha falë shteteve ndërhyrës. Pavarësisht pushteteve mistike që i atribuohen, dora e padukshme e interesit personal varet nga dora e dukshme dhe shpesh e rëndë e qeverisë. Për t’u kufizuar në një shembull, qenë kanonierat britanike ato që imponuan shkëmbimin e lirë në Kinën e ‘800, një mësim që kinezët e kanë ruajtur mirë në mendje. Përpara se bëhej “shkëmbyese e lirë”, Mbretëria e Bashkuar ka qenë për një kohë të gjatë proteksioniste. Gjatë industrializimit, vetë Shtetet e Bashkuara kanë qenë “djepi dhe bastioni i proteksionizmit modern”, siç ka shkruar historiani i ekonomisë Paul Bairoch. Tarifat e tyre mesatare në fundin e ‘800 – prej 45% – qenë të larta sa janë ato, të kripura, që Trump ka vendosur për importimin e lavatriçeve. Babai filozofik i proteksionizmit është Alexander Hamilton, themeluesi i sistemit financiar të Shteteve të Bashkuara, dhe midis dishepujve të tij ka gjermanë, japonezë dhe, në mënyrë indirekte, edhe kinezë. Në këtë kuptim, asnjë ndodhi nuk është më shumë ndriçuese se ajo e japonezëve, ka mundësi ndër më këmbëngulësit midis nxënësve të Hamilton. Pas vitit 1945, Japonia i paraprinte Kinës si nyje e rrjeteve tregëtare të Lindjes. Pas katastrofës të Luftës së Dytë Botërore, kontribuoi në rilindjen e Azisë dhe nga mesi i viteve ’90 ishte bërë investitori dhe eksportuesi kryesor në thuajse të gjitha vendet e Azisë Lindore: dërgonte në vendet fqinje numrin më të madh të ndihmave e të turistëve dhe ishte blerësi më i madh i lëndëve të para të tyre. Në mënyrë të veçantë, përfaqësonte një model zhvillimi që pajtonte ekonominë e tregut dhe ndërhyrjen e shtetit, një model nga i cili Kina po fillonte qysh atëhere të merrte spunto.

Si ka bërë një vend i shkatërruar nga nja luftë botërore dhe thuajse i privuar nga resurset natyrore të fitojë primatin ekonomik në Azi? Shpjegimi i Friedman tek “Free to Choose” është se “shkëmbimi i lirë ka vënë në lëvizje një proces që ka revolucionarizuar Japoninë dhe jetën e popullit të saj”. Francis Fukuyama, politologu sipas të cilit historia ka mbaruar në 1989, ia atribuon suksesin e Japonisë “liberalizmit ekonomik” sipas modelit të mbështetur nga Adam Smith. Në realitet, japonezët kishin zgjedhur një model shumë të ndryshëm, të frymëzuar pikërisht nga mësimet e Hamilton. Japonia i njihte mirë rreziqet politike e stanjacionit ekonomik. Në ‘800, në kulmin e imperializmit, kishte nënshkruar një traktat poshtërues me anë të të cilit e vinte politikën e vet tregëtare në duart e 5 fuqive perëndimore, hiqte dorë nga e drejta e vendosjes së tarifave, zvogëlonte ndjeshëm tarifat doganore dhe u jepte statusin ekstraterritorial qytetarëve të huaj banorë në qytetet portuale. Duke e kujtuar këtë turp, Dinastia Meiji ishte e vendosur që të rifitonte sovranitetin e saj dhe të mbrohej nga xhelatët e huaj. Modeli referues ishte Gjermania, që e bashkuar në vitin 1871 po kërkonte të vihej në të njëjtin hap me Mbretërinë e Bashkuar e industrializuar. Për ta arritur këtë objektiv, qeveria gjermane ju përshtat recetave për zhvillimin të propozuara nga Hamilton menjëherë pas shkëputjes së Shteteve të Bashkuara nga dominimi britanik. Në “Raportin për manifakturat” e tij, të paraqitur në vitin 1791, Hamilton fliste për industri të “sapolindura” që të mbështesnin nevojën e proteksionizmit ekonomik. Bir i një skocezi dhe i lindur në Inditë Perëndimore, në atë kohë koloni britanike, Hamilton e dinte mirë se strategjia proteksioniste britanike konsistonte në pengimin e kolonive që të konkurronin në treg, duke ju shfytëzuar resurset natyrore dhe duke i shitur mallrat e tyre në të gjithë botën. Kështu, sipas Hamilton, vendet e “sapolindura” kishin nevojë për një hapësirë të caktuar manovre përpara se të mund të konkurronin me fuqitë industrial e konsoliduara. Shtetet e Bashkuara ndoqën shumë prej rekomandimeve të tij dhe ato që përfituan qenë fillimisht industria tekstile dhe ajo e hekurit, më pas ajo e çelikut.

Më shumë sesa shkëmbimi i lirë, qe formula e Hamilton ajo që i transformoi Shtetet e Bashkuara në ekonominë më dinamike të botë gjatë gjithë ‘800 dhe deri në vitet ’20 të ‘900. E njëjta formulë u adoptua nga vende të tjera që mateshin për herë të parë me konkurrencën ekonomike ndërkombëtare. Nxënësi më influent i Hamilton qe Friedrich List, një economist gjerman që jetoi në Shtetet e Bashkuara nga 1825 më 1830 dhe shkroi një libër të titulluar “Outlines of American Political Economy”. Me kthimin e tij në Gjermani, List e damkosi ungjillin e tregut të lirë të predikuar nga Mbretëria e Bashkuar si oportunizëm i pastër: sipas tij, nga lartësia e pozicionit të tyre, britanikët mund t’ia lejonin vetes që t’I jepnin një shkelm shkallës së proteksionizmit të cilën e kishin përdorur për të arritur në majën e industrisë dhe të prodhimit ndërkombëtar. List nuk ishte aspak kundër shkëmbimit të lirë, por më parë nevojitej që të rriteshin sektorët më të rinj ekonomikë në një mjedis të mbrojtur. Duke ndjekur mësimet e tij, Gjermania u transformua me shpejtësi marramendëse nga një ekonomi bujqësore në një fuqi industriale. Për Japoninë, posti në lojë ishte akoma edhe më i lartë. Në Azi nuk kishte praktikisht asnjë vend të vetëm që të mos ishte detyruar nga Mbretëria e Bashkuar, nga Vendet e Ulëta dhe nga Franca që t’u nënshtroheshin kushteve tregëtare të egra. Liberalizmi ekonomik nuk ishte një opsion i praktikueshëm. Për të udhëhequr zhvillimin ishte e nevojshme një dorë e dukshme: më shumë sesa tregu, shteti. Duke ndjekur shembullin gjerman, Japonia subvencionoi rëndshëm fabrikat e para të saj, kopjoi dizajnin britanik dhe importoi makineri e inxhinierë nga jashtë. Përveçse mbrojti pjesën më të madhe të industrisë nga konkurrenca, u garantoi një minimum fitimi bizneseve. Kur Lufta e Parë Botërore u dha fund monopoleve europiane në kolonitë aziatike, kompanitë japoneze u futën me produkte tekstile, biçikleta dhe ushqime të konservuara. Sipas shembullit të imperializimit të “shkëmbimit të lirë” europian, Japonia kishte invaduar dhe pushtuar tashmë Tajvanin dhe më pas Korenë, duke i konvertuar të dyja vendet në tregje të mbrojtura për industritë e vogla të saj. në mbështetje të mëtejshme të strategjisë, shteti japonez zbuti kompanitë prodhuese me tendera dhe kufizime. Tokio subvenciononte industrinë për rritjen e eksporteve, që ka nga ana e tyre ndihmonin kompanitë që të investonin për novatorizmin dhe të bëhesh konkurruese në nivel ndërkombëtar.

Lufta e Dytë Botërore qe vetëm një parantezë e shkurtër në politikën proteksioniste të Japonisë. Megjithëse e shkatërruar nga lufta, vendi arriti megjithatë që të çlirohej nga konkurrentët e saj europiane në Azi. Qe pikërisht gjatë pushtimit amerikan, vëren historiani John Dower, që Japonia ngriti në këmbë atë që një economist e përshkroi si “sistemi i kontrolleve mbi ekonominë e jashtme dhe shkëmbimet më kufizues i konceptuar ndonjëherë nga vend i madh i lirë”. Duke pasur pushtete të pakufizuara nga pushtuesit japonezë për të ringritur vendin e tyre, burokratët e Ministrisë së Tregëtisë Ndërkombëtare dhe të Industrisë japoneze hodhën bazat e një ekonomie prodhuese në nivel botëror. Nacionalizmi qe një stimulues i madh. Siç shkruan Dower, “krenaria kombëtare – akute, e plagosur, e ndërthurur me një ndjenjë të thellë cënueshmërie – qe motori i kërkimit i një rritjeje ekonomike në gjendje që të lindëte një superfuqi pothuajse një çerekshekulli pas një humbjeje poshtëruese”. Në këtë kuptim, një ndihmë e madhe që shpërthimi i luftës në Kore që e transformoi Japoninë në burimin kryesor të furnizimeve amerikane. Rruga e shtetit proteksionist japonez tashmë ishte hapur: Kryeministri Shigeru Yoshida e quajti konfliktin e përgjakshëm korean si një “dhuratë nga Zoti”. Në vitet ’50, Koreja dhe Tajvani, të dyja ish koloni japoneze, trashëguan institucionet dhe praktikat proteksioniste të Japonisë. Rasti më befasues qe ai i Koresë së Jugut, që në fillimin e viteve ‘50 ishte një vend shumë i varfër me industry të pakta, të gjitha të ndërtuara nga Japonia në vitet ‘30. Aedhe Koreja e gjeti përgjigjen e problemeve të saj më shumë tek Friedrich List sesa tek Adam Smith. Park Chunghee, gjenerali që erdhi në pushtet në vitin 1961, kishte punuar në shërbim të regjimit colonial japonez dhe kishte studiuar si autodidakt teoritë e proteksionizmit gjerman (ekonomisti Robert Wade ka treguar se është ndeshur me rafte të tëra me libra të List nëpër libraritë e Seulit). Gjatë mandatit të tij të gjatë, Park favorizoi rritjen e konglomerateve të mëdha të vendit – Hyundai, Daewoo e Samsung – dhe u lëshua në sektorin e çelikut. Shtetet e Bashkuara, që e shikonin Korenë, Tajvanin dhe Japoninë si diga kundër komunizmit, kontribuan në zhvillimin e këtyre strategjive neomerkantiliste, një përzierje zëvendësimi të importeve dhe industrializim i orientuar nga eksporti. Gjatë Luftës së Ftohtë, amerikanët u dhanë aleatëve të tyre strategjikë akses të pakushtëzuar në tregjet amerikane, dike ju toleruar në të njëjtën kohë mbylljen e tregjeve lindore ndaj investimeve perëndimore. Kur në Uashington e kuptuan se aleati i tyre kryesor aziatik ishte bërë tepër i madh, tashmë ishte tepër vonë për ta rregulluar situatën. Japonia kishte marrë shumë produkte të shpikura në Shtetet e Bashkuara (automobile, elektronikë konsumi) dhe i kishte realizuar me çmime më të ulëta, duke ua përmirësuar cilësinë. Në vitet ’80, Japonia i kishte kaluar Shtetet e Bashkuar si në ndihma, ashtu dhe në investime në Azinë Lindore. Kur Uashingtoni provoi që t’i kufizonte importet japoneze, këta të fundit u përgjigjën duke intensifikuar investimet e tyre në Azi, duke spostuar fabrikat dhe duke përmirësuar kompetencat dhe teknologjitë industriale kudo që shkonin.

Më kujtohet që në vitin 1994, kur lashë për herë të parë Indinë që të shkoja në Azinë Juglindore, Japonia ishte e kudondodhur, si burim frymëzimi dhe si, indirekt, fajtore. Rilançimi i Tajlandës, Koresë së Jugut dhe Tajvanit nën egjidën japoneze ishte tashmë një e dhënë faktike dhe një motiv turpi për ne indianët, që nuk kishim arritur suksesin e Azisë Lindore në prodhim dhe në tregëti. Si shumë vende pas 1945, nga Franca tek Japonia, India kishte adoptuar një model zhvillimor me drejtim shtetëror. Si në shumë vende të çliruara nga dominimi kolonia, objektivi nuk ishte edhe aq rritja e pasurisë private sesa forcimi i pushtetit kombtëar. Tek “Free to Choose”, Friedman i përshkruan indianët si ndjekës të gënjyer të Mahatma Gandhi, që i prodhojnë fijet e pambukut në fabrika të vogla me drejtim familjar të subvencionuara nga shteti. India, shkruan ai, është e shurdhër ndaj industrializimit dhe, për më tepër, beson në planifikimin e centralizuar. Ajo e Friedman ishte veçse një karikaturë: në realitet, India kishte një program ambicioz industrializimi dhe ekonomia e saj ishte një përzierje tregjesh private dhe sipërmarrjesh shtetërore, edhe pse përvoja historike e dominimit britanik e ekspozonte ndaj dyshimit de shkëmbimi i lirë favorizonte vetëm ekonomitë e zhvilluara industriale. Pavarësisht kësaj, në thelb Friedman kishte të drejtë që e konsideronte Indinë një shembull prapambetjeje sociale dhe ekonomike. Besnike ndaj modelit proteksionist për të favorizuar rritjen, India merrte pjesë pak dhe hiç në tregëtinë botërore. Fabrikat e saj prodhonin mallra skadentë që njerëzit i blinin vetëm se nuk kishin alternativë tjetër. Mbeta i shastisur nga ajo që kishte për të ofruar Azia Juglindore. Simbolet e kulturës pop amerikane – Kentucky Fried Chicken, McDonald’s, Madonna – qenë kudo. Por mallrat e konsumit më tërheqës qenë thuajse pandryshuar japonezë: Sony, Sanyo, National, Mitsubishi, Hitachi, Fuji. të ndjerë sit ë papërgatitur përballë progresit të Azisë Lindore, shumë indianë e klasës së mesme aspironin atë që Chalmers Johnson në një libër lidhur me rritjen japoneze e quante “shtet zhvillues”. Shteti zhvillues mbështetej mbi burokraci eksperte e të kualifikuara, që nën drejtimin e lidershipeve autoritare, çojnë përpara një projekt zjvillimor kombëtar duke respektuar vetë formalisht (apo duke i injoruar krejtësisht) rregullat demokratike. Privatët investonin në aktivitete socialisht të dobishme, ndërsa qeveria me ndërhyrjet e saj ndohmonte bizneset që të ndërtonin një avantazh konkurrues, duke favorizuar ndërkohë stabilitetin social nëpërmjet reformash, politikash për arësimin dhe masa të tjera për të luftuar pabarazinë e të ardhurave.

Shteti zhvillues nisej nga premisa se dështimet e tregut qenë të pashmangshme dhe se shteti kishte një rol qendror në përcaktimin e përkufizimit të politikës industriale dhe financiare. Kjo e fundit bazohej jo vetëm mbi proteksionizmin tregëtar dhe subvencionet shtetërore, por siç shkruajnë ekonomistët Robert dhe Jean M. Gilpin tek “Global Political Economy” (2003), mbi “një alokim selektiv të kredisë dhe një deformim të qëllimshëm të përqindjeve të interesit për ta injektuar kredinë me treg të mirë në sektorët e privilegjuar ekonomikë”. Kështu, siç e pranonte zemërthyer deri edhe Banka Botërore, bastion i një paradigme zhvillimore neoliberiste të bazuar mbi privatizimet dhe derregullimet, qeveria ishte shpesh zgjidhja. Dinamikat ekonomike aziatike, shkruante Banka në raportin e saj “East Asian Miracle”, botuar në vitin 1993, “kanë regjistruar nivele pabarazie në mënyrë të pazakontë të ulëta e në rënie, në kundërshtim me përvojën historike dhe me dëshminë bashkëkohore në rajone të tjera”. Duke u kthyer tek India, heroi i shumë indianëve të kalsës së mesme ishte Lee Kuan Yeë, autokrati që kishte ngjallur admirimin e Ten Hsiao Pinit, që e kishte transformuar Singaporin nga një realitet ekonomik i prapambetur në një nyje tregëtare ndër më të rëndësishmet e botës. Ka mundësi, sikur të kishim ditur më shumë, ne indianët do të kishim admiruar edhe Park Chunghee, despotin teknokratik koreanojugor që në vitet ‘60 e ’70, falë ndihmës së menaxherëve tejet të kualifikuar, arriti rezultate të rëndësishme ekonomike përballë një reduktimi të dukshëm të pabarazive dhe, sidomos, të atij kohezioni social që në Indi ishte mirazh. Nuk mund ta imagjinojë që Hamilton (dhe List) do ta ushtronin influencën e tyre më të madhe pikërisht në Kinën pasmaoiste. “Rritja e Kinës të kujton atë të Shteteve të Bashkuara të një shekulli më parë”, ka shkruar studiuesi kinez Hu Angang. Nuk është ekzagjerim: Friedman kishte të drejtë kur thoshte se komunistët kinezë qenë injorantë në lëmin e tregut të lirë, por realiteti ishte se nuk e kishin përtypur asnjëherë idenë e dhënies fund të ndërhyrjes së shtetit në ekonomi. Pas Maos, referimet kineze qenë Japonia dhe vendet e tjera të Azisë, pikërisht sin ë të kaluarën vendet aziatike kishin marrë si referim Gjermaninë. Jo rastësisht, investimet e para në Kinë në vitet ’80 erdhën nga Japonia dhe nga një rrjet kompanishë ndërkombëtare kineze me bazë në Azinë Lindore, me krijimin relativ të rrjeteve tregëtare, menaxhmentit dhe njohurive teknike. Nën shtytjen e administratës Clinton, në vitin 2001 Pekini u bë pjesë e Organizatës Botërore të Tregëtisë, duke e kapur menjëherë mundësinë e tregjeve të pakufizuara për eksport të ofruar nga liberizmi amerikan. Kur Japonia është bërë investitori i parë në Azi, zinxhirat rajonalë të prodhimit kanë nisur që të krijohen midis të gjitha vendeve të rajonit. Dora dorës që Koreja e Jugut, Hong Kongu, Singapori dhe Tajvani ngjisnin pozicione në zinxhirin teknologjik dhe të vlerës, investonin në vende në rrugën e zhvillimit si Vietnami dhe Indonezia. Kjo process rajonalizimi i investimeve dhe i prodhimit, që në thelb bën pa Europën dhe Shtetet e Bashkuara, sot përshpejtohet nga afirmimi i Kinës si fuqi prodhuese. Sot vendi që investon më shumë në Vietnam është Koreja e Jugut, partneri kryesor tregëtar i të cilit është Kina.

Në shumë aspekte, suksesi i ekonomisë kineze me drejtim shtetëror paraqet të njëjtën dilemë ekonomike (dhe ideologjike) që Japonia u paraqiti Shteteve të Bashkuara në vitet ’80, kur u bë kvendi kreditor më i madh në botë. Një sistem tregëtar rajonal i dominuar nga Kina bën që vendet aziatike të jenë natyrshëm më pak të prirur që të përqafojnë objektivat gjeopolitike amerikane. E përfshirë në një seri problemesh kufitare me vendet fqinje, Kina e ka përshpejtuar militarizimin e Detit të Kinës Jugore, duke fituar më shumë territory dhe duke ndërtuar pista uljeje, ported he hangarë. Por edhe ka braktisur qëndrimet e saj më të hidhura, me objektiv largimin e Azisë nga orbita e Shteteve të Bashkuara të Trump. Dhe duket se poi a del me sukses. Përballë marrëveshjeve bujare për infrastrukturat të ofruara nga Kina ish territorit amerikan të Filipineve, Presidenti filipinas Rodrigo Duterte ka njoftuar se ka ardhur “momenti që t’i thuhet lamtumirë” Uashingtonit: vetëm pak muaj më parë kishte kërcënuar se do të arrinte me një motoskaf uji një ishull artificial kinez në Detin e Kinës Jugore dhe do të ngulte aty flamurin e vendit të tij. vende të tjera rivale që rivendikojnë pjesë të Detit të Kinës Jugore, si Malajzia, Vietnami dhe Brunei. Nga ana e tyre janë afruar me Pekinin pas zgjedhjes së Trump. Kina deri po kërkon që të rindërtojë raportet e saj me Japoninë duke favorizuar investimet e shumëkombësheve japoneze. Këto tentativa për t’i kthyer nga ana e saj aleatët kryesorë amerikanë në Azi çiftohen me planin ambicioz OBOR, me të cilin Xi synon që ta vendosë Kinën në qendër të bizneseve botërore nëpërmjet një rrjeti lidhjesh dhe projektesh infrastrukturore që nisen nga Azia dhe përfundojnë në Lindjen e Mesme, në Afrikë dhe në Europë. Me një financim prej mbi 1000 miliard dollarësh në më shumë se 60 vende – porte në Pakistan e në Sri Lanka, linja hekurodhore të shpejtësisë së lartë në Afrikën Lindore, gazsjellës në Azinë Qendrore – plani mund të quhet platforma më e madhe e investimeve jashtë vendit e bërë ndonjëherë nga një vend i vetëm. 11 vende të Bashkimit Europian dhe 5 vende të Europës Qendrore e Lindore që nuk janë pjesë e Bashkimit Europian kanë vendosur të futen në grupin tregëtar ne drejtim kinez “16+1” dhe kanë nënshkruar me Kinën marrëveshje të rëndësishme për infrastrukturat, duke e konsoliduar influencën e Pekinit në Europë. Duke dalë nga TPP-ja dhe duke kërcënuar sanksione tregëtare, Trump e ka shtyrë Japoninë që të kërkojë një marrëveshje me Europën që i nxjerr jashtë loje Shtetet e Bashkuara. Mbretëria e Bashkuar, një tjetër aleat besnik amerikan, po vlerëson nëse të futet apo jo në TPP. Ndërkohë, Kina është e impenjuar në negociata për të paktën nja 10 marrëveshje tregëtare në Azi dhe ka propozuar një alternativë të sajën ndaj TPP-së, Partneritetin Ekonomik Global Rajonal (RCEP). Veç kësaj, Pekini po intensifikon përpjekjet e tij që të ndërtojë alternatica ndaj institucioneve ndërkombëtare perëndimore si Banka Botërore dhe FMN-ja. Në vitin 2014, pavarësisht kundërshtimit të prerë të Shteteve të Bashkuara, Kina ka inauguruar Asian Infrastructure Investment Bank (AIIB), në të cilën bëjnë pjesë tashmë të gjitha vendet aziatike, përjashto Japoninë.

Ka pak dyshime mbi faktin se Pekini po propozohet si një alternativë dashamirëse ndaj Shteteve të bashkuara. Në një diskutim të mbajtur pak përpara mandatit të tij të dytë si Sekretar i Përgjithshëm i partisë, Xi ka thënë se në bashkësinë ndërkombëtare ka gjithnjë e më shumë vende të gatshëm që të pranojnë “vlerat” kineze. Kina, ka shtuar më tej, përfaqëson “një opsion të ri për vende të tjera dhe kombe të tjera që dëshirojnë ta përshpejtojnë zhvillimin e tyre duke ruajtur pavarësinë”. Ka qenë gjithmonë çmendurisht optimiste ta marrësh si të mirëqenë faktin që herët a vonë Kina do të integrohet në një sistem të dominuar nga Shtetet e Bashkuara dhe pasi ka qenë e bindur, në mos e detyruar, që t’ia adoptojë normat. Një Indian paskolonial si unë, që gjatë 15 viteve të fundit ka vizituar Kinën dhe ia ka studiuar historinë e letërsinë, nuk ka sesi të mos jetë skeptik për pohime të tilla. Nga rrethinat e Lhasa në Tibet (demografikisht i ndryshuar nga emigracioni kinez), në libraritë e Shanghait (plot me të shumëshitur me tituj të tillë si “China Can Say No”), e kam pasur gjithmonë të qartë se beteja për sovranitetin kombëtar dhe rifitimin e fuqisë së humbur janë prioriteti më i lartë i parti – shtetit kinez dhe i politikave ekonomike të tij. duke hedhur poshtë katastrofizmat, Kina ka demonstruar edhe një herë akoma forcën e asaj krenarie kombëtare që John Doëer, duke folur për Japoninë, e quante “akute, të plagosur, të ndërthurur me një ndjenjë të thellë cënueshmërie”. Shtetet e Bashkuara nuk e kanë njohur asnjëherë ambicien kokëfortë e të humburit që do të rivendikojë plagët e historisë: liderët amerikanë po përballen vetëm tani, me thirrjet nacionaliste kundër shkëmbimit të lirë dhe globalizimit. Për pasojë, pozicioni amerikan ndaj Kinës është frut i një serie politikash konfuze dhe sinjalesh kontradiktore. Gjatë fushatës presidenciale të 2016, të gjithë kandidatët kryesorë, nga Bernie Sanders tek Hillary Clinton tek Donald Trump, i janë kundërvënë TPP-së me objektivin e frenimit të Kinës në rajonin e saj. Më pas, në 12 muajt e parë kaotikë të presidencës Trump, Shtetet e Bashkuara janë shtytë nga nxënës dinakë aziatikë të Hamilton që të kthehen në rolin e tyre historik si djep dhe bastion i proteksionizmit. Tani Trump thotë se “Më së pari Amerika” nuk do të thotë “vetëm Amerika” dhe është i gatshëm që të rihyjë në TPP. Ka mundësi që do të asistojmë në ndryshime të tjera kursi të kësaj natyre, pasi vetëm tani, pas më shumë se një viti, Presidenti po fillon të pranojë sfidën e mrekullueshme e paraqitur nga Kina dhe përpjekjen e madhe që do t’u duhet Shteteve të Bashkuara për të ruajtur hapin e rivalit të tyre më të vendosur dhe më dinamik.

(Pankaj Mishra është një shkrimtar dhe eseist indian)

Përgatiti: ARMIN TIRANA / bota.al

Leave a Reply

Back to top button