Bota

Nga Korsika në Bavari, Europa ndahet në “mëmëdhetë” e vegjël

Screen Shot 2015-09-29 at 11.24.28

Të shumtë janë “mëmëdhetë e vegjël” në Europë, aq sa janë të shumta lëvizjet indipendentiste, separatiste, federaliste dhe autonomiste në të gjithë Kontinentin e Vjetër. Shkohet nga ata që, në të kaluarën, nuk kanë hezituar që të rrëmbejnë pushkën, si irlandezët e veriut, baskët, tirolezët e jugut, e deri tek ata që pretendojnë të drejtën e rikthimit të një identiteti kulturor të humbur, si banorët e Provenzës dhe jugut të Francës. Jashtë prej shtëpisë së përbashkët europiane, indipendentizmi është ende i larë me gjak, si e tregojnë luftërat në Ukrainë, pushtimi i Krimesë apo masakrat në Ish Jugosllavi. Megjithatë, nën qiellin me dymbëdhjetë yje të BE-së, pretendimet për pavarësi kanë prirjen që të kanalizohen në procese demokratike.

Europa ka patur një rol në favorizimin e dialogut, nga Ulsteri në Alto Adige, tek indipendentizmi bask, apo duke lehtësuar procese federalizimi, si në Belgjikë. Por rritja e pushtetit të Brukselit, në dëm të shteteve-kombe, ka favorizuar përhapjen e pretendimeve autonomiste. Nuk është rastësi që, nga Katalonja, deri në Skoci dhe në Fjandra, rajonet që kanë ambicie për t’u shkëputur nga shteti komb ku janë ndërfutur, dëshirojnë që gjithësesi të qëndrojnë në Europë.

Ideja e një “Europe të rajoneve”, e cila do të zëvendësonte gradualisht “Europën e shteteve”, ka qenë një prej themeleve të mendimit të etërve themelues. Më pas, këta janë përshtatur duke legjitimuar projektin europian nga shtetet kombe, por gjithmonë me shpresën që integrimi do të sillte eleminimin e tyre si dhe do të afirmonte një komunitet të popujve dhe të autonomive.

Nuk është rastësi që këtë herë, Presidenti i Komisionit, Jean Claude Juncker, përballë zgjedhjeve në Katalonjë ka shmangur marrjen e një qëndrimi të palëkundur, gjë që e bënte gjithmonë paraardhësi i tij. Barroso, në rastin e referendumit skocez, kërcënoi zgjedhësit se do të mbante jashtë Bashkimit Europian, një Skoci të pavarur. Junckeri, në këtë rast, ka një qasje shumë më të matur. Mes ekspertëve të çështjeve europiane, ka nga ata që këmbëngulin se Traktatet u kanë dhënë të gjithë popujve të BE-së, statusin e qytetarëve europianë. Dhe që kjo gjë, nëse nuk ka një refuzim eksplicit, qëndron edhe në rast të një përkatësie kombëtare të re.

Ja një listë, shtet pas shteti, që gjithësesi mund të mos jetë tërësisht e plotë.

BRITANIA E MADHE

SKOCIA. Indipendentistët skocezë të Partisë Kombëtare Skoceze janë më agresivët dhe zotërojnë një shumicë në parlamentin e vendit. Pas humbjes në referendum, udhëheqësi i tyre, Nicola Sturgeon, nuk ka hequr dorë nga projekti i ndarjes. Një shkëputje e Katalonjës nga Spanja, apo një votim i Britanisë për të dalë nga BE, do ta rihapte çështjen.

UELLSI. Indipendentistët janë pjesë e partisë Plaid. Janë më të paktë dhe më pak radikalë se sa në Skoci. Por nëse Edinburgu do të shkëputej nga Mbretëria e Bashkuar, edhe Kardifi do të tundohej.

Kornuelli. Partia indipendentiste, Mebyon Kernou i bën jehonë rrënjëve kelte të rajonit. Por fenomeni ka më shumë karkterin e një pretendimi kulturor, se sa politik.

SPANJE

Katalanasit janë rajoni më i përparuar në rrugën drejt pavarësisë. Por po kaq përcaktues janë baskët, pretendimet e të cilëve dëmtohen prej krimeve që kanë kryer në të kaluarën terroristët e ETA-s. Lëvizje për pavarësi janë aktive edhe në Galici dhe Aragonë.

FRANCA

Kombi që ka shpikur shtetin unitar dhe e ka imponuar atë nëpër shekuj, është i prekur nga lëvizje të shumta për pavarësi. Më përcaktueset janë korsikanët, që megjithatë kanë humbur një referendum në vitin 2003. Indipendentistët janë të pranishëm në Bretanjë, Alsasë dhe në Francën e jugut, ku pretendojnë autonominë.

BELGJIKE

Indipendentistët flamingë të N-VA janë parti e shumicës në veri të vendit. Ndryshe nga e djathta ekstreme e Vlaams Blok, janë filoeuropianë të bindur. Nën shtytjen e autonomizmit flaming, Belgjika u transformua nga shtet unitar, në monarki federale dhe në fund, në shtet federal.

GJERMANIA

Gjermania është një shtet federal, me hapësirë të madhe autonomie për Lander-ët e shumtë. Kjo gjë ka zbutur shtytjet indipendentiste. Megjithatë, në Bavari ekziston një parti e vogël, Bayern Partei, e cila që nga viti 1946 kërkon pavarësinë dhe që ka një shumicë katolike, si dhe një traditë të lashtë sovraniteti.

POLONI

Edhe në SIlezi ekziston një parti autonomiste më shumë se sa indipendentiste, e cila ka mbledhur pothuajse 9 përqind të votave në rajon. SIlezia, e aneksuar nga Polonia pas luftës, kish qenë pjesë e Gjermanisë dhe ndikimi gjerman ndihet ende shumë, pavarësisht spastrimit etnik që detyroi miliona gjermanë të largoheshin nga tokat e tyre menjëherë pas luftës. 

FINLANDA

Ishujt Aaland, nën sovranitetin finlandez, banohet nga një popullsi që flet gjuhën suedeze. Kanë siguruar një status autonomie që në vitin 1991. Por gjithmonë banorët kanë kultivuar ëndrrën e një pavarësie të plotë, qoftë edhe nën ombrellën europiane.

Bota.al

Leave a Reply

Back to top button