Kulture

Na “pëlqejnë” vrasjet, sepse duam emocionet e fortë

Një intervistë me shkrimtaren P. D. James, e cila ka ndërruar jetë pak kohë më parë: E konsideruar shkrimtarja më e madhe e gjallë e romaneve të verdhë, pavarësisht 86 viteve të saj, është gjithmonë e gjallë e aktive. Ironia e saj e butë dhe shpesh therëse, shfaqet shumë mirë nga fjalët e kësaj interviste të disa kohëve më parë

pd james

Përse kini zgjedhur që të mos vini përkrah Dalgliesh-it, inspektorit të shumë romaneve të tuaja, një Dr. Watson që ta mbështeste?

Nuk kam menduar kurrë që t’i bashkangjis Dalgliesh-it një figurë tip Watson. Edhe shkrimtarë të tjerë romanesh të verdha e kanë eliminuar këtë tip personazhi: Agatha Christie e ka eksperimentuar për një periudhë të caktuar qënien e një lloj Watson-i, Kapitenit Hastings, i cili shoqëronte në fillim Inspektorin Poirot. Pati jetë të shkurtër, sepse autorja e kuptoi se ishte një figurë paksa sipërfaqësore dhe e mërzitshme. Shumë shpesh, kur i shoqërohet një personazh fiks detektivit që kryen një hetim, kjo bëhet vetëm për të bërë pyetjet që do t’i bënin lexuesit. Por Dalgliesh ka skuadrën e tij që është gjithmonë e pranishme në hetim dhe që e shikojmë në mbledhje në momente vendimtare të hetimit: në ato raste bëhen pyetjet nga elementët me përvojë më të pakët.

Jeta juaj ka qenë një jetë shumë intensive. Ka qenë e vështirë të bashkonit rolin e nënës, bashkëshortes, funksionarit publik dhe atë të shkrimtares?

Po, ka qenë e vështirë dhe për këtë kam filluar vonë. Isha 35 vjeç kur kam bërë romanin tim të parë. Kam kuptuar se, sikur të kisha pritur momentin ideal për të ndërmarra aktivitetin e shkrimtares, ai nuk do të vinte kurrë dhe që kështu duhet që të isha unë që të krijoja copëza kohe, sepse përdryshe isha e destinuar të isha një prej shkrimtareve të frustruara. Kisha edhe aktivitetin tim në kuadër të Security Service britanik dhe nevojën për të vazhduar të punoja, sepse im shoq ishte kthyer nga lufta me një sëmundje të rëndë mendore dhe nuk kishte kurrfarë pensioni. Kështu që duhej të mendoja unë për mbajtjen e familjes time, tim shoqi dhe të dy vajzave të mia akoma të vogla. Kështu që bëhej një domosdoshmëri pajtimi i këtij aspekti të jetës, i sigurisë familjare dhe i aktivitetit prej shkrimtareje. Sigurisht, ishte e vështirë. Edhe për këtë, në vitet e para të aktivitetit tim kalonte shumë kohë nga dalja e një libri dhe e atij pasardhës.

E kini zgjedhur qysh nga fillimi i aktivitetit tuaj prej shkrimtareje përqafimin e gjinisë detective fiction?

Kam menduar për detective story si gjini sepse më pëlqente ta lexoja këtë tip letërsie qysh nga adoleshenca. Më pëlqenin dhe më apasiononin shkrimtarë të mëdhenj anglezë si Dorothy Leigh Sayers, Ngaio Marsh, Margery Allingham. Mendoja që ta arrija ta kisha dhe unë pjesën time të suksesit dhe, përderisa është një gjini popullore, shpresoja të kisha shanse të mëdha që veprat e mia të pranoheshin nga shtëpitë botuese. Më duhet edhe të them se më pëlqen që një libër ka një konstruksion të tijin, formën e tij: një hyrje, një pjesë qëndrore dhe një finale. Më pëlqen një skemë e fortë. Gjithmonë jam tërhequr nga forma dhe nga struktura e detective story sepse të jep mundësinë që të asociosh një ambientim shumë të gjallë, personazhe të vërtetë dhe vuajtës, me një marrativë të fortë, një rebus, një çështje që është ndërkohë e besueshme dhe origjinale. Pastaj krijon edhe kënaqësinë e të lexuarit.

Dalgliesh ka një formim të thellë kulturor. Citon Bibël, Chesterton, George Orwell, Henry James, Voltaire, Shakespeare… Pastaj përse e kini bërë një poet polic?

Një polic mund të jetë poet. Pse jo? Unë nuk njoh policë që të jenë edhe poetë të mirë, por mund të ketë. Njoh për shembull komisarë të Metropolitan Police të Londrës që janë persona jashtëzakonisht inteligjentë dhe doja të krijoja një hero që të kishte një talent të madh kulturor, një person me një dell artistik. Do të më pëlqente të krijoja një figurë që të ishte edhe muzikant, por nuk njoh aq muzikën aq sa duhet sa për ta bërë në mënyrë bindëse. E pëlqej shumë poezinë dhe kështu që më rezultonte natyrore zgjedhja për të krijuar një polic poet. Dalgliesh është një njeri me kulturë të madhe letrare: ka lexuar shumë për mua dhe di më shumë se unë nga letërsia. Ka lexuar shumë libra që unë nuk i kam lexuar dhe do të dinte të fliste shumë më mirë se unë. Ashtu si unë, pëlqen Jane Austin dhe, duke qenë bir i një kleriku fshati, është në njohje të traditës së Mbretit Xhek të Biblës, të Librit të Lutjeve dhe, për pasojë, është e natyrshme që t’i përmendë edhe këto burime. Është poet dhe që e njeh poezinë dhe kjo i përket si atij, ashtu edhe mua…

Në romanet tuaja, Anglia viktoriane e viteve Dyzet, Pesëdhjetë e Gjashtëdhjetë dhe Anglia e furishme e erës Wilson shkatërrohen krejtësisht. Pse këto histori vijnë jashtë nga ruling class anglez? Ishte një skemë që e kishit në mendje qysh nga fillimi apo ju ka dalë me kalimin e kohës? Historia juaj e findit zhvillohet në një vend ekskluziv dhe, megjithatë, edhe aty futet krimi…

Po, praktikisht deliktet për të cilat flas përgatiten në shoqërinë borgjeze, në klasën e mesme. Kjo sepse mua më interesojnë parasëgjithash motivacionet njerëzore. George Orwell thotë se nuk mund të ketë vrasje pa emocion të fortë. Si romancierë na interesojnë emocionet, motivacionet e forta. Ka personazhe që i përkasin klasës së mesme, të pajisur me arësimim të shkëlqyer dhe, për pasojë, nuk kanë as justifikime, as pretekste në bërjen e tyre kriminelë. Por nuk merem me një klasë të vetme: kam krijuar personazhe edhe me klasa të ndryshme. praktikisht në romanet e mi ka një kritikë ndaj shoqërisë moderne dhe Anglisë, ama saktësoj: nuk jam një shkrimtare didaktike, nuk kërkoj që të imponoj pikëpamjet e mia, mendimet e mia. Kërkoj që t’i vendos librat e mi në epokën aktuale dhe të përballoj tema që i çërkasin jetës bashkëkohore të të gjitha ditëve.

Si arrini ta realizoni këtë synim?

I vendos përsonazhet e mi përpara të njëta problemeve që të gjithë mund të kenë në jetën e tyre të përditshme dhe nganjëherë janë personazhe që kanë një qëndrim jashtëzakonisht kritik ndaj establishmentit, kurse nganjëherë janë pjesë e establishmentit, nganjëherë janë persona që kanë bindje fetare, herë të tjera janë ateistë. Tek ‘Drithërimat e vdekjes” është për shembull një prift në ishull. Personazhet e mi duhet të dialogojnë dhe kërkoj të krijoj personazhe që të kenë mendime apo qëndrime në kontrast midis tyre, qofsha unë dakord apo jo me to. Më vjen të mendoj se si baroneshë me një vend në Dhomën e Parëve, unë mund të dukem një figurë e establishmentit, por nuk më pëlqen të mendoj për veten në këtë mënyrë. Ndjehem shkrimtare, grua, nënë, gjyshe, stërgjyshe dhe, mbi të gjitha, që i përkas racës njerëzore dhe nuk më pëlqen që të ketë dallime midis qënieve njerëzore.

Fakti që Dalgliesh është goditur aq ashpërsisht në jetën private (një djalë i vdekur, guraja e vdekur dukë nxjerrë në dritë djalin), sipas jush, sa ka influencuar mbi karakterin tuaj dhe mbi raportin me personazhet e historive të tjera?

Kur përgatita romanin tim të parë që kishte si protagonist Dalgliesh, mendoja se ky detektiv nuk duhej të martohej. Ishte më e rëndësishme që të përqëndrohej mbi hetimet dhe nuk doja që të ekzistonte një bashkëshorte që të ndërhynte. Ama doja që të kishte një jetë emotive dhe kam krijuar kështu nmjë grua dhe një fëmijë, por i kam likuiduar menjëherë… Gjithësesi, ka lidhje sentimentale, por nuk është rrëfyer shumë me mia, kështu që nuk jam në dijeni të gjithçkaje. Ajo që kombinon në jetën private me një grua adulte dhe të vetëdijshme ka të bëjë me të, jo me mua. Duhet të jetë e qartë kjo. Megjithatë, tani është shumë i dashuruar dhe e dimë sesa është një person i rezervuar, është poet dhe privatllëku është i rëndësishëm për të. Ky fakt i të qënit i dashuruar natyrisht që krijon komplikacione…

Cilat kanë qenë modelet tuaja letrare?

Efektivisht mund të individualizohen influenca të ndryshme nga ana e shkrimtarëve të ndryshëm. Shkrimtarja ime e preferuar është Jane Austin, nga e cila kam mësuar patjetër rëndësinë e ndërtimit. Pastaj Graham Greene përsa i përket narrativës dhe tensionit të vazhdueshëm në histori. Shkrimtarë të shumtë kanë qenë burim frymëzimi: në aspektin e detective fiction Dorothy Leigh Sayers, por edhe Wilkie Collins, autore e një romani të madh viktorian, The Moonstone, dhe që është përcaktuar nga Wilson si romani më i gjatë, më i parakohshëm dhe më modern i romaneve detective fiction. Nga ky libër kam mësuar rëndësinë e paraqitjes së perspektivave të ndryshme, në mënyrë që të ekzistojnë pikëpamje dhe perceptime të personazheve të ndryshëm dhe kështu të shfaqet kompleksiteti i librit.

Cili është raporti juaj me kinemanë?

E konsideroj veten me fat pse ka pasur kohë më parë përshtatje televizive shumë të mira të bëra nga BBC-ja dhe e mbaj veten akoma me më shumë fat respektivisht kolegëve të tjerë shkrimtarë. Në mënyrë të veçantë përshtatjet e para qenë të një cilësie shumë të lartë sepse kishte më shumë hapësirë, më shumë diapazon dhe mund t’i kushtoheshin një romanë gjashtë apo shtatë seri, ndërsa më vonë, duke pasur një buxhet më të ulët, janë realizuar vetëm dy seri për libër. Është bërë vetëm një film nga romanet e mi dhe tani përgatitet të dalë një tjetër sepse kam dëgjuar që përshtatja filmike e “Bijtë e njeriut” është mirëpritur në Festivalin e Venecias.

Ju kanë përcaktuar si trashëgimtaren e Agatha Christie. Kjo gjë ju pëlqen apo nuk ju pëlqen?

Jemi shkrimtare shumë të ndryshme, veçanërisht sepse Agatha Christie shkruante shumë vite më parë. Nuk mendoj se ka qenë një romanciere e madhe, por ishte një grua jashtëzakonisht inteligjente që ka ditur t’u japë kënaqësi shumë personave si në momente historike të vështira, ashtu dhe në epoka më të lehta e të lumtura dhe kjo nuk është gjë e pakët.

Përgatiti

ARMIN TIRANA

www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button