Histori

Misteri i D. B. Cooperit. 43-vjeçari që u hodh nga avioni me 200 mijë USD

Screen Shot 2015-06-12 at 2.23.16 PM

Personi që bleu biletën me emrin Dan Cooper u ul në sediljen 18c të fluturimit Northwest Orient Airlines, nga Portlandi në Oregon, në drejtim të Seattle. Në bord ishin edhe 36 pasagjerë të tjerë, shumë prej tyre po shkonin në shtëpi për të festuar Ditën e Falënderimeve, festa më e dashur e amerikanëve.
Cooper porositi dhe pagoi një pije. Tymosi një cigare. Atëherë lejohej. Asgjë e çuditshme. Rri i qetë, duke i hedhur herë pas here nga një sy çantës që mban poshtë sediljes. Pak momente pas ngritjes në ajër, që ndodh në orën 14:50 të 24 nëntorit 1971, i bën me shenjë stjuardesës dhe i jep një pusullë, ku është shkruajtur: “kam një bombë në valixhe”. Më tej, udhëzime të tjerë: kërkon 4 parashuta dhe 200 mijë dollarë. Një shumë e madhe për kohën. Kërkon që ta marrin seriozisht, kështu hap me ngadalë valixhen e vogël për t’i treguar se çfarë ka brenda. Aty ka cilindra me fije elektrike, tuba që të kujtojnë ata të një bombe. Stjuardesa lajmëron kapitenin, i cili nga ana e tij kontakton me autoritetet. Janë në një lartësi të madhe, por përgjigja është e menjëhershme: pranojmë. Eshtë ora 17:24. 15 minuta më vonë, Boeingu 727 ulet në Seattle.
Siç parashikohej, pasagjerët zbresin, në bord qëndron vetëm ekuipazhi dhe “Cooper”, i përshkruar si një burrë rreth të dyzetave, i gjatë pothuajse 1.80. Vijnë paratë, policia sjell parashutat. “Jo të llojit ushtarak”, ka saktësuar rrëmbyesi misterioz. Policët binden. Avioni rifurnizohet dhe në orën 19:40 ngrihet sërish në ajër. “Ktheu drejt jugut, po shkojmë në Meksikë”. Pirati i ajrit urdhëron komandantin që të fluturojë me një shpejtësi minimale, në një lartësi prej 3 mijë metrash. Të gjithë i binden. Kalojnë disa minuta shumë të shpejtë. Në orën 20, në kabinën e pilotit ndizet sinjali që lajmëron hapjen e derës së pasme të Boeingut. 13 minuta më vonë ndodh diçka e pabesueshme. Z. Cooper lëshohet në një zonë – koordinatat janë të përafërta – përgjatë lumit Ljuis, në jug të shtetit të Uashingtonit.
Rrëmbyesi ka zgjedhur vërtetë një natë të keqe për të provuar goditjen e jetës. Koha është e keqe, bën ftohtë dhe bie shi i madh. Dhe nuk duket se kishte veshjet e duhura. Një xhaketë e zezë ashtu si edhe kravata. Duket një biznesmen dhe jo një rambo. Errësira e gëlltit.
Policia lokale, FBI dhe madje edhe ushtarët e Gardës Kombëtare nisin ndjekjen për “Cooperin”. Në fillim përgjatë lumit, më tej e zgjerojnë kërkimin. Hetuesit fillojnë të punojnë me ato gjëra që gjejnë: një gjurmë ADN-je, një kravatë, gjurmët e panjohura, një bisht cigareje që ka lënë pas pasagjeri. Më tej fillohet me dëshmitë. Jo konkludues, ashtu si edhe identiteti i përdorur për blerjen e biletës. “Dani” i ka bërë shumë mirë gjërat. Hetuesit kërkojnë dhe rikërkojnë. Verifikojnë dosjet e të dyshuarve të mundshëm, veritikojnë tregues edhe të pamundur. Duhet të mendojnë për një ish-parashutist. Një që kishte guximin të hapte derën e pasme të një avioni dhe të hidhet në boshllëk.
Sinjalizimet shumëfishohen, të ushqyer prej legjendës së njeriut që u bë i njohur si “DB Cooper”, për shkak të një gabimi në të shkruar nga ana e një gazetari. Ka të çmendur – që edhe aq të çmendur nuk janë – që shkojnë në kërkim të “eshtrave” të tij duke shpresuar të gjejnë paratë. Mund të tingëllojë e pabesueshme, por dikush gjen diçka. Quhet Brian Ingram, një fëmijë jo më shumë se 8-vjeçar i cili përshkon bashkë me familjen e tij lumin Columbia, në veri të Portlandit. Poshtë gjetheve, djali i vogël zbulon tre pako me kartëmonedha, gjithsej 5800 dollarë, të vjetëruar prej kohës. FBI konfirmon: janë pjesë e parave që iu dhanë Cooperit. Eshtë shkurti i vitit 1980.
Ato kartëmonedha janë i pari sinjal i vërtetë. Dhe bëjnë të debatojnë hetuesit, ashtu si dhe të apasionuarit pas mistereve. Ndoshta Cooper i ka fshehur dhe më pas nuk ka arritur të kthehet t’i marrë. Ose i kanë rënë gjatë hedhjes me parashutë. Ose i ka sjellë aty rryma e lumit, siç thotë një studiues.
Ok, tani kemi një pjesë të thesarit, po ku përfundoi DB Cooper? Agjentët janë të bindur që ka vdekur. I vrarë prej stuhisë apo prej përplasjes me tokën, natën e 24 nëntorit 1971. Të tjera hipoteza: ka kryer shërbimin ushtarak, merrte vesh nga avionët dhe ishte mësuar me jetën në kushte ekstreme. Më tej sugjerojnë: ndoshta për emrin është frymëzuar nga një libër franko-belg me kartona, shumë i njohur në vitet ’60, “Dan Cooper”, ku protagonisti ishte një as i qiejve.
Sugjerime që kanë mbetur pezull, duke e amplifikuar legjendën e “më të kërkuarit”. Në këta vitet e fudnit kanë dalë shumë njerëz që thonë se janë bijtë, nipërit, vëllezërit, motrat e DB. FBI i ka dëgjuar të gjithë, në ndonjë rast ka kryer testin e ADN-së, falë një prove që kishte gejtur në avion.
Përgjigja negative. E vërteta mbetet e fshehur në pyejt e Perëndimit të Madh. Gjithmonë nëse njeriu fluturues ka arritur t’ua hedhë të gjithëve. /corriere.it/

Pershtatur ne shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button