Psikologji

“Nëse ti dëshiron”. Leksione të rëndësishme nga Jack Ma, themeluesi i grupit Alibaba

Është një ndër personat më të pasur në botë dhe ndërkohë kush ka lexuar për historinë e tij, e di se është ngritur pas shumë dështimeve dhe ia dalë të triumfojë. Bëhet fjala për Jack Ma, themeluesin e grupit Alibaba. Më poshtë do të mund të lexoni disa nga leksionet më të rëndësishme prej tij.

Nëse dëshironi pasuri, duhet të ndërmerrni rreziqe. Bota e biznesit më ka mësuar se pikërisht atëherë kur mendon se gjithçka po shkon drejt fundit, duhet të ndërmarrësh rreziqe dhe të rrezikosh edhe në momentin e fundit, pasi pikërisht aty mund të arrish suksesin.

Nëse dëshiron forcë, stërvitu. Asgjë nuk vjen lehtë, gjërat e lehta nuk janë me vlerë. Nëse dëshiron të jesh i fortë fizikisht, stërvitu fizikisht. Nëse do të forcohesh emocionalisht, mos iu shmang dështimeve apo situatave të trishta. Përballu me to dhe kanë për të të forcuar.

Nëse ti dëshiron dashuri, kujdesu për të tjerët. Asgjë nuk fitohet falas, as dashuria. Ne japim diçka prej vetes që marrim mbrapsht dashuri. Ndaj nëse dëshiron të përjetosh dashuri, apo të të duan, duhet minimalisht të tregosh përkujdesje ndaj personit tjetër.

Nëse dëshiron besim, ji transparent. Mos kërko që të tjerët të të besojnë duke mos iu treguar i sinqertë. Gjithçka është reciproke. Nëse dëshiron të të besojnë, ji i sinqertë dhe ke për të parë që mbrapsht do të fitosh besimin e të tjerëve.

Nëse dëshiron paqe, fali njerëzit. Jemi njerëz dhe të gjithë gabojmë. Një shprehje e vjetër thotë se të gabosh është njerëzore, të falësh është hyjnore. Kur falim, ne ndihemi në paqe me veten, pra nëse dëshiron të ndihesh në paqe dhe pa mllefe përbrenda, mëso t’i falësh të tjerët.

Nëse dëshiron talent, puno më zgjuar. Thuhet se talenti është dhunti. Kjo është pjesërisht e vërtetë. I talentuar është dhe dikush që një aftësi të mësuar e të praktikuar shumë herë, e shndërron me kohën në një talent. Ndaj puno me zgjuarsi dhe prit të të vlerësohet puna si talent.

Nëse dëshiron diçka, duhet të paguash një çmim. Më kujtohet një thënie nga seriali i njohur “Peaky Blinders”, në të cilën thuhet: “Ne të gjithë shesim pjesë të ndryshme nga vetja jonë”, prandaj nëse duam të kemi diçka, sigurisht që duhet të bëjmë diçka për ta arritur.

Nëse dëshiron të rritesh, vepro. Mos qëndro në hije. Sigurisht që ka persona, të cilët duke ndenjur kot, kanë avancuar në jetë. Mirëpo nuk po flasim për ata që kanë mbështetje e miq ngado. Nëse ti do t’ia dalësh i vetëm dhe të forcohesh mjaftueshëm, sapo të jepet mundësia, vepro.

Back to top button