Analiza

Një krizë 1-shekullore

arab worldVali R. Nasr
Rikthimi i Amerikës në fushëbetejat e Irakut, sado që të na kujtojë punën e pambaruar të Amerikës atje, është njëkohësisht edhe një kujtesë se bota arabe po vazhdon të përpiqet të mbyllë punën e papërfunduar të Perandorisë Otomane, një shekull pasi ajo u shemb.
Pas Luftës së Parë Botërore, arabët e rajonit nuk u lejuan të hedhin themele të fortë mbi të cilët të ngrinin kombe të qëndrueshëm dhe funksionalë. Dhe në dekadat e mëvonshme, ata kanë qenë të pasuksesshëm për t’ia dalë mbanë vetë.
Këta fakte të dhimbshëm janë më se të dukshëm sot në Irak, ku sektarizmi ka zhbërë të gjithë përpjekjet e mëhershme të Amerikës për të “mbjellë” atje një demokraci pluraliste, në një terren të lënë shkretë prej grindjeve të vjetra, pabarazive, identiteteve fisnorë dhe dhunës.
Bota arabe sot është produkt i hartave të krijuara prej diplomatit britanik, Sir Mark Sykes dhe homologut të tij francez, Francois Georges-Picot në 1916, dhe të “vulosura” prej Traktatit të Versajës në vitin 1919. Sundimi europian mbi shtetet arabë që ishin të pavarur vetëm në emër vazhdoi; dhe që prej asaj kohe, këta shtete kanë mbetur duke bërë përpjekje të vazhdueshme për legjitimitet. Kur u larguan europianët, ata u pasuan prej diktatorëve që flisnin për nacionalizëm, por që nuk arrinin të bindnin qytetarët e tyre se ishin pjesëmarrës të rëndësishëm në ndërtimin e kombit.
Kjo ndodhi sepse kufijtë arbitrarë i kishin lënë këta shtete të rinj arabë të hapur ndaj përplasjeve të brendshme, që bazoheshin në rivalitetet mes fiseve dhe sekteve fetarë. Udhëheqësit e tyre flisnin gjuhën e nacionalizmit modern, por shtetet e trye nuk u bashkuan asnjëherë. Kështu që ata iu kthyen dominimit të një fisi apo sekti mbi të tjerët.
Otomanët, në të kundërt, dinin si ta menaxhonin diversitetin. Modeli i tyre i decentralizuar përkrahte një pluralizëm rudimentar që e shihte politikën si ndjekjen e një ekuilibri funksional mes fiseve dhe komuniteteve fetarë të ndryshëm. Më shpesh nga sa bëjnë sot, këta komunitete mund të toleronin dhe të bashkëjetonin me njëri tjetrin, pavarësisht dallimeve.
Me dështimin e Pranverës Arabe dhe rritjen e militantizmit islamik, ne jemi duke parë në fakt një shpërthim të dallimeve fisnorë dhe sektarë. Kjo është rrënja e vërtetë e sfidës që paraqesin lëvizjet joshtetërore, të cilat kërkojnë të krijojnë qeveri hije në territore të paqeverisur. I kemi parë dikur në Liban, Libi dhe në territoret palestinezë.
Shteti Islamik në Irak dhe Siri, ndonëse duket më toksik dhe i frikshëm për të huajt, është vetëm shembulli më i fundit. Hera e fundit që një aleancë fanatikësh islamikë dhe fisesh ndryshoi hartën e botës arabe ishte në vitin 1925, kur luftëtarët puritanë Ikhvan të Abdul Aziz Ibn Saudit vërshuan nëpër gadishullin arabik, për të krijuar një vend të ri islamik që edhe sot mban emrin e tij.
Në fund të sundimit imperial, ideja dominuese në botën arabe ishte një nacionalizëm arab bashkues. Ai mbërtheu imagjinatën popullore, por Egjipti, Iraku dhe Siria i kushtuan vetëm pak rëndësi dhe energji, teksa përpiqeshin të bashkonin identitetet e tyre nacionalë me sektet dhe fiset e tyre të shumëllojshëm. Kur nacionalizmi arab e humbi shkëlqimin e tij, ai u zëvendësua nga një tjetër ide e imagjinuar, Islamizmi. Ndonëse duket më e gjerë se gjithësecili prej shteteve arabë, ai vështirë se po bashkon. Sunitët dhe shiitët bien dakord për unitetin islamik, por jo se historia e kujt, teologjia e kujt dhe ligjet e kujt duhet ta përcaktojnë, apo cili sekt duhet ta udhëheqë.
Sot, është një përzierje e Islamizmit dhe nacionalizmit që përcakton politikën arabe. Kjo e shpjegon egërsinë e ndarjes sunitë-shiitë. Rishfaqja e identiteteve fetarë është duke përshkuar kufijtë e shteteve-kombe, të cilët ishin krijuar duke marrë për të mirëqenë dominimin e nacionalizmit laik.
Për pjesën më të madhe të shekullit të fundit, këta tensione u mbajtën larg prej diktaturave, në një rend rajonal që mbështetej në pjesën më të madhe nga SHBA. Por tani, edhe diktaturat, edhe rendi që i mbështeste kanë humbur vendin e ankorimit – në fillim për shkak të dëmit që bëri Amerika në Irak, dhe më pas për shkak të rebelimeve popullorë. Tani, i gjithë rendi rajonal i pas Luftës së Parë Botërore është vënë në dyshim prej ekstremistëve që bashkojnë islamin me populizmin, nacionalizmin dhe anti-imperializmin. Perëndimi dhe aleatët e tij arabë janë thjeshtë duke luajtur e ka kush e ka, dhe nuk po e bëjnë shumë mirë.
Sot, administrata Obama do të preferonte t’ua linte vendasve të zgjidhin politikën e pakuptueshme dhe problemet e pazgjidhshëm të Lindjes së Mesme.
Por, ajo që po shpaloset nuk është dhe aq e huaj për njohuritë që ne kemi për historinë, as nuk është tërësisht një produkt i historisë dhe kulturës arabe. Ky është një proces që Europa e vuri në lëvizje një shekull më parë. Nacionalizmat e rinj që pasuan Luftën e Madhe hodhën rrënjë të forta vetëm në vende si Europa, ku kufijtë e shteteve-kombe të rinj u përshtatën më mirë me ndarjet e natyrshme etnike apo gjuhësore.
Mësimi është se Amerika mund ta përdorë forcën e saj ushtarake për të frenuar, por jo për të zgjidhur dalldinë e dhunës në botën arabe. Zgjidhja do të kërkonte marrëveshje kushtetuese që do të mundësonin ndarje të vërtetë të pushtetit – një përsëritje në kohë moderne e ekuilibrit funksional të Perandorisë Otomane, në shkallë kombëtare. Vetëm kjo do i sjellë botës arabe paqen që i shpëtoi pas Luftës së Parë.
Kjo është detyrë e diplomatëve tanë, më shumë se sa e ushtarëve. Mund të fillojmë në Irak, duke shpresuar që suksesi atje do të ndihmojë edhe pjesën tjetër të rajonit. /NYT/
Vali R. Nasr është Dekan i Shkollës së Studimeve të Përparuara Ndërkombëtare “John Hopkins” . Ai është autor i “Politika e Jashtme Amerikane në tërheqje”.
Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button