Analiza

Në Gjermani, frika e “Demokalipsit”

Screen Shot 2015-05-04 at 10.18.36

Frédéric Lemaître

Popullsia gjermane, në vitin 2060, nga 81 milion banorë, mund të arrijë në 68 milion banorë

Gjermania ka një “thembër Akili”: ajo është demografia e saj. Të dhënat e botuara më datë 28 prill nga Destasis, zyra federale e statistikës, e konfirmon atë. Nëse popullsia aktuale është 81 milion, ajo do të rritet edhe gjatë pesë deri shtatë viteve. Më pas popullsia do të ulet për të arritur në 68 milion persona në vitin 2060.

Nëse përqindja e lindjeve nuk ndryshon, do të ketë 500 000 lindje më pak se vdekje në këtë periudhë. Në numër më të pakët popullsie gjermanët do të jenë edhe më të moshuar: numri i personave në moshë për të punuar – 20 deri 64 vjeç – do të arrijë nga 49 milion sot, në më pak se 43 milion në vitin 2035 dhe midis 34 dhe 38 milion në vitin 2060.

Përkundrazi personat në moshë mbi 65 vjeç, që përbëjnë aktualisht një të pestën e popullsisë, do të përfaqësojnë një të tretën në vitin 2060. Dhe do të ketë nëntë milion persona me moshë mbi 80 vjeç, ose më shumë se dyfishi i numrit aktual.

Ndërkohë që në vitin 2013, për njëqind persona aktivë, kishte 34 pensionistë në vitin 2060 do të ketë 61 deri 63 pensionistë.

Për Roderich Egeler, president i Destatis, të dhënat e lindjeve dhe jetëgjatësisë janë mjaft të shënjestruara. Faktori i tretë është: bilanci i migrimit (ndryshimi midis imigrantëve dhe emigrantëve), që arriti në 429 000 persona në vitin 2013.

Aktualisht, në sajë të tij ndodh që popullsia nuk ulet, sepse qysh prej vitit 1972, në Gjermani ka më pak lindje se sa vdekje. Por Destatis nuk e beson që kjo tendencë të jetë e qëndrueshme. Nga viti 1950, bilanci i migrimit vjetor është rritur mesatarisht në 186 000 persona.

Parashikimet e zyrës federale mbështeten në të dhëna ku përfshihen 130 000 deri në 230 000 hyrje çdo vit.
Cilat mund të jenë pasojat ekonomike të tronditjes demografike? Roderich Egeler e pranon: “Kjo është çështja kyçe, por ne nuk kemi përgjigje”.

Fenomeni i shqetëson aq shumë gjermanët, sa ato i kanë vënë një emër: “Demokalipsi”. Me këtë thuhen të gjitha.

Mungesa e krahut të punës

E përjavshmja “Der Spiegel” ka botuar një seri me katër artikuj të gjatë. Tre pesimistët – specialistët e pyetur nga e përjavshmja nuk përjashtojnë një skenar të zi, me një numër banorësh 62 milion gjermanë në vitin 2060 – dhe një i fundit më optimist, duke shpresuar tek personat e moshuar në gjendje të mirë shëndetësore, rritja e produktivitetit në të ardhmen dhe imigracioni, e ardhmja e Gjermanisë nuk do të jetë aq e zymtë sa e pretendojnë atë pesimistët. Ndryshimi demografik i ka bërë të ndjehen tashmë efektet e saj.

Numri i fëmijëve të shkolluar është zvogëluar në 11 % gjatë dhjetë vjetëve. “Në Francë, 800 000 të rinj arrijnë çdo vit në tregun e punës dhe 650 000 dalin në pension. Duhet pra të krijohen të paktën 150 000 vende pune, për të stabilizuar papunësinë.

“Në Gjermani, ka gjithashtu 800 000 persona që hyjnë në vit në tregun e punës, por në të njëjtën kohë, ka 850 000 dalje në pension”, theksonte kohët e fundit gjatë një konference të mbajtur në Berlin, sociologu Dominique Méda.

Në jug të vendit, në landin e Bade-Wurtemberg dhe të Bavarisë, mungesa e krahut të punës të kualifikuar është bërë një problem real. Në dhjetor të vitit 2014, një sondazh i realizuar për punëdhënësit (BDI), tregoi se për 48 % të punëdhënësve të SME-ve, mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar përbën një rrezik “për dymbëdhjetë muajt e ardhshëm”.

Çmimi i energjisë dhe kriza në zonën Euro i shqetëson shumë ato, por mungesa e krahut të punës i duket atyre më shqetësuese se sa kriza në Ukrainë, apo politika e kurseve të këmbimit e Bankës Qendrore Evropiane.

Sfidë tjetër e lidhur me rënien demografike: sa më tepër mplaket një shoqëri, aq më pak ajo është e tunduar të ripërtërihet. Gjermania është krenare për “kampionët e saj të fshehur”, ndërmarrjet e mesme të cilat janë lider botërorë.

Por sipas një studimi të AT Kearney, i cituar nga revista Der Spiegel, 94 % e këtyre “kampionëve”, janë krijuar qysh prej pesëdhjetë vjetësh. Gjermania shquhet, por për teknologjitë tashmë të vjetra.

Sa më e plakur të jetë një shoqëri, aq më tepër kursen. Çmimet e banesave janë ulur në mënyrë të konsiderueshme në zonat e varfra, apo rurale. Gjermanët shqetësohen pra për ditët e tyre të pleqërisë. Kjo është një nga arsyet për të cilat ekuilibri buxhetor është popullor: borxhi është aq i padurueshëm, sa që do të rëndojë në një numër të kufizuar të pasardhësve.
Shenjë e rëndësisë së “lobit” të moshës së tretë, masa e parë e koalicionit të madh në pushtet, qysh prej dhjetorit të vitit 2013, ishte t’i jepte dy bonuse pensionistëve.

Bonusi i parë për nënat e familjeve që kanë rritur një fëmijë para vitit 1992 (të pa favorizuara në raport me më të rinjtë), për të kënaqur CDU-në, dhe bonusi i dytë i kërkuar nga social-demokratët, për të lejuar punonjësit me moshë mbi 63 vjeç të dalin në pension nëse ato kishin dhënë kontribute 45 vjeç. Sigurisht, palët e interesuara janë të kënaqura dhe meqënëse fondet e pensioneve janë në tepricë, vendi ende mund ta përballojë atë.

Por ekonomistët janë të zemëruar. “Të vendosësh moshën e pensionit në moshën 67 vjeç, siç parashikohet, është e domosdoshme”, vlerësojnë pesë ekonomistët që këshillojnë qeverinë në raportin e tyre të vitit 2015. “Ndryshimi demografik do të rëndojë mbi ekonominë, veçanërisht në mbrojtjen sociale dhe jo më vonë se duke filluar nga dekada e ardhshme dhe do të zvogëlojë perspektivat e rritjes ekonomike”.

Leave a Reply

Back to top button