AnalizaMAIN

Një fitore e Biden do të rikthente marrëdhëniet transatlantike

Shumë analistë evropianë duket se mendojnë që një administratë demokrate në SHBA, nuk do të ndryshonte shumë mënyrën se si SHBA e ka trajtuar Evropën, qysh prej vitit 2017. Por nëse Joe Biden mund presidentin Donald Trump në nëntor, skeptikët do të habiten për mirë

NGA ALEX SOROS

NJU JORK – Në fjalën e tij të hapjes në mbledhjen vjetore të Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR), Ministri gjerman i Punëve të Jashtme Heiko Maas deklaroi se, pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve presidenciale të SHBA në nëntor, evropianët “do të duhet të mendojnë se si të kontrollojnë dhe frenojnë më mirë konfliktet në afërsi të Evropës, madje edhe pa SHBA”.

Pikëpamja e tij është e përhapur. Shumë ekspertë evropianë, si Janan Ganesh dhe Wolfgang Münchau i “Financial Times”, kanë argumentuar se marrëdhëniet SHBA-BE nuk do të ndryshojnë dukshëm, edhe nëse një Demokrat do të fitonte përballë Presidentit të SHBA, Donald Trump. Një president demokrat, argumentojnë ata, do të ishte ende proteksionist kundrejt tregtisë, mbështetës i instinkteve të supozuara izolacioniste të publikut amerikan, dhe njësoj si Trump-i, aspak entuziast për të firmosur çeqe për të mbrojtur Evropën. Ky përshkrim fillimisht u bë për senatorët Elizabeth Warren e Massachusetts dhe Bernie Sanders i Vermont, megjithë mbështetjen e tyre të fortë për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe të drejtat e njeriut. Tani disa evropianë po e zgjerojnë, duke përfshirë edhe Joe Biden-in.

Por ideja që Biden-i nuk do të sillte asnjë ndryshim real në politikën e SHBA ndaj Evropës, zor se është e besueshme. Biden ka qenë gjithmonë një mbështetës i vendosur i marrëdhënieve transatlantike, dhe gjatë karrierës së tij politike prej disa dekadash, ai ka krijuar marrëdhënie të ngushta me liderët kryesorë evropianë, përfshirë Kancelaren gjermane Angela Merkel. Si zëvendëspresident i SHBA nga 2009 deri në 2017, Biden-i ishte gjithnjë i disponueshëm për të ofruar diplomaci personale, kur Presidenti Barack Obama nuk mundej.

Ndërsa analistët evropianë kanë të drejtë të dyshojnë se aleanca e vjetër transatlantike thjesht do të kthehet në gjendjen e para Trump-it, ata janë duke nënvlerësuar se çfarë do të thoshte një fitore e Biden-it, për politikën e jashtme të SHBA. Partia Demokratike është ende një parti vlerash, dhe një administratë Biden do të ndiqte një rivendosje të plotë marrëdhëniesh, pas katër viteve të Trump-it, duke rikthyer angazhimin historik të Amerikës për një udhëheqje të përgjegjshme në skenën botërore.

Ndërsa Trump-i e ka kaluar kohën e tij në detyrë duke filluar grindje me Evropën për ndryshimin e klimës, tregtinë dhe të drejtat e njeriut, Biden-i do ta rikthente Amerikën në tryezën diplomatike. Shtetet e Bashkuara do të rifuteshin në marrëveshjen e klimës në Paris, do të ndiqnin marrëveshje të reja tregtare dhe do të bëheshin sërish pjesë, e përpjekjeve bashkëpunuese, për të siguruar që inovacioni teknologjik të përputhet me standardet e të drejtave të njeriut.

Në Bashkimin Evropian, imazhi i Amerikës është në pikën e vet më të ulët historike, falë reagimit të avashtë, jokoherent dhe joefikas të administratës Trump ndaj krizës së COVID-19, një pjesë e mirë e të cilës konsistonte në fajësimin e vendeve të tjera, në vend të bashkëpunimit me ta. Në vend që të luftonte krizën duke përdorur burimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe organizatave të tjera shumëpalëshe, SHBA ndaluan pa paralajmërim udhëtimet nga Evropa dhe shpallën se do të tërhiqnin financimin e OBSH. Një nga objektivat e parë të politikës së jashtme të Biden-it, me siguri do të jetë korrigjimi i kësaj, dhe trajtimi i COVID-19 si krizë globale që është. Kjo do të thotë të krijojë bashkëpunim ndërkombëtar për të mbrojtur amerikanët nga pandemia (dhe shkatërrimi ekonomik që ajo shkakton), si dhe të udhëheqë përpjekjet globale për të luftuar rrezikun.

Me Biden-in në Shtëpinë e Bardhë, kompanitë evropiane të telekomunikacionit si Nokia dhe Ericsson do të pranoheshin dhe mbështeteshin si kampione të aleancës transatlantike për teknologjinë 5G, dhe SHBA do të ndihmonte Evropën të hiqte qafe gazin rus, ndërsa punon për tranzicionin drejt energjisë së pastër. Një administratë Biden do të pranonte gjithashtu mençurinë e negociatave për rinovimin e traktatit të ri të armëve bërthamore START me Rusinë, që skadon në vitin 2021. Dhe do të ndiqte forma të tjera të kontrollit të armëve, për të çuar përpara interesat e sigurisë evropiane dhe amerikane, dhe të parandaluar një garë të re armatimi.

Më konkretisht, një administratë Biden do të mbante premtimin në çdo marrëveshje, dhe do të besohej që t’u përmbahej angazhimeve të Amerikës ndaj partnerëve dhe aleatëve të saj në botë. E vetmja pyetje është nëse edhe Evropa, do të ishte e gatshme të bënte zgjedhje të vështira, që do të nevojiteshin për të rigjallëruar aleancën.

Trumpi i ka lejuar Evropës të shmangë zgjedhje të tilla, sepse sjellja e tij e çuditshme ka larguar vëmendjen nga shumica e çështjeve të tjera. Për shembull, me gjithë sytë e drejtuar nga grindja Sino-Amerikane, BE-ja është bërë më akomoduese për Kinën. Në fillim të qershorit, Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme, deklaroi se Evropa nuk e konsideron Kinën një kërcënim ushtarak. Dhe ndërsa udhëheqësit politikë amerikanë nga të dy palët, kanë dënuar me zë të lartë imponimin prej Kinës të një ligji të ri mbi sigurinë në Hong Kong, reagimi i BE-së ka qenë relativisht i butë.

Mos të harrojmë, BE është blloku më i madh tregtar në botë. Me vendosmërinë e duhur, Evropa, duke punuar ngushtë me SHBA, mund të ketë një ndikim të konsiderueshëm kur bëhet fjalë për promovimin e një sistemi shumëpalësh, të bazuar në rregulla. Por për ta bërë këtë, do të duhet të shpenzojë kapital politik dhe diplomatik.

E njëjta gjë vlen për çështjet më afër nesh. Evropa ka shumë për të fituar duke punuar ngushtë me SHBA, për të forcuar pavarësinë dhe rezistencën e Ukrainës përballë agresionit të Kremlinit, jo vetëm duke mbështetur regjimin e sanksioneve të rinovuara kohët e fundit kundër Rusisë. BE gjithashtu ka një interes në hapjen e rrugës së pranimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe t’i japë fund ngritjes së mureve, gjë që u ka volitur ngahera Rusisë, Kinës, Turqisë dhe fuqive të tjera. Duke futur Ballkanin Perëndimor në vathën transatlantike, Evropa do të kishte mbështetjen e një mazhorance dypalëshe në Kongresin Amerikan.

Ndjekja e secilit prej këtyre objektivave do të kërkonte që BE të vendoste vlerat e saj, mbi volinë politike dhe diplomatike. Kjo do t’i tregonte publikut amerikan se Evropa nuk është paraziti i pavarur që u ka përshkruar Trump-i, por një partner i sigurt, i besueshëm. Në fakt, amerikanët shpesh kërkojnë në Evropë për ide mbi politikat, që nga kundërvënia ndaj Big Tech dhe mbrojtja e privatësisë, deri tek sigurimi i kujdesit shëndetësor dhe elementëve të tjerë kritikë të rrjetit të sigurisë sociale. Një marrëdhënie e ringjallur transatlantike mund të forcojë rrjedhën e ideve evropiane drejt SHBA.

Sigurisht, një rikthim tek marrëdhëniet transatlantike do të kërkonte që Amerika të qëndronte fort për të drejtat e njeriut dhe demokracinë, që do të thotë ndjekje e një vije më të ashpër ndaj qeverisë aktuale të Turqisë. Për fat të mirë, kjo nuk duhet të jetë e vështirë. Sondazhe nga National Security Action kanë treguar vazhdimisht se shumica e amerikanëve shqetësohen për keqmenaxhimin që Trump-i u ka bërë marrëdhënieve të SHBA me vendet e tjera, dhe do të preferonin që qeveria amerikane të qëndronte  fort për vlerat e shpallura të Amerikës, përfshirë të drejtat e njeriut.

Gjatë viteve të fundit, tiradat e përgatitura posaçërisht për TV nga Trump-i, kundër aleancës transatlantike i kanë dhënë Evropës shumë arsye për t’u kthyer nga vetja dhe për të ngritur pengesa proteksioniste. Por të dhënat e sondazhit nga ECFR tregojnë se shumë nga ata evropianë që mbështesin proteksionizmin janë ish përkrahës të aleancës transatlantike. Me një ndryshim në udhëheqjen amerikane dhe një qasje më familjare nga Uashingtoni, zhgënjimi i tyre mund të fillojë të zhduket.

Padyshim, analistët evropianë mund të vazhdojnë të shtrembërojnë faktet mbi pikëpamjet e Biden-it, Demokratëve dhe Amerikanëve mbi politikën e jashtme. Duke ulur pritshmëritë, ata do t’ia kenë bërë më të lehtë administratës së ardhshme Biden, që të tejkalojë pritshmëritë në sytë e publikut evropian. Marrëdhëniet dhe aleancat kanë të bëjnë me perceptimin, po aq sa çdo gjë tjetër. / Project Syndicate – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button