Bota

MURET / Barriera të lashta sa njeriu. Por Interneti i “zhduk” të gjitha

Gjithësecili ka justifikimet e tij, por në botën e ashtuquajtur të globalizuar, ata mure të kujtojnë imazhin e një njeriu që, duke mbajtur telefonin mbërthyer mes supit dhe veshit, ulet për të lidhur një objekt primitiv, siç janë lidhëset e këpucëve

Ashtu si çdo mur që ndan shtete dhe popuj, ai i paralajmëruar nga presidenti i ri i SHBA – në të vërtetë një zgjatim i ekzistuesit – të sjell menjëherë në mendje dy mure të tjerë.

I pari Muri i Madh Kinez, vepra gjigande e ndërtuar, në shekullin III para Krishtit, në kohën e mbretërimit të Chin Shih-Huang-Ti, për të mbrojtur kufijtë jugorë nga fiset mongole. I gjatë më shumë se 8000 kilometra, i lartë nga 4.5 deri 12 metra, i gjerë deri 9.5 metra, ai lidhte fortesa të pasulmueshme.

I dyti është Muri “par excellence”, ai që shumëkush prej nesh e mban mend të ngritur, në funksion të plotë. I quajtur edhe Muri i Turpit, e ndërtuan në një natë gushti të vitit 1961, sovjetikët dhe komunistët e Gjermanisë Lindore, duke e ndarë më dysh Berlinin: jo për t’u mbrojtur nga një pushtim, por për të mos lejuar gjermanët e sovjetizuar me forcë, që të largoheshin drejt lirisë.

Cilado qoftë arsyeja e ngritjes, muri-burg shkakton gjithmonë një shtytje instiktive më shumë se sa muri-barrierë. Në Berlin, të shumtë ishin ata që u vranë, teksa përpiqeshin ta kapërcenin, atë burg të gjatë 156 kilometra, të tjerë ia dolën, dhe më të shumtët mbetën të mbyllur, por përbindëshi i betonit nuk arriti ta kryejë funksionin, atë funksion të të gjithë të ngjashmëve të tij, pra që të mbante përgjithmonë të ndarë ata që ndodheshin këtej, nga ata që ndodheshin andej.

Nëse në Berlin Muri ra për shkak se u shemb sistemi sovjetik, Muri i Madh vërtetë pengoi një pushtim të madh mongol, por gjithësesi mongolët dhe popujt e tjerë të stepave e kapërcyen në grupe të vegjël, gjithmonë e më shpesh, deri kur të dy kulturat u asimiluan reciprokisht. Kjo gjë do i ndodhë Murit të Trumpit: do të pengojë ardhjen në SHBA të disa miliona të papunëve të tjerë nga Meksika, por në epokën e Internetit, nuk do të mund të pengojë hispanizimin e shoqërisë amerikane. Dhe e anasjellta. Ndodhi edhe me Murin e parë të historisë, atë të Adrianit, që u ngrit nga romakët për të ndarë Britanian e pushtuar, nga ajo që ishte ende në duart e pitëve dhe skotëve luftarakë. Dhe nëse e kujtojmë sot, kjo ndodh për shkak të sagës së George R. R. Martin, nga e cila është frymëzuar “Game of Thrones”. Pra, kush lëndohet nga muret, vdes nga eteri.

Muri i Adrianit, i ndërtuar në gjysmën e parë të shekullit II para Krishtit, është më i lashti i historisë, por kjo vetëm sepse edhe ata më të fortët janë shkërmoqur, dhe ne jemi të paditur. Muret e parë, jetëshkurtër, sado që të mbrojtur me gjak, janë ndërtuar sigurisht në epokën prehistorike, për të mbrojtur një grykëderdhje, një va, një rrugëkalim, nga një tjetër fis. E tillë është mendja e njeriut, të cilit i mungojnë vetëm materialet dhe teknika për të ndërtuar barriera të pakapërcyeshme dhe përfundimtare. Në vitin 1999 u zbulua, 200 kilometra në juglindje të Detit Kaspik, një mur i madh disa kilometra i gjatë, që është ende në fazë gërmimesh. Quhej Gjarpëri i Kuq, për shkak të ngjyrës së tullave, ishte i gjatë 195 kilometra, i gjerë deri 10 kilometra, dhe shërbente për të mbrojtur një zonë pjellore dhe të pasur me ujë, nga bastisjet e hunëve të bardhë. I mbrojtur nga fortesa dhe nga 36 mijë ushtarë, i shkaktonte frikë edhe Genghis Khanit.

Koha që na ndan nga këto vepra, na bën të na duken madhështore. Afërsia gjeografike dhe kohore me ato më të vonat apo që janë në ndërtim e sipër, bën të na duken thjesht të tmerrshme, dhe qoftë edhe vetëm emrat apo vendndodhja e tyre shkaktojnë frikë, pa mbërritur tek përmendja e funksionit apo materialeve me të cilat janë ndërtuar. Kujtojmë ndonjërin. Vija ushtarake e demarkacionit mes dy Koreve dhe vija e kontrollit të Kashmirit, mes Indisë dhe Pakistanit, që të paktën kanë një justifikim ushtarak dhe nuk arrijnë të na ngjajnë si një anakronizëm, as edhe sot, në epokën e raketave. Barrierat e ndarjes mes Izraelit dhe Territoreve palestineze, që ngrihen kundër atentateve me kamikaze. “Vija e Gjelbër” e Qipros, që e ndan më dysh ishullin, i cili është më i vogël se sa Siçilia dhe Sardenja. Vijat e Paqes që në Irlandën e Veriut, ndajnë katolikët nga protestantët. Janë edhe më pranë nesh muret që rrethojnë Ceutan dhe Melillan, qytetet spanjolle të Afrikës së Veriut, për të penguar qasjen e marokenëve.

Mund të vazhdojmë gjatë, me shumë shembuj të tjerë të realizuar apo në ndërtim e sipër, duke arritur deri tek muri i rërës, i cili prej vitit 1982 ndan më dysh Saharanë Perëndimore, për të mbrojtur nga luftëtarët e Frontit Polisario, territori i pasur i pushtuar nga Maroku, më pak se gjysmë shekulli më parë: një mur rëre i gjatë më shumë se 2700 kilometra, me tetë fortesa dhe një lartësi që shkon nga 1 deri në 30 metra.

Gjithësecili ka justifikimet e tij, por në botën e ashtuquajtur të globalizuar, ata mure të kujtojnë imazhin e një njeriu që, duke mbajtur telefonin mbërthyer mes supit dhe veshit, ulet për të lidhur një objekt primitiv, siç janë lidhëset e këpucëve. / Il Giornale – www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button