Personazhe

Në emër të nënës

Midis burimeve të saj të frymëzimit Kamala Harris citon shpesh nënën e saj, Shyamala Gopalan, e emigruar në Berkeley nga India. Një model pavarësie dhe vendosmërie.

Sharon McGaffie ishte mësuar ta kishte shtëpinë plot me njerëz. Një mbrëmje, në muajt e parë të 1969, kushëriri i saj Aubrey LaBrie solli me vete, siç bënte shpesh, një grup miqsh. Shtëpia, një bifamiljare në West Berkeley, trasformohej kështu në një pikëtakimi e improvizuar për intelektualë të rinj zezakë, një vend ku mund të diskutohej me zjarr, por miqësisht, për lajmet e fundit, që në atë kohë kishin të bënin sidomos me luftën për të drejtat civile dhe presidentin e sapozgjedhur Richard Nixon. Akoma adoleshente, McGaffie bënte detyrat ndërkohë që e ëma dhe një kushërirë tjetër gatuanin gumbo, një gjellë tipike e Louisiana, një prej të preferuarat e familjes. Atë mbrëmje ishte një person që Mc-Gaffie nuk e kishte parë kurrë: një grua imcake, e veshur me sari, e quajtur Shyamala Gopalan. “Binte në sy sepse ishte indiane”, kujton McGaffie. Por Gopalan nuk jepte përshtypjen se ndjehej jo mirë. Mori pjesë në diskutime dhe në një moment të caktuar hyri në kuzhinë dhe nisi të flasë me nënën e Sharon. “Ishte absolutisht komode”, rrëfen LaBrie. Gopalan kishte kaluar një pjesë të mirë të jetës duke kërkuar që të ndjehej komode në vende ku nuk ishte aq e mirëqenë të ishte. Kur la Indinë në vitin 1958, në moshën 19 vjeçare, për të studiuar në Universitetin e California në Berkeley, qe një prej indianeve të pakta në shkollë. Në realitet ishte një prej indianeve të pakta në të gjithë Shtetet e Bashkuara. 5 vite më vonë ju shmang traditës së martesës më shkuesi dhe u dashurua me një ekonomist në profesion të quajtur Donald Harris. Vajzën e tyre të parë e quajtën Kamala, “lule lotusi” në sanskritisht.

Të rrëzosh barrierat

Zëvendëspresidentja e parë aziatike dhe zezake e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris e ka përmendur shumë figurën e së ëmës, e vdekur nga një kancer në zorrë më 2009, gjatë fushatës elektorale. E ka cituar aq shpesh në mitingjet e saj sa që raporti midis të dyjave është bërë një temë e zakonshme: në diskutimin e saj në konventën kombëtare demokrate të gushtit, Harris e ka quajtur të ëmën “njeriu më i rëndësishëm i jetëës time”, një burim frymëzimi baraz me Fannie Lou Hamer (një aktiviste amerikane e njohur e të drejtave civile) dhe Shirley Chisholm (gruaja e parë afroamerikane e zgjedhur si deputete në Uashington). “Mbështetem mbi shpatullat e një gruaje tjetër, të nënës time Shzamala Gopalan Harris”, ka deklaruar Kamala. Gjatë debatit midis kandidatëve për zëvendëspresidencën, Harris ka folur për të gjitha barrierat që po rrëzonte duke u paraqitur si zëvendëse e Joe Biden dhe ka shtuar se Gopalan “po shikonte gjithçka nga lart”. Edhe emri i koduar që i kanë vënë shërbimet sekrete, Pioneer (Pioniere), është një referim ndaj origjinës së Harris. Por më përpara akoma se Kamala Harris të lindte, Gopalan po rrëzonte barriera të tjera. Qëndrimi i saj ishte e llojit “jam e bërë kështu”, rrëfen Lenore Pomerance, mike e vjetër e Gopalan, me të cilën u njoh në vitin 1961. I njëjti mentalitet duket se ka shoqëruar Harrië nga fëmijëria, në Berkeley, deri në pragun e Shtëpisë së Bardhë. “Mos lejo të të thonë të tjerët se kush je”, i thoshte Gopalan. “Je ti që duhet t’ua thuash”. Bijë e një funksionari të lartë të administratës koloniale britanike në Indi, Gopalan pati një fëmijëri komode. U lind në Madras (sot Chennai), në jug të Indisë, por puna e të atit e çoi familjen edhe në Bombay (Mumbai), Calcutta dhe Neë Delhi, ku Gopalan bëri pjesën më të madhe të shkollimit. Kur ishte 9 vjeç, më 1947, India u çlirua nga dominimi britanik. Një vit më vonë u vra Mahatma Gandhi. Pas pavarësisë së vendit babai i saj, P. V. Gopalan, koordinoi sistemimin e refugjatëve që iknin nga Bangladeshi i sotëm drejt Indisë.

Këto përvoja kontribuan që të  injektohej tek Gopalan besimi se kishte mundësi të shumta përara vetes. Mori një diplomë në shkenca shtëpiake, që në Indi shërbente për të përgatitur vajzat për jetën e shtëpisë, por më pas kuptoi se donte të bëhej një shkencëtare e vërtetë. Në atë kohë pak femra vazhdoni studime pas diplomës, pa llogaritur se studentët indianë përgjithësisht duhej ta zgjidhnin rrugëtimin e tyre universitar me qëllimin e shkollës së lartë. Për të ndryshimi i rrugës ishte thuajse i pamundur. Dëgjoi të fllitej për një doktoraturë në Berkeley në ushqim dhe endokrinologji dhe aplikoi. “Kur Shyamala shprehu dëshirën për të studiuar në California, babai i tha: “Shko, patjetër””, rrëfen Gopalan Balachandran, vëllai i vogël i Shyamala. “Edhe ai ishte larguar nga shtëpia i ri për të punuar në Delhi,  ku nuk njihte askush. Fakti që Shyamala donte ta imitonte nuk ishte problem”. Në realitet ishte një gjë e zakonshme, edhe për një familje kaste të lartë si ajo e Gopalan. Ende sot India është një vend thellësisht patriarkal dhe ishte akoma më shumë kur Gopalan u nis për Berkeley. Përqindja e alfabetizimit të grave ishte shumë i ulët se i burrave dhe abortimi selektiv në bazë seksi, edhe pse i paligjshëm, është ende i përhapur. Nëna e Gopalan nuk kishte frekuentuar shkollat e larta, si shumë indiane të tjera të kohës. 60 vite më pparë të dërgojë vajzën për të studiuar jashtë shtetit, mijëra kilometra larg, ishte një gjë jashtëzakonisht e përparuar.

Epoka e protestave

Nëse vendimi për ta lënë familjen në Indi duhet të ketë qenë ii vështirë për Gopalan, edhe ardhja në vendin tjetër aq e re nuk duhet të ketë qenë e lehtë. Sot indianët amerikanë janë rreth 4 milion dhe emigrantët e rinj mund të llogarisin mbështetjen e këtij komuniteti. Gopalan erdhi në Shtetet e Bashkuara në një epokë ku ligjet e emigracionin impononin kuota të ngurta për ardhjet nga Azia: indianëve të cilëve u lejohej të transferoheshin në Shtetet e Bashkuara qenë maksimumi 100 në vit. Gopalan u bë një prej 12000 indianëve që jetonin atje, pjesa e madhe e të cilëve qenë meshkuj. U duhej të përballeshin me një racizëm të konsiderueshëm. Nga sa tregon McGaffie, Gopalan ndjehej e diskriminuar në vendin e punës. “Në atë kohë çdo femër e ardhur nga India konsiderohej disi si outsider”, shpjegon Anirvan Chatterjee, një historian jo me profesion që merret me komunitetet e Azisë Jugore në Berkeley. Kur Gopalan erdhi në Shtetet e Bashkuara, ishin në zhvillim protesta të shumta: kundër padrejtësisë raciale, imperializmit, luftës në Vietnam. Berkeley ishte në qendër të gjithë kësaj. Gopalan u lëshua me mish e me shpirt.

Në 1960 studentët zezakë e North Carolina organizuan një sit-in proteste kundër ligjeve për segregacionin racial duke u ulur në tavolinat e mëdha të një restoranti të zinxhirit Woolworth’s, një aksion që pati një rezonancë të madhe në mjetet e informimit. Gopalan mori pjesë në një sit-in në Woolworth’s lokal në shenjë solidarieteti. U afrua edhe me një grup studentësh zezakë, Afro American Association, që mblidhej për të studiuar veprat e shkrimtarëve zezakë si W.E.B. Du Bois e Ralph Ellison, dhe kontribuonte për të futur black studies në universitetet e të gjithë vendit, duke siguruar pjesën më të madhe të arsenalit partisë së Black Panther. “Qe një inkubator për lëvizjet e ndërgjegjësimit dhe të fuqisë zezake”, shpjegon LaBrie, që edhe vetë mori pjesë. Gopalan ishte jo zezakja e vetme e grupit. Falë aktivizmit për të drejtat civile, Gopalan njohu Donald Harris, një doktorant i Berkeley i ardhur nga British Jamaica. Harris kishte mbajtur një diskutim në një event jashtë kampusit dhe Gopalan shkoi t’i prezantohej. Të dy nisën të dilnin bashkë dhe pak vite më vonë u martuan, “në gjykatë, gjatë pushimit të drekës”, rrëfen Pomerance. Çifti pati dy vajza, Kamala dhe Maya. Sot Maya është avokate dhe këshilltare e së motrës. Duke shmangur një martesë me shkuesi dhe duke zgjedhur një bashkëshort zezak, Gopalan “shkeli” shumë zakone. Racizmi kundër zezake dhee diskriminimi në bazë të ngjyrës së lëkurës janë ende të përhapura në India dhe në diasporën indiane. Në një hulumtim të 2012, Pew Research Center pyeste indianët amerikanë se çfarë raporti kishin me afroamerikanët: rreth ¼ u përgjigj “jo shumë të mira ose aspak të mira”. Vetëm 7% u shpreh njëlloj për të bardhët. Raporti midis Gopalan dhe Harris “qe jashtëzakonish revolucionar”, komenton Sooni Taraporevala, skenariste e filmit Mississippi Masala, ku një grua indiane dashurohet me një zezak. “E kemi xhiruar filmin në vitet ’90. Edhe atëhere ishte gjë jashtëzakonisht e rrallë”.

Në Indinë e viteve ’60 ajo martesë qe një skandal. Balachandran, vëllai i Gopalan, rrëfen se prindërit e tij u ndjenë të prekur e të zhgënjyer, por reagimi i tyre nuk kishte të bënte aspak me faktin që i shoqi ishte zezak. “Problemi është se nuk e kishin njohur bashkëshortin më parë”, shpjegon ai. Por Gopalan ishte e bindur se jo të gjithë indianët do ta pranonin. “E dëgjova të thoshte se nuk do të mund t’i çonte vajzat në Indi pasi ishte martuar me një jashtë komunitetit të saj, me një zezak”, rrëfen McGaffie, nëna e së cilës merrej shpesh me Kamala dhe Maya pas shkollës. Më 1971 Gopalan kërkoi divorcin, që ashtu si martesa, qe motiv polemikash. India regjistron një prej përqindjeve më të ulëta të divorcit në botë, pjesërisht për shkak të stigmës së thellë, sidomos për gratë. Nga mënyra sesi flet Kamala Harris kuptohet se qe një moment i vështirë për të ëmën dhe familjen. “Besoj se për time më divorci ka përfaqësuar një lloj falimentimi që nuk e kishte marrë në konsideratë”, ka shkruar Harris në autobiografinë e saj The Truths We Hold: An American Journey (Penguin 2019). “Martesa e saj qe një akt rebelimi sa dashuria. Shpjegimi prindërve do të kishte qenë mjaft i vështirë. Shpjegimi i divorcit, imagjinoj, qe edhe më i vështirë. Dyshoj se i kanë thënë ndonjëherë “A të thamë?”, por këto fjalë gjithsesi mund t’i kenë kaluar në kokë”. Harris rrëfen shpesh sesi e ëma e çonte në manifestimet “lidheni mirë në karrocë”. Asaj i ka kushtuar një video në fushatën elektorale, duke i atribuar meritën se ka injektuar “tek ime motër Maya dhe tek unë vlerat që do të përkufizonin rrjedhën e jetës tonë”. Një prej këtyre vlerave është refuzimi për t’u kufizuar nga pritshmëritë e shoqërisë. Gopalan nuk u konformua kurrë me idetë që kishin të tjerët se cili duhej të ishte vendi i saj dhe ua sqaroi përgjithmonë të bijave se do të duhej të vepronin njëlloj. “Nëqoftëse nuk përkufizohesh vetë”, thoshte ajo, “do të kërkojnë të përkufizojnë të tjerët”. Në momentin e divorcit, Gopalan kishte mbaruar Doktoraturën dhe punonte në fushën e kërkimit lidhur me kancerin në Berkeley. Ruajti mbajtjen e Kamala dhe Maya, që e shikonin të atin, pedagog në Stanford University, gjatë fundjavave dhe gjatë pushimeve verore. Kur Harris ishte 12 vjeç, Gopalan pranoi një vend pune në Mc – Gill University dhe familja u transferua në Montréal.

Gopalan ishte një nënë e dashur dhe mbrojtëse. Por duke qenë e vetme, kishte pak durim për gjërat e kota. Për mëngjes të bijave u jepte lëng frutash dhe merendina, pasi, siç lexohet në autobiografinë e saj, ai “nuk ishte moment ku duhej humbur kohë”. Kur Kamala apo Maya ktheheshin në shtëpi të mërzitura për diçka që u kishte ndodhur në shkollë, Gopalan i ftonte që të reflektonin lidhur me përgjegjësitë e tyre, duke i pyetur se çfarë kishin bërë gabim. Dhe nuk ia fshihte se do të duhej t’i përballonin pengesat, pasi prindërit e tyre qenë me grupe etnike të ndryshme. “Nuk i fliste siç flitet me fëmijët”, kujton McGaffie. “Me to bënte biseda si me të rritur”. Shkonin rregullisht të vizitonin familjen në Indi, ku Harris bënte shëtitje të gjata në plazh bashkë me gjyshin dhe mësonte që të falej në tempullin hindù. Në shtëpi Gopalan bënte gjellë indiane, por edhe pas divorcit deshi t’i rriste të bijat duke ju kultivuar identitetin zezak. Kamala dhe Maya këndonin në korin e fëmijëve të një kishe baptiste zezake. Të enjten mbrëma “Shyamala dhe vajzat” frekuentonin Rainboë Sign, një qendër kulturore zezake në Berkeley. Gopalan, shkruan Harris, “e dinte se vendi i saj i adoptimit do t’i shikonte Maya dhe unë si vajza zezake dhe ishte e vendosur që të rriteshim si vajza zezake krenare dhe të sigurta në vetëvete”. Në atë kohë për një indiane bëhej fjalë për një zgjedhje të pazakontë. “Nuk është se nuk e vriste mendjen, por është kështu që e jetonte jetën e saj dhe, nëse ndokush nuk ishte dakord me të, nuk e kishte problem fare”, rrëfen LaBrie. Në këtë Kamala i ngjan: “Unë jam kjo që jam dhe nuk e kam problem. Ndoshta të tjerët kanë nevojë të më inkuadrojnë, por për mua është mirë kështu”.

Qëndrimi i Harris në politikë bart gjurmët e influencës së nënës. Edhe pse Partia Demokrate është e ndarë midis progresistësh dhe të moderuarish, ajo është një prej drejtuesve të pakta politikat e së cilës nuk futen qartazi me një prej dy rreshtimeve. Kur ishte prokurore në San Francisco dhe më pas si Prokurore e Përgjithshme e California, Harris nuk ka qenë saktësisht model progresizmi. Ka refuzuar kërkesën për testime të reja të ADN që do të kishin mundur të shfajësuar një të dënuar me vdekje dhe i ka rezistuar presioneve të aktivistëve lokalë me qëllim që të hapeshin hetime lidhur me përdorimin e armëve nga policia kundër zezakëve. Edhe pse kohët e fundit është afruar me pjesën më progresiste të partisë – më 2019 në Senat ka qenë midis atyre që kanë votuar më majtas – është kundër zgjerimit të programit shëndetësor Medicare në të gjithë popullsinë dhe ka zhvilluar me Silicon Valley një raport më miqësor sesa shumë eksponentë të partisë. Gjatë primareve demokrate, kur idhtarët e së majtës Bernie Sanders dhe Elizabeth Warren e përqëndronin fushatën e tyre mbi “revolucionin politik” dhe mbi “ndryshimet e mëdha strukturore”, Harris ka thënë për “New York Times” se nuk “kërkon të rinovojë shoqërinë”. “Në një farë kuptimi është refraktare ndaj etiketave”, shpjegon Ron Hayduk, studiues i Shkencave Politike në San Francisco State University. “Ka marrë pozicione që nuk përfaqësojnë asnjë prej dy kampeve. Kjo i ka shtyrë votuesit që ta vënë në dyshim autenticitetin e bindjeve të saj”.

E drejta për të luajtur

Kjo tendencë për të “refuzuar zgjedhjet false” nuk ka shpërblyer kur Harris ka dëshiruar të paraqitet si kandidate për presidencën: ka dalë nga gara më përpara se të votohej për primaret. “Kërkonte të mbetej në mes të rrugës”, shpjegon Hayduk, “por kujt i intereson njeriu që qëndron në mes të rrugës, që kërkon të shkojë nga njëra anë dhe nga tjetra?”. Në të vërtetë  kati për të mos qenë ngushtësisht e lidhur me asnjë prej poleve ideologjike të partisë ka mundësi ta ketë bërë zgjedhjen e duhur si zëvendëse e Biden. Gopalan nuk mund ta këshillojë më Harris që të mos e vrasë më mendjen për pritshmërtiëe e të tjerëve, por zëvendëspresidentja e ardhshme ka mundësi që nuk do të kishte arritur aty ku është pa të. Duke ndjekur hapat e së ëmës, Harris organizoi një protestë kur ishte akoma adoleshente në Montréal, duke reklamuar të drejtën për të luajtur futboll në oborrin e pallatit. “Jam e lumtur që mund të them se kërkesat tona u pranuan”, ka shkruar Harris. Kur lançoi një fushatë të gjatë për t’u bërë prokurore distriktuale e San Francisco më 2003, Gopalan qe pjesë përbërëse e kësaj përpjekjeje: i shërbeu si shofere për ta shoqëruar në eventet e programuara, koordinonte vullnetarët dhe mblidhte konsensuse për kandidaturën e së bijës. Nuk ishte oborri ku vajza e saj nuk mund të luante. Asnjë post që nuk mund ta mbante. Gjatë gjithë jetës së saj, Shyamala Gopalan vazhdoi të kultivojë idenë e saj se çfarë ishte e mundur. Ndoshta fakti që një ditë vajza e saj do ta arrinte majën e piramidës politike amerikane është pikërisht një prej gjërave që duhet ta ketë imagjinuar.

(Rikha Sharma Rani për The Atlantic)

Përgatiti: ARMIN TIRANA

Back to top button