Analiza

Një Evropë pa udhëheqës

Screen Shot 2015-05-04 at 2.00.34 PM

Nga Conrad Black

Pak vetë e kanë vënë re, se mediokriteti i përgjithshëm dhe absurditeti i lidershipit të kohëve të fundit në Evropën Perëndimore, është prirja ndaj së majtës të papërgjegjshme. Sigurisht, fitorja e partisë greke eko-socialiste, SYRIZA (një ujëmbledhës për të gjithë të majtët e trallisur) ra në sy, për shkak të ndikimeve të pritshme nëse ajo do e nxjerrë apo jo Greqinë jashtë eurozonës, duke u rikthyer kësisoj sërish tek dhrahmia, e cila për hir të së vërtetës, nuk ka qenë kurrë një monedhë e fortë në historinë e saj shumë të gjatë.

Edhe pse është tërhequr disi nga premtimet e saj bombastike, SYRIZA premton ende të paguajë përfitimet bujare sociale, falë rritjes së inflacionit dhe zhvlerësimit të Euros në vend, duke promovuar vetëm gjeneratorët e valutës së huaj të Greqisë: turizëm, çimento, dhe perime. Një lojë ka filluar tashmë mes SYRIZA-n dhe një Evrope tanimë shumë më mirë të përgatitur, sesa gjatë krizës financiare të disa viteve më parë, për t’u marrë me skenarin e një Grexit.

Kjo mund të jetë një goditje për shumë nga bankat evropiane, por duket e qartë se ato mund të amortizojnë humbjet, edhe pse mund të jetë e nevojshme një farë mbështetjeje e Bankës Kombëtare Greke dhe Bankës Qëndrore Evropiane. Qeveria greke, e zgjedhur mbi një platformë sfiduese dhe pompoze, duke u treguar autoriteteve

të BE kushtet për vazhdimin e programit të kursimit, është tërhequr nga premtimet zgjedhore, sapo u bë e vetëdishme sa pak para i kishin mbetur nëpër duar.

Evropa duket të jetë e gatshme për të shkaktuar një ngjarje të ngjashme me katastrofën që i ndodhi bankës “Lehman Brothers”, për ta bërë të qartë se jo të gjitha paaftësitë paguese do të pranohen, e për t’i treguar pjesës tjetër të Evropës se dalja e Greqisë nga Eurozona dhe rimarrja e monedhës kombëtare, nuk është rruga që duhet ndjekur nga ekonomitë e tjera të rrezikuara.

I gjithë ky skenar, i cili deri në një farë mase përfshin Portugalinë, Spanjën, Italinë, si dhe vetë Greqinë, ndodhi për shkak të një mashtrimi të dyfishtë të besimit në themelimin e euros: kancelari gjerman Helmut Kol, besonte fort se Gjermania

kishte nevojë të shihte tek aleatët një rezervuar ekonomik dhe ushtarak, dhe ishte i sinqertë kur u shpreh: “Një Gjermani evropiane dhe jo një Evropë gjermane”.

Ai nuk i besonte kapacitetit të Gjermanisë për të vepruar në mënyrë të përgjegjshme si një fuqi e madhe autonome, dhe kjo për shkak të disa arsyeve historike të epokës post-bismarkiane. Kol ndërkaq ishte i përgatitur, që të shndërronte vendin e tij në një kreditor kryesor, në mënyrë që anëtarët mesdhetarë të eurozonës t’i ishin mirënjohës Berlinit, dhe për të lehtësuar eksportet gjermane, të cilat me Euron kishin çmime më të ulët, sesa në markën gjermane.

Liderët e njëpasnjëshëm gjermanë duhej të balanconin së brendshmi dëshirën gjermane për një monedhë që është më konkurruese për eksportet,

sesa monedhën e vet, dhe acarimit të votuesve gjermanë ndaj financimit të vendeve të Mesdheut. Çfarëdo turbullire që mund të gjenerojë dalja e Greqisë nga eurozona, qeveria gjermane mesa duket mendon se kjo është e vlefshme, jo vetëm në aspektin e shkëmbimit të valutës, por edhe për të mbajtur një shkop mbi kurrizin e pjesës tjetër të Evropës, që të ndjekë udhëheqjen gjermane në reduktimin e ndikimit të sindikatave, për të shmangur trazirat e tmerrshme në punë dhe klasën agrare, e cila ka shkaktuar trazira të tilla të mëdha në të gjithë historinë post-mesjetare të Evropës. Është një lojë kumari, por ndoshta e ndjeshme. Nëse Greqia del nga Eurozona, me pasojat e parashikuara të dëmeve të mëdha kombëtare, ose përpiqet të qëndrojë duke hedhur poshtë premtimet më të bujshme të partisë kryesore qeverisëse,

llogaria është se rezultati do të vendosë një konsensus për financimin e kujdesshëm – nëse ndoshta do të ketë masa më pak shtrënguese se sesa ato të viteve të fundit – dhe, në veçanti, do të ndihmojë për ta bindur Athinën të ndjekë shembullin e Gjermanisë, në krijimin e tregjeve më fleksibël të punës dhe një klimë më të mirë për biznesin, me qëllim çeljen e vendeve të reja të punës.

Vetë Gjermanisë i duhen 2 apo 3 vjet për të shkuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Për momentin, vendi ka ngecur në një koalicion të madh, mes kristian-demokratëve dhe social- demokratëve. Partia Socialdemokrate është kronikisht e përcarë mes Rojter dhe Shumaker (ose Shmid dhe Brand), krahët e aleancës pro- perëndimore dhe fraksioneve përkrahëse të

neutralitetit, të cila në një masë të madhe i vënë stërkëmbësha qeverisë së kancelares Merkel.
Partitë e tjera të opozitës, me të cilat kancelarja mund të hyjë në koalicion-banditë anarkistë, me në krye të Gjelbrit gjermanë, dhe Partia e Majtë (relikt i Partisë Komuniste të Gjermanisë Lindore) – janë krejtësisht të papërshtatshme për t’iu bashkuar qeverisë, dhe kancelarja Merkel duhet të lutet (meqë është vajzë e një ministri Luteran të Gjermanisë Lindore) për një kthim të partisë pro-biznes të Demokratëve të Lirë, të cilët dështuan të arrijnë pragun 5 përqind të votave për t’u futur në Bundestag gjatë zgjedhjeve të fundit.

Ndërsa qeveria gjermane duket mjaft e qëndrueshme, statusi i disa prej qeverive të tjera të Evropës Perëndimore, është më pak i qartë. Mbretëria e Bashkuar, do të shkojë në votime në 7

maj, dhe rezultati është shumë i pasigurtë. Që prej vitit 1935, Britania i ka dhënë përgjithësisht konservatorëve apo laburistëve, një shumicë dërrmuese. Dhe për herë të parë që prej atij viti, vendi është qeverisur 5 vitet e fundit nga një koalicion mes konservatorëve dhe liberal demokratëve.

Performanca e saj ekonomike ka qenë mjaft e mbrojtshme, por kryeministri Dejvid Kameron, në përgjithësi përcjell përshtypjen e pavendosmërisë dhe oportunizmit, që evokon nevojën e reformave të thella në arsim dhe kujdesin shëndetësor dhe pastaj marrjen e një kthese 180 gradë, duke vënë në pikëpyetje qëndrimin në BE. Sondazhet tregojnë se konservatorët dhe laburistët e Ed Miliband, janë kokë më kokë në mbështetjen popullore, çka në tërësi duket se do t’i jepë një hov laburistëve.

Por kjo mund të kthehet në bumerang për shkak të lëvizjes drejt tyre të votuesve skocezë, kryesisht nacionalistët, edhe pse këta të fundit e humbën referendumin e pavarësisë. Si për ta kompensuar këtë humbje, dhe duke e ndarë më tej elektoratin, Partia për Pavarësinë e Britanisë së Madhe, të cilën Kameron gabimisht dhe padrejtësisht u përpoq ta zhvlerësonte si një llum kokëruarish ksenofobë, ma gjasë do të marrë rreth 15 përqind të votave, ku rreth dy të tretat prej tyre nga konservatorët.

Dhe Liberal Demokratët, duken gati për t’u rikthyer fitues në zonat ku tradicionalisht kanë gëzuar mbështetje, në rrethe të largëta të tilla si ishujt skocezë dhe pjesë të Uellsit. Ka normalisht edhe disa parti dalluese të veriut të Irlandës, por në tabllonë e madhe duket se konservatorët do të dalin nga këto zgjedhje si partia më e madhe, por përsëri

me rreth 25 ose 30 deputetë më pak, sesa shumica e nevojshme për të qeverisur të vetëm, dhe se për këtë arsye do të kenë nëvojë të hyjnë në koalicion me 3 ose 4 parti të vogla.

Në këto rrethana, në qoftë se e shkuara është njëfarë udhëzuesi, konservatorët, udhëheqja e të cilëve është tërësisht në duart e partisë parlamentare, dhe që ka ndihmuar çdo lider që kanë patur që nga Stenli Balduin në vitin 1937, përveç atyre që dhanë dorëheqjen para se ata mund të hiqeshin, dhe duke përfshirë edhe kryeministrat më të mëdhënj të 135 viteve të fundit, Uinston Çërçill dhe Margaret Theçër, mund të urdhërojnë Kameron të tërhiqet, duke e zëvendësuar atë me një udhëheqje trans-fraksioniste të Ministrit aktual të Thesarit, Xhorxh Osborn, dhe kryetarit pompoz të Bashkisë së Londrës, Boris Xhohson.

Kjo dyshe ndoshta mund të fitojë disa vota më tepër, formojë një aleancë zgjedhore me të pavarurit në Mbretërinë e Bashkuar, dhe të rikthehet në votime me shansin për të dalë prej tyre me një shumicë të qëndrueshme. Në këtë mënyrë, perëndimi do të kursente fatkeqësinë e një qeverie të Mbretërisë së Bashkuar, të udhëhequr nga një e majtë britanike e pareformuar, një fat më i keq sesa socializmi reaksionar i Fransua Holondit, që e ka zhytur Francën në një stanjacion ekonomik.

Evropa është ende zgjidhja, për rivendosjen e projektit evropian;federalizmi ka ngecur, rritja e supozuar ekonomike me një vetëkënaqësi të dukshme nga Evropa e në një rivalitet me Shtetet e Bashkuara ka avulluar, përkundër dobësisë së kësaj të fundit dhe dështimit në politikën e jashtme të 15 viteve të fundit. Mbi të gjitha, nuk ka

konsensus mbi atë çka duhet bërë, as ndonjë udhëheqës serioz për të zgjedhur, dhe as ndonjë inkurajim nga Uashingtoni.
Natyrisht, duke dëshifruar dokrinën Obama, Evropa mbijeton, dhe pavarësisht nga pompoziteti gërryes nga Kremlini, Rusia nuk është në pozitën për ta kërcënuar Evropën Perëndimore, sikurse bëri gjatë gjithë Luftës së Ftohtë. Por vakuumi politik në Uashington, i pashembullt që nga viti 1920, është pasqyruar plotësisht tek një Evropë e hutuar, e përkulur nga rënia e popullsisë, inercia ekonomike, dhe mediokriteti akut zyrtar, ku vetëm pak vite më parë Theçër, Kol, dhe madje edhe një faqezi dinak si Fransua Miteran, udhëhoqën në një mënyrë shumë më efektive.

Evropa, por pret që Gjermania të sillet në mënyrë të përgjegjshme, si fuqia më e madhe të kontinentit,

një post që e ka mbajtur që prej bashkimit të saj nga Bismarku në vitin 1871. Gjithashtu, Gjermania, Evropa dhe bota janë duke pritur për fundin e topitjes Obama, pa mallkuar naivitetin e gabuar të paraardhësit të tij. Evropës dhe botës, po i mungon udhëheqja e fortë e Shteteve të Bashkuara, përveç lidershipit jonormal të Xhimi Karterit, nga Franklin Ruzvelt deri tek Bill Klinton. Dhe deri tani, Evropa nuk po tregon gatishmëri për të mbushur vakuumin, siç bënë Margaret Theçër, Helmut Shmid, Valeri Zhiskar d’Estenj, dhe madje edhe Pier Trudo bëri për Karter.

* Shënim: Conrad Black është autori i librave “Frenklin Delano Ruzvelt: Kampioni i lirisë” dhe “Jeta e Riçard Niksonit”. /“National Review”/

a.g./Bota.al


 

Leave a Reply

Back to top button