Histori

Ndryshimet që i bëri artit të luftës Napoleon Bonaparti, një nga gjeneralët më të mëdhenj të historisë

Napoleon Bonaparti ishte një nga gjeneralët më me influencë në histori. Duke kombinuar idetë e teoricienëve më të shquar ushtarakë të epokës së tij, me studimin e gjeneralëve të mëdhenj të lashtësisë, ai e transformoi mënyrën se si ushtria franceze luftonte. Kundërshtarët e tij u përpoqën të përshtaten. Ndërsa brezat e ardhshëm studiuan, zhvilluan dhe adoptuan teknikat e tij.

Çfarë bëri Napoleoni që ishte ndryshe?

LEVIZJA

Napoleoni vuri theks të madh tek lëvizja, si pjesë e luftës. Kjo u tregua më së miri gjatë fushatës italiane të viteve 1790. Duke lëvizur trupat e tij anembanë vendit, ai vazhdimisht i tejkaloi austriakët dhe aleatët e tyre piemontezë. Kjo i bënte të mundur që t’i luftonte betejat, në një kohë dhe vend që i shkonte për shtat atij. Ai i luftonte forcat armike një nga një, në vend që t’i lejonte të bashkoheshin.

Njëqind vjet më vonë, ky stil beteje dominonte ende mendimin e komandantëve ushtarakë evropianë. Lufta e Parë Botërore u udhëhoq nga njerëz të përkushtuar ndaj një lufte në lëvizje, që, përkundër të gjitha provave, vazhduan të besonin se mund të arrihej.

ARTILERIA

Të kuptuarit që Napoleoni kishte për matematikën, si dhe taktikën dhe komandën e bënin atë një artilier të aftë. Ishte në këtë degë të ushtrisë, që ai nisi ngjitjen drejt pushtetit. Duke përdorur artileri për të shuar një trazirë në Paris, ai fitoi mbështetjen e qeverisë.

Pa dyshim, ai ishte një novator në këtë fushë. Napoleoni e shtyu ushtrinë franceze në drejtim të armëve në terren, të cilat mesatarisht ishin më të lehta se ato të kundërshtarëve të tyre britanikë. Kjo lejoi që armët të lëviznin shpejt në fushën e betejës dhe të përdoreshin me efekt maksimal.

Ai gjithashtu e përqendroi fuqinë e armëve të tij. Në vend që t’i shpërndante ato për të siguruar mbështetje për këmbësorinë, ai mblodhi bateri të mëdha të lëvizshme. Fuqia e tyre e zjarrit e koordinuar mund të shkaktonte dëme të konsiderueshme në formacionet e armikut. Kjo ishte paraardhësja e baterive gjithnjë në rritje të 100 viteve të ardhshme.

FURNIZIMET

Ndryshimi që bëri Napoleoni në furnizimet nuk ishte një risi, por ishte i rëndësishëm për mënyrën se si luftoi.

Në një përmbysje të taktikave të zakonshme në mesjetë, Napoleoni kishte për qëllim të ushqente ushtritë e tij nga toka, në vend që të transportonte me to vëllime të mëdha furnizimesh. Kishte dy përparësi kjo mënyrë, në mbështetje të luftës së tij në lëvizje. Së pari, kjo do të thoshte se ushtritë e Napoleonit nuk ishin të ngarkuara me barrën e furnizimeve dhe ngadalësinë e vagonave. Së dyti, kjo e bënte më pak të varur nga linjat e furnizimit në Francë, duke e bërë më pak të goditshëm përballë manovrave të armikut.

Kjo taktikë ishte e kundërta e saktë e novatorit të madh të një shekulli më parë, Duka i Marlborough, i cili kishte vendosur theksin në blerjen e furnizimeve për të siguruar vullnetin e mirë të vendasve.

ORGANIZIMI I TRUPAVE

Organizimi i ushtrisë franceze ndryshoi me Napoleonin. Ai i ndau forcat e tij në trupa të aftë për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe pastaj për t’u bashkuar në betejë. Çdo trupë mund të marshonte dhe të luftonte veçmas, nëse thirrej për ta bërë këtë. Ata mund të lëviznin më shpejt, sesa kur ushtria marshonte si një e tërë.

Nën udhëheqjen e komandantëve të talentuar të trupave, këto ndarje ishin sidomos të dobishme në fushëbetejë dhe në marshim. Ato u bënë njësitë kryesore të ushtrisë franceze, duke siguruar strukturën e gjerë të ushtrisë franceze në betejë.

PERQENDRIMI TEK SHKATERRIMI

Megjithëse metodat e Napoleonit ishin për manovrat e zhdërvjellta ndaj armikut, qëllimet e tij ishin të qarta. Ndryshe nga shumë prej paraardhësve të tij, ai u përqendrua në shkatërrimin e plotë të ushtrive armike. Qëllimi nuk ishte vetëm për t’i mposhtur ose larguar ato. Ai donte t’i godiste me vendosmëri në një betejë të vetme, duke eleminuar aftësinë e tyre për të luftuar dhe duke i detyruar të negociojnë me kushtet e tij. Ishte një qasje që u përsërit një shekull më vonë në përpjekjen e Gjeneralit Haig në Luftën e Parë Botërore, për të bërë që të rraskapiteshin burimet e armikut, përtej aftësisë për të luftuar.

SHKALLA E LUFTES

Objektivat strategjike të Napoleonit nuk ishin të vetmet që i bënin luftërat e tij jashtëzakonisht shkatërruese. Shkalla e gjerë e luftës napoleonike luajti një rol të madh.

Revolucioni Francez e kishte vënë këtë ndryshim në lëvizje. Për të mbrojtur vendin dhe për të eksportuar vlerat e tij radikale, qeveritë republikane kishin nevojë për ushtri të mëdha. Ato krijuan rekrutimin, për herë të parë në historinë moderne të Evropës.

Napoleoni zhvilloi këto ligje të rekrutimit dhe përdorte trupat që siguronte prej tij. Me ta, ai luftoi luftëra në një shkallë të pashembullt. Nga Portugalia në Perëndim drejt Rusisë në Lindje, e gjithë Evropa dëgjoi gjëmimin e topave.

LEVIZJA PRAPA

Napoleoni popullarizoi dy strategji specifike ushtarake.

Një nga këto ishte “Maneuver De Derrière” – lëvizja në pjesën e prapme. Ajo përfshinte marshimin e ushtrisë përreth armikut dhe në linjat e tij të komunikimit. Falë faktit që jetonte larg tokës, Napoleoni ishte më pak i prekshëm nga ndikimi negativ i kësaj manovre, që mund të ndërpriste furnizimet dhe ta bënte armikun nervoz.

Pasi pritej në këtë mënyrë, ushtria armike detyrohej të kthehej dhe të përballej me Napoleonin. Ai mund të zgjidhte se ku duhej të luftonte. Armiqtë e dinin se nuk mund të përballonin të humbnin dhe demoralizoheshin kur manovroheshin në këtë mënyrë.

POZICION QENDROR

Strategjia tjetër ishte pozicioni qendror. Napoleoni e përdori këtë kur u përball me më shumë se një armik, ose një ushtri armiku që ishte e ndarë. Duke mbajtur një pozicion qendror, ai mund t’i ndante armiqtë e tij. Ai do ta mbante një të tillë me një pjesë relativisht të vogël të ushtrisë së tij, ndërsa mundte forcën tjetër.

Jo të gjitha ndryshimet e Napoleonit ishin radikale, por të gjitha luajtën një rol në formimin e luftës moderne. / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button