Magazine

Një fat “i pafytyrë”

Nga Oliver Burkeman

Filozofi Galen Straëson ka talentin për të përkthyer pyetjet e mëdha abstrakte – domethënë, ato lloje gjërash që i marrim për të mirëqena, u interesojnë shumë pak disa njerëzve jashtë klasave të filozofisë – në pyetje personale dhe shqetësuese. Aq sa, unë nuk mund të vazhdoj me ditën time derisa të kuptoj se cili është pozicioni im për këtë problem, ose të paktën deri sa të shpërqëndrohem nga një fëmijë që qan, apo aroma e një cheesburgeri.

Në librin e tij të ri “Gjërat që më shqetësojnë” (që, rastësisht, mund të jetë titulli i shumë librave të tjerë, dhe shumicës së opinioneve në gazeta), e bën këtë vazhdimisht.

Marrim, për shembull, dilemën e vjetër të “vullnetit të lirë”, ose më mirë aspektin e saj të veçantë: cilat janë gjërat që unë kam bërë në jetën time, për të cilën mund të kem meritë? Sigurisht që të gjithë jemi dakord se fëmijët e privilegjuar si Trump, të cilët janë të lindur mes bollëkut, nuk kanë meritë qëjanë bërë të pasur. Por, siç tregon qartë Straëson, çështja nuk është aq e thjeshtë dhe mund të bëhet mjaft e sikletshme.

Ndjekja e një plani veprimi

Dhe nëse jemi shumë të pasur, a jemi bërë falë inteligjencës sonë? Ne kemi qenë me fat që kemi lindur të mençur. Po sikur ndryshimet në inteligjencë, të vareshin nga kultura dhe jo nga natyra? Edhe në këtë rast është fat: nuk i kemi zgjedhur prindërit tanë, ose një pjesë të mirë të mësuesve, dhe gjithësesi mund të mos kishim vetëdisiplinën e nevojshme për të mësuar prej tyre. Në rregull, po sikur ta kishim imponuar këtë disiplinë vetiake? Kjo është gjithmonë një çështje e fatit, do të thotë që ne kemi qenë të pajisur me një karakter të aftë për të kultivuar disiplinën vetiake.

Dhe mund të vazhdojmë kështu përgjithmonë: cilido qoftë pozicioni ynë shoqëror, kemi arritur atje duke ndjekur një plan veprimi. Por edhe në qoftë se ky plan veprimi ishte i gjithi vepër e jona, ne sërish duhej të ishim një person i aftë për ta bërë atë të zbatohet; edhe sikur të bëheshim këta që jemi, me djersën e ballit tonë, ne sërish duhej të ishim lloji i njeriut, që kishte forcën për ta bërë atë …

Në fund, duke shkuar prapa në kohë, gjithmonë merret një pikënisje, që nuk mund të varet nga ne. Përfundimi shqetësues i këtij arsyetimi është se një person i lindur i varfër, i cili nuk kishte mbështetjen e prindërve, i cili nuk ishte në gjendje të shkonte në universitet dhe më në fund arriti suksesin me vështirësi të mëdha, i detyrohet për triumfin e tij fatit, po aq sa edhe, për shembull, Eric Trump. Ose për ta thënë me pak fjalë, siç thotë Straëson: “Fati gëlltit gjithçka”.

Ndër të tjera, kjo gjithashtu ndikon në mënyrën se si ne flasim për “privilegje” sot. Pa dyshim, dikush është më i përparuar falë gjinisë, racës ose klasës shoqërore të cilës i përket. Por nëse është e vërtetë se fati gëlltit gjithçka, e vetmja gjë që mbetet është shkalla e ndryshme e privilegjit: jo vetëm kushtet sociale në të cilat lindemi varen nga fati, por edhe aftësitë tona dhe karakteri ynë.

Ne duhet të luftojmë me gjithë fuqinë tonë për ta bërë shoqërinë më pak seksiste dhe raciste, por rezultati nuk do të jetë një botë në të cilën mjedisi i lindjes ka më pak rëndësi, do të jetë një shoqëri më pak seksiste dhe raciste, në të cilën origjina jonë shoqërore është ende themelore.

Unë e kuptoj se shumë njerëz, disa prej të cilëve janë shumë më të mprehtë se unë, nuk e ndajnë këtë ide të vullnetit të lirë, por gjithmonë e kam gjetur atë si një ide pa të meta. Është mjaft shqetësuese, por fati donte që unë të lindesha në këtë mënyrë. / The Guardian – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button